DORDOLEC PËR ZOGJTË

Part of dossier KORRUPTIMI DHE KRIMI I ORGANIZUAR Jun 17, 2003
Maqedonia:

Zhelko BAJIQ

Luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar! - me këtë bërtitje luftarake janë fituar të gjitha zgjedhjet e deritanishme në Maqedoninë e pavarur. Për fat të keq, "rrjeti i merimangës" është thurë aq me mjeshtri sa që shumë nga ish funksionarët zëfortë të opozitës, duke u bërë pjesë e pushtetit, në mënyrë vrastare janë ngatërruar në të

AIM Shkup, 20.05.2003

Pas zgjedhjeve parlamentare të vjeshtës së kaluar, mandatari për kryetar të qeverisë, Branko Cërvenkovski, duke parashtruar më 31 tetor ekspozeun e tij para parlamentit lidhur me detyrat e ardhshme të kabinetit të vet, pa shumë dredhime, vlerësoi se Maqedonia është, as më pak e as më shumë, një shtet i krimit dhe korrupsionit. Me qëllim të tejkalimit të gjendjes ekzistuese, si kryeministër i ardhshëm sërish përsëriti premtimin e dikurshëm parazgjedhor se patjetër do të duhej të mbisundojë drejtësia, gjegjësisht çdokush do të jap përgjegjësi nëse do të bie ndesh me ligjin.

Edhe pas gjashtë muajve të qeverisjes shihet qartë se Cërvenkovski nuk ndan mendjen opinionit t'i paraqesë ndonjë llogari të veçantë rreth asaj se çfarë është bërë në lëmin të cilin ai që në fillim e caktoi si detyrë prioritare. Nëse sillet ndonjë përfundim, bilansi nuk është aq për mburrje: për shkak të veprave që bien ndesh me ligjin pas dryrit janë vënë vetëm disa funksionarë të lartë të koalicionit të mëparshëm qeveritar të -VMRO-DPMNE-së dhe Partisë Demokratike Shqiptare, të ballafaquar me aktndjekjet policore disa të tjerë janë tërhequr në ilegalitet. Opozita aktuale, kuadrot e së cilës në të vërtetë u gjetën para hetimeve , përpiqet të vërtetojë se fjala është për urrejtjen dhe mllefin e fituesve, gjë që kinse nuk ka kurrfarë lidhje me krimin. Me gjasë nëse pushteti aktual nuk jep fakte se edhe në radhët e saj ka bagabonda, numri i atyreve të cilët kanë filluar t'u besojnë akuzave të opozitës si mjaft serioze do të bëhet ende më i madh.

Qeveria e Cërvenkovskit para do kohe përgatiti propozimin e masave për luftë kundër korrupsionit. Njëfarë dokumenti të ngjashëm me emër më pretencioz "Programi nacional" po përgatit Komisioni Shtetror për Luftën kundër Korrupsionit. Ky dokument duhet të dalë në shqyrtim të opinionit deri në fund të majit. Strategjia e ofruar qeveritare, të cilën Parlamenti do të duhet ta zyrtarizojë më shpejt stigmatizon në të vërtetë ato vende të cilat vite me radhë kanë qenë "nyje të kalbura" të funkcionimit të organizmës shtetrore. Qeveria në mënyrë shumë ambicioze kërkon ndryshime kushtetutare të cilat do të mundësonin ndërprerjen e imunitetit të funksionarëve shtetrorë, duke përfshirë këtu edhe ministrat, në rast se vërtetohet se kanë "xhepa të thellë" apo "gishtrinj të ngjitshëm". Si një "profet mbi profetët tjerë" do të duhej të qëndrojë i ashtuquajturi "Këshilli suprem juridik" i cili do të përbëhej nga nëntë " të pagabueshmit" të cilët do të kishin detyrë të propozonin kandidatët për zgjedhjen e gjykatësve të të gjitha niveleve, dhe duke vlerësuar punën e tyre të propozonin dënimet e meritueshme. Me analizimin e punës së gjyqtarëve dhe, që është më e rëndësishme, duke analizuar gjendjen e tyre të pasurisë, qeveria shpreson se do të shërojë gjyqësinë. Si njëra nga masat e luftës kundër korrupsionit është edhe formimi i rrjetit antikorruptiv në përbërjen e të cilit do të angazhoheshin edhe policia, prokuroria dhe gjykatësit hetues. Autorizimet e prokurorisë, në pajtim me propozimin e qeverisë, do të zgjeroheshin me marrjen e disa ingerencave të tanishme të gjyqeve. Strategjia e re qeveritare parasheh edhe ashpërsimin e përgjegjësisë së deputetëve të Parlamentit, gjegjësisht rritjen e përgjegjësisë lidhur me zbatimin e vendimeve të Parlamentit.

Ndodh për herë të parë që një organ shtetror të angazhohet rreth diçkaje që paraqet njërën nga rrënjët e shumë të këqiave me të cilat ballafaqohet shteti - çështjes së korrupsionit dhe krimit të organizuar. Më drejtë, është kërkuar edhe zbatimi i sistemit të informimit publik për mënyrën e finansimit të partive politike.

Kryetarja e Komisionit Shtetror për Luftë kundër Korrupsionit, Sllagjana Taseva, vlerëson se strategjia qeveritare është shprehje e vullnetit politik, porse kjo është diç e përshpejtuar. Sepse me këtë dokument qeveria nuk i shpëton përgjegjësisë, e cila bie mbi të dhe që do të rrjedh në të ardhmen nga "programi nacional". Strategjia më e re qeveritare është tentimi i fundit, por deri tani jo edhe i vetmi, me qëllim që t'i jepet fund korrupsionit (si më të shumtin) dhe krimit të organizuar ( si të pazhdukshmin) si forma të veprimeve joligjore.

Është i njëjti po ky Branko Cërvenkovski i cili në postin e kryeministrit, pas dështimit finansiar të piramidës TAT, njërës nga aferat më të pakëndshme në vend, në pranverën e vitit 1997, nga foltorja e parlamentit u kanos zëshëm se do të llogaritej me "oktopodin", gjegjësisht krimin e organizuar dhe të gjitha format e ndryshme të tij, pa e harruar as korrupsionin atë kohë. Dhe, përpos asaj se beteja kundër "oktopodit" u bë objekt talljesh të ndryshme, në një vit e gjysëm në vijim nuk bëri asgjë kundër tij. Për këtë dhe pikërisht për këtë shkak, në zgjedhjet parlamentare ra nga pushteti me ushtimë të madhe.

Lubço Georgievski energjik me ardhjen në krye të koalicionit që mori pushtetin në dorë u betua se si do të demontonte aparatin shtetror jo vetëm të disa viteve të qeverisjes së Lidhjes Socialdemokratike por edhe tërë atë që ishte shtresuar dhe trashur gjatë pesë dekadave të kaluara të komunizmit. U betua dhe në fund u turpërua.

Kur dolën nga ndërtesat qeveritare në vjeshtën e vitit të kaluar shokët e tij partiakë si dhe vetë ai, siç e di mbarë opinioni, ishin shumë më të pasur se sa kishin qënë para katër vitesh kur morën pushtetin. Të mendohet se ajo pasuri e madhe prej disa miliona eurash mund të arrihet në mënyrë të ndershme në shtetin ku funksionari shtetror në mënyrë legale mund të fitojë memzi 1.000 euro në muaj, do të thotë të jesh ose tepër naiv ose tepër dyfytyrësh.

Ekspertët vendas dhe ata të jashtëm të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar gjithnjë janë afër tezës se ky fenomen i tranzicionit nga komunizmi në demokraci duhet të pritet nga rrënjët. Në rastin e Maqedonisë, shteti pagoi tatimet për të gjitha ngjarjet jo të mira ndërkombëtare të cilat e goditën rajonin që nga fillimi i luftrave në fillim të viteve të nëntëdhjeta. U ballafaqua me blokadën e dyfishtë të kufinjve : ndaj veriut ishte e obliguar që të respektojë sankcionet ndërkombëtare ndaj Republikës Federative Jugosllave, ndaj jugut ishte e obliguar të ballafaqohet me blokadën e njëanshme të cilën e vendosi Greqia për shkak të mosmarrëveshjes lidhur me emrin e shtetit.

Ministri i Punëve të Brendshme, Hari Kostov, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari lidhur me thyerjen e sanksioneve si rrënjë të krimit të organizuar, televizionit A 1 të Shkupit, më 19 prill, ia përkujtoi se firmat maqedonase në kohën e sanksioneve, madje edhe me dijeninë e bashkësisë ndërkombëtare, kanë bashkëpunuar me partnerët e RFJ-së. Por kjo punë, sipas mendimit të tij, nuk ka lidhje me krimin, kurse krimi paraqitet vetëm atëherë kur ndonjë firmë mirret me kontrabandë, fsheh tatimet, doganën. Kurse për këto gjëra, Ministria e Punëve të Brendshme nuk posedon fakte.

Është një e fshehtë e njohur prej të gjithëve, ndërkaq, se pasanikët e rinj maqedonas kapitalin e tyre themelor e kanë fituar pikërisht në atë kohë. Aksioni policor "Sablja" i Serbisë fqinje disa herë me radhë tregoi për disa kontakte "interesante" të kriminelëve nga të dyja anët e kufirit. Ministria e Punëve të Brendshme në Shkup në pohimet e mediave se shumë personalitete të njohura të botës së politikës, biznesit, estradës kanë patur lidhje me "klanin e Zemunit" mbetet në pohimin se faktet mungojnë, pa përjashtuar mundësinë të kenë ekzistuar lidhje të tilla.

Konflikti i armatosur ndërmjet forcave maqedonase të sigurimit dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në pranverën dhe verën e vitit 2001, por edhe kriza e Kosovës dy vite më parë, jo njëherë kanë vërtetuar se strukturat kriminele i takojnë "vëllazërisë së padukshme" të veprimeve të përbashkëta. Jo njëherë në mediat shkupjane janë botuar verzione se, krahas topave, nëntoka e krimit, pa marrë parasysh përkatësinë nacionale, funksionon në mënyrë të shkëlqyeshme. Në cilindoqoftë nga këto rrëfime shpesh ndonjë gjurmë kryesore shpje kah nëpunësit shtetrorë të cilët japin përkrahjen dhe strehimin e domosdoshëm.

Deri tani të gjitha dënimet kundër krimit të organizuar në Maqedoni mund të numrohen me gishtrinjtë e një dore. Ata që dinë për kohëzgjatjen e dënimeve të shqiptuara u vjen të qajnë dhe njëkohësisht të qeshin. Me dënimet për korrupsion puna nuk qëndron aspak më mirë. Ngadonjë "peshk i vogël" bie "në akuariumin shtetror" që të bëhet shembull për të parë aq sa botës të mund t'i thuhet se po bëhet diçka. Por shoqëria maqedonase është e korruptuar nga koka deri në thembër - tregojnë anketat, hulumtimet, kontrollimet, dëshmitë e vdektarëve të rëndomtë të detyruar që çdo ditë të përballen me "përbindëshin me njëqind krerë" të nëpunësve të pangopur.

Jo se edhe deri tani nuk ka ekzistuar ndonjëfarë ligji për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Problemi më i mdah, si dihet, qëndron te njerëzit për të cilët edhe ligji më i mirë, pa mbështetjen e vullnetit politik që të zbatohet në jetë, do të mbetej vetëm një "gogol për të frikësuar shpezët".