BARRA E SË KALUARËS
Mali i Zi:Drashko GJURANOVIQ
Brenda MPB malazeze është formuar Drejtoria për luftën kundër krimit të organizuar kurse deri në fund të vitit do të emrohet edhe prokurori special për luftën kundër kësaj të keqeje. Pse bëhen gjithë këto deri sa këtu - si vërtetojnë zyrtarët malazezë - nuk ka krim të organizuar?
AIM Podgoricë, 20. 05. 2003
Pamja e parë: Vrasja në Stokholm. " Dihet se ende do të ketë biseda të montuara dhe dëshmitarë, fletëarreste të montuara. Do të nisen poashtu njësite për likuidime. Por, shpresoj se një ditë do të kthehem në Mal të Zi dhe se rrëfimin tim do ta rrëfej deri në fund". Në këtë mënyrë para ndonjë viti kërcnonte Ratko Gjokiq, njëri nga bosat e mëdhenj të fundit të nëntokës ishjugosllave. Gjokiq vëmendjen e opinionit të gjerë më së shumti e tërhoq me zbulimin e aferës së duhanit, e cila e tronditi fuqishëm pushtetin e Podgoricës për shkak të ankesave të shumta se zyrtarët malazezë kishin nën kontroll biznesin jolegal të tregëtisë së cigareve.
Edhe pse me kalimin e kohës afera e duhanit ra në heshtje, Ratko Gjokiq nuk arriti të tregoj tërë atë që dinte. Dora e gjatë e mafies e mbërrini në Suedinë e largët : të hënën e 5 majit, dy vrasës të panjohur e bënë shoshë Gjokiqin me 28 plumba në rrugët e Stokholmit. Në vendin e largët vrasjen e bënë sipas reçetës vendore - "me saçekushë" klasike. Gjokiqi është pjesë e misterit për aferën e duhanit të cilën e mori me vete në varr dhe me këtë shumë njerëz këtu në Mal të Zi morën frymë më lirë.
Ratko Gjokiq-i në Mal të Zi, bashkë me Ratko Knezhviq-in, ish shefin e misionit tregëtar malazez në Uashington, dalloheshin disa nga figurat që qëndronin prapa shpinës së aferës së duhanit, të cilën së pari në opinionin e gjerë e bëri të njohur gazeta javore kroate "Nacional". Këta të dy në mënyrë të drejtpërdrejtë biznesmenin misterioz Stanko Subotiq dhe pushtetin aktual malazez, në krye me Gjukanoviqin,i akuzuan për bashkëpunim me mafien italiane në organizimin e kontrabandës së cigareve.
Është e qartë se Gjokiqit, sipas informatave të cilat i publikoi javorja malazeze "Monitor", nuk iu falën mëkatet, edhe pse bëri përpjekje që të vë kontakt me pushtetin malazez me qëllim që të sigurojë kthimin e tij në Mal të Zi. Mbase në këtë mënyrë ai nënshkroi dënimin e vet me vdekje, sepse, si dihet, pendestarët nuk i do askush?
Në ndërkohë matanë detit, në Itali, filloi gjykimi i mafiozëve italianë të kontrabandës së cigareve. Shumica prej tyre, ngjashëm me Françesko Prudentinin dhe Salvatore Vantagjato, në mesin e viteve të nëntëdhjeta ishin vendosur në Mal të Zi. Vallë do të jenë më të zëshëm dhe më fjalamanë djelmoshat italianë se sa këta të këtushmit, të cilët, pothuaj të gjithë përfunduan nën tokë para se të fillonin të çtjerrin lëmshin e fshehtësisë?
Pamja e dytë: Shteti dhe sekstrafiku. "Tërë këtë dikush do ta paguaj tepër shtrenjtë", u kërcnua publikisht Zoran Piperoviq, ndihmësprokurori shtetror malazez, në çastin kur në shtëpinë e vet në Bari u arrestua nga specialcat e MPB të Malit të Zi për shkak të dyshimit të bazuar se kishte marrë pjesë në njërin nga krimet më të ndyra: në tregëtinë me njerëz. Me aksionin e mëtejshëm të policisë malazeze përveç Piperoviq-it u burgosën edhe katër persona të tjerë të dyshuar se sëbashku me ose me dijeninë e zëvendësit të prokurorit shtetror kishin organizuar tregëtinë me njerëz, gjegjësisht, shtetase të jashtme - Ukrainkave, Ruskinjaveqë i takonin dhe me një përqindje të levërdishme i "punësonin" apo u "siguronin bukën" nëpër baret dhe klubet e natës malazeze.
Me burgosjen pompoze të prokurorit Piperoviq në fund të vitit të kaluar dukej sikur kishte filluar konfrontimi dhe llogaritja e paraljamëruar dhe e prolonguar gjatë kohë e shtetit me krimin dhe "me pelivanët e radhëve të veta". Aq më mirë që ministri i atëhershëm i policisë Andrija Joviçeviq njihej si njeri shumë i besueshëm i Milo Gjukanoviqit dhe që zëvendësit e Joviçeviqit ishin të radhëve të Partisë Socialdemokratike të Malit të Zi, partnerit të koalicionit të Partisë Demokratike Socialiste të Gjukanoviqit. Kur grupi special policor promovoi edhe dëshmitarin kryesor të aferës sekstrafiking, shtetasen moldaveze S. Ç., moldavezja e pafat dëshmoi se shërbimet e saj për të cilat ishte e detyruar ua kishte bërë shumë nëpunësve shtetrorë, madje edhe politikanëve të lartë dhe shumë të njohur.
Dukej se kreu shtetror vendosmërisht po jepte "dritën e gjelbërt" për aksionin e shkarkimit dhe dënimit të nëpunësve të kompromituar shtetrorë. Krahas kësaj, lidhur me aferën në fjalë, SDP-ja e koalicionit kërkoi dorëheqjen e prokurorit shtetror Bozhidar Vukçeviq, kurse në Podgoricë ia mbërrinë përfaqësues të shumtë të Bashkimit Europian me qëllim që t'u epnin përkrahjen e nevojshme policëve të grupit special për luftën e mëtejshme kundër krimit të organizuar. Me të vërtetë kjo i ngjante një aksioni shtetror të organizuar si duhet.
Fjala inaugurative e kryeministrit të ri Milo Gjukanoviq, ndërkaq, hodhi hijen e parë mbi rrëfimin për aksionin e organizuar shtetror. Gjukanoviq foli për aferë të konstruuar dhe madje kërcnoi se të gjithë "pjesëmarrësit e kësaj afere të montuar do të paditen dhe dënohen". Vallë do të ishte një koincidencë ajo që dy ditë pas fjalës së Gjukanoviqit nëpërmjet gazetës ditore "Publika", të cilën e boton kumbari i Gjukanoviqit(!) nga burgu hetimor u lajmërua edhe vetë Piperoviq duke vërtetuar se aferën e tregëtisë me njerëz ia kishte paketuar vetë ministri i policisë dhe shefi i grupit të policisë speciale për luftën kundër tregëtisë me njerëz, Milan Paunoviq. Pastaj mediat në kontrollin e Partisë Demokratike Socialiste e morën lojën në duart e tyre duke u përpjekur që të bënin të pakuptimtë cilëndoqoftë akuzë. Dhe në fund: në qeverinë e re të Milo Gjukanoviqit nuk gjet vend ministri i deriatëhershëm i policisë Joviqeviq, edhe pse deri në paraqitjen e aferës sekstrafiking konsiderohej si njeri shumë i afërt i Gjukanoviqit, kurse Piperoviq tani është në liri. Kjo mund të merret si dëshmi e sigurtë se kreu shtetror i Malit të Zi nuk dëshiron " ta fundos në ujë" Piperoviq-in dhe as që të lëshojë pe para presionit të bashkësisë ndërkombëtare që kjo aferë të sqarohet dhe pastrohet deri në fund. Vallë angazhimi i kreut shtetror është i motivuar vetëm rreth shpëtimit të Piperoviq-it ose edhe nga frika që zëvendësi i prokurorit shtetror eventualisht edhe në burg mos flasë për shumë afera të mëdha dhe për gjëra në të cilat janë përzjerë shumë të tjerë?
Edhe pas më shumë se gjysëm viti afera sekstrafiking në të cilën ishte përzjerë zëvendësi i prokurorit shtetror ende nuk ka marrë epilogun e vet: deri tani gjykime nuk ka patur dhe nuk dihet vallë do të ketë.
Pamja e tretë: shteti dhe korrupcioni. Lajmi ekonomik malazez
i javës së parë të muajit maj përafërsisht është i këtillë: Ministri i shëndetësisë dr. Miodrag Pavliçiq dhe drejtori i Fondit shëndetsor, Ramo Braliq, reaguan ashpër për zhvlerësimin e tenderit për blerjen e ilaçeve "për shkak të lëshimeve të bëra dhe vendimeve të çuditshme". Në të vërtetë, po të përkthehet kjo në gjuhë të rëndomtë: dy të dalluarit e shëndetësisë malazeze e penguan firmën shtetrore "Montefarm" që - jasht kontrollit të rregullt" - të shpenzojë 19,5 milionë eura për blerje ilaçesh!
Polemika rreth monopolit mbi blerjen e ilaçeve ndërmjet drejtorit të sipërpërmendur të shëndetësisë Braliq dhe ish ministrit të shëndetësisë Miqoviq po vazhdon gjatë kohë. Braliq në mënyrë të drejpërdrejtë akuzoi Miqoviqin për një deficit vjetor prej 12 milionë eura, duke theksuar se duhet të ndërpriten "keqpërdorimet në shëndetësi dhe në përgjithësi në përdorimin e pakontrolluar të ilaçeve dhe përgatitjeve medicinale". Opozita malazeze ministrin Miqoviq e ka akuzuar disa herw me radhë për keqpërdorime rreth blerjes dhe furnizimit me ilaçe duke theksuar se brenda disa viteve të stazhit ministror dr. Miqoviq kishte siguruar "ngritje të shpejtë të standardit personal". Në bazë të deklaratave të shumta prokurori shtetror Bozhidar Vukçeviq kërkoi që MPB-me të kontrollojë apo hetojë rrethanat lidhur me blerjen e ilaçeve, kurse ministri i punëve të brendshme Milan Filipoviq deklaroi se hetimet e policisë po zvariten shumë. Rezultatet e hetimeve, ndërkaq, ende janë të panjohura. Do të lejojë vallë pushteti që të shpallet e vërteta për korrumpimin e nëpunësve qeveritarë?
Tri pamjet e sipërpërshkruara janë vetëm tri kutia të mozaikut të përditshëm malazez dhe dëshmi se shteti nuk ka shkelë në ujrat e përgjegjësisë për punët publike. Njëkohësisht këto janë edhe tregues se korrupsioni dhe krimi kanë depërtuar thellë në të gjitha poret e shoqërisë. Fjala është për një barrë të errët të së kaluarës: që nga fillimi i luftrave të nëntëdhjetave të shekullit të kaluar Mali i Zi u shndërua në mekë të vërtetë për llojet e ndryshme të kontrabandës, nga nafta dhe derivatet e naftës, transaksionet ilegale të parave deri te tranziti i ashtuquajtur i cigareve për Itali dhe në Bashkimin Europian.
Mediat italiane kanë vlerësuar se gjatë vitit 1993 dhe 1994 trafiku i përgjithshëm i cigareve nëpërmjet Detit Adriatik ishte i një vlere fantastike prej një miliardë markash gjermane, nga e cila drejt Malit të Zi kanë shkuar rreth 300 milionë marka prej të cilave diçka në buxhet dhe jo pak në xhepat private të organizatorëve të këtij trafiku.
Në kohën kur Partia Demokratike Socialiste e Gjukanoviqit në vitin 1997 u kthye kundër Millosheviqit, bashkësia ndërkombëtare Podgoricën zyrtare nisi të shohë nëpër gishta për shumë punë joligjore. Mirëpo nga tetori i vitit 2000 dhe rënia e regjimit të Millosheviqit, pushteti në Podgoricë ishte i detyruar që nën presionin e bashkësisë ndërkombëtare, të përpiqet "të pastrojë" oborrin e vet. Për këtë afera "Nacional", gjegjësisht afera e duhanit ishte e mirëseardhur sepse në dritë të vërtetë dolën shumë fakte kompromituese për zyrtarët malazezë si sponzorues të kontrabandës së cigareve në rajon.
Gjatë dy viteve të fundit "tranziti famoz i cigareve" thuaj se është ndërprerë fare; pushteti malazez "ua ka lënë në dorë" ekspertëve të jashtëm kontrollin apsolut të mbushjes së buxhetit dhe, shikuar në përgjithësi, mund të thuhet se Podgorica zyrtare ka bërë shumë që të heq nga vetja hipotekën e "oazës së fundit të sponzorimit të krimit".
" Në Mal të Zi nuk ka krim të organizuar, sëpaku jo në vëllim më të madh se në cilindo shtet që ndodhet në tranzicion", ka konstatuar jo fort moti kryeministri i Malit të Zi, Gjukanoviq. Kryeministri këtë deklaratë e ka dhënë në jehonën e aksionit "Sablja" në Serbi, në kohën kur pushteti serb filloi llogaritjen vendimtare me krimin e organizuar. Është e kuptueshme se pushteti i Podgoricës shpejtoi që opinionit të vet dhe ende më shumë opinionit ndërkombëtar, t' i tregojë se si gjendja në Mal të Zi ishte shumë më e mirë se ajo te fqiu ku po mbretëronte i ashtuquajturi "klani i Zemunit".
Vallë është ashtu si flitet, vallë me të vërtetë Mali i Zi është shëruar nga gjallesa e krimit të organizuar dhe korrupcioni?
Opozita malazeze thot se Mali i Zi është "bastioni i fundit i regjimit mafiokratik në rajon" (kumtesë e Koalicionit për ndryshime). Miodrag Zhivkoviq, lider politik i Lidhjes Liberale të Malit të Zi dhe kandidat për kryetar të Malit të Zi, në fushatën e paradokohëshme zgjedhore vërtetoi se drejtpërdrejtë Milo Gjukanoviq është " fajtori kryesor që Mali i Zi zhytet gjithnjë më thellë në baltën e korrupsionit dhe krimit të organizuar".
Me qëllim që të vërtetonte konstatimin e vet Zhivkoviq u detyrua të parashtrojë fakte dhe për këtë përmendi - "rastin famoz Jube". Çfarë nënkuptohet me këtë rast? Firma "Jube" në vitet 1998 dhe 1999, ashtu si u vërtetua edhe në rrugë gjyqësore, në mënyrë të papërkufizuar ka disponuar me një pjesë të parave shtetrore. Nëpërmjet kësaj firme qeveria malazeze ka blerë aeroplan nga shteti i jashtëm, por po kjo firmë me shpirtgjërësi ka derdhur para edhe në buxhetin komunal të Cetinjës, kinse për zhvillimin e atij rajoni. Që e tërë kjo të jetë ende më interesante, në kohën kur Lidhja Liberale korri fitore në zgjedhjet e kaluara, në komunën e Cetinjës afera u bë "pasuri publike" e të gjithëve: doli se "Jube" nëpërmjet të së cilës qeveria malazeze kishte blerë jasht aeroplanin dhe nëpërmjet të së cilës ishin paguar shuma të mëdha parash për komunën e Cetinjës ose për KK "Buduqnost"- ishte një firmë pa pronar! Ende më saktë - në regjistrin e gjyqit ishte shkruar emri i një qytetari inekzistent të Malit të Zi. Vallë mund të ndodhë diçka e këtillë dhe vallë mund të bëhet kjo nëse dikush nga kreu shtetror nuk jep "dritën e gjelbërt" për shumë afera dhe operime të dyshimta financiare?
"Të gjitha këto pasqyrojnë specifikën e situatës malazeze" thot për AIM-in dr. Srgjan Darmanoviq, drejtor i Qendrës për të Drejtat e Njeriut, në Podgoricë. Darmanoviq thekson se, krahasur me gjendjen e tanishme në Serbi, përditshmëria malazeze është diç më e mirë, por vlerëson poashtu se Mali i Zi ende është shumë larg çrrënjosjes së problemit të krimit dhe korrupsionit. " Këtu nuk ka ekzistuar ajo lidhja e fortë ndërmjet krimit të luftës dhe krimit të organizuar sikurse në Serbi. Do të kisha thënë se këtu është e pranishëm forma klasike e të ashtuquajturit kapitalizëm i ortakëve. Kjo situatë është e këtillë derisa Qeveria ose disa njerëz të saj me ndikesë, disa personave ose firmave të monopolit shtetror u mundësojnë që të realizojnë fitime enorme. Kjo është një formë e korrupsionit që shkatërron sistemin", thot dr. Darmanoviq.
Por korrupsioni, pa dyshim, sipas mendimit të qytetarëve, është njëri nga problemet më të mëdha të Malit të Zi. Kështu në kërkimet e Qendrës për Tranzicion Demokratik më shumë se 73 përqind e të anketuarve mendojnë se në Mal të Zi ka korrupsion, kurse vetëm gjithsejt 2 përqind deklarojnë se nuk ka. Sipas qëndrimeve të të anketuarve, korrupsioni në Mal të Zi më i zgjeruar është në fushën e doganës, kurse pastaj vijojnë: kreu shtetror, mediat shtetrore, shërbimet dhe administrata komunale
Domethënë se është mjaft vështirë të përkrahet versioni zyrtar i krerëve të Malit të Zi se në Mal të Zi nuk ka korrupsion dhe krim të organizuar.
Më në fund, ajo që qytetarëve u është e njohur me kohë, sepse pasojat i kanë ndjerë në lëkurën e tyre, në mënyrë indirekte e kanë pranuar edhe krerët e shtetit malazez. Mali i Zi jo më vonë se kah fundi i vitit, sipas paralajmërimeve të ministrit malazez të drejtësisë Zhelko Shturanoviq, do të fitojë prokurorin special për luftën kundër krimit të organizuar. Dhe jo vetëm kaq: në suazat e Ministrisë së punëve të brendshme ka kohë që është formuar njësiti special për luftë kundër krimit të organizuar. Dhe prandaj del pyetja e vetëkuptueshme: në qoftë se nuk ka krim të organizuar, ashtu si vërteton Gjukanoviq, pse atëherë Qeveria kryetar i sëcilës është Gjukanoviq, propozon formimin e institucionit të prokurorit special për luftën kundër krimit të organizuar? Më konkretisht: pse krerët e Partisë Demokratike Socialiste, duke mohuar vetveten , pranuan ekzistimin e problemit?
Një pjesë e përgjigjes pa dyshim ndërlidhet me presionin e bashkësisë ndërkombëtare. Sukseset në luftën kundër krimit të organizuar janë bërë kushti kyç për fitimin e donacioneve ndërkombëtare.
Udhëheqësit e Malit të Zi me gjasë e kanë kuptuar mirë porosinë: nëse dëshirojnë të fitojnë të hollat e domosdoshme për gjallërimin e ekonomisë së vendit atëherë patjetër duhet të plotësojnë kushtet e caktuara.
Është e sigurtë poashtu se edhe ngjarjet në fqinjësi, sëpari në Serbi, kanë ndikesë të dukshme në vendimet e pushtetit malazez. Operacioni "Sablja" ndikoi dukshëm në ngritjen e autoritetit të pushtetit serb, madje më shumë se sjellja e ligjeve të reformës dhe premtimet e shumta.
Kështu që është e kuptueshme se vetë idesë së pushtetit malazez për formimin e institucionit të prokurorit special për luftën kundër krimit të organizuar parimisht nuk mund t'i bëhet vërrejtje. Problemi qëndron në atë se cila do të jetë hapsira dhe caqet e këtij aksioni? Sepse, nëse vërtetë dëshiron të bëj punë, prokurori special do të jetë i detyruar të merret me punën e prokurorisë së deritanishme "të rregullt". Është e njohur për të gjithë ajo që edhe policia malazeze shpesh e ka shpallur publikisht se shumë paraqitje dhe deponime penale me muaj dhe vite qëndrojnë të mbyllura nëpër sirtarët e prokurorisë shtetrore. Do të duhej që të vërtetohet më në fund: pse dhe sipas urdhërit të kujt?
Krahas tjerave, që të fitojë autoritetin themelor - në vend dhe jasht- prokurori special do të duhet që bukur e mirë të "kreh" punën e shumë firmave shtetrore dhe parashtetrore. Me fjalë të tjera, idea për formimin e prokurorit special mund të jetë shumë e rrezikshme pikërisht për promotorët e saj. Vallë është reale të pritet që pushteti që kontribuoi në shkatërrimin e autoritetit të gjyqësisë dhe i cili, sëpaku në mënyrë indirekte, lejoi zgjërimin e krimit dhe korrupsionit tani fare papritur të ndryshojë strategjinë dhe taktikën e vet?
Apo çdo gjë do të përfundojë me fjalët e mëdha dhe punët e vogla? Ngjashëm me atë kur u formua Komisioni për Luftën Kundër Korrupsionit në krye të të cilit u emrua njeriu i administratës shtetrore. Dhe sikurse dihet, në Mal të Zi ende askush nuk ka dhënë llogari për vepra korrupsioni ose për marrje rryshfeti- asnjëri nga funksionarët e njohur shtetrorë.