KRIMI I ORGANIZUAR DHE KORRUPTIMI NË BeH

Part of dossier KORRUPTIMI DHE KRIMI I ORGANIZUAR Jun 17, 2003
Bosnja dhe Hercegovina:

Milkica Milojeviq

Me paratë e pista ose të sapolara mund të blehet çdo gjë: pasaporta e falsifikuar, ndonjë bankë e madhe, informata e policisë, dhe madje, qoftë përkohësisht, liria për vrasësin e premierit reformist.

AIM, Banja Lluka, 20.05.2003

Milorad Lukoviq Legija, kreu i klanit të famëkeq të Zemunit, pas vrasjes së kryeministrit serb Zoran Xhingjiq, i ndjekur nga policia gjyqësore, u arratis në BeH fqinje. Hetimet vërtetuan se Legija, "trimi i dikurshëm i luftës atdhetare serbe", kishte pasaportën false të Republikës Kroate të dhënë nga konzulata kroate e Mostarit (BeH), kishte ikur në Federatën e BeH-as, ku ishte strehuar dhe fshehur përkohësisht te "ortakët e tij të punës" në Posushje, prej ku, si duket, ia kishte mbathur për diku në Perëndim. Disa burime të informuara mirë, ndërkaq, të afërta me Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) të RS, vërtetojnë se koka e mafies serbe nuk ishte larguar fare nga BeH. Disa ditë më vonë hoteli banjallukas "Bosna", pronari i i shumicës të të cilit është Pantelije Damjanoviq, funksionar i lartë i Partisë Radikale Serbe (PRS) të RS dhe deputet në kuvendin bosnjëhercegovinas, u rrethua nga specialcat e MPB-së. Kërkonin në hotel dy mafiozët e arratisur të Zemunit, por nuk i gjetën. Specialcat u larguan nga hoteli "Bosna" me duar të shprazta, por po atë natë, Milorad Dodik, kryetar i opozitës në RS, në një tubim publik deklaroi:"Ishin në vendin e vërtetë, mirëpo në kohë të gabuar". Njohësit e mirë të rrethanave politike nuk e kishin vështirë të "lexonin" aludimin e Dodikut: gjatë disa viteve të fundit çdo aksion pak më serioz i MPB kundër trafikanëve me njerëz, drogë dhe me automobila të vjedhur, "zbulohej" që në startin e tij. Ende pa filluar policia akcionin e ndjekjes, në vendin e ngjarjes do të arrinte "informata tepër sekrete" për akcionin e sapofilluar.

Shembulli i parë: Sllobodan Sholaja, biznesmeni kontraverz i Banjallukës, në tetor të vitit 2000 "importoi" nga Panama për në BeH 164 kilogram kokain të pastër. Personalisht ishte duke mbikqyr shkarkimin e "mallit" në kohën që cingërroi telefoni mobil. E pranoi porosinë dhe ngadalë, më këmbë, u nis drejt rrugës. Poilicia arriti në vendin e caktuar vetëm pas disa minutash, mirëpo Sholaja tani më ishte i "pakapshëm" për organet e ndjekjes.

Shembulli i dytë: Milorad Milakoviq, që është pronar i bareve të natës prijedorase është i dyshuar për tregëti me gra për prostitucion thërriti një konferencë për shtyp dhe gazetarëve ua paraqiti faksimilet e planit komplet të racioneve nëpër bare, për të cilët, policia, më vonë pranoi se ishin - të vërteta.

I lartëpërmenduri Sholaja kishte miqësi me Momçilo Mandiqin, ministër i drejtësisë gjatë luftës në Republikën Serbska, njërin nga njerëzit më të besueshëm të BeH dhe finansuesin kryesor të SDS-it (Partia Demokratike Serbe), të cilin policia serbe para do kohe e arrestoi për lidhjet e tij mafioze. Supozohet se Mandiq nga Beogradi do të duhet të udhëtojë drejt e në Hagë, që atje të jap llogari para Tribunalit Ndërkombëtar për Krime të Luftës. Kjo do të jetë shansa e tij e vetme që të udhëtojë në ndonjë nga shtetet e Bashkimit Europian: vlen të kujtojmë se emri i Mandiqit është i pari në listën e 25 qytetarëve të BeH, të cilëve, sipas propozimit të Përfaqësusit të lartë për BeH, Pedi Eshdaun, u është ndaluar hyrja në shtetet e Bashkimit Europian. Kjo listë, ashtu si është shpallur nga Zyra e Eshdaunit (OHR), i përfshin emrat e të gjithë atyreve të cilët "janë pjesë e rrjetit të krimit të organizuar dhe larjes së parave dhe të cilët i përkrahin të paditurit për krimet e luftës".

Ajo se këtu nuk bëhet fjalë vetëm për një rrëfim për "mafjen patriotike serbe" e cila financon Radovan Karaxhiqin vërtetohet edhe përmes rastit Alija Delimustafiq, ministër i punëve të brendshme të BeH në kohën e luftës. Delimustafiq, i cili në Sarajevë është dënuar për malverzime dhe keqpërdorime milionash, vitin e kaluar në Beograd u kap me dokumente të falsifikuara të Republikës Serpska! Në opinion depërtoi rrëfimi i policisë se ato dokumenta Delimustafiqit ia kishte siguruar askush tjetër por Dragomir Joviçiq, asokohe ministër i punëve të brendshme të RS! Është simptomatike ajo që Joviçiq, i cili gjatë tërë stazhit të punës ka punuar për një rrogë shteti, arriti të ndërtojë një pallat të bukur në qendër të Banja Llukës, edhepse nuk është martuar me grua të pasur dhe se nuk ka patur një teto që t'i linte trashgimi.

Pas burgosjes së Mandiqit në "Slobodna Bosna" të Sarajevës u botuan tekste ende në asnjë mënyrë të demantuara për lidhjet "afariste të luftës" të Delimustafiqit, Mandiqit dhe të politikanëve dhe biznesmenëve të lartëpozicionuar, të afërt me të tria partitë nacionale. Ushtarët e demobilzuar serbë, kroatë dhe boshnjakë gjatë këtyre disa viteve të fundit ishin të detyruar të ballafaqohen me të vërtetën e hidhur: deri sa ushtarët të vrisnin njëri tjetrin, ata të cilët i kishin dërguar në luftë fare në rregull dhe nëpërmjet vijave dhe lidhjeve në front, shpenzonin "mallin e braktisur" dhe bënin kontrabandë me naftë, armë dhe madje edhe me trupat e shokëve të vetë të vrarë!

Në listën e të padëshiruarve në shtetet e BE-së do të gjenden, sipas të gjitha gjasave, edhe disa funksionarë sarajevas të Partisë së Aksionit Demokratik të Izetbegoviqit, si p.sh. Milenko Vraçar, ministër i paradokohëshëm i financave në RS. Për shkak të aferës në Drejtorinë e Doganës Republikane, Vraçar dha dorëheqje, mirëpo në "rrugë e sipër" me privatizimin "për pak para" u bë pronar shumice në Bankën e re të Banja Llukës, bankë beh, e cila për zgjërimin e saj ka rrjetin më të madh të ekspoziturave në vend dhe jasht. Diku para një viti mediat shpallën se Vraçar, Mladen Ivaniqit, kryeministër i asokohëshëm i RS-së, kurse sot ministër aktual i punëve të jashtme të BeH, i kishte paguar 500 mijë marka gjermane si pagesë për kolltukun e ministrit! Ivaniq kur e dëgjoi këtë pakës u mrrol, por asnjëherë nuk i demantoi këto lajme.

Para tre vitesh Përfaqësuesi i atëhershëm i lartë, Volfgang Petriç e ndërroi nga funksioni i premierit të Federatës BeH, Edhem Biçakçiqin. Shkaku: ai dhe zëvendësi i tij Dragan Çoviq, ia arritën që, duke thyer buxhetin, vetëm për një vit të grabisin 15 milionë marka nga të hollat e shtetit. Çoviq sot është anëtar i respektuar i Kryesisë së BeH dhe kryetar i këshillit organizativ për pritjen e Papës.

Dhe kështu me radhë, si luga vekshi dhe etj.etj Shembuj të këtillë skandalozë dhe të njohur për opinionin janë shembuj transparentë të korrumpimit të pushtetit të të dy etniteteve bh. Dhe lidhjet e tyre me krimin e organizuar janë të shumta sa që numrimi i tyre ka nis të bëhet i mërzitshëm. Pa dyshim edhe brengosës. Aforizma e njohur se çdo shtet ka mafjen e vet, kurse vetëm në Ballkan mafja ka shtetin (shtetet) e vet, në BeH mund të zgjerohet edhe me : Mafja ka shtetin e vet, kurse shteti ka protektorin e vet në personin e Përfaqësuesit të lartë.

Pedi Eshdaun apo "drejtori i dhunshëm" i BeH, pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme në Serbi filloi akcionin e nevojshëm. Vizitoi Beogradin dhe Zagrebin dhe pas kthimit në BeH paralajmëroi bashkimin e shërbimeve informative në shkallë shtetrore."Shërbimi informativ do të jetë në shërbim të ligjit, dhe jo si deri tani si servis në shërbim të krimit", tha pa kurrfarë shtrembimi liberali i vjetër britanik. Mirëpo pyetje më vete është ajo se sa vallë shërbimi i bashkuar do të jetë i mjaftueshëm për t"i dalë përballë korrupcionit dhe krimit të organizuar. Edhe deri tani shërbimet dhe pushteti i të dy etniteteve kanë bërë grupe të antikorrupcionit, mirëpo doli se e tërë kjo ishte një "gjuajtje në hava". As reforma gjyqësore nuk solli rezultate të dukshme, nëse nuk kemi parasysh rrogat e gjykatësve dhe të prokurorëve prej 2000 deri më 3000 KM. Kjo që këta kanë rrogë tre herë më të lartë se të ministrave dhe pesë herë më të lartë nga rrogat mesatare të gazetarëve prokurorët publikë të BeH nuk i nxiti që së paku njëherë të ndërmarrin një kontroll serioz kundër funksionarëve të shtetit lidhur me ato që shkruajnë mediat dhe gazetat veçanërisht, edhe pse këtë e kanë obligim ligjor. Gazetarët kanë ngelur donkiohtët e vetëm të cilët luftojnë kundër korrupcionit dhe inkriminimit të shoqërisë, ndërkaq që asnjëra nga aferat serioze të shpallura në shtyp nga ana e qeverive, Doganave, Elektroekonomisë ose Telekomit nuk ka fituar epilogun e vet gjyqësor. Çdo gjë ka përfunduar me aktpaditë e luhatshme për "keqpërdorim të postit" dhe kjo gjithnjë kundër atyreve të cilët nuk janë më në pushtet.

Ata të jurisprudencës më shpesh janë arësyetuar me mospasjen e mjaftueshme të autorizimeve ligjore, të cilat do t'u kishin mundësuar mbledhjen dhe parashtrimin e fakteve për këto raste mjaft të ndieshme. Mirëpo së shpejti gjykatësve dhe prokurorëve do t'u jepen mundësi të reja eksponimi dhe veprimi.Ligji i ri penal i BeH, parasheh, për shembull, mundësinë për konfiskim të pasurisë së fituar në mënyrë jolegale, kurse Ligji i miratuar jo fort moti për procedurën penale prokurorëve publikë u jep autorizime shumë më të mëdha, kurse organeve të hetuesisë u jep mundësi për fotografim, kontroll të arkivave dhe llogarive, shfrytëzimin e shërbimeve të "hetuesve të fshehur", (prvokuesve) dhe dëshmitarëve të mbrojtur. Këto dy ligje së shpejti duhet të votohen dhe pranohen edhe nga nivelet etnike, që pastaj të fillojnë të zbatohen. Por e tërë kjo do të ndryshojë diçka? -Nuk do të ndryshoj asgjë, thot avokati Krstan Simiq, funksionar i Lidhjes së socialdemokratëve të pavarur. Nuk qëndron puna te ligjet, por te ajo që ato nuk zbatohen. As ligjeve të vjetra nuk u mungonte gjë, por luftë të vërtetë kundër korrupcionit dhe krimit të organizuar nuk mund të ketë nëse nuk ekziston vullnet politik për të.

Atë që vullneti politik është vendimtar e thekson edhe Xhems Lajon, i cili vite me radhë ishte drejtor i Grupit Ndërkombëtar të Krizës për BeH, kurse tani këtë funksion në rajonin e Serbisë dhe Malit të Zi, e ushtron- Momçillo Mandiq i cili në Serbi u burgos për shkak të thyerjes së ligjit. I njëjti oashtu ligjin e theu edhe në BeH, mirëpo asnjërit nuk i ra në mend që ta gjykojë, sepse pushteti i RS e mbronte haptaz, thot Lajon.

Nga ana tjetër, thekson Simiq, kërkesat tejet të zëshme për "shtet juridik" dhe për " pushtetin e institucioneve dhe ligjeve" vijnë pikërisht nga ata njerëz të cilët gjatë luftës u pasuruan shumë shpejtë dhe të cilët e adhurojnë fjalinë "vetëm mos më pyetni për milionin e parë, sepse të gjithë të tjerat janë legale". Ata janë pasururar dhe siguruar mirë dhe tani do të dëshironin që askush të mos i sulmojë dhe reketojë, thot Simiq. Për këtë ata janë shumë më të interesuar se sa pensionistët dhe të papunët, të cilët edhe ashtu nuk kanë çfarë të humbin, thot Simiq. - Që në vitin 1997 revista më e njohur ekonomike "Ekonomist" e Londrës zhvilloi anketën për korrumpimin në shtetet e ish Jugosllavisë. Republika Serpska në atë kohë u analizua sëbashku me RS Jugosllavisë dhe u konstatua se shkalla e korrumpimit ishte 7,8 nga nëntë pikat e mundshme të indeksit. Në Federatën BeH kjo notë ishte diçka më e lartë se pesë. Kjo është një gjendje tipike kancerogene. Domethënë ekonomistët britanikë ishin tepër të habitur se si vallë BeH mund të ekzistonte dhe të funksiononte. Unë edhe atë kohë isha deputet dhe kërkova mbledhje të jashtëzakonshme të parlamentit të RS me temë kushtuar luftës kundër krimit të organizuar. Ka kaluar shumë kohë që atëherë dhe një mbledhje e tillë ende nuk është mbajt. Gjendja nuk është aspak më e mirë edhe sot. Përkundrazi është dukshëm më e keqe: pasoi privatizimi i dyshimtë, misterioziteti, u bëmë rajon tranzit për kontrabandën e narkotikëve, njerëzve dhe prostitucionit të organizuar.

Prej para do kohe filloi të zbatohet ligji i ri për finansimin e partive politike dhe për donacionet e sipërmarrjeve publike. Kuptimi i këtyre dy ligjeve është si vijon: sipërmarrjet publike nuk mund të jenë donatorë të partive politike, madje edhe nëse kanë shumë para, kurse partitë mund të finansohen nga donacionet e kufizuara të personave privatë dhe individëve si dhe prej antarsisë. Pas zgjedhjeve të vitit të kaluar, në BeH partitë kryesore politike në media filluan të plasojnë rrena të pa menduara: kinse fushatat e tyre elektorale kishin qenë tejet të lira dhe ishin finansuar nga xhepat e funksionarëve partiakë dhe miqve të cilët si shpagim nuk kishin kërkuar asgjë.

Të gjithë tani më e kemi të qartë: asnjë parti politike nuk e mbledh antarsinë, kurse donacionet janë të imta. Partitë politike kryesisht financohen nga sipërmarrjet private të cilat presin që këtë ta shumëfishojnë kur borxhlinjtë e tyre të marrin pushtetin. Ose e kundërta, deri sa ende jeni në pushtet për firmën siguroni punë, kurse ajo për ju - provizion,- thot Simiq.- Por, thelbësorja në këtë rrëfim është ajo se edhe ky provizion është llogaritur në çmimin të cilin në instancën e fundit do ta paguaj vetë qytetari: si konsumator ose si i obliguar tatimor.

Megjithatë, vlerëson Simiq, të huajt në këtë drejtim na kanë sjellë disa lëvizje pozitive: mirë është që kemi konkurset dhe tenderët, financimi i konsumuesve buxhetorë kalon nëpër trezorë dhe gjërat fillojnë të institucionalizohen. Përfaqësuesi i lartë Pedi Eshdaun me publikimin e "afarizmit" të Elektroekonomisë së RS dhe me paralajmërimin se do ta kontrollojë ende më mirë Elektroekonominë e Federatës BeH dhe Telekomet e të dy etniteteve, tregoi se e ka fare të qartë se në cilën gëmushë është fshehur lepuri dhe se llogaritjen me krimin e organizuar dhe korrupcionin e ka kuptuar shumë seriozisht. Edhe qytetarët e BeH më shumë i besojnë atij se sa politikanëve të cilëve ua kanë dhënë votat. Këtë e vërtetoi para do kohe edhe hulumtimi dhe anketimi i tv magazinës "Liberti": më tepër se 80 përqind të qytetarëve të të gjitha kombeve të të dy etniteteve bh. më shumë i besojnë Eshdaunit se sa politikanëve vendorë, kurse 60 përqind e qytetarëve besojnë se sikur të largoheshin të huajt nga BeH në vend sërish do të kriste lufta.

Por edhe ky rrëfim ka edhe anën tjetër të pasqyrës. Eshdaun jo fort moti tha se BeH nuk do të fitojë më asnjë dinar ndihmë nga jasht, sepse "proekti BeH" bashkësisë ndërkombëtare deri tani i ka kushtuar 50 miliardë dollarë. Dhe ku shkuan gjithë ato para? Po këtë pyetje në kolumnën e "Nezavisna novina" e shtron edhe ekonomisti Mladen Grahovac, përndryshe funksionar opozicionist i Partisë Socialdemokratike të Zlatko Lagunxhies. Me një llogaritje të thjeshtë, tregon Grahovac, mund të vijmë te konstatimi se një pjesë e mirë e këtyre parave nuk ka kaluar as te etnitetet as nëpër buxhetin shtetror të BeH, por " nëpër një numër të madh organizatash joqeveritare, donatore, të cilat pas Dejtonit gufuan si kërpudhat pas shiut". Dhe përfundon se si edhe një çështje humanitare siç është p. sh. kthimi i të ikurve apo refugjatëve mund të shndërrohet në një "mënyrë perfide të korrupcionit, krimit dhe larjes së parave". Më në fund edhe për disa "organizata humanitare" nga shtetet islamike të cilat kishin misionet e veta në Sarajevë, gjatë dy viteve të kaluara është vërtetuar se janë marrë me kontrabandë, e madje, si theksojnë amerikanët, edhe me përgatitjen e terroristëve. Ose me reketimet? Në këtë mënyrë rrëfimi nis nga fillimi:

Te paratë e pista ose të sapolara me të cilat mund të blihet çdo gjë: pasaporta e falsifikuar, banka e madhe, informata policore, dhe madje edhe liria (e përkohëshme) për vrasësin e kryeministrit reformator.