Mafia e bashkuar ballkanike
HYRJE:Hyrje: Mafia e bashkuar ballkanike
Mbase është i saktë vlerësimi se shtetet e reja të pavarura ballkanike do t'i kenë përfunduar më luftrat e tyre. Mirëpo është e padyshimtë ajo se shumica prej tyre, nëqoftë se jo të gjitha shtetet postsocialiste të rajonit, janë të prangosura në kthetrat e krimit të organizuar dhe të korruptimit, i cili gjithnjë më shumë manifestohet si shkatërrues për demokracitë vendase të brishta, krim i cili është bërë aq i fuqishëm sa të vërë nën kontroll sferat kyçe të shoqërisë. Kjo mbase është diçka e pritur për shoqëritë ku politika është kuptuar si biznes më produktiv, i cili mundëson pasurimin brenda natës dhe privilegje të shumta. Dhe krahas kësaj, për këtë nuk pason kurrfarë përgjegjësie.
Nga këto disa tekste për gjashtë shtetet ballkanike do të bindeni se në këto vende të gjithë gojarisht përpiqen për luftën kundër korruptimit dhe krimit të organizuar. Mirëpo, çdo ditë që vjen këto dukuri bëhen më të dukshme dhe më të fuqishme dhe me ndikesë në jetën e përditshme të njeriut të rëndomtë.Nga leximi i këtyre teksteve do të kuptoni ngjashmërinë e rrëfimeve për krimin e organizuar dhe korruptimin si edhe për lidhjet rajonale të atyreve që merren me punë të ndaluara, gjegjësisht rrëfimin për gjuhën e shprazët të parrullave politike me anë të të cilave zhvillohet beteja kundër të keqes së tillë. Kuptohet pra se mafia ballkanike dhe kriminelet vendorë para kohe kanë realizuar atë për të cilën angazhohen të gjitha proektet për ardhmërinë e Ballkanit - multietnicitetin e rrjetave të veta dhe relativizimin e kufinjve shtetrorë. Dhe pikërisht për këtë shkak cinikët thonë: "Mbi Ballkanin sundon mafia multietnike të cilën e ndihmojnë elitat politike nacionaliste . Mund të vërtetohet edhe e kundërta. Sepse, ka bukur kohë që askush nuk mund të caktojë kufirin i cili ndan apo veçon disa politikanë nga kriminelët. Ende më qartë, shpesh nuk dihet se cili është ai që thërret: kapeni hajdutin! Kjo thirrje bëhet me qëllim që të shkaktohet tollovi më e madhe, që të mos dihet se kush cilin e ndjek. Lidhur me këtë lind dyshimi: vallë a formojnë këto shtete mekanizma me anë të të cilave të mbrojnë qytetarët e ndershëm nga destrukcioni ose, bëjnë të kundërtën, formojnë institucione të cilat do të mbrojnë kriminelët nga forca e ligjit.
Mendimi i njohur se të gjitha shtetet kanë kriminelët e tyre kurse vetëm në Ballkan kriminelët kanë shtetet e veta mund të plotësohet dhe forcohet edhe me konstatimin se në të gjitha shtetet mund të ballafaqoheni me ligjin për shkak të fajit që keni bërë, por që vetëm në disa shtete të këtushme mund ta pësoni për shkak se nuk jeni fajtor. Sepse në vendet e ashtuquajtura "shtete në tranzicion" para shumë kohe janë barazuar politika-biznesi-krimi- dhe drejtësia dhe prandaj keni mundësi që ta pësoni nëqoftëse në mënyrë naďve besoni se ato janë profesione të veçanta. Ky është i njëjti lumë, por i emruar ndryshe, vetëm me qëllim që të shastisen të pasherrët, lumi në të cilin mbyten të pambrojtur ata të paaftit që të ndërmarrin diçka- vdektarët e rëndomtë.