Hyrje

Gjendja e pakicave nacionale dhe mbrojtja e të drejtave të tyre është një barometër i posaçëm për marrëdhëniet e përgjithshme shoqërore të çdo vendi, kurse në shtetet e krijuara në sipërfaqen e ish Jugosllavisë gjithmonë kanë qenë dhe ende janë çështje të jetës dhe vdekjes, të luftrave të cilat, krahas të tjerave, janë zhvilluar edhe për shkak të të drejtave etnike dhe nacionale. Edhe pse të drejtat nacionale shpesh herë kanë qenë edhe mbulesë për realizimin e disa qëllimeve të tjera të luftës, madje edhe të atyreve më morbide, ata megjithatë kanë qenë dhe ende janë faktor i stabilitetit, gjegjësisht jostabilitetit në territorin e shtetit të shpërbërë. Një pasqyrë e pjesërishme lidhur me realizimin e të drejtave të pakicave nacionale në katër shtetet që u krijuan në sipërfaqen e ish RSFJ-së dëshmon për rrugën e gjatë që ende kanë përpara këto shtete për të arritur atë shkallë të zhvillimit të marrëdhënieve shoqërore në të cilën edhe gjendja e pakicave nacionale do të dëshmonte se me të vërtetë janë inkuadruar në rendin e shteteve me zhvillim demokratik. Sipas gjendjes së përgjithshme aktuale, në të katër këto shtete pothuaj më mirë është të jesh çdo gjë tjetër përveç se anëtar i pakicave nacionale të cilat janë në shënjestër si faktor destabilzues i shteteve nacionale të reja, sepse ato, para së gjithash dhe në radhë të parë, janë formuar si shtete etnike dhe jo si shtete demokratike.