Vështirë, ngadalë dhe pa efikasitet
Menaxhmenti, puna me studentët, regjimet dhe rregullat e ngurta të studimeve, dhënia e diturive kryesisht pozitiviste, programet studimore jokreative, mungesa e lokalit dhe kuadri arsimor shkencor i vjetruar - janë problemet kryesore të arsimit shtetror universitar në Maqedoni.
AIM Junior, Shkup 09.04.2003
Arsimi superior është edhe një segment i shoqërisë maqedonase, i cili viteve të fundit nuk mund të vendoset në baza të shëndosha. Edhe pse ka dy universitete shtetrore (ai i Shkupit dhe i Manastirit) si edhe një universitet privat dhe një jolegal ( ai i Tetovës), në të cilët studiojnë mbi 30 000 studentë, Maqedonia nuk mund të krenohet për arsimim të definuar qartë dhe arsimim cilësor akademik. Pjesa më e madhe e qytetarëve të ardhshëm akademikë studimet e veta zyrtare dhe të pranuara shtetrore i fillojnë dhe i kryejnë në Universitetin "Shën Kirili dhe Metodi" në Shkup, kurse pjesa tjetër arsimohen në Universitetin "Shën Klimenti i Ohrit" në Manastir dhe në "Universitetin e Evropës Juglindore" në Tetovë. Universitetet shtetrore, si shtylla kryesore të arsimit të lartë maqedonas, ballafaqohen me probleme të mëdha të cilat manifestohen nëpërmjet programeve jo kreative studimore, mungesës së lokalit dhe deri te kuadri i vjetruar arsimoro-shkencor.
Universiteti "Shën Kirili dhe Metodi" disponon me strukturë të degëzuar programesh për studime me mbi 130 drejtime të ndryshme në të cilat njerëzit e rinj mund të paisen me dituri pothuaj nga të gjitha lëmitë e shkencës.Mirëpo, problemi nuk qëndron te vëllimi dhe mundësia për zgjedhje të drejtimeve të ndryshme arsimore. Vasili, student i Katedrës për gjuhë italishte pranë Fakultetit Filologjik, nuk është i kënaqur me rrjedhën e deritashme të studimeve për shkaqet që i theksoi qartë:" Duke filluar nga ajo që shpesh nuk kishim kushte elementare për ndjekjen e mësimit, më saktë mospasjes të mësojtoreve, duke theksuar edhe kuadrin e pamjaftueshëm të profesorëve të drejtimit tim të italianistikës, madje deri te obligimi që të zgjidhet gjuhë e dytë kryesore, gjë që të humb dëshirën që t'i përkushtohesh asaj që e do, për shkak të programit mësimor tepër të zgjëruar dhe të ngarkuar".
Edhe pse për çdo vit Universiteti "Shën Kirili dhe Metodi" në gjirin e vet përfshin një numër tepër të madh të njerëzve të rinj, pjesa më e madhe e mësojtoreve dhe amfiteatrove mbetet gjysëm e zbrazur. Irena, studente e Fakultetit të Ekonomisë, thot: " Organizimi i ligjëratave është temë e veçantë. Në shumicën e ligjëratave unë jam e kapluar nga mërzia dhe e di se si unë janë edhe të tjerët. Nuk mjafton që studentët vetëm të dëgjojnë ligjëratat e profesorëve. Mënyra standarde e ligjëratave dhe mënyra e dhënies së provimeve rezulton studentë të painteresuar dhe përtacë".
Mirëpo ka edhe kolegë të tillë që këtë gjendje e shohin diç më ndryshe. Njëri prej tyre është Mirkoja i Institutit të Mbrojtjes pranë Fakultetit Filozofik. Ai tregon se edhe në sistemet më të mira arsimore ka vend për pakënaqësi dhe shton: " Po të kisha qenë i përfshirë edhe në sistemin më të çmuar arsimor në botë përsëri do të ndihesha i pakënaqur për aspekte të caktuara të tij. Sistemi ynë më bën që të ndihem njëlloj i kënaqur dhe i pakënaqur prej tij".
Siç është e ditur, njerëzit më të përfolur dhe të akuzuar për gjendjen e studimeve universitare janë ata që ndodhen në linjën e parë udhëheqëse - dekanët, rektorët ose profesorët. Metodija Nestorovski, prorektor për studimet pranë Universitetit "Shën Kirili dhe Metodi" vlerëson se moskomunikimi dhe jokompabiliteti janë anët kryesore negative që mund t'i posedojë një institucion i arsimit të lartë. Pikërisht për këtë shkak universiteti shkupjan përcjellë trendet evropiane. "Kryesorja e punës sonë është që të bëhemi më komunikativë dhe më kompatibil me universitetet evropiane. Ky është synimi ynë drejt të cilit afrohemi në një nivel relativisht të lartë. Për këtë qëllim na ndihmuan shumë edhe projektet e shumta të cilët fakultetet i organizuan nëpërmjet programeve Tempus. Secili nga fakultetet rëndësi të posaçme i kushton çështjes së nivelizimit dhe ndërlidhjes së programeve me ato të fakulteteve të tjerë në botë dhe në këtë aspekt mendoj se kemi arritur nivel të lakmueshëm", thot Nestorovski.
Është bërë dukuri normale dhe e përgjithshme që për çdo gjë të bëhen komente dhe analiza madje edhe kur nuk kemi kurrfarë njohurie nga një lëmi e caktuar. Studentët e Maqedonisë dinë çdo gjë rreth asaj se çfarë i pengon gjatë studimeve për të cilat janë përcaktuar. Një student i ri i Fakultetit Filosofik, i cili ka arritur në gjysmën e arsimimit të vet të lartë do të thotë: " Kjo çështje është tepër e gjërë dhe kjo do të thot se mund të filloj nga platformat plot turbullime që na përcjellin nga njëra ligjëratë deri te tjetra dhe deri te tabletat e diturisë të cilat vetë sistemin mund ta bëjnë të padobishëm. Duke menduar se kërkoni përgjigje me pikëpamje primitive, me vizione të limituara ai do t'u përgjigjet: "Nevoiten konektime kompjuterike deri te çështjet studentore si dhe materiale më cilësore për studim". Kolegeja Biljana nga Filologjiku do të theksoj se fakulteti i saj ka nevojë tejet të madhe për lokale plotësuese dhe sallë mësimi për studentë. Ajo thot: " Çorodia arqitektonike në të cilën është vendosur Fakulteti Filologjik dhe ai Filosofik ka zgjidhje të këqia dhe jofunksionale, gjërësi të pashfrytëzuar si duhet, kështu që një zgjidhje e përmirësuar e tij do të ishte njëra nga zgjidhjet e mundshme të këtij problemi. Në vazhdën e kësaj, mendoj se studentët e Filologjikut ndoshta janë shfrytëzuesit më të shpeshtë të aparateve të fotokopjimit. Fotokopjohen libra, skripte dhe shënime. Duhet siguruar literaturë profesionale me çmime të volitshme".
Kur bëhet fjalë për ndryshimet apo transformimet, ndihmësrektori Nestorovski thekson se universiteti është një institucion dinamik i cili vazhdimisht është në vazhdën e adaptimeve dhe transformimeve. Ai thot: "Shpeshherë dëgjojmë fjalë të mëdha si reforma, mirëpo fjala është për përshtatje dhe adaptime. Universiteti duhet të ndryshojë në disa drejtime siç është stili i punës dhe për disa ççshtje si: menaxhmenti, puna me studentët - në vend të sistemeve dhe regjimeve të ngurta të studimeve duhet të ndërtojmë rregulla të reja, më fleksibile, më të përshtatshme të studimeve gjë që do të ndihmojë që çdo student t'i prijë lojës, studenti të bëhet zot dhe pronar i kohës së vet. Dhe më tej, universitetin ta reformojmë edhe nga aspekti i dhënësit të diturive kryesisht pozitiviste, ta kthejmë drejt një procesi të mësimit dhe studimeve të vazhdueshme".
Segmentet e lartëshënuara janë njëkohësisht problemet më të mëdha të arsimit shtetror superior në Maqedoni. Vendosja dhe regjistrimi i tyre në letër është i lehtë, porse mjaft i vështirë dhe i rëndë, i ngadalëshëm dhe joaq i gjallë në zbatimin e tyre në jetën studentore. Koha për ndryshime nuk duron vonesë.
Aleksandar SAZDOVSKI