Spiunimi elektronik

Skopje Oct 28, 2002

AIM Shkup, 23.09.2002.

Moskë 1945. Ambasadori amerikan Avarel Hariman, pret në rezidencën e tij delegacionin e Ukrainës, nga i cili merr si dhurratë një shqiponjë prej druri, simbol i SHBA-ve. I prekur nga kjo shenjë miqësie, ambasadori e vendoi dhurratën në tavolinën e vetë të punës dhe nuk e hetoi se kishte filluar lufta e dytë e ftohtë. Teknikët e shërbimit sekret rus kishin "paketuar" një bobinë prej bakri, në brendinë se së cilës kishte një vibrator që lëvizte majtas-djathtas.

Nga një kamion në afërsi të ambasadës, me sinjal prej 330 megaherc ishte gjetur drejtimi që shpiente drejt zemrës së shqiponjës dhe "mizën" e zbuluan. Kamioni i dytë, i parkuar në anën tjetër të ambasadës kapi sinjalin e reflektuar nga cilindri i bakrit, ku pajisja e celiktë oscilonte sipas bisedimeve në ambasadën amerikane. Atëkohë ky ishte sistemi më bashkëkohor i përgjimit, që rastësisht e zbuluan anglezët dhe i njoftuan amerikanët. Loja ishte e përkryer.

Spiunët dhe spiunimi ekzistojnë edhe sot, por në një formë shumë të sofistikuar. Metodat e vjetra i janë lënë historisë dhe filmave mbi "Xems Bondin". Tani kjo bëhet në rrugë elektronike, me ndihmën e pajisjeve telekomunikuese, kompjutorave, satelitave, spiunazhit kozmik. Do të thoshin se gati secili njeri në planet mund të përgjohet, të ndiqet dhe të xhirohet dhe ai të mos jetë fare i vetëdijshëm për këtë.

Prej katër vjetëve teknologjia bashkëkohore e përgjimit, e blerë në Perëndim, filloi të përdoret masovikisht edhe në Maqedoni. Këtë fatk, për herë të parë e bëri të ditur kah mesi i dhjetorit të vitit 2000, Nikolla Popovski, kryetar i atëhershëm i Komisionit parlamentar për kontrollin e veprimtarisë së Shërbimit për siguri dhe kundërzbulim, deputeti i opozitës së mëparshme Lidhjes Socialdemokrate. Ai tha se shërbimet sekrete maqedonase e thyejnë me të madhe Kushtetutën dhe ligjet duke përgjuar bisedat telefonike të qytetarëve, funksionarëve dhe deputetëve të opozitës, madje edhe njerëzve nga partitë në pushtet. Pohimin e vet ai e bazoi në faktin se në atë kohë Drejtoria për siguri dhe kundërzbulim kishte blerë nga Izraeli për 6 milionë marka gjermane një pajisje mjaft të sofistikuar.

Deklarata e Popovskit vetëm i parapriu asaj që e theksoi pas një muaji lideri i socialdemokratëve, Branko Crvenkovski. Në konferencën për gazetarë ai zbardhi një zbulim skandaloz se shërbimet sekrete maqedonase kishin përgjuar bisedat telefonike të më shumë se njëqind personave nga jeta politike dhe publike, duke filluar nga kryetari i Maqedonisë, Boris Trajkovski, e deri te ministrat e dikurshëm dhe ata aktual, deputetët e partive opozitare dhe atyre në pushtet, ambasadorëve, gjykatësve, hetuesve, gazetarëve

Në "dosjen" e trashë ( mbi njëqind faqe), që LSDM-ja ua ndau atëkohë gazetarëve, u vërejt se ishin përgjuar biseda nga telefonat fiks dhe mobil të më shumë se 150 personaliteteve të rëndësishme nga jeta politike dhe publike në Maqedoni.

"Bëhet fjalë për vetëm dhjetë përqind të përshkrimeve që posedon Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë, kurse kjo me siguri nuk është as një përqind e asaj që është përgjuar", tha atëherë Crvenkovski.

Me një vështrim shkarazi të materialit të bërë publik lehtë mund të konkludosh se në Maqedoni gati nuk ka pasur njeri që ka mbartur ndonjë funksion publik që nuk është përgjuar. Nën mbykqyrjen elektronike kanë qenë kreu shtetëror dhe politik i shtetit, janë përgjuar të gjitha bisedat e anëtarëve të opozitës dhe familjeve të tyre, kurse në listën e të përgjuarve kanë qenë edhe 12 redaksi të mediumeve elektronike dhe të shtypura, ku janë "observuar"më së paku 25 gazetarë.

Tronditja e re në opinion maqedonas ndodhi në fillim të shkurtit të vitit 2001 kur Crvenkovski bëri publik listën e stenogrameve të telefonave të përgjuar të personave të lartë shtetëror dhe publik. Përveç kryetarit të shtetit, shefit të atëhershëm të diplomacisë, nënkryetarit të Qeverisë dhe shumë personaliteteve të tjerë të jetës politike dhe publike, ishin përgjuar edhe bisedat telefonike të 70 personave tjerë, liderë të partive politike, diplomatë, gjykatës, profesorë, bankierë, drejtorë firmash, të punësuar nëpër organizata joqeveritare, gazetarë, madje edhe klerikë, në mesin e të cilëve edhe një peshkop.

Në "Votergejtin" maqedonas u bë e ditur se pas marrjes së pushtetit në tetor të vitit 1998, VMRO-DPMNE, kishte marrë si dhurratë nga shërbimi sekret kroat SZUP (Shërbimi për mbrojtjen e rendit kushtetues) katër pajisje për përgjimin e telefonave mobil CAS - 800. Dy-tre muaj para mbajtjes së zgjedhjeve lokale partia e atëhershme në pushtet VMRO-DPMNE kishte blerë edhe katër pajisje tjera të sofistikuara për përgjim, e cila aktivizohet automatikisht për numrin e caktuar ose për fjalën e thënë dhe grafikisht e cakton vendin ku gjendet telefoni me të cilin bisedohet. Në kuadër të kësaj pajisje gjendet pajisja e ashtuquajtur periferike GCOM - 4510 - LASR (Laser Surveillance System ). Kjo pajisje lëshon rreze laserike në hapësirë prej 300 deri 400 metara, që dëbohet nga dritarja e dhomës (ku gjenden njerëzit e observuar) dhe sërish kthehet tek pajisja.

Hetimi i filluar i aferës maqedonase të përgjimit është lënë pas dore. Të përgjuarit, në mesin e të cilëve edhe krytari i shtetit Boris Trajkovski, kishin vërtetuar autenticitetin e bisedimeve, por e gjithë kjo mbeti në këtë nivel.

Edhe pse prej atëherë kanë kaluar gati dy vjet, asgjë nuk ka ndryshuar në vend. Ekspertët e kësaj problematike para dy muajsh kanë bërë të ditur se Maqedonia plotësisht është bërë një vesh i madh, ku me të madhe bëhen përgjime dhe spiunime. Në gjithë këtë, thonë ata, më e tmerrshme është se Drejtoria për siguri dhe kundërzbulim, Agjencia për siguri, shërbimi sekret ushtarak dhe Telekomi, urdhërat për përgjim i kanë marrë nga partia e atëhershme në pushtet VMRO-DPMNE, e cila më pas këto njohuri i ka shfrytëzuar për qëllime politike dhe personale, por edhe për të vërtetuar lojalitetin e anëtarëve dhe zyrtarëve të vetë.

Lideri i Lidhjes Demokratike Pavle Trajanov, i cili kohën më të madhe e kaloi në polici, kurse nga viti 1998 deri në vitin 2000 ishte edhe në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme, thotë se është lakuriqësuar çështja private e njerëzve, se secili e përgjon secilin, e çka është më e keqja, thotë ai, në shtet nuk funksionon asnjë institucion për mbrojtjen e mjeteve të komunikimit - telefonave statik dhe mobil, faksave, postës elektronike... Mendim të ngjashëm ka edhe drejtori i dikurshëm i Agjencisë për zbulim Dr. Aleksa Stamenkovski, i cili thotë se pajisje për përgjim, natyrisht në mënyrë jolegale, kanë siguruar edhe parti të ndryshme dhe qarqe të fuqishme finansiare.

Fakti se në Maqedoni ndodh përgjimi masovik, kjo i ka alarmuar edhe misionet diplomatike në vend, të cilët çështjen e konsiracionit e ngrenë në nivelin më të lartë. Trajanov thotë se ambasadorët tani shfrytëzojnë "dhomat e shurdhëta", që janë të mbrojtura nga "hijet" e padëshirueshme.

Pushteti i ri në Maqedoni, që duhet tani të konstituohet, do të ketë mjaft punë për të vënë rend në këtë sferë. Njësitë që merren me mbrojtjen e mjeteve të komunikimit, si në MPB, gjithashtu edhe në Agjencinë për siguri dhe në shërbimin sekret ushtarak, praktikisht nuk funksionojnë për shkak të rivalitetit. Në Agjencinë për sigurim ekziston sektori për kripto - mbrojtje, por nuk funksionon. Edhe në MPB ekzistojnë pajisje dhe sisteme përmes të cilëve mund të vërtetohet se a përgjohet ndonjë zyrë, banesë, linjë telefonike, postë elektronike. Të informuarit thonë se më së vështiri zbulohen pajisjet që punojnë në frekuenca të vogla dhe shtojnë se kushtojnë rreth 70 mijë dollarë, kurse ekzistojnë dëshmi se prej tyre posedojnë edhe disa parti të mëdha politike. Se kush mbetet fshehtësi, por nga veprimtaria e "pakëndshme" e partisë së deritanishme në pushtet VMRO-DPMNE, nuk përjashtohet që kanë menduar në të.

DUSHAN JOKSIC