Gazetarët ndërmjet çekanit dhe kudhrës
AIM Shkup, 17. 10. 2002.
Para disa kohe dy gazetarë të javores beogradase "Vreme" dëshmuan në Hagë kundër Sllobodan Millosheviqit. Kjo hapi në Serbi dilemën se athua gazetarët duhet të dëshmojnë para Gjyqit, për çfarëdo rastesh qofshin dhe athua kjo e cenon kodeksin gazetaresk dhe profesionin e tyre.
Edhe gazetarët maqedonas ndonjëherë gjenden përpara gjyqit. Megjithatë, për dallim nga kolegët e tyre serb, ata dëshmojnë kundër atyre që i kanë rrahur ose kanë "përfituar" ndonjë shrapnel gjatë kohës kur dikush i tregon aftësitë e veta prej gjuajtësi të mirë, siç ishte rasti me ish-ministrin e punëve të brendshme Lube Boshkovskin.
Në këtë kohë tranzitore në Maqedoni dhe asaj që na e kërkon e ardhmja, gazetarët e këtushëm përveç vlerësimit të dobët profesional, shpesh edhe rrihen. Kështu ndodhi edhe me gazetarin e radios lokale kumanovare "Tumba", Zoran Bozhinovskin, i cili u rrah në vendin e tij të punës. Kjo e "mbushi kupën", prandaj emetuesit e fjalës publike vendosën që më të mos qëndronin duarkryq dhe të vëzhgonin derisa i sulmon ndonjë "ushtar" partiak, që nuk i pëlqen e vërteta e thënë.
Përveç kritikave të ashpra, përmes të cilave godasin çdo ditë, gazetarët dinë të bëhen edhe ironik. Kështu ndodhi gjatë protestës më të madhe të gazetarëve maqedonas para Ministrisë së Punëve të Brendshme në Shkup. Duke ngritur zërin kundër sulmeve ndaj tyre, ata kishin të veshur fanella me mbishkrimin: "Këtu jemi, na rrihni".. Karikaturisti i njohur nga Shkupi, Darko Markoviq, në kolumnën e vet të rregullt të vizatuar "Pecko" në gazetën "Dnevnik", ua tërhoqi vërejtjen kolegëve se ministri i punëve të brendshme Lube Boshkovski nuk e kupton mirë ironinë, prandaj nuk duhet luajtur kësisoj duke e sfiduar dhunuesin.
Protesta e gazetarëve këtu hasi në mirëkuptim të përgjithshëm të opinionit publik, kurse Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë përgatit edhe iniciativën për ndryshimin e rregullativës ligjore, që në të ardhshmen çdo sulm ndaj gazetarëve të konsiderohet si sulm ndaj personit zyrtar. Ky propozim do t'i dërgohet përbërjes së re parlamentare, ndërkaq, për ironi, i pari që u "paraqit" për të mbrojtur kërkesën e gazetarëve ishte ish-ministri kontravers i punëve të brendshme, Lube Boshkovski, "luanët" e të cilit pamëshirë rrahën gazetarin Bozhinovski në studion e radios kumanovare.
Sulmet e shpeshta ndaj gazetarëve e bënë Maqedoni si vend ku vazhdimisht rritet rreziku profesional për gazetarët. Edhe pse ka shembuj të banditizmit të thjeshtë, në të shumtën e rasteve është fjala për ngjarje të motivuara politikisht ose inskenime politike kundër gazetarëve, me qëllim që të vihet kontroll ndaj politikave redaktuese ose të nxiten valë paniku, për të shuar zërat e padëshirueshëm të së vërtetës.
Se gazetarët maqedonas plotësisht kanë mbetur vetëm dëshmon edhe fakti se mbi katërdhjetë raste kur janë sulmuar brutalisht gazetarët ose kur janë frikësuar - nuk janë sanksionuar ligjërisht dhe asnjë sulmues nuk ka përfunduar në gjyq. Nga ana tjetër, Republika e Maqedonisë deri tani në asnjë mënyrë nuk ka dhënë shenja se ka ndërmend që të ndërpres këtë qark të dhunës ndaj gazetarëve. Vetëm gjatë disa muajve, përveç Bozhinovskit, janë sulmuar ose rrahur gazetarë në Vinicë, Strumicë, Ohër, Tetovë, kurse për shkak të armës së komplikuar me të cilën "luante" ministri Boshkovski, duke hedhur granata nga "bretkoca", gjatë një stërvitje ushtarake, në mesin e të lënduarve ishte edhe një gazetare e re e gazetës nga Shkupi "Dnevnik". Nëse gjatë kohës së luftës në vend rreziku i profesionit të gazetarisë ishte i pashmangshëm, sulmet e tanishme ndaj "fajtorëve kujdestar" nuk mund të justifikohen assesi.
Nga ana tjetër, pjesa më e madhe e gazetarëve maqedonas, në vendin ku përfitimi mujor sillet rreth 150 euro, janë të ballafaquar me luftë ekzistenciale dhe për status. Nëse përjashtojmë më të lumturit që punojnë nëpër disa mediume private, jo rrallë herë të paguar me paratë e donatorëve të huaj, që finansojnë mediumet, ku të ardhurat mujore, sipas rregullit kanë "fshehtësi pune", por relativisht të kënaqshme, pjesa më e madhe e gazetarëve maqedonas nuk marrin më shumë se 200 euro në muaj.
Në këtë situatë, të gjendur mes, kudhrës dhe çekanit, gjegjësisht presionit që vjen nga pasiguria materiale, disa gazetarë, por edhe redaksi të tëra, në mënyrë të fshehur, jo rrallë herë lajnë kokat me akull dhe tentojnë që të paguhen sa më mirë duke ofruar "shërbime të mira".
Kjo gjendje ishte më e dukshme gjatë kohës së ballafaqimit partiak në kohën e zgjedhjeve në Maqedoni, ku disa gazetarë, me vetëiniciativë, ose me vendim të shtëpisë së tyre informative, me siguri për "para të majme" e vërtetuan ndjenjëne tyre të shërbëtorit ndaj politikanëve. Sëkëndejmi edhe vlerësimi - përsa kohë që mediumet janë të mvarura ekonomikisht nuk mund të pritet që të punojnë pavarësisht. Sepse, njëkohësisht ballafaqohen edhe me presionin e pushtetit ose partive politike, por edhe qendrave të fuqishme ekonomike. Kurse nën këtë presion të madh përkulen edhe më të fuqishmit. Me fjalë të tjera, është një vijë mjaft e zbehtë dalluese ndërmjet mediumeve dhe politikës, që gjithmonë sjell rrezikun e korruptimit, që padyshim, që, jo në atë shkallë, është e pranishme edhe në mediume dhe te disa gazetarë.
DUSHAN JOKSIQ