Takimi i të bekuarve
AIM Shkup, 07.10. 2002.
Të premten më tre tetor, në ndërtesën e parlamentin maqedonas u konstituua parlamenti i katër shumëpartiak, që nga vendosja e sistemit shumëpartiak dhe shpallja e pavarësisë.
Nuk është e lehtë që ta qëllosh se përçka u motivua kreu policor që qendrën e ndërtesës ta vërshonte me engjuj - mbrojtës kur nuk ekzistonte kurfarë shkaku serioz: të gjithë ata që eventualisht mund të cenonin kremten e gjithëmbarshme ishin brenda - edhe ish- UÇK-ja, edhe themeluesit e florave dhe faunave të proviniencës VMRO-iste, edhe përfaqësuesit e bashkësive kombëtare, edhe diplomatët e huaj. Paj, edhe Bin Ladeni atë ditë kishte punë më urgjente.
Komisioni verifikues vërtetoi mandatet për gjithsejt 119 deputetë (një do t'u bashkangjitet kur në njësinë e tij zgjedhore do të kalojë afati i caktuar ligjërisht). Pushteti i ardhshëm do të ketë shumicën parlamentare. Partitë e shqiptarëve kanë një të pestën e deputetëve, kurse për herë të parë në foltoren parlamentare do të flasin edhe përfaqësuesit e boshnjakëve, serbëve, romëve. Mbi të gjitha një grupim i laramanishëm, pak ekzotik që gjatë katër vjetëve të ardhshëm (nëse më parë nuk do të rrëshqet sikurse një kuarc i lëmuet) mbase do të merren me procedura të ndryshme ligjore. Një raportues me fantazi këtë përbërje parlamentare e krahasoi me seancën votuese të Kuvendit antifashist të Maqedonisë së çliruar popullore (ASNOM) nga viti 1944. Kur deputetët arritën nga lufta me erën e freskët të barotit nëpër flokë. Tani për pak të ishte kështu: në përbërjen parlamentare u gjetën edhe komandantët e njohur të ish-Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare që opinioni maqedonas i ka njohur vetëm për (jo) veprat gjatë kohs së krizës - kuptohet, ashtu siç i kanë prezantuar të ngjyrosurit lokal përmes mikrofonave dhe kamerave.
Gazetarët maqedonas atë të enjte më shumë u interesuan për ata që nuk erdhën në Shkup. Vetë truri i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, trioja Ali Ahmeti, Fazli Veliu dhe Gëzim Ostreni, tani si deputet të partisë së sapoformuar Bashkimi Demokratik për Integrim, emitimin televiziv e kishin ndjekur nga largësia, nga selia partiake në Tetovë. Siç tha bashkëluftëtari i tyre Agron Buxhaku, duke transmetuar përshëndetjet e përzemërta të Ahmetit dhe shokëve të tij, ata vetë do të inkuadroheshin në punën e Kuvendit gjatë seancës së ardhshme. Pikërisht shkaku i mosardhjes së treshes së BDI-së lindën disa zënka ndërmjet deputetëve të kësaj partie dhe Partisë Demokratike Shqiptare, që është rivale e saj. Ishte ky një rast që të flitej në gjuhën shqipe në Parlament. Duke e kryesuar seancën, mjeshtri i njohur për shumëkend përsa i përket skandaleve Stojan Andov, u shtir se është i shurdhër dhe bëri që deputetët maqedonas të çuditeshin, prandaj ua rikujtoi se ata nuk kuptojnë dhe së paku u duhej titlim. Thonë se në momenti e fundit kishte urdhëruar që të bleheshin kufje për përkthimin simultan. A diti ai, si një dem në arenën e skuqur, në kohëra më të mira, të thoshte se derisa ai është kryetar i Parlamentit nuk do të flitet gjuha shqipe në parlament?!
Çka është edhe është, as nuk foli sepse në këtë seancë inauguruese kryetari i parlamentit (gati i përjetshëm) ia lëshoi vendin pasardhësit të tij Nikola Popovskit.
Për Popovskin, shef i grupit parlamentar të partisë së tij gjatë përbërjes së kaluar dhe nënkryetar i Lidhjes Socialdemokrate, ylli partiak i së cilës ende shkëlqen, votuan deputetët e koalicionit që fituan zgjedhjet dhe deputetët e Bashkimit Demokratik për Integrim, kundër ishte VMRO-DPMNE e kryeministrit që largohet Lubço Georgievskit, liberalët e Stojan Andovit dhe ndonjë shqiptar i opozitës. Në përputhje me procedurat parlamentare, përveç se maqedonisht tani mund të flitet edhe në gjuhën shqipe.
Ka të vërtetë se disa mendonin se gjuha shqipe kurrë nuk do të mund të përdorej dhe nuk duhet dyshuar se ata që nuk janë adhurues të kësaj gjuhe të lashtë më mirë e dijnë atë pjesë të rregullores. Përkthyer në gjuhën e parave do të thotë se Kuvendi doemos duhet të angazhojë numër shtesë të përkthyesve simultan, sekretareve, daktilografueseve. Shqiptarët thonë se tani kjo mund të duket e dhimbshme shkaku se nuk është bërë kur është dashur. Shumë cinikë ua kthejnë: demokracia dhemb. Nëse e pretendon Bashkësinë Evropiane, Maqedonia duhet patjetër të sillet si Bashkësia - të fillojë të duket si kullë Babiloni. Vërtet a do të jetë e këndshme të dëgjosh dhe të shohësh ndonjë deputet
- shurdh se si, përmes përkthimit simultan, të kërkojë pauzë 15 - minutëshe?
Thënë sinqerisht, gati se nuk ka maqedon që nuk e fshehin gjendjen e pakëndshme që ka ardhë, kur ih-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, të njëjtit që dikur kishin luftuar kundër ushtrisë dhe policisë, tani të rrijnë ulur në Parlament. Në këtë pyetje logjike, njëri nga këto, i njohur si "Komandant Mësuesi" edhe më logjikisht u përgjigj: "Ne nuk kemi luftuar kundër Maqedonisë, por për më shumë të drejta të shqiptarëve". Mbetet e paqartë se athua komandantët e dikurshëm dhe deputetët e posazgjedhur në parlament do të preferojnë që të thirren me emra (shumica prej të cilëve janë të panjohur për qytetarët) ose përmes nofkave të luftës, përmes të cilëve i njohu e gjithë bota.
VMRO-istët që assesi të pajtohen se kanë pësuar humbje, kishin thënë se nuk do të merrnin pjesë në seancën konstituive por për një çast vendosën që të silleshin ndryshe. Që opozita të jetë e pamëshirshme, nuk ka nevojë të theksojë diçka. Nuk janë deklaruar se athua do të pranojnë vendin e njërit nga nënkryetarët e parlamentit, vendi tjetër është rezervuar për Bashkimin Demokratik për Integrim. Vendin e nënkryetarit ua ofroi me zemërgjërësi spikeri i ri Popovski duke dashur që me trille të lehta të krijojë imixhin e njeriun pa paragjykime dhe të drejtë.
Për çudi, përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, që, si rëndom, kanë nevojë të flasin edhe kur nga ata këtë askush s'e kërkon, gjatë gjithë seancës u dukën të painteresuar. Dhe arrin "libri i vogël" i eurokomesarit Javier Solanës ku, pas gjithë atyre frazave boshe mbi Maqedoninë si shtet demokratik, thekson se transferi i pushtetit në Maqedoni duhet të bëhet në mënyrë të qetë. Ata që e njohin abetaren diplomatike megjithatë e kanë kuptuar se duhet të gjithë të mbushen me mend sepse mund të ndodh belaja.
Koalicioni fitues i zgjedhjeve të muajit të kaluar "Për Maqedonisë së bashku" dhe BDI-ja e Ahmetit, duke mos humbur kohë, ia kanë filluar punës për të bërë qeverinë. Do të thoshin "me rromuze". Por, puna ende nuk është gati. Kur do të jetë, do të dëgjojmë.
ZELKO BAJIÇ