Bisedime të vogla nate

Skopje Sep 28, 2002

Sadoqë që u mundua, Maqedonisë nuk i shkoi doresh që zgjedhjet parlamentare t'i bënte të mërzitshme

AIM Shkup, 20.09.2002

Kaloi dita e parë, e dyta dhe e treta nga zgjedhjet parlamentare të së dielës. Dhe asgjë! Asgjë e tmerrshme nuk ndodhi. Komisioni Zgjedhor Shtetëror në përputhje me seriozitetin që e ka marrë ky shërbim shtetëror, e kreu punën në paqe dhe heshtje. Kaloi një e mërkurë monotone. Ishte paraparë që të kurorëzohej me kumtimin zyrtar dhe përfundimtar të rezultateve zgjedhore. Asgjë e veçantë. Sepse, fituesit kishin kremtuar fitoren, Humbësit (kuptohet) kishin përjetuar me dhembje humbjen. Do të ishte shumë bukur sikur të kidhte përfunduar kështu! Megjithatë, shkojmë me rradhë!

Sipas rezultateve zyrtare, që i kumtoi zëdhënësi i Komisionit Shtetëror Zgjedhor Zoran Tanevski para diplomatëve të huaj dhe pjesëtarëve të "fuqisë së shtatë", në zgjedhjet e katërta parlamentare të mbajtura të dielën koalicioni "Për Maqedoninë" fitoi 60, pra gjysmën e vendeve për deputet në Parlament, dy më pak se sa kishte parashikuar. VMRO- DPMNE-ja në pushtet në koalicion me liberalët 33 deputetë, Bashkimi Demokratik për Integrim e ish - liderit të UÇK-së së shpërbërë Ali Ahmetit 16, Partia Demokratike Shqiptare e Arben Xhaferit 7, Partia për Properitet Demokratik e Abdurahman Alitit 2 dhe Partia Demokratike Kombëtare e Kastriot Haxhirexhës dhe Partia Socialiste e Maqedonisë nga një.

Dhe, tamam kur dukej se kumtimi i rezultateve zyrtare do të ishte formalitet, gjërat u komplikuan maksimalisht. Zëdhënësi Tanevski së pari dha deklaratë se anëtarët e Komisionit ndjejnë presionin nga ana e zyrtarëve të lartë policor, prandaj kërkoi që të lihen të qetë, që të mundnin në afat të përfundonin punën. Edhe përkundër asaj që tha ai se nuk bëhen kurfarë bisedash informative me policinë, në kabinetin e kryetares së Komisionit Shtetëror Zgjedhor Mirjana Lazarova-Trajkovskës, pas një insistimi të vazhdueshëm, hyrën ministri i punëve të brendshme Lube Boshkovski, përndryshe njeri i fuqishëm në VMRO-DPMNE-në e mundur, në shoqërim të shefit të shtabit zgjedhor të kësaj partie Marjan Gjorgjevit. Opinioni publik priste me padurim.

Për rrjedhën e bisedimeve të natës publiku kishte mundësi që të mësonte nga vetë pjesëmarrësit. Shefi i përbërjes zgjedhore Gjorçev më pas tha se kishte biseduar për aksionin policor në shtypshkronjën e Prilepit ku ishin shtypur fletëvotimet. Përndryshe, partia që humbi kishte dyshuar se ishin shtypur më shumë fletëvotime se sa kishte votues. Përfaqësuesit e VMRO-DPMNE-së kishin shprehur shqetësim me punën e Trajkovskës, e cila, siç tha Gjorçevi, gjatë votimeve gjithmonë i mbajti anën koalicionit fitues.

Siç tha, janë penduar shumë që kishin dëgjuar kryetarin e Republikës Boris Trajkovskin që të caktonte si kryetare të KZSH K të ishte Trajkovska. Mysafirët e paftuar, thanë se me diçka ishin marrë vesh me Komisionin Shtetëror Zgjedhor. Në shikim të parë duket se temperaturën e uli ministri Boshkovski. Në deklaratën e tij ai tha se partia e tij e pranon humbjen dhe i pranon rezultatet zgjedhore. Kjo u pëlqeu të gjithëve. Por jo shumë gjatë.

Gjatë gjithë mbrëmjes në Kuvend ishin numër i madh i diplomatëve perëndimorë në krye me euro - përfaqësuesin Alan le Roa, ambasadorin e OEBS Craig Jannes-in dhe ambasadorin amerikan Lawrence Butler-in. Të gjithë ata i dhanë përkrahje të plotë Komisionit Shtetëror Zgjedhor. Ambasadori i SHBA-ve Lawrence Butler shprehu çudi që VMRO-DPMNE-ja në pushtet tani zbulon se ishin djegur 400 mijë fletëvotime kur rasti i javës së kaluar ishte zgjidhur. Megjithatë, do të dëshmohej se nuk ishte edhe kështu.

Të enjten u paraqit para gazetarëve edhe kryetarja e Komisionit Shtetëror Zgjedhor Mirjana Lazarova-Trajkovska. Ajo sqaroi se vizituesit nuk e kishin miratuar kërkesën që biseda të shtyhej derisa Komisioni të përfundonte punën dhe të respektonte afatet ligjore. Ajo vërtetoi se Boshkovski dhe të tjerët u morrën me materialin zgjedhor që ishte shkatërruar gjatë javës së kaluar në shtypshkronjën e Prilepit, e cila kishte shtypur gjithë dokumentacionin zgjedhor. Komisioni Shtetëror Zgjedhor kishte bërë të ditur më parë se fletvotimet ishin djegura sepse kishte gabim në emrin e kandidatit të partisë rome. Në pakënaqësinë e shprehur të VMRO-DPMNE-së se nuk ishin respektuar ankesat e tyre Trajkovska i kishte mësuar se kundër vendimeve të KSHZ mund të shtronin ankesë deri te Gjykata Supreme.

Ende ministri i punëve të brendshme Boshkovski nuk ndenji duarkryq. Në konferencën për shtyp komentoi se biseda me kryetaren e KSHZ ishte në përputhje me ligjin dhe jo ndërhyrje dhe presion ndaj KSHZ-së.

"I përsërisim uriet tona të bindur se nuk do të ndryshohet asgjë në mënyrë spektakulare, por duam që opinioni publik maqedonas të jetë i njoftuar me falsifikimin dhe se dikush me falsifikim dëshiron që të isntalojë pushtetin, që të na nënçmojë sikur të jemi ndonjë Ugandë ose ndonjë fis Mau-Mau", tha në mënyrë teatrale Boshkovski. Ai i njohu gazetarët me detajet e asaj që shumica prej tyre kishin filluar ta quanin "një skenar interesant filmi".

Del se KZSH shkatërroi 480 mijë fletëvotime, kurse disa nga këto fletëvotime u gjetën në vise të ndryshme anekënd vendit. Ndaj këtij pohimi, Komisioni Shtetëror Zgjedhor u paraqiti gazetarëve procesverbalin ku shihet se më 5 shtator në prani të përfaqësuesve të KSHZ dhe policisë ishte shkatërruar materiali i shtypur gabimisht. Përkundër kësaj, Boshkovski insistoi se ndërhyrja e policisë në shtypshkronjën e Prilepit më 17 shtator ishte legale. Një pjesë e skenarit përfshin edhe rrëfimin se shtypshkronja e Shkupit "Kometal trade", që e shtyp gazetën opozitare "Utrinski vesnik" dhe është pronë e Trifun Kostovskit, një nga adutët e koalicionit fitues, ishte furnizuar nga Zvicra me llojin e njëjtë të letrës ku ishte shtypur materiali zgjedhor.

Policët e Boshkovskit të enjten trokitën në derën e shtypshkronjës së përmendur që të gjenin diçka. Drejtori i "Utrinskit" Erol Rizaov tha më vonë se nuk gjetën asgjë. Pronari Trifun Kostovski të premten me indinjatë, duke hedhur akuzat, tha se ajo që ia përshkruan Boshkovski është për të e "largët dhe e huaj".

Disa episodistë në skenarin e filmit që aktualisht shfaqet në pëlhurën e madhe politike gjykuan se mund t'i shtohej edhe ndonjë detaj; p.sh. se në vendvotime ishte shfrytëzuar njëfarë ngjyre, sikurse uji i tharrët, që fshihet pas disa orësh. Nga ana tjetër, disa organizata joqeveritare që Boshkovski "me kënaqësi" i quan "kolona e pestë" përfshirë edhe Sorosin, ngritën padi penale kundër ministrit të policisë për "frikësim".

Mbi të gjitha, rrëfimi për fletëvotimet fantome i la nën hije më të rëndësishmet: rezultatet zgjedhore. Pak analistë politik arritën që të nxjerrnin konkludimin se zgjedhjet treguan se partitë e vogla politike plotësisht u fshinë në zgjedhje. Paradoksalisht, sepse në disponim kishin 250 mijë vota, 15 përqind të elektoratit, që u shkapërderdhën plotësisht. Sikur të kishin marrë pjesë me kompaktësi - do të ishte ndryshe. Kështu, populli pati edhe një mundësi që të shihte filma që i ofronte Holivudi politik i vendit.

ZELKO BAJIÇ