Front kundër Gjukanoviqit

Podgorica Aug 3, 2002

Aleanca e Lidhjes Liberale dhe partive nga Koalicioni “Së bashku për Jugosllavinë” solli tek raporti i ri i forcave: tani PDS dhe PSD përbëjnë pakicën parlamentare, kurse zgjedhjet e reja, të caktuar për 6 tetor për shumëkend do të jenë “me qenë ose mos me qenë”.

AIM Podgoricë, 24.07.2002

"Ky është fillimi i fundit për Milo Gjukanoviqin”, ka vlerësuar kryetarja e parlamentit malazez, Vesna Peroviq, përndryshe anëtare e udhëheqësisë më të ngushtë të Lidhjes Liberale të Malit të Zi. Shkak për këtë deklaratë ishte votimi për ligjet mediale dhe zgjedhore që më parë i kishte propozuar Lidhja Liberale. Ligjet, falë koalicionit të ri të liberalëve dhe partive nga koalicioni “Së bashku për Jugosllavinë”, u miratuan nga parlamenti malazez me shumicën e votave.

Ishte ky demonstrimi i parë i hapur i forcës së shumicës së re parlamentare. Pas negociatave të pasuksesshme PDS - LLMZ, krerët e Lidhjes Liberale u përcaktuan për aleancë me “armiqtë e përbetuar” të deridjeshëm - Koalicionin "Sëbashku për Jugosllavinë”. Marrëveshja për ndarjen e pushtetit në nivel lokal u bë shumë lehtë: LLMZ fitoi nga “jugosllavët” – gjithçka. Predrag Bulatoviqi, lider i PSP, e vërejti mirë se çelësin për qërim hesapesh me Gjukanoviqin është në duart e Lidhjes Liberale independiste. Prandaj bëri çmos që të realizonte kërkesat e liberalëve dhe të ndryshonte raportin e forcave në parlamentin malazez.

Liderit të PSP i shkoi për dore ajo që mbase nuk e shpresonte: Lidhja Liberale nuk e kundërshtoi kërkesën që të ngrinte çështjen shtetërore malazeze vetëm që të bëhej pjesë e luftës kundër Gjukanovoqit.

Shumica e re parlamentare (koalicioni LLMZ – SJ ka 39 përkundër 38 deputetëve të PDS, PSD dhe partive shqiptare) shumë shpejt filloi me – siç theksoi Slavko Peroviq, zëdhënës i LLMZ - "shpërbërjen e monopolit të PDS-së”. Për vetëm tre ditë në Kuend kaluan një sërë ligjesh zgjedhore dhe mediale, që shkaktoi valë reagimesh brenda Malit të Zi, por edhe në qarqet ndërkombëtare.

Përndryshe, ligjet zjedhore në masë të konsiderueshme ndryshuan mekanizmat kontrollues ndaj vjedhjeve zgjedhore. Është interesant, megjithatë, që opozita e tanishme u përcaktua për zgjidhjet përmes së cilave pengohet kontrolli i procesit zgjedhor: u suspenduan kutitë e tejdukshme, u suspendua lista paralele që mundëson të shihet se a ka votuar dikush më shumë se një herë, i jepet shumë të drejtë kryetarit të këshillit zgjedhor, i cili gati kur t'i kujtohet mund t'i ndërpres votimet

"Propozimet mbi kontrollin e procesit zgjedhor që ne në mënyrë demokratike i pranuam në vitin 2000, tani shumica e re parlamentare i suspendon, haptas duke u përgatitur për vjedhje zgjedhore", thotë Predrag Boshkoviç, zyrtar i PDS-së. Koalicioni i ri kontrollon 15 komuna, me çka i mundësohet që vet të zgjedh këshillat votues.

Më së shumti reagime zgjuan ligjet mediale. Shumica e re parlamentare menjëherë filloi me përpjekjet për kontroll të plotë mbi mediumet. Me procedurë të shpejtë u ndryshua përcaktimi për mënyrën e ndërrimit të kryeredaktorëve të mediumeve shtetërore (deri tani duhej dy e treta e këshillit drejtues për ndërrimin e kryeredaktorit, sipas ligjit të ri mjafton më shumë se gjysma). Natyrisht, LLMZ dhe Koalicioni “Sëbashku për Jugosllavinë” synojnë të vendojnë njerëzit e tyre në vendet kyçe në shtëpitë mediale shtetërore – televizion, radio dhe gazetën e përditshme “Pobjeda”.

Por, është interesant se shumica e re parlamentare dëshiron kontroll mbi mediumet e pavarura. LLMZ përmes ligjit të ri gati fshiu kufirin ndërmjet mediave private dhe shtetërore. Të gjitha mediumeve (edhe private edhe shtetërore) u ndalohet që të reklamojnë partitë në fushatën zgjedhore. Veç kësaj mediumeve private u urdhërohet: si, në çfarë sasie e gjatësie dhe me çfarë tekstesh u lejohet që të ndjekin fushatën zgjedhore (sa intervista, reportazhe mbi mbartësit e listave zgjedhore, çfarë gjatësie dhe çfarë karakteri të tekstit)!

Përmes marrjes së mekanizmit të kontrollit zgjedhor, si dhe masave drakonike ligjore për disciplinimin e mediumeve private, liberalët dhe "jugoslavët" tentojnë të bëjnë “gjithçka që është e mundshme” për të rrënuar pushtetin e tanishëm të personifikuar në Milo Gjukanoviqin dhe PDS-në e tij. Dhe gjithë këtë, siç thonë, për “demokratizimin e Malit të Zi”. Megjithatë është çështje se athua me ligje jodemokratike, që u miratuan me forcën e shumicës parlamentare, mund të demokratizohet - Mali i Zi?

Prandaj, zgjidhjet mbi kontrollin e procesit zgjedhor dhe mediumeve kanë zgjuar reagime në Mal të Zi, por edhe të bashkësisë ndërkombëtare. Dhe jo vetëm nga ana e më të dëmtuarve PDS dhe PSD-së, por edhe institucioneve të pavarura.

Rade Bojoviq, analist i CEDEM-it (Qendra për demokratizim dhe të drejta të njeriut) vlerëson se me ligjet e ri thelbësisht mohohet rendi demokratik dhe politik dhe shoqëria e lirë civile.

"Përmes propozimeve për ndryshimin e ligjeve zgjedhore: cenimin e rregullave kushtetuese vacatio legis (afatet për hyrje në fuqi) përsa i përket shpalljes së zgjedhjes, trajtimit konfuz dhe të pabarabartë të komisioneve zgjedhore, raporteve të pabarabarta ndaj kandidatëve të ndryshëm politik – janë zgjidhje të papranueshme për rendin juridik, demokratik dhe politik”, thotë Bojoviq.

Dr Veselin Paviçeviq, ekspert përçështje të problematikës zgjedhore pohon se ligjet e reja “janë cektësi juridike, kurse shikuar politikisht – mundim i vërtetë". Sipas Paviçeviqit, sheshazi shumica e re parlamentare, me çdo çmim, madje edhe duke cenuar standardet demokratike, dëshiron që të vijë në pushtet.

"Por, kështu sistemi politik malazez hyn në metodat e të drejtës revolucionare, që nuk mund të shpie deri tek demokratizimi i shoqërisë”, përfundon Dr. Paviçeviq.

Në miratimin e Ligjit mbi mediumet ka reaguar edhe Zyra e Këshillit të Evropës, por edhe Zyra e OESB-së. Uduke iu drejtuar drejtpërsëdrejti kryetares së Kuvendit Vesna Peroviqit, Këshilli i Evropës reagon ashpër se parlamenti malazez miraton ligje që nuk janë në përputhje me pikëpamjet e ekspertëve malazez dhe ndërkombëtar (Në procedurë kuvendore ishin një sërë ligjesh mediale që ishin përpiluar sipas standardeve të BE-së, por shumica prej të cilëve ishin refuzuar përmes votimit të LLMZ dhe KJ).

Edhe shefi i misionit të OESB-së, Stefano Sanino, pas arritjes në Podgoricë kritikoi këto ligje të miratuar. Ai tha se “nuk ka dëshirë të gjykojë". Sanino theksoi se “do të ishte e rëndësishme që të mblidheshin të gjithë përfaqësuesit e partive parlamentare në Mal të Zi, që mosmarrëveshjet ekzistuese të zgjidheshin përmes marrëveshjes". Me fjalë tjera, Sanino i sugjeroi shumicës së re parlamentare të mos shkonte një hap mëtej, por të bënte një kompromis me tjerët.

Edhe më e ashpër ishte komunikata e OESB-së. "OESB-ja është e shqetësuar në veçanti që disa ndryshime ligjore duket se janë të motivuara politikisht dhe paraqesin largim të dukshëm nga procedurat për arritjen e marrëveshjes dhe në disa raste mund të ndikojnë në proceset zgjedhore që janë në vijim”, thuhet mes tjerash në komunikatën e OESB-së.

Është çështje se athua liberalët dhe “jugosllavët” do ta respektojnë këtë mesazh. "Ku ishte OESB gjatë dymbëdhjetë vjetëve të fundit", pyeti Slavko Peroviq, zëdhënës i LLMZ, duke paralajmëruar se koalicioni i ri liberalo – jugosllav nuk do të distancohet nga mekanizmat e planifikuar të kontrollimit të procesit zgjedhor dhe kontrollit të mediumeve shtetërore dhe private.

Pra, për shumëçka kjo do të shënojë një qërim specifik i hesapeve politike. Kryetari Gjukanoviq bëri atë që kishte mundësi, pasi që Kuvendi me votat e LLMZ dhe Koalicionit SJ ia shkurtoi mandatin vetvetes, shpalli zgjedhjet për 6 tetor.

Që gjithçka të jetë më interesant, për herë të parë opozita zyrtare shumëpartiake hyn në procesin zgjedhor si shumicë parlamentare. Prandaj edhe rregullat e lojës kanë ndryshuar shumë shpejtë. Sëkëndejmi paradoksi i parë: Me mundësinë për një vjedhje në zgjedhje dhe manipulim medial, opozita – si shumicë parlamentare – hesht dhe bën punën e vetë.

Është gjithashtu interesant se tani ka ardhur edhe deri tek rrireshtimi i forcave politike. Që nga viti 1997 – nga konflikti ndërmjet Momir Bulatoviqit dhe Milo Gjukanoviqit – linja e ndarjeve politike në Mal të Zi shoqërohej nga linja e ndarjeve përsa i përket statusit shtetëror. Dihej para çdo zgjedhjeje se në një anë do të jenë independistët (PDS, PSD dhe LLMZ) përkundër përkrahësve të shtetit të përbashkët me Serbinë (PSS, PSP, PP, PPS...)

Me inkuadrimin e liberalëve në kthetrat e Koalicionit “Sëbashku për Jugosllavi”, kjo “ndarje e përhershme” edhe më thellohet. Liberalët – me qëllim të shmangies së Gjukanoviqit nga pushteti – haptas ngrinë programin për Malin e Zi të pavarur dhe iu bashkangjitën deputetëve të deridjeshëm të Millosheviqit nga Koalicioni SJ.

Kthim prapa nuk ka dhe zgjedhjet e tetorit do të jenë lojë për gjithçka ose asgjë. Nëse Gjukanoviqi, pasi që liberalët u vendosën në frontin kundër tij, humb shumicën në parlament, atëherë ky do të ishte fillimi i fundit të tij politik. Nga ana tjetër edhe LLMZ rrezikon. Rreshtimi me “jugosllavët” nuk i ka fascinuar aq shumë ithtarët e LLMZ dhe udhëheqësia e liberalëve mund të jetë e kënaqur vetëm nëse është në pozitë që të gjendet në kreun e piramidës së pushtetit. Por, nëse koalicioni me “jugosllavët” nuk arrin deri tek ndarja e tortës së ëmbël të pushtetit, LLMZ mund të ketë probleme të mëdha, kurse Peroviqi dhe Zhivkoviqi, në këtë rast, mund të shohin me sytë e tyre shpërbërjen e partisë së tyre.

Siç shihet më së paku rrezikon Koalicioni “Sëbashku për Jugosllavinë”. Atyre u është ofruar rasti i befasishëm që sërish të tentojnë të rrëzojnë Gjukanoviqin, me përkrahje të LLMZ. Nëse nuk ia arrijnë kësaj, ata do të kenë satisfakcion se blloku malazez – PDS, PSD, LLMZ- përfundimisht është shpërbërë, përkundër bllokut të tyre “projugosllav”.

Megjithatë, nuk janë problem vetëm zgjedhjet e parakohëshme për jostabilitet. Përveç dramaticitetit politik, Mali i Zi jeton në kohën e kaosit juridik. Pa Qeverinë, e cila që me dy prill ka humbur përkrahjen e LLMZ dhe legjitimitetin; pa Gjykatën Kushtetuese që është shpërbërë, me votat e koalicionit liberalo - jugosllav (nuk dëshiruan të votonin për gjykatësit e ri të Gjyqit Kushtetues), dhe kush e di se kur do të konsolidohet. Nuk duhet hequr nga mendja: rezultatet e zgjedhjeve mund t'i vërtetojë vetëm Gjykata Kushtetuese e Malit të Zi. Dhe si t'i vërtetojë kur nuk ka gjykatës?

Veç kësaj, përpara zgjedhjeve të reja, ende nuk dihet se cili ligj zgjedhor do të vlejë: athua ai që e aprovoi koalicioni liberalo – jugosllav, ose, sipas mesazhit të OESB, ishte në fuqi në vitin 2001 dhe në këtë vit?

Si vazhdimësi e absurditeteve ia vlen të theksohen edhe problemet rreth miratimit të Marrëveshjes Kushtetuese. Është më se e sigurtë se nën presionin e bashkësisë ndërkombëtare, deri në fund të gushtit, kuvendi i tanishëm malazez do të miratojë Marrëveshjen për bashkësinë e re ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi.

Kush mund ta sqarojë: Athua Marrëveshja që u miratua nga Kuvendi i shpërbërë i Malit të Zi (!) do të obligojë përbërjen e re të parlamentit? Ose, shiuar në aspektin pragmatik: a dë të dëshirojnë liberalët, nëse vijnë në pushtet së bashku me koalicionin “Së bashku për Jugosllavinë” , të pranojnë Marrëveshjen dhe për tre vjet të përcaktohen për pavarësi, edhe pse pikërisht për shkak të marrëveshjes së Beogradit ia ndërprenë përkrahjen Qeverisë së Vujanoviqit? A do të dëshirojë, nga ana tjetër, PSD e Krivokapiqit, nëse së bashku me PDS-në fiton shumicën, që të zbatojë praktikisht Marrëveshjen edhe pse ishin kundër miratimit të saj?

Shumë pyetje dhe hamendje. Përkundër gjithë këtyre, edhe opozita edhe pushteti edhe bashkësia ndërkombëtare, pohojnë se pas 6 tetorit Mali i Zi do të hapërojë drejt stabilitetit. Mbetet që t'u besohet fjalëve të tyre.

DRASHKO GJURANOVIQ