Akademikë me procedurë të shpejtuar

Skopje Jul 16, 2002

Gjashtë persona janë paraburgosur, kurse kundër 25 të tjerëve janë ngritur padi penale shkaku i falsifikimit të diplomave nga fakultetet bullgare, që në Maqedoni ishin shitur nga 1.400 deri 3.500 eura. Profesorët e Universitetit të Shkupit kërkuan përgjegjësi morale dhe penale nga ministri i arsimit dhe shkencës Nenad Novkovski, kurse nga Gjykata Kushtetuese të suspendonte marrëveshjen për nostrifikimin e diplomave nga Bullgaria dhe Shqipëria.

AIM Shkup, 06.07.2002.

Para pesëmbëdhjetë ditëve, në disa fakultete të Maqedonisë, u zbuluan 30 diploma të falsifikuara nga universitetet bullgare dhe shqiptare, që tentuan t'i nostrifikonin në Maqedoni "studentët e diplomuar". Sikur kjo të kishte ndodhur në një shtet normal, ministri i arsimit do të largohej nga kolltuku. Pasi që Maqedonia, për shumë gjëra, nuk është shtet normal, kurse disa parashtrojnë pyetjen se athua është shtet, ministri i arsimit, Nenad Novkovski edhe mëtej gjendet në funksionin e tij, për të cilin jep leksione se është me rëndësi të madhe dhe jo një letër e rëndomtë.

Afera me diplomat e rrejshme universitare "shpërtheu" falë deputetit në moshë të VMRO-DPMNE, Aleksandar Florovskit, i cili në këto vite vendosi të kryente fakultet, atje ku ishte shumë lehtë- në universitetin privat bullgar në Plovdiv. Në diplomën e Florovskit shkruan se ka kryer arsimin e lartë në sferën e marrëdhënieve me publikun dhe komunikim. Në fillim të tetorit të këtij viti Florovski kishte dorëzuar diplomën e tij në Ministrinë e arsmit dhe shkencës për ta nostrifikuar. Në përputhje me ligjet e atëhershme resori qeveritar i arsimit e kishte dorëzuar diplomën e Florovskit në Fakultetin Juridik në Shkup. Komisioni për nostrifikim në këtë Fakultet kishte kërkuar nga Florovski dëshmi në kishte studiuar në Bullgari, të sillte pasaportën, programin arsimor dhe statusin e fakultetit që kishte kryer, si dhe programin e provimeve që kishte dhënë. Kur, edhe me vështirësi, deputeti i VMRO-DPMNE i kishte dorëzuar, u vendos që si provim plotësues doemos të jepte historinë nacionale dhe të drejtën kushtetuese - tek një profesor i afërt me opozitën.

Nga kjo gjë u shqetësua Florovski, por më në fund, nuk ishte e thënë që ai të paraqitej para komisionit për provim. Shqetësimet ia kishte shmangur kryeministri Lubço Georgievski, i cili, para një muaji, ia kishte ndarë të drejtën për nostrifikimin e diplomave nga Shqipëria dhe Bullgaria, përmes një procedure të shpejtë, Ministrisë së arsimit dhe shkencës. Kështu Florovski, përfundimisht, në moshë të vjetër, u bë qytetar akademik.

Rasti i Florovski, më saktësisht vendimi qeveritar që diplomat nga vendet fqinje t'i nostrifikonte Komisioni i Ministrisë së arsimit, dhe jo fakulteti gjegjës, siç ndodhte më parë, kishte hidhëruar profesorët universitar. Ata kanë frikë se me vendimin e kabinetit të Lubço Georgievski, çdo anëtar i VMRO-DPMNE-së ose partnerit të koalicionit Partisë Demokratike Shqiptare, që kanë kryer studimet në Bullgari ose Shqipëri, pa vërtetim mund të marrin diploma në Maqedoni. Nga ana tjetër, ata i intrigoi fakti se vetëm në muajin mars dhe prill të këtij viti ishin dhënë 400 kërkesa për nostrifikimin e diplomave bullgare dhe po aq shqiptare.

Afera me diplomat e falsifikuara nga vendet fqinje u zbulua falë profesorëve nga Fakulteti Ekonomik në Shkup, të cilit, sipas rregullave të dikurshme, ministria e arsimit i kishte dërguar për nostrifikim 27 diploma nga disa fakultete bullgare. Kjo iu duk e dyshimtë të punësuarve në Fakultetin Ekonomik, prandaj diplomat e dyshimta i vërtetuan tek kolegët e tyre bullgar. Zbulimi i kishte tronditur të gjithë. Prej 27 diplomave të dhëna në Bullgari, vetëm tre ishin valide. 24 diplomat tjera ishin falsifikate të pastra. Profesorët e Fakultetit Ekonomik e kishin alarmuar opinionin publik, duke thënë se numri më i madh i diplomave të falsifikuara ishin të nëpunësve shtetëror. Kjo shtoi dyshimin se kësi diplomash mbase kanë edhe politikanëtë caktuar dhe deputetë të partive në pushtet.

Sikurse në Fakultetin Ekonomik, diploma të falsifikuara u zbuluan edhe në fakultetin e mjekësisë dhe fakultetin e kulturës fizike në Shkup, si dhe në fakultetin pedagogjik në Shqip. Prodekani i Fakultetit të kulturës fizike, Atanas Kajçevski e theksoi si shekmbull se truproja e një zyrtari të lartë nga partia në pushtet kishte sjellë diplomë nga Bullgaria për kryerjen e akademisë sportive. "Njeriu nga sigurimi, diploma e të cilit ishte nostrifikuar nga Novkovski, asnjëherë as nuk kishte dalë nga Maqedonia, e ku më të kishte studiuar jashtë", kishte thënë me indinjatë profesor Kajçevski.

Raste të ngjashme ka plot, kurse nën presionin e profesorëve universitar dhe opinionit publik, këtyre ditëve u prononcua edhe policia përmes informatës se MPB-ja e Maqedonisë kishte ngritur padi penale kundër 30 personave, që me diploma të rrejshme brenda natës kishin dëshiruar të bëheshin qytetar akademik.

Zëdhënësi i MPB-së, Voislav Zafirovski thotë se policia kishte ndërmarrë masa ndaj vetëm 30 diplomave të falsifikuara dhe atë për 24 që i kishte zbuluar dhe i kishte dorëzuar Fakulteti Ekonomik dhe ndaj 6 personave që këtyre ditëve i kishte kapur policia maqedone në kufirin maqedono - bullgar duke tentuar të fusnin në vend diploma të falsifikuara. Gjashtë veta, për të cilët thuhet se janë organizatorë të kanalit me diploma të falsifikuara nga Bullgaria, janë arrestuar, kurse ndaj 24 të tjerëve janë ngritur padi për falsifikim dhe ndihmë gjatë falsifikimit.

Gjashtë diploma të falsifikuara janë gjetur në kufi me Bullgarinë, kur shtetasi maqedonas Bajrus J. kishte tentuar t'i fuste në vend. Ai kishte marrë nga "akademikët" e interesuar maqedonas nga 1.400 deri 3.500 euro, kurse për këtë e kishte ndihmuar shtetasi bullgar , Krasi i njohur, i cili ia kishte dorëzuar diplomat në Qustendil.

Nga 30 "akademikët" e zbuluar me diploma të rrejshme bullgare, më i riu kishte 24 vjet, kurse tre më të vjetërit ishin pesëdhjetëvjeçar. Në polici nuk dijnë, ose nuk duan të tregojnë, se athua në mesin e tyre ka të punësuar në administratën shtetërore, në shqërbimet publike, polici, doganë, siç u tha gjatë shpërthimit të skandalit.

Para disa ditësh rreth kësaj teme kishte diskutuar edhe Senati Universitar, i cili kishte kërkuar përgjegjësi morale dhe penale nga ministri i arsimit Nenad Novkovski, sepse nuk kishte përfillur përcaktimet ligjore nga Ligji për srsim të lartë, sepse kishte lejuar që diplomat e falsifikuara të arrinin për nostrifikim në fakultete.

Në tentimin për t'u mbrojtur, ministri i arsimit Novkovski deklaroi se policisë i ishin dorëzuar 200 diploma të dyshimta për t'i vërtetuar, kurse deri tani nuk kishte kurfarë rezultati, sepse, siç tha, policia është e ngathtë. Për pohimet e ministrit, i cili fatkeqësisht është edhe profesor universitar, që do të duhej të thoshte edhe pedagog, në MPB thonë se nuk kanë dëgjuar për këto diploma dhe se ky është "një manipulim i pastër" i ministrit. Ping-pongu i llojit të vet vazhdoi me përgjigjen e re të Novkovskit, i cili tha: "Le të shohin nëpër sirtarë. Policia duhet ta bëjë punën e vetë. Ministria për arsim dhe shkencë vetëm dëshiroi t'i ndihmonte. Ajo që ne ia dërgojmë diplomat e dyshimta nuk është puna jonë prandaj duhet të na falemnderohen se i ndihmojmë".

Këtu, së paku përkohësisht ndërpritet dialogu ndërmjet ministrit dhe policisë, por jo edhe me Senatin Universitar, i cili kërkoi nga Novkovski përgjegjësi disciplinore dhe penale.

Pa angazhimin e avokatit dhe duke besuar në aftësitë e tij intelektuale, që përputhen me ato të shokëve partiak nga rradhët e kreut të partisë në pushtet VMRO-DPMNE, Novkovski sërish tentoi që të mbrohet vetë duke akuzuar për gjithë aferën edhe Universitetin edhe policinë edhe Retoratit, por edhe sistemin e vjetër.

"Sipas ligjit, për falsifikate është përgjegjës ai që falsifikon dhe ato i lëshon në përdorim. Ne flasim për një sistem në socializëm ku diploma ishte gjithçka. Në shoqërinë qytetare diploma nuk është gjë tjetër përveç se një letre të thjeshtë, ndërkaq është çështje e punëdhënësit që të vërtetojë informacionet plotësuese rreth atij me të cilin ka punë. Praktikisht në gjithë këtë rast shihet nga aspekti i shoqërisë socialiste ku me diplomë përfundonte karriera", tha Novkovski dhe- mbeti gjallë.

Të pakënaqur me vendimin qeveritar për njohjen në procedurë të shpejtë të diplomave nga Bullgaria dhe Shqipëria, profesorët e Universitetit të Shkupit paralajmëruan mundësinë e ngritjes së iniciativës para Gjykatës Kushtetuese për shqyrtimin se a ka bazë kushtetuese dhe ligjore ky vendim. Rektorati konsideron se kjo është mënyra për ruajtjen e dinjitetit të arsimit të lartë në Maqedoni.

Edhe pse ishte paralajmëruar se Gjykatës Kushtetuese do t'i dorëzohej iniciativa mbi kushtetueshmërinë e marrëveshjes rreth ratifikimit të diplomave nga Shqipëria dhe Bullgaria dhe se do të kërkohej përgjegjësi nga ministri Novkovski, sërish këto konkluzione ende nuk janë miratuar shkaku i kundërshtimit nga ana e disa profesorëve të afërt me partitë në pushtet, kurse Senati as të premtem më 5 korrik, nuk e mbajti seancën shkaku u mungesës së kuorumit. Pra, rrëfimi duhet të vazhdojë.

DUSHAN JOKSIQ