Fly by Drnovsek

Ljubljana Jun 29, 2002

Edhe pse sërish u arrit marrëveshja për dy çështje të rëndësishme - mbi tregëtinë e lirë dhe avio - komunikacionin - vizita e parë zyrtare e kryeministrit slloven Janez Drnovshekut në RFJ shënon një moment të ri në raportet ndërmjet Lubjanës dhe Beogradit.

AIM Lubjanë, 24.06.2002.

"Më në fund e arritëm edhe këtë: kryeministri slloven Janez Drnovsek në Beograd. Dhe kjo nuk ishte disi kot, përmes disa frazave zyrtare dhe përshëndetjeve, dhe pastaj menjëherë në shtëpi - ambasadori Suklje kishte bërë pritje zyrtare me rastin e shënimit të ditës së pavarësisë ku kishte të pranishëm mijëra mysafirë, me ç'rast u hëngër dhe u pi deri në orët e mëngjesit. Athua kujtoheni ende, shokë? Serbët e përshëndetën pavarësinë sllovene ndërkaq sikur dikush këtë ta kishte bërë para njëmbëdhjetë viteve do ta shpallnin të çmendur, çdo psikiatër do ta orientonte tek spitali i parë mental. Deri para disa vitesh në Beograd udhëtoi vetëm Zmago Jelinçiç ndërkaq opinioni politik shqetësohej dhe bënte kryq. Athua kjo do të thotë se klouni më i madh i politikës sllovene ishte më vizionar se sa kryeministri i cili kishte analizë me precizitet të peshojës farmaceutike?".

Kështu shkruajti komentatori i gazetës lubjanase "Delo", Boris Jez, pas kthimit të Janez Dernovshekut nga vizita zyrtare në Beograd. Ishte ky një nga vargu i komenteve të ngjashme me rastin e vizitës në rajon të kryetarit të qeverisë.

Janez Drnovsek përndryshe, për herë të fundit, në Beograd kishte qenë më 18 korrik të vitit 1991, si anëtar i atëhershëm i Kryesisë së RSFJ-së. Atë ditë pas përleshjeve të ashpra ndërmjet APJ-së dhe Forcave sllovene të Mbrojtjes Territoriale, pas bisedimeve të mundimshme Kryesia e RSFJ-së vendosi që APJ-ja të tërhiqej nga Sllovenia. Vendimi u soll me përkrahjen e anëtarit serb të Kryesisë Bora Joviqit dhe kundërshtimin e përfaqësuesit kroat Stipe Mesiqit. Atëherë u firmos fundi përfundimtar i Jugosllavisë së atëhershme dhe çdo Jugosllavie tjetër, kurse ndërtesa, ku u mbajt seanca vendimtare, mbrohej nga ushtria.

"Njësitë speciale, që përndryshe siguronin organet federale, mbetën në Slloveni dhe që andej nuk u kthyen veçmas pasi kishin qëndrim miqësor ndaj sllovenëve. Për herë të parë kam pasur përshtypjen se truproja ishte vërtet e shqetësuar", ka thënë Janez Dernovshek duke kujtuar atë ditë. U desht të kalonin jëmbëdhjetë vjet që Janez Dernosheku, kësaj rradhe në rolin e kryetarit të qeverisë dhe kandidat për vendin e shefit të shtetit, zyrtarisht ta vizitonte sërish Beogradin. Nëse shihen mbrapa, fakte nuk lënë vend për dyshime - tani dihet se me pak fat kishte bërë një veprim më të mençur politik se sa gjithë tjerët me të cilët kishte biseduar në vitin 1991 në Beograd. Nuk janë të paktë ata rruga politike e të cilëve ishte krejt tjetër, duke filluar nga kolegu i Kryesisë së RSFJ-së Borisav Joviqit deri tek kryetari i Serbisë dhe Jugosllavisë Sllobodan Millosheviqi. Sot gati se të gjithë kamaradët e Dernovshekut ose janë larguar nga pushteti ose plotësisht janë tërhequr nga politika, kurse Dernovsheku që nga 1992 gati se pandërprerë është në pushtet.

Në rast se krahasohen raportet ndërmjet Lubjanës zyrtare dhe Beogradit gjatë periudhës nga 18 korriku i vitit 1991 deri më 18 gusht të vitit 2002 , do të shihet se kanë ndryshuar shumë gjëra. Gjatë kohës së luftrave në Kroaci dhe Bosnjë praktikisht nuk kishte kontakte zyrtare ndërmjet dy kryeqendrave. Pranimi i Sllovenisë nga ana e Paniqit nuk hasi në mirëkuptim, kurse Sllovenia zyrtarisht e njohu Jugosllavinë e tretë në vitin 1995, në prag të Marrëveshjes së Dejtonit. Regjimi i Millosheviqit këtë pranim e injoroi pesë vjet të plota. Raportet diplomatike ndërmjet RFJ-së dhe Sllovenisë u vendosën vetëm largimit të Millosheviqit, m'u ashtu siç e kishte paralajmëruar qeveria sllovene. Asnjë ditë më parë. Në deklaratat e dhëna para përmbysjes së regjimit të Millosheviqit, që ndikuan në raportet e ndërsjellta, Dernovsheku mbajti qëndrimin që u tregua i saktë. P.sh. në çështjen se përse Sllovenia nuk nuk do të nënshkruante marrëveshjen për njohje të ndërsjelltë të ngjashëm me atë që e nënshkruan me RFJ-në Maqedonia dhe Sllovenia, Dernovsheku në vitin 2000 u përgjigj se koncepti i tij ishte se "të gjitha shtetet që dolën nga hapësira e RSFJ së dikurshme ishin trashëgimtare të barabarta. Palës serbe kjo nuk i pëlqen, kurse ne nuk do të nënshkruajmë dokument sipas të cilit rezulton se RFJ-ja është trashëgimtarja e vetme e RSFJ-së, dhe se gjithë ne doemos të gjitha çështjet rreth trashëgimisë duhet t'i zgjidhim me të, si trashëgimtare e parë".

Një vit më vonë diplomacia jugosllave hoqi dorë nga kërkesa e sipërthënë. Në pyetjen se athua Sllovenia me qëndrimet e veta, që në atë kohë u dukën më radikale sesa ato që përkrahën disa shtete evropiane dhe SHBA-të, sjell deri tek keqësimi i raporteve me RFJ-në, Dernovsheku u përgjigje se qëndrimet e autoriteteve sllovene nuk janë radikale.

"Përsa i përket rastit konkret në Kombet e Bashkuara, për shembull, nuk kemi dashur që Jugosllavia të jetë e përjashtuar, por atje të jetë RFJ-ja e RSFJ-ja, pra jo si shteti i dikurshëm, trashëgimtare e të njëjtës karrike. Pra, doemos duhet të parashtrojë lutje për anëtarësim, si shtet i ri, ashtu siç e kanë bërë edhe të tjerët. Kur do të kishte raporte normale, kur do të vendosnim dialogun, një komunikim që nuk e kemi - atëherë do të shmangej përshtypja se Sllovenia ka qëndrime të rrepta përsa i përket Serbisë", vlerësoi atëbotë Dërnovshek. Një vit më pas RFJ-ja shtroi lutje në Kombet e Bashkuara si shtet i ri. Mëtej, në pyetjen se si është e mundur që ministri i punëve të jashtme (Dimitrij Rupel) të pohojë se "Sllovenia ka doktoruar nga Jugosllavia" dhe a pajtohej edhe ai personalisht me këtë konstatim, Dërnovsheku u përgjigj qetë, madje nuk hezitoi që të shprehte edhe një dozë mospajtimi me ministrin e kabinetit të tij.

"Është e vërtetë se neve partnerët nga bota shpesh na pyesin në lidhje me federatën me RFJ-në, me siguri ngase konsiderojnë se shumë vite e kemi kaluar sëbashku në të njëjtin shtet dhe se dijmë më shumë, kemi më shumë përvojë. Fakti që kemi më shumë përvojë, se jemi relativisht afër dhe se disa gjëra i kuptojmë më lehtë se sa tjerët. Në shkallë të konsiderueshme kuptojmë kontekstin e gjithë Jugosllavisë. Disa nga shtetet i njohim më mirë, të tjerët më pak, madje pranoj se nuk do të gjykoja që të komentoja politikën e brendshme në Serbinë e sotme, me të cilën kemi më pak kontakte dhe shumë më pak informacione se sa me gjithë pjesët tjera të jugosllavisë së dikurshme," tha kryetari i atëhershëm dhe i tanishëm i qeverisë sllovene. Që paradoksi të jetë më i madh, sot bashkëpunimi ndërmjet Sllovenisë dhe RFJ-së është shembull në rajon dhe me siguri se është më i miri në dhjetëvjeçarin e fundit.

Marrëdhëniet ekonomike u përmirësuan shumë më herët. Përkundër tendosjeve politike dhe luftës që SSRN-ja serbe në krye me Rado Lambadon i shpalli "mallit slloven", eksporti i Sllovenisë në Serbi dhe Mal të Zi që në vitin 1990 ishte dy miliardë e 852 milionë dollarë amerikan. Këtu kishim të bënim me biznes "nën tel", sepse një numër i konsiderueshëm i ndërmarrjeve serbe nuk respektuan "embargon" e Millosheviqit, ashtu siç nuk vepruan një vit më pas kolegët nga Sllovenia, në drejtimin e kundërt. Ekonomia sllovene assesi nuk u dobësua edhe pas një viti, ashtu siç kishin parashikuar autoritetet e atëhershme serbe, por ajo përkundrazi ishte e suksesshme përkundër humbjeve në kushte të reja. Pastaj erdhi 5 tetori. Lajmi për ndërrimin e pushtetit ťnë BeogradŤ u prit në Lubjanë me një dozë skepticizmi (e djathta) por edhe me shpresë, veçmas në radhët e LDS-së (Dërnovshek). Thjesht, me një shpejtësi të befasishme sërish u vendosën raportet ndërmjet firmave të Sllovenisë dhe Serbisë. Këmbimi tregtar është afër shumës prej treqind milionë dollarësh, kurse sipas numrit të investimeve të huaja Sllovenia në RFJ garon për vendin e parë me Austrinë.

"Është e saktë se fuqia blerëse në Serbi është e ulët, por kjo a priori nuk do të thotë se me ekonominë e atjeshme nuk mund të bëhet biznes. Përkundrazi, tregu jugosllav është si gjithë tregu i Jugosllavisë së dikurshme, shumë tërheqës shkaku se njihet marka prodhuese sllovene, afërsia gjuhësore dhe lidhjet e vjetra dhe para së gjithash se i jep përparësi ekonomisë sllovene në krahasim me konkurentët perëndimor," shkruajti në prag të udhëtimit të Dërnovshekut në Beograd "Dnevniku" i Lubjanës.

Temave ekonomike iu kushtua më shumë hapësirë gjatë vizitës së kryetarit të qeverisë sllovene në Beograd. Në këtë sferë u firmosën edhe disa marrëveshje (marrëveshja për nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve, marrëveshje në sferën e turizmit, postës dhe telekomunikacionit, marrëveshjet që rregullojnë disa çështje të bujqësisë dhe veterinarisë, për karantin etj.) Marrëveshja kryesore - marrëveshja për tregëti të lirë, nuk erdhi në rend dite, sepse nuk erdhi deri tek arritja e marrëveshjes rreth kuotës së disa prodhimeve bujqësore. Diç më mirë është çështja përsa i përket marrëveshjes për avio-komunikacion. Dërnovsheku gjatë takimit komentoi me fjalët "kjo është mirë" lajmin se mbartësit nacional JAT dhe Adria Airways mbase kanë gjetur zgjidhje kompromisi për ndarjen e fluturimeve për Beograd dhe Prishtinë. Kryeministri slloven, që më parë kishte përmendur të drejtën e banorëve të Kosovës për vetpërcaktim, gjatë kësaj vizite këtë çështje nuk e preku, përkundrazi, këtë herë vërtetoi se Sllovenia e përkrah inkuadrimin e RFJ-së në Këshillin e Evropës, se përkrah integritetin territorial të RFJ-së plus se angazhohet për zgjidhjen e çështjes së Kosovës mbrenda kornizës së rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit. Se mosfirmosja e disa marrëveshjeve nuk është pengesë e madhe për bashkëpunim ekonomik flet edhe fakti se sipas të dhënave të ambasadës jugosllave në Lubjanë, për çdo ditë në Serbi arrijnë rreth njëqind biznesmenë që "vrapojnë" për punë. Një ndër ta është edhe Marjan Podobnik, një befasi e madhe në sferën e "investimeve në bujqësinë serbe", një popullist i cili ka qenë në funksionin e nënkryetarit të qeverisë sllovene si lider i Partisë Popullore (PPS), që edhe sot e kësaj dite merr pjesë në kabinetin e Janez Dërnovshekut.

Podobnik në opinionin publik serb para disa kohësh lansoi plane megalomane për ndërtimin e një qendre të madhe tregëtare në afërsi të Beogradit, që edhe në qarqet diplomatike sllovene (shkaku i investimit të madh finansiar) konsiderohet si diçka e tepruar.

Si do që të jetë, qoftë fjala për biznes ose inkuadrim në rrjedhën e "bizneseve" të parealizuara, pjesëmarrja e bisnesmenëve slloven është një përvojë e re. Është e sigurtë se në ndërkohë Beogradi është një ndër qytetet më sllovene, sepse në qendër të qytetit ka aq shumë duçane sllovene, nga vilanita, Eltima, Gorenja deri tek Mura, po aq punkte në Lubjanë ka Bosch-i, Mielea, Max Mare... Megjithatë, vizita e Dërnovshekut në Beograd nuk filloi qartë, ishte një çështje procedurale, veçmas në relacionin kryetar - kryeministër. Gjatë disa viteve të fundit beteja rreth prestigjit ndërmjet "dy oborreve presidenciale" ndonjëherë kishte formë tragjikomike - sikurse ngjarja kur një reshje e fuqishme befasoi protokollin, prandaj Dërnovsheku para gjithë botës ia mbajti ombrellën Kuçanit derisa Klintoni iu drejtua aleatëve dhe sllovenëve të pranishmëve në sheshit e Kongresit në Lubjanë, në qershor të vitit 1999.

Tani, megjithatë, situata është në dobi të Dernovshekut. Pasi që në Slloveni para njëzet ditëve u ftua kryetari i RFJ-së Voisllav Koshtunica, protokoli e kishte paraparë që ftesa për vizitën e parë të ndonjë zyrtari të lartë slloven në RFJ t'i jepej Milan Kuçanit. Por, protokoli duket se nuk luan ndonjë rol të madh kur janë në pyetje interesat reale politike. Kuçani u "ngrit" përpjetë, por kjo nuk është përvoja e parë e këtij lloji. Gjatë viteve të fundit të qeverisjes bëri mjaft vizita jashtë, por kur të shihet të gjithë shihet se nuk janë të paktë lëshimet nga i ashtuquajturi reciprocitet protokollar. Nuk është fshehtësi se përfaqësuesit slloven (pa marrë parasyshë pozitën) shpesh udhëtojnë në metropolet tjera, se sa që vijnë zyrtarë nga jashtë në kryeqytetin e Sllovenisë. Disa komentues slloven kanë bërë një listë të gafeve diplomatike ku në shënjestër kanë qenë zyrtarët më të lartë slloven, kurse mes tjerash është theksuar Kuçani gjatë pranimit të tij tek mbretëresha angleze ku iu shtrua tepihu, por jo edhe darka solemne. Për fat bota është e madhe, kurse politikanët slloven janë të shumtë, prandaj mungesa e reciprocitetit deri më tani nuk ka shkaktuar kokëdhembje.

Kështu edhe qëndrimi i Dernovshekut në Beograd përkundër gjithë kurioziteteve shënoi edhe një skandal - pas aferave të njohura dhe presioneve në shtëpi shkaku i blerjes së avionit të ri shtetëror (qeveria sllovene hoqi dorë nga "Falkona" 2000 EX dhe vendosi të blente avion më të lirë) delegacioni për në Beograd nuk shkoi me avionin e qeverisë. Sepse suita ishte e madhe kurse avioni më i vogël (edhe shpenzues) u vendos që të shkohet me carter. Për këtë qëllim u huazua kanaderi nga Adria Airways, që, përkundër marrëveshjes që nuk vlen, aterroi në Surçin. Madje për ata që e ndjekin zyrtarisht Dernovshekun, udhëtimi nuk ishte gratis. Qeveria e siguroi avionin, por redaksitë e mediumeve sllovene (gjegjësisht pjesëtarët e mediumeve që në Beograd arritën të vendosur në ulëset menjëherë pas kryetarit) duhej doemos të paguanin nga 300 euro (biletë kthyese për një "udhëtar". Kështu vizita e Dernovshekut përfshin edhe dimensionin e fluturimit të parë komercial ndërmjet Lubjanës dhe Beogradit, pas 11 vjetëve.

Nuk është e qartë se athua vendimi për shërbimin e tipit "fly by Drnovsek" ishte shkaku i "racionalizimit" të udhëtimit ose pas kritikave të shumta të opinionit publik në adresë të qeverisë sllovene. E mbase është në pyetje dënimi për mediumet e caktuara që kritikuan blerjen e avionit. Është interesant se ky racionalitet u humb, ku tjetër pos në tokën serbe - ambasada sllovene për udhëtim nëpër Beograd rezervoi mjaft furgona për nevojat e fuqisë së shtatë. Të gjitha gratis.

IGOR MEKINA