Heshtje ose gjumë dimëror
Në pjesën shqiptare të skenës politike mbisundon një heshtje e parëndomtë: Ali Ahmeti dhe njerëzit e tij në mënyrë konspirative presin regjistrimin gjyqësor dhe shkruajnë programin për zgjedhjet e vjeshtës, PPD-ja dhe PDK-ja sikur kanë kaluar në ilegalitet, për ta thuajse asgjë nuk dëgjohet. Edhe PDSH-ja e cila tashmë ka filluar të realizojë strategjinë e vet parazgjedhore në opinionin publik është më shumë e pranishme me skandale, siç ishte rasti më i ri i krismave para "selisë alternative" të partisë, restorantit "Dora" në Tetovë.
AIM Shkup, 24.6.2002
Përshtypja e parë mbi prezencën e partive politike shqiptare në skenën politike maqedonase është se ato janë të pranishme kryesisht në dy mënyra të ndryshme. Së pari flitet dhe spekulohet në kontekst të koalicioneve të mundshme, para dhe paszgjedhore, dhe atë kryesisht ka të bëjë me deklarimet e partive politike maqedonase me të cilën mund të hynin eventualisht në ndonjë lloj bashkëpunimi. Ndërkohë, partitë politike maqedone janë të njëzëshme: ato në asnjë mënyrë nuk do të dëshironin Ali Ahmetin dhe partinë e tij në qeveritë e tyre të ardhshme. Gjërat këtu kanë arritur deri aty sa mund të flitet që një nga pikat kryesore të fushatës parazgjedhore për më shumë vota do të jetë raporti i partive maqedone me partinë e Ali Ahmetit, por edhe përsa i përket marrëveshjes kornizë të Ohrit në kuptimin negativ. Kështu opinionit i është kumtuar se Partia Socialiste e Maqedonisë ka dalë nga koalicioni opozitar "Për Maqedoninë" pas takimit të pasuksesshëm në takimin e liderëve të socialistëve me liderët e Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM-së) dhe Partisë Demokratike Liberale (PDL). Dalja ishte paralajmëruar para një kohe të gjatë kurse si shkas potencohet orientimi i socialistëve nga e djathta, afrimi me partitë që janë të shqetësuara për qenien nacionale maqedonase. Pasi kishin vërtetuar ndarjen me demokratët socialdemokrat dhe liberal, përfaqësuesit e Partisë Socialiste si shkas të mospajtimit kishin përmendur mospajtimin që "në në qeverinë e re të uleshin sëbashku me ndonjë Xhafer të ri, siç quhet ai", kurse socialisti i parë Lubisav Ivanov - Xingo madje përmendi mospajtimin që të jetë sëbashku me terroristët. Zëdhënësi i socialistëve shkoi më larg duke thënë se ai nuk dëshiron të bashkëpunojë me asnjërën nga katër partitë që kanë nënshkruar marrëveshjen e Ohrit. Socijalistët kështu në një mënyrë efikase mbledhin vota të maqedonasve duke promovuar kundërshtimin me marrëveshjen kornizë të Ohrit, edhe pse shumica e ligjeve që burojnë nga ajo kanë kaluar procedurën parlamentare dhe janë votuar. Kontestimi postfestum i marrëveshjes ose i shpallur si baza e të gjitha të këqijave që e gjetën Maqedoninë dhe me të cilat ajo do të ballafaqohet vitin e ardhshëm, në thelb paraqet rilindjen e albanofobisë.
Forma e dytë e pranisë së partive politike shqiptare është në sferën e kriminalitetit, kurse në këtë kontekst më së shumti përmendet Partia Demokratike e Shqiptarëve (PDSH), që ligjërisht është e paregjistruar dhe përbëhet nga koalicionin formal mes Partisë për Prosperitet Demokratik të Shqiptarëve (PPDSH-së) dhe Partisë Demokratike Popullore (PDP).
Gjatë muajve të fundit në opinionin publik maqedonas, përmes letrave të ndryshme, takimeve, promovimeve ndrëkombëtare, por edhe në ato të organizaatave joqeveritare të vendit, përmendet tema e korrupsionit, kriminalitetit të organizuar dhe format tjera të infiltrimit të përfaqësuesve të pushtetit në këto "biznese". Një nga "shenjat mbrojtëse" të këtyre "punëve" që nga fillimi është nënkryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi. PDSH-ja me meritën e Thaçit është elementi i pakontestueshëm i çdo përmendje të korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar në Maqedoni. Fjalët e kryetarit të PDSH-së Arben Xhaferit gjatë prezantimit të programit të partisë së tij në sallën sportive në Gostivar më 19 të këtij muaji se PDSH-ja "din kur të mbjellë dhe kur të vjel frytet" tingëlluan cinike sepse shumica e fjalëve të liderit të PDSH-së u futën në kontekst të asaj që ajo u bë trejdmark.
Për ironi të fatit, të njëjtën mbrëmje gjatë kremtes që bëri kreu i PDSH-së në "selinë e vet alternative", restorantin "Dora" në Tetovë, ndodhi incidenti i ri me krisma. Kreu kishte festuar paraqitjen e suksesshme në Gostivar, që nuk konsiderohet si qyteti i tyre prej kohës kur PDSH-ja u nda me ish-prefektin karizmatik të saj Rufi Osmanin. Në kremte u teprua gjithçka sepse diku rreth mesnatës filluan të krisnin tejmase me armë të lehta. Kulminacioni ndodhi disa orë më pas, diku rreth orës tre dhe katër në mëngjes, kur, sipas disa burimeve, u shkrepën qindra fishekë. Problemi nuk përfundoi këtu ose për shkak të adhuruesve tjerë të krismave në natë në Tetovë dhe rrethinë që përfundimisht e shndërruan këtë natë si më të trazuarën që nga fillimi i luftës e deri në ditën e sotme. Gjërat u komplikuan kur pas intervenimeve të shumta në vendin e ngjarjes arriti policia që jo vetëm se nuk i qetësoi kremtuesit, por gati për pak patrulla policore shpëtoi të mos arrestohej nga ana e udhëheqësve të nxehur të PDSH-së. Një ditë më pas agjencia gazetareske MIA liferoi lajmin se policia e Tetovës kishte ngritur padi penale kundër nënkryetarit të partisë Menduh Thaçit, zëdhënësit partiak dhe drejtorit të aeroportit publik dhe ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK-së) nga rajoni i Tetovës komandant Lekës, i cili para disa kohësh u zgjodh kryetar i degës së PDSH-së në Tetovë. Lajmi i MIA-së shumë shpejt u tërhoq dhe u botuan një seri demantesh rreth ngjarjes. Por askush nuk mund të demantojë ekipin e OSBE-së dhe "dhelprat e qelibarta" të NATO-s që kishin qenë prezent gjatë krismave dhe intervenimit të policisë para restorantit "Dora" në Tetovë.
Në ndërkohë, në fshatin e Tetovës, ose thënë më mirë në lagjen e saj në Reçicë të Vogël, që u bë e njohur e njohur për shkak të kampusit universitar të Tetovës që punoi disa vjet i papranuar nga shteti, në shtëpinë që ende quhet selia e Këshillit Koordinativ punojnë njerëzit që e përbëjnë kreun e partisë së re shqiptare Bashkimit Demokratik për Integrim, kryetar i së cilës është përfaqësuesi politik i UÇK-së së dikurshme. Siç dihet, krismat e para në restorantin "Dora", para disa muajsh ishin shkas për daljen e PDSH-së nga Këshilli Koordinativ, që solli deri tek ndërprerja e punës së tij. Ahmeti pas kësaj formoi partinë e vet, por koha që harxhoi në formimin dhe fillimin e punës së Këshillit Koordinativ, tani dëshmohet si e humbur për të dhe partinë e tij. Partia e re deri më 15 gusht kur duhet të fillojë fushata parazgjedhore doemos duhet të regjistrohet ligjërisht dhe të organizohet në të gjitha punktet (nga infrastruktura deri tek përpilimi i programit partiak dhe zgjedhor). Deri tani Ahmeti dhe bashkëpunëtorët e tij në takimet me gazetarë dhe përfaqësuesit e organizatave të ndryshme të huaja që takohet tregon mjaft optimizëm në lidhje me rezultatet e zgjedhjeve dhe të ardhshmen e partisë së tij, por sikur në mënyrë naďve nuk pret kurfarë paraqitje përsa i përket pranisë në mediume, që kontrollohen nga PDSH-ja.
PDSH-ja tashmë me emërimin e ish-komandantëve të UÇK-së në vende udhëheqëse në degën më të rëndësishme të Tetovës të PDSH-së e porosit Ahmetin se nuk ka ekskluzivitet në atë që lufta ua solli shqiptarëve dhe shkoi një hap mëtej duke promovuar strategjinë e re partiake sipas së cilës PDSH-ja nuk mbetet në atë që u solli shqiptarëve Marrëveshja e Ohrit dhe veten e vendon në funksionin e radikalizmit verbal.
PPD-ja dhe Partia Demokratike Kombëtare (PDK) sikur ende janë nën shokun e shpërbërjes së Këshillit Koordinues, dhe sikur nuk ekzistojnë fare. Pas ndërrimeve në kreun e Prosperitetit - kthimin e Abdurahman Alitit në pozicionin e liderit dhe konfrontimit të lehtë me njerëzit që e kundërshtuan për këtë - sikur nuk ndodh asgjë. PDK-ja, që fitoi rejting të madh në kohën e luftës, sikur ka humbur më së shumti me paraqitjen e partisë së Ahmetit dhe ballafaqohet me sulmet nga ana e PDSH-së që tenton të kthejë anëtarësinë që ka kaluar në PDK. Edhe PPD-ja edhe PDK-ja sikur presin se çfarë do të ndodhë me Bashkimin Demokratik për Integrim dhe sikur shpresojnë se në fund me forca të përbashkëta do të hyjnë në zgjedhje dhe do të mposhtin PDSH-në e kompromituar. Por e gjithë kjo ngjan me heshtjen ose gjumin dimëror në pikë të verës ku kanë rënë partitë politike shqiptare para më shumë se dy muaj deri në zgjedhjet parlamentare.
ISO RUSI