Shteti dhe mafia: Heshtje për kartelën doganore

Sarajevo Jun 15, 2002

AIM Banjallukë, 03.06.2002

Kur këtyre ditëve në mediumet e Republikës Serbe (RS) u botua raporti i Zyrës për çështje doganore dhe fiskale (CAFAO) për ekzistimin e 'korrupsionit të zgjeruar, të organizuar dhe në kontinuitet në Drejtorinë Doganore të RS', askush nuk besoi se në mbrojtje të shërbimit doganor do të vihej pushteti më i lartë i këtij entiteti. Së pari për raportin diskutoi Qeveria e RS-së, akurse më pas konferencë për shtyp mbajti drejtori i Drejtorisë së Doganës Goran Popovic dhe nënkryetari i RS-së Dragan Caviq. Të gjithë kishin qëndrime identike mbi 'korupsionin e organizuar dhe të vazhdueshëm në shërbimin doganor': gjithçka duhet të dëshmohet dhe atëherë do të ndërrohen të papërgjegjshmit! Qeveria e formoi komisionin e vet të ekspertëve, që për dhjetë ditë duhet të ofrojë raport. Në ndërkohë, qëndrim identik ka edhe koalicioni pushtetmbajtës parlamentar (SDS dhe Partia e Progresit Demokratik), duke refuzuar propozimin e opozitës që të diskutohej mbi gjendjen në shërbimin doganor të RS-së.

Raporti i CAFAO-s ka përfshirë vetëm transferin doganor të mallrave të tekstilit gjatë gjashtë muajve të fundit. Sipas vlerësimeve, me parregullësitë doganore ky lloj malli e ka dëmtuar RS për rreth 30 milionë marka, kurse zyrtarët doganor në xhepat e tyre kanë futur 5 milionë. Teknologjia e doganimit të paligjshëm shkaktoi pranimin e fakturave simbolike të importit për provizione të mira. Për shembull, 22 tonelata të mallrave të ndryshëm të tekstilit në fakturën importuese kanë kushtuar 8.900 euro, kurse vlera e njëmendtë kalon mbi 200 mijë KM (marka konvertibile). Çmimet e veçanta ishin më shumë se qesharake: farmerkat kushtonin 15 feninga, çorapet nga 0,08, kurse patikat vetëm 20 fening! Doganierët këtë vlerë simbolike e kishin zvogëluar dyfish dhe kishin caktuar shkallë tjetër tatimore, sipas së cilës 22 tonelata konfeksion të tekstilit duhej paguar 6.308 KM! Për shërbimet doganore importuesi ka paguar 14 mijë KM, para të cilat edhe mëtej janë distribuuar sipas skemës së njëjtë.

Nëç raportin e CAFAO-s janë përmendur disa raste të këtij doganimi të paligjshëm, duke u përmendur edhe emrat e zyrtarëve të doganës dhe kontaktet e tyre me importuesit. Më së shpeshti përmenden emrat e djalit të gjeneralit dhe ish-minsitrit të mbrojtjes në Qeverinë e RS-së Manojlo Milovanoviç, pra Nedelko Milovanoviqit dhe shefi i doganës në Gradishce Nenad Laziç.

Këto të dhëna nga raporti i CAFAO-s, të dokumentuar me fakturat importuese, nuk ishin dëshmi dhe shkas për zyrtarët shtetëror të RS për ta ndërruar drejtorin e Drejtorisë së doganës Goran Popoviqin. Në mbrojtje të tij dolën shokët e tij partiak nga SDS-ja, parti e cila më parë e kishte kandiduar për ministër të tregëtisë dhe kur nuk u morr miratimi nga ana e përfaqësuesit të lartë për BeH (OHR), e detyruan kryeministrin Mladen Ivaniqin që t'ia afronte Drejtorinë e Doganës. Ivaniqi as sot e kësaj dite nuk ka pasur forcë që të kundërshtonte partnerin e vet qeveritar dhe të kërkonte dorëheqjen e Popoviqit, që varrosi shpresat e optimistëve të fundit se Ivaniqi mund të ndërhynte në pastrimin e kriminalitetit doganor.

Me këto të dhëna rrëfimi mbi kriminalitetin doganor bëhet i qartë: në RS kriminaliteti i organizuar është në duart e pushtetit. Segmente të strukturës mafioze janë të ndërlidhur ndërmjet vete dhe funksionojnë sipas principit piramidal, kurse truri i kësaj strukture gjendet në partitë që përbëjnë qeverinë. Kahja e ndërlidhshmërisë është e thjeshtë: mafia e organizuar me larjen e parave finanson elitën në pushtet, kurse elita në pushtet përmes politikës shtetërore mbron mafinë.

Pas rrëfimit të papritur mbi "mafinë e tekstilit" dhe shumën me të cilën është dëmtuar buxheti i RS-së, me të drejtë mund të shtrohet pyetja se sa i kushton shtetit mafia e naftës, sa marrin importuesit e mallrave tjera me akcizë, sa përfitohet nga çokollatat, keskin dhe nga cisternat me birrë. Me një fjalë, në vend se të të mblidhen të ardhurat fiskale, RS e vjedh tërthorazi vetveten dhe diskreditohet si bashkësi që nuk është e aftë të organizojë pushtetin.

Në fund, në bizaritet medial hedh më shumë dritë mbi simbiozën e mafisë dhe shtetit në RS. Magazini nga Banja Lluka 'Patriot', i afërt me SDS në pushtet (që ka si parrullë "Lexoni tanët"), hap një aferë doganore për tashmë ish - përfaqësuesin e lartë për BeH Volfgang Petriçin, se shërbimi doganor kishte zbuluar një pajisje teknike për telefoni mobile, që në BeH, e kishte importuar vëllau i tij!? Opinionit para këtij "zbulimi" i ishte sugjeruar se afera ishte prodhuar nga shërbimi sekret boshnjak AID. Nuk është e vështirë të kuptohet se si sfond i gjithë kësaj është orientimi i vëmendjes së opinionit publik drejt "armiqve tanë".

BRANKO PERIQ