Zgjedhjet: Numri i partive i madh, rejtingu i vogël
AIM Banjallukë 07.06.2002
Për zgjedhjet e përgjithshme të tetorit në Bosnjë e Hercegovinë (BeH) janë kualifikuar 55 parti politike dhe tre kandidatë të pavarur. Një partie politike i është dhënë vërtetim i kushtezuar (Partia Republikane e Republikës Serbe), kurse një parti politike dhe një kandidat politik nuk kanë marrë vërtetime.
Kryetari i Komisionit Zgjedhor (KZ) i BeH Lidija Koraq vlerësoi se mënyra e paraqitjes ka qenë mjaft korrekte dhe ka lavdëruar përgjegjësinë e partive ndaj ligjit mbi procedurat zgjedhore. Një kënaqësi e këtillë ishte nga shkaku se priteshin raste shumë më të komplikuara shkaku i vendimit të përfaqësuesit të lartë për BeH Volfgang Petriqit për të ndaluar pjesëmarrjen dhe kandidaturën në zgjedhje për të gjithë ata që me vendimin e ish-Komisionit të Përkohëshëm Zgjedhor (KPZ) dhe Nënkomisionit të Apelacionit ishin dënuar shkaku i obstruksioneve personale të Marrëveshjes së Dejtonit ose kishin vepruar në kundërshtim me rregullat e KPZ-së dhe atyre që ai personalisht i kishte ndërruar nga funksionet publike. Sipas të njëjtit vendim, që e solli më 26 mars, për në zgjedhje nuk do të mund të kandidohen, të paraqesin mandate apo të paraqesin mandatet e emëruara personat që i ka ndërruar SFOR-i dhe Komesari IPTF.
Sipas vendimit të Petriqit, KZ doemos duhet të sigurojë që në kërkesën për vërtetim të çfarëdo partie politike ose në dokumentacionin tjetër të mos gjendet asnjë person që e ndalon kjo ndalesë. Pra, është dashur që të grumbullojë të dhëna për të gjithë personat për të cilët vlen dënimi, kurse pastaj duhet ta ketë parasyshë që ndonjëri nga këto persona të mos zë "ndonjë vend qendror në parti".
Gjatë procedurës preliminare u vërtetua se vetëm 9 anëtarë të trupave statutare mga gjashtë parti politike ishin në listën e kandidatëve të Vendimeve të KPZ-së, Nënkomisionit të Apelacionit Zgjedhor ose OHR-së. Në mesin e tyre si rast më drastik ishte Partia Radikale Serbe (PRS) e ish-kryetarit të Republikës Serbe (RS) Nikola Poplashenit, të cilin përfaqësuesi i lartë e kishte ndërruar nga posti i kryetarit të RS-së dhe të cilit iu ndalua pjesëmarrja në zgjedhjet e mëparshme. PRS u paraqit në zgjedhje me Poplashenin dhe dy kandidatë tjerë të Këshillit Qendror, për të cilët vlen sanksionimi i Petriqit, kurse vetëm 48 orë para skadimit të afatit për paraqitje kjo parti kishte ofruar fakte se Poplashen, Miladin Simiq dhe Zoran Nikoliq kishin dhënë dorëheqje.
Për zgjedhje nuk u kualifikua edhe Partia e të Rinjve të BeH shkaku se nuk kishte arritur që të grumbullonte numër të caktuar të nënshkrimeve të atyre që e përkrahnin (2000), dhe kandidati i pavarur Nedjelko Obradoviq, të cilin SFOR-i e kishte larguar nga posti në Ushtrinë e RS-së. Rastet tjera kishin të bënin me persona në organet e partive politike që ishin sanksionuar sepse kishin shfrytëzuar pronën e huaj, që në ndërkohë kishin ofruar fakte se nuk e shfrytëzonin më pronën e huaj.
Në raport me zgjedhjet e kaluara të përgjithshme numri i partive politike të paraqitura dhe të verifikuara është rritur për 25 përqind. Në zgjedhjet e kaluara morrën pjesë 44 parti politike, nga gjithsejt 54 sa u paraqitën. Nga 10 paraqitje pesë të refuzuara ishin nga RS, kurse 5 nga Federata BeH. Është një kuriozitet i vogël numri i paktë i kandidatëve të pavarur që u paraqitën në zgjedhjet e kaluara, që gjithsejt ishin 37, prej të cilëve u verifikuan 31 kurse gjashtë fletëparaqitje u refuzuan.
Këtë vit numri i kandidatëve të pavarur është shumë më i vogël, që mund të jetë si pasojë e kushteve të vështira për kandidim, rezultateve të këqija zgjedhore në zgjedhjet e kaluara dhe fakti se nuk është fjala për zgjedhje lokale. Për vërtetimin e pjesëmarrjes në zgjedhje kandidatët e pavarur doemos duhej të mblishnin 1.500 nënshkrime të përkrahësvenëse paraqiten në zgjedhjet për anëtar të Kryesisë së BeH-së dhe Dhomën e Përfaqësuesve të Kuvendit të BeH, 1.000 nënshkrime përkrahjeje për deputet në Dhomën e Përfaqësuesve të Parlamentit të Federatës së BeH dhe për deputet në Kuvendin Popullor të RS-së dhe 250 nënshkrime përkrahjeje për Kuvendin Kantonal. Ky fenomen mund të interpretohet edhe me faktin se numri i madh i partive politike kishte "blerë" gati të gjithë qytetarët me ambicie politike.
Numri kaq i madh i partive politike në këto zgjedhje do të jetë fenomen për një hulumtim të dyfishtë sociologjik. Përse një numër kaq i madh i partive politike pretendojnë në nivele të larta të zgjedhjeve edhe përkundër faktit se ktualisht në parlament ka më së paku dhjetë prej tyre, kurse kjo mund të sqarohen në shumë mënyra: nga shkalla e ulët zgjedhore (tre përqind), sistemit të kombinuar të votimit që favorizon partitë e vogla e deri tek strategjia e koalicionimeve dhe interesave të liderëve të tyre.
Dhe derisa partitë politike janë duke menduar strategjinë e përfitimit të trupit votues dhe marrjen e pushtetit, hulumtimet e opinionit publik tregojnë se trupi votues është gjithnjë e më pak i interesuar për politikanët dhe zgjedhjet. Sipas hulumtimit të fundit të Institutit Nacional Demokratik amerikan, në raport me hulumtimin e opinionit publik në muajin shkurt, imazhi i politikanëve zbehet, m'u si rejtingu i partive politike, ndërkohë që rritet numri i të të përcaktuarve.
BRANKO PERIQ