Nga kali i bardhë deri te gënjeshtrat e larmishme

Skopje May 28, 2002

AIM Shkup, 28.05.2002

Epokën e Maqedonisë demokratike shqiptarët e këtushëm e filluan me defilimin e kalit të bardhë në mes të Tetovës që e "ngiste" kryetari i atëhershëm i partisë së vetme të tyre - Partisë për Prosperitet Demokratik. Të magjepsur nga freskia e kohës së re pak kush atëherë vuri re se ngjyra e bardhë e kalit ishte e damkosur mjaft me njolla dhe aspak nuk ngjante si kalë marshi. Atëherë as që ishin të rëndësishme detajet, por pamja e përgjithshme. Kurse në këtë portret grupor politik të shqiptarëve të asaj kohe, nga ngjyrat e euforisë as që mundën të shihneshin profilet e atyre që dolën në krye të kolonave politike. Gjegjësisht, si të gjithë të tjerët që u ndanë nga socializmi dhe shpallën bashkëshortësinë me nacionalromantizmin e manifestuar me "trungje-revolucione" të ndryshme dhe autonomi të shumëllojshme, edhe shqiptarët e këtushëm konsideruan se në orën e bardhë të kohës së re kishte ardhur çasti që t'i realizonin ambicjet kolektive me vite të ëndërruara dhe të gjatpritura.

Por, në këtë dhjetëvjeçar që e filluan me mitingje euforike, shqiptarët në Maqedoni kanë lënë pas vetes shumë protesta, përplot ballafaqime me kordonet policore, një "mini luftë" me forcat e këtushme të sigurisë, që përfundimisht mozaikun politik ta kompletojnë me dhjetëra parti politike me prapashtesën "shqiptare" dhe dilema të dyfishta se kujt prej tyre duhet besuar më shumë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Për dallim nga vitet e largëta 90-të kur për herë të parë u votua "demokratikisht"

  • për partinë e tyre e jo për kandidatët, gjegjësisht, për inat të maqedonasve etnik e jo për vete - tash kur u "harxhuan" të gjitha format e veprimit, nuk do të kenë zgjidhje tjetër përveç se të votojnë për vete dhe për shtetin në të cilin jetojnë ose të vazhdojnë vetmashtrimin me mëlmesë të gënjeshtrave të larme të partive të dikurshme.

Votimi nga faza e orëve të para të demokracisë - që të shkohet pas secilit që ka bekimin e partisë sonë - detyrimisht shpiente tek vetëdija politike se vlerat individuale ishin të barabarta me zero nëse nuk ishin verifikuar me librezë partiake. Edhe partia (PPD) që e promovoi principin se vetëm "licenca" e saj garanton cilësi, detyrimisht duhej një ditë të shndërrohej në një "punëtori" që prodhon "sekte politike", që prapa premtimeve të rrejshme të larmishme do t'i fshihnin interesat personale dhe përfitimet. Kështu, nga "inkubatori" PPD lindën gati të gjitha partitë tjera prej të cilave më e rëndësishmja ishte PDSH-ja (Partia Demokratike Shqiptare), në kreun e së cilës erdhi Arben Xhaferi.

Gjatë dhjetëvjeçarit të kaluar shqiptarët dëgjuan shumë premtime, mbajtën pakufi mitingje ku mund të drejtohej secili që kishte aftësinë të gënjente dhe aspak të mos skuqej. Në ndërkohë, gati secilin vit vijues, regjistrohej ndonjë parti e tyre si shprehje e zhgënjimit ndaj të mëparshmes. Derisa nuk u shfaq UÇK-ja (Ushtria Çlirimtare Kombëtare) që i la nën hije të gjitha partitë dhe e futi Maqedoninë në luftë.

Kur të gjithë menduan se partitë politike shqiptare në Maqedoni janë kufoma të pashpirta dhe pritej që Ali Ahmeti (lideri i dikurshëm politik i ish-UÇK-së) të kryente aktin e varrimit të tyre të dinjitetshëm, ndodhi çudia: ato u bënë më agresive sesa kurdoherë më parë dhe bënë të ditur se nga skena politike nuk mund t'i largojë as fatkeqësia e popullit të tyre, as e dhëna se edhe ato dhanë kontributin e tyre në ndërtimin e magjistrales që Maqedoninë e futi në konflikt ushtarak. Me çka edhe njëherë u dëshmua se populli lehtë mund të zgjedhë përfaqësuesit e vetë, por vështirë që t'i rrëzojë të zgjedhurit nga shpatullat. Veçmas të korruptuarit të cilët mbase jo se nuk duan të largohen nga skena politike, por nuk e dijnë se ku të gjejnë strehim - i frikëson hija e vet për të (pa)bërën që i ndjek si fantazmë.

Sido që të jetë, prej se Ali Ahmeti nuk arriti që t'i fuste nën tutellën e vet partitë më relevante politike në tashmë Këshillin Koordinues të shpërbërë (të cilin për një kohë të shkurtër e përbënin Partia e Prosperitetit Demokratik, Partia Demokratike Kombëtare dhe Partia Demokratike e Shqiptarëve), këtyre ditëve vendosi që të bënte të vetmen gjë që i kishte mbetur e paprovuar - të krijonte partinë e tij politike. Pra, njeriu që pas vetes ka një luftë, një tentim për të krijuar "front të përbashkët politik të shqiptarëve", menjëherë sikur e kuptoi se "mangupët politik" që dhjetë vjet e gënjyen popullin, nuk kanë kurfarë dilemash që ta genjëjnë edhe atë. Gjegjësisht, se ato që i vodhën votat e shqiptarëve kanë fuqi dhe aftësi të vjedhin edhe imazhin e tij që e arriti në popull me UÇK-në. Ali Ahmeti, që e pa se thesi me "brirët partiak" është shumë i rëndë për ta mbajtur, përfundimisht sikur e kuptoi se imayhi i tij ngadalë shkrihet dhe pahetueshëm shtresohet në partitë politike ekzistuese. Veçmas në rradhët e PDSH-së së Xhaferit, e cila filloi të "blente" komandantët e Ahmetit si mall ndjellës për ta gënjyer popullin në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Dhe derisa partitë e këtushme politike të shqiptarëve "komandantizoheshin" - duke luftuar secila që të marrë ndonjë emër të njohur nga komandantët e dikurshëm të UÇK-së - Ali Ahmeti gjithnjë e më tepër bindej se të ndërtosh paqen ndonjëherë është shumë më e vështirë sesa të luftosh. Tani, kur e paralajmëroi partinë e vet politike, pritet të shihet se çka i ka mbetur nga "kapitali i dikurshëm" dhe sa e kanë dëmtuar tentimet e deritanishme të bëhej lider gjithëshqiptar. Dhe kuptohet, do të shihet përfundimisht athua ka kuptuar se emri popull nuk është i gjinisë femërore, jo vetëm për shkakun se është i prirë që të mashtrohet nga dama e quajtur politikë, por edhe nga shkaku se ai i fundit e kupton se kush janë kopilët e posalindur politik që vet i mbarsi gjatë votimit.

Ndërkaq edhe mëtutje do të nmbetet e vërteta se shqiptarët e Maqedonisë nuk janë kurfarë përjashtimi nga "mbiemrat" e tjerë që i shtohen emrit popull dhe prandaj joshen nga gënjeshtrat e larmishme të politikanëve të vet. Tani kur e kuptuan se prapa premtimeve të bukura të Xhaferit fsheheshin vetëm pretendime të ambicjeve të ulëta që të vidhet pushteti për t'u arritur dobi sa më e madhe për kamaren e kësaj partie, shqiptarëve nga Maqedonia u ofrohet vetëm edhe një mundësi - ta provojnë fatin me partinë e Ali Ahmetit e cila, siç thotë ai, "do të jetë e hapur për të gjithë njerëzit e drejtë". Mbase mbetet shpresa se në ndërkohë Ali Ahmeti e ka kuptuar se në këto hapësira tashmë kaherë drejtësia nuk varet nga njerëzit e drejtë por nga të fuqishmit të cilët u pasuruan brenda natës dhe mund ta blejnë madje edhe drejtësinë.

Sido që të jetë, mbetet e vërteta se për dallim nga shqiptarë e këtushëm, të cilët në zgjedhjet parlamentare do të kenë oferta të mëdha politike, Ali Ahmetit nuk i mbetet zgjidhje tjetër veçse të provojë fatin me partinë e tij të re. Gjegjësisht, ose të arrijë sukses me partinë e tij ose përfundimisht t'i kthehet të kaluarës së rrjedhave të këtushme politike. Në këtë rast një gjë është e sigurtë: sado që të jetë kurorëzuar me imazhin e mirë në popull, Ali Ahmeti doemos do të duhet që të kalojë nëpër sfida mjaft të vështira. Nëse jo tjetër, doemos do të duhet ta fitojë betejën ndaj një elite politike tashmë të etabluar, e cila e ka shijuar kënaqësinë e fuqisë politike dhe e cila është e paskrupullt në mbrojtjen e privilegjeve të veta. Gjegjësisht, e ardhmja politike e Ahmetit do të varet sesa ai e din që nëntoka politike e PDSH-së është ajo që qep "konceptet etnike shqiptare", e jo organet partiake dhe opinioni publik. Kurse nëntoka politike që e krijoi Xhaferi ka diçka që nuk e ka asnjë parti politike tjetër e këtushme, përveç asaj të Georgievskit (VMRO-DPMNE): kapitalin e madh me të cilin mund të blejë dhe të frikësojë shumicën e votuesve shqiptarë. Thjesht, do të jetë problem i madh për Ahmetin që t'i kundërvihet kapitalit të madh të PDSH-së, që nga kjo parti dhe nga kreu i saj bëri "kapitalistë më të mëdhenj", kurse sipas mënyrës se si është bërë ky kapital, këtë parti e bëri motër binjake të VMRO-DPMNE-së. Që do të thotë, kundër ambicieve të tij politike Ali Ahmeti e ka përballë fuqinë e dy partive politike dhe fuqinë e institucioneve shtetërore që kontrollohen nga këëto dy parti, tani për tani, më të pasura në Maqedoni, e mbase edhe më gjërë - PDSH-në dhe VMRO-DPMNE-në.

Sido që të jetë, dhjetëvjeçarin e pluralizmit, shqiptarët nga Maqedonia e përfundojnë me një meni të pasur partiake. Dorën në zemër ata edhe nga ofertat e deritanishme politike u ngopën deri në vjellje, por megjithatë, si çdo popull, edhe shqiptarët me kërshëri sillen ndaj të resë. Kështu me padurim presin të dijnë se kush do të jenë njerëzit e parë të partisë së paralajmëruar të Ali Ahmetit duke e ditur që më parë se disa komandantë të tij tashmë një kohë kanë gjetur vatër atje ku u është paguar më mirë "puna ushtarake" e kaluar. Që d.t.th., nëse Ali Ahmeti nuk shpejton, mund t'i ndodh që të mbetet vetëm me pak ish-luftëtar të UÇK-së. Kështu, edhe njëherë do të dëshmohej se në politikë më së shpeshti nuk është e rëndësishme kush çfarë bëri, por sa është i fuqishëm të grabis nga ajo që është bërë. Veçmas në këto hapësira të popujve të varfëruar që ende vuajnë nga sëmundja e kujtesës së shkurtë.

KIM MEHMETI