Vasha maqedone

Skopje May 28, 2002

Javën që kaloi Maqedonia kishte harmoni kur hendbollistet e saj të "Kometalit", së paku në teren, kthyen dinjitetin të nëpërkëmbur një kohë të gjatë

AIM Shkup, 23.05.2002

Kur në mbrëmjet e 19. majit dihej se hendbollistet e kampionit maqedon "Kometal Gjorçe Petrovit" në finalen evropiane mposhtën HERC nga Budapesta, në Shkupfilloi një luftë e vërtetë: u shtye me të gjitha armët në dispozicion. Mashala, populli tregoi se është i armatosur në mënyrë solide. Anëtarët e Trupit Koordinativ qeveritar për ballafaqim me krizën, që tashmë një vit shënon çdo krismë në rajonet e krizës - vetëm mund të ngrinin supet, të pandihmuar.

Mbase nuk ka asgjë më të bukur sesa kur atyre që nuk u ndodh shpesh që t'u "bie kokrra në dhallë", kur një botë e madhe bëhet e pranishme, kur rajasë së vogël i duket se mund të rrëzojë malin. Maqedonia atë natë krisi si i thati. I gjithë nënçmimi, përbuzja, vështirësia shkaku i tutorizimit ndërkombëtar

  • e gjithë kjo në një orë u shndërrua në shprehje të magjepsjes spontane popullore. Refreni "Vasha maqedone" që kaherë është bërë sinonim i "Kometalit" u luajt nga të gjitha anët. Siç do të shkruante një gazetë lokale, gjithçka që nuk arriti politika ia arriti "Kometal-i": të kthejë Maqedoninë së paku pak atje pas një dinjiteti të nëpërkëmbur!

Në kremten e përgjithshme dikush megjithatë vuri re se as kryetari i Republikës, as kryetari i qeverisë nuk kuptojnë veçmas për hendbollin dhe nuk e bënë atë që do të duhej bërë, të ndanin disa çaste të ngrohta për vashat të cilat për pak kohë larguan pamjet e zymta në fytyrat e shumicës së qytetarëve. Maqedonia e përjetoi edhe këtë: përveç urimeve të të gjithë atyre që u takon sipas protokollit, përveç të gjitha urimeve të trimave të njohur dhe panjohur, hendbollistet e "Kometalit" morrën urime edhe nga ish-përfaqësuesi politik i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare të shpërbërë Ali Ahmeti. Kuptohet, opinioni publik maqedonas këtë shprehje të kurtoazisë e përjetoi si shaka të pakrypë. Por, nëse kemi të drejtë, kjo është një nga aplaudimet e rralla në skenën e hapur nga "tribuna kundërshtare". Edhe shtypi në gjuhën shqipe, si zakonisht indiferent ndaj vërshimit të patriotizmit maqedonas, iu bashkangjit madhërimit të të adhuruarve nacionale.

Rrëfimi për klubin "Kometal Gjorçe Petrov" si sport jo tërheqës, madje edhe femëror, i ngjan përrallës që e flasin vashëzat e vogla - mbi princin që do të vijë një ditë. Kjo flutur nga lagjet shkupjane për më pak se dhjetë vjet nga një ekip i pavlerë i rangut të dytë arriti të bëhet yll. Megjithatë, gjithçka u bë e mundshme kur u paraqit princi. Sikur të mos ishte si sponzor klubi Trifun Kostovski, një nga biznismenët më të pasur maqedonas por (që nuk është rëndomësi nëpër lagjet shkupjane) edhe filantropi më i madh, i pakrahasueshëm i këtushëm, klubi i parëndësishëm hendbollistik nuk do të arrinte dyzet vitet dhe do të shuhej sikurse shumë të tjerë nga vatra socialiste të lindura atëherë në emër të grupimit skojist të rinisë femërore. Ose, do të garonte në rang-listat e garave të zonës.

Edhe vetë Kostovski është rrëfim në vete. Ky 56-vjeçar si pjesëtar i gjeneratës më të lumtur të ish-Jugosllavisë duheshte të lejonte që ta godiste treni që të mos dëshmonte se ishte një menaxher i aftë socialist. Filloi zanatin e tregëtarit në një firmë shkupjane të tregëtisë së jashtme, nga praktikanti, përmes referentit deri tek përfaqësuesi ekonomik në Varshavë, m'u në kohën kur kjo ishte e njëjtë sikur "sëpata të të bie në mjaltë". Duke pasur dituri, Kostovski me kohë kuptoi se cilat erëra fryjnë në Lindje prandaj ndër të parët u angazhua për ndërlidhjen e interesave të vdekura socialiste dhe interesave ende të pashfaqura kapitaliste. Megjithatë, të punohet me mjaltë dhe të mos ngjihen gishtat edhe në rastin e Kostovskit u tregua si e pamundshme. Që në vitin 1992 hap firmën e vetë "Kometal" në Vjenë, të specializuar për shitjen e xeheve nga Polonia për në Perëndim. Gjithçka mbeti fshehtësi e punës. Në vitin tjetër 1993 Kostovski "e bën të vetin" klubin "Gjorçe Petrov", i cili të njëjtin vit bëhet kampion shtetëror. Hendbollisteve u iku nga dora titulli evropian para dy vitesh në një garë të njohur për nga atmosfera e elektrizuar ndërmjet simpatizuesve dhe ushtarëve të NATO-s. Fundin më të hidhur e përjetoi kryetari i ekipit kundërshtar, për çka "Kometali" u dënuan reptësisht. Gjatë kohës sa finanson Kostovski, klubi nuk ngurroi që të blente hendbollistet më cilësore të Evropës pa të cilat kurora evropiane as që do të vinte.

Jotipike për të pasurit lokal Kostovski njihet edhe si sansonjer, flet disa gjuhë të huaja, nuk është pjesë e thashethemeve që "i flet çarshia". Ai harxhon shumë para për aksione humanitare, për veprimtari kulturore, për çështje publike, ndihmon klubet sportive dhe manifestimet.

Përse e themi gjithë këtë?

Ka këtu pëshpëritje se zoti Kostovski ka ambicje të konsiderueshme politike. Qëndroi pas "Utrinski Vesnikut" opozitar, thonë se kjo ndodh edhe me revistën "Aktuel", në Forum 2001 vepron së bashku me kryetarin e dikurshëm Kiro Gligorov dhe kokat tjera të urta. U hamend se dëshironte dhe nuk dëshironte të formonte partinë e vet, një kohë foli se do të kandidohej për kryetar të Maqedonisë por vetëm me kusht nëse prapa tij qëndronin edhe partia në pushtet VMRO-DPMNE i opozicioni Socijaldemokratski savez, dakle pas i macka makedonske politike.

Në rast se natën e trazuar mes të dielës dhe të hënës Trifun Kostovski në sheshin e Shkupit, ku masa përshëndeste hendbollistet, do të shprehte se kandidohej për shef të shtetit, do të ishte zgjedhur në mënyrë plebishçitare! Por, vendi i punës i kryetarit të Maqedonisë është i zënë, zgjedhjet presidenciale janë pas dy vitesh kurse as zoti Kostovski nuk ka vrapuar që të kandidohet.

Euforia u shuajt. Populli iu kthye përditshmërisë. Hendbollistet e "Kometalit" dhe finansuesi i tyre përpilojnë plane të reja. Gëzimi i gjithëmbarshëm i popullit zgjati pak. Sporti është sport, politika është politikë, jeta është jetë. Çudia në sport ndodh shpesh, në politikë ndonjëherë, në jetë - asnjëherë.

ZELJKO BAJIC