Pena gazetareske në pancir
Una historia de un amor
AIM Shkup, 20. 05. 2002.
Para qeverisë maqedone të hënën në mbrëmje filloi protesta e gazetarëve me moton: "Pena gazetareske në pancir" ku u kërkua dorëheqja e ministrit të punëve të brendshme Lube Boshkovskit. Pjesëmarrësit, në të vërtetë, në frymën e asaj për çka kishin dalur në këtë tubim, u pajisën me pancirë dhe helmeta.
Ministri e shqetësoi "fuqinë e shtatë" të mërkurën e kaluar kur në një stërvitje të njësisë së kontestueshme policore "Luanët" afër fshatit Leunovë të Gostivarit, duke dashur që të tregohej i rëndësishëm, pasi kishte gjuajtur me minahedhës automatik plagosi katër persona. Në mesin e tyre edhe gazetaren e gazetës më të madhe të Shkupit "Dnevnik", Danijela Veljanovskën.
Por, të kuptohemi menjëherë: nuk ishte fajtor ministri, por viktimat që u gjendën atje ku u gjendën! Kështu thotë hetuesia. Policia, më vonë, fajin e hodhi te të plagosurit, duke pohuar se nuk kishin marrë parasyshë vërejtjet që të mos i afroheshin ministrit të habitur. E lënduara Danijela Veljanovska, duke paralajmëruar padi, pohoi (duke iu bashkangjitur edhe dëshmitarë të tjerë) se nuk kishte pasur kurfarë vërejtjesh! Megjithatë, kjo duket se nuk është e rëndësishme! Siç do të thoshte i harruari Nikoletina Bursaç i Çopiçit: "Shoku komesar ka thënë se prej sot nuk ka më Zot!". Kur është kështu, atëherë nuk ka kuptim as të dyshohet! Pra, nuk janë të bazuara kërkesat e opozitës, gazetarëve, por edhe të bashkësisë ndërkombëtare (për çka, do të thuhej, se ideja nuk ishte e frytshme) që Boshkovski të braktis vendin e punës dhe sezonin turistik por edhe "sezonin e gjuetisë" që ende nuk ka filluar ta kalojë hareshëm në hotelin mondan në Rovinj! Përndryshe, edhe Gjykata e Hagës ka treguar interesim për jetën dhe veprimtarinë e ministrit.
Maqedonia, përfundimisht nuk ka fat me ministrat e policisë! Njëri tregon dashuri të madhe ndaj kuajve, më i zellshmi në mesin e policëve anëtari i Komitetit të Helsinkut për të drejtat e njeriut, gjatë atdhedashurisë së tij të zellshme, në demonstratat nëpër rrugët e Gostivarit në korrik të vitit 1997 "rrokullisi" një numër të konsiderueshëm të shqiptarëve. Trashëgimtari i tij vuan nga sindromi i teprisë së mendjes së vonuar; shufra e parë femërore dha dorëheqje shkaku i aferës së përgjimit. Ruajtësi aktual i rendit, sikurse armiku i tij paraardhës, i sipërthëni kalëdashës dhe dhënësi vullnetar i deklaratave të pakrypë, të cilit ia filloi hetimet në lidhje me fshehjen e atentatorit të ish-kryetarit Kiro Gligorov, fatkeqi Lube duket sheshazi se ka trauma nga rinia. Paramendohet se të dy kanë parë filma amerikan të aksionit dhe seriale të dikurshme jugosllave me partizanë të tipit "Të çregjistruarit". Fatkeqësisht, pasi nuk kishte mundur të merrte pjesë, Lube nuk kishte mundur të përballonte këtë sfide kaq të madhe - që së paku të gjuante në stërvitjen policore para diplomatëve të huaj, ushtarëve të NATO-s dhe, natyrisht, TV kamerave të tij aq të dashura. Njerëz të caktuar në polici dëshmojnë se ministri ka të drejtë që të gjuajë me të gjitha armët që i posedon shërbimi. Ky pohim, nuk është në përputhje me principin e kontrollit civil të organeve të sigurisë. Dikush do të pyeste: çka do të ndodhte sikur George Bush ose Vladimir Putin që me siguri nuk qëndrojnë prapa për sa i përket numrit të trilerëve të shikuar, do të dëshironin që pak të luanin me arkivolet famoze atomike?! Pa çka, gjithsesi, kanë të drejtë?
Kryeminsitri Lubço Georgievski, ministrit të sipërthënë Boshkovskit edhe sipas linjës qeveritare, por edhe sipas asaj partiake, sipas manirit të pronarit të madh, ia fali parajsën që të pres ditët ashtu siç di përsa i përket rastit të kumtarit të tij. Deri tani nuk ka parashenja se ministri Boshkovski mund të thirret para gjykatësit hetues në Gostivar. Por, m'u për këtë, për 30 maj ka pranuar ftesën një kolonel policor që është përgjegjës për organizimin e stërvitjes diskriminuese prandaj që "shkaktoi fundin e bymehur" me të plagosurit.
Pasi e kuptoi se gazetarët do të insistojnë fuqimisht në kërkesën për dorëheqje, Ministria e punëve të brendshme ia tërhoqi vërejtjen kryeredaktorit të "Dnevnikut" Branko Gerovskit se ai mund të përgjigjet personalisht shkaku se i ka dhënë detyrë një gazetareje të pastërvitur sa duhet. Kjo e mbushi kupën. Asociacioni i mediumeve të shtypura të Maqedonisë tërhoqi vërejtjen të dielën se vendi është "përpara një rreziku të madh dhe të hapur të një diktature policore që merr përmasa të mëdha me një shpejtësi të madhe dhe me pasoja katastrofale". Në fund të protestës së ditës së hënë, sërish, para ndërtesës së Kuvendit të Maqedonisë, u lexua proklamatë ku gazetarët ngrenë zërin kundër "voluntarizmit ekzibicionist politik dhe të gjitha formave të presionit dhe pengesave që seriozisht mund të cenojnë lirinë e mediumeve". Dhe, më në fund, ajo që realisht mund të godas më së shumti ministrin Boshkovski: Punëtorët e fjalës së shkruar paralajmëruan se në të ardhshmen do të injoronin dhe bojkotonin "të gjitha paradat personale dhe stërvitjet amatore policore që rrezikojnë gazetarët, fotoreporterët, xhiruesit". Gazetarët e pranishëm kërkuan nga të gjithë kolegët në Maqedoni që të bojkotonin paraqitjet e ministrit të policisë.
Nëse realizohen këto kërcënime, kjo do të thotë fund i hidhur i një romani erotik ndërmjet ministrit dhe zanatçinjve që e fitojnë kafshatën e bukës duke shkruar. Shkurtimisht, gjatë periudhës katërvjeçare të pushtetit të udhëhequr nga VMRO-DPMNE ministri Boshkovski, me përjashtim të disa kolegëve të respektuar, ishte heroi i këndshëm i faqeve të gazetave dhe TV kamerave. Paj, për çka ishte fjala. Për zbulimin e kontrabandës me armë (për çka do të thuhej se bëhej fjalë për autogol), mbi burgosjen spektakulare të drejtorëve të infiltruar në kriminalitet (paditë penale nuk dhanë kurfarë rezultati), veprimtaria e njësive të kontestueshme policore "Luanët" (baba shpirtëror i të cilëve ishte Boshkovski). Disa yje gazetareske me plot gojë i dhanë përkrahje Boshkovskit kur shihej qartë se bashkësia ndërkombëtare pikërisht atë e konsideronte si frenues të procesit paqësor.
Fatkeqësisht, epizodi më i ri shumicës i tregoi edhe diçka: se në këtë vend nuk ka mjaft dallim ndërmjet nocionit "të jesh pushtet" dhe të "jesh pronar" i Maqedonisë. Kështu u soll kreu i kaluar, kështu sillet edhe kreu i tanishëm në pushtet. Nuk ka pse të mos besohet se kështu do të jetë edhe pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Katër ose tetë vite në pushtet - është kohë solide që të realizohen dëshirat e parealizuara fëmijërore, të mbushet dysheku, të sigurohen pasardhësit deri në brezin e katër. Popullit, apo, askush nuk ia ka fajin se është i marrë. Prandaj edhe është popull.
ZELJKO BAJIÇ