Hallet e Ali Ahmetit

Skopje May 5, 2002

Udhëheqësi i suksesshëm luftarak i UÇK-së Ali Ahmeti ballafaqohet me vështirësi të mëdha përsa i përket bashkëpunimit me politikanët shqiptarë në Maqedoni. Ideja e tij për formimin e Këshillit Koordinues, me qëllimin që së bashku të veprohet më suksesshëm në zbatimin e Marrëveshjes kornizë të Ohrit, është vënë në pikëpyetje shkaku i interesave të ndryshme të politikanëve, për mosefikasitetin e të cilëve UÇK-ja e nisi luftën.

AIM Shkup, 29.5.2002

Përfaqësuesi politik i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare së dikurshme (UÇK-së) Ali Ahmeti me siguri as që kishte menduar se shqetësimet e njëmendëta të tij do të vinin po sa të përfundonte lufta në Maqedoni. Aq më shumë kur UÇK-ja e tij, nga fillimi i luftës e deri në fund, tërësisht e ktheu në dobi të saj opinionin ndërkombëtar. Kur një grup i vogël i njerëzve të armatosur, kah mesi i shkurtit, e morrën Tanushën, një fshat i vogël që pushteti maqedonas aspak nuk e kishte kontrolluar, pjesëtarët e UÇK-së u quajtën me emra më të ndytë kryesisht duke e ndërlidhur me kriminalitetin. Në fund të luftës, pas shpalljes së armëpushimit në fillim të korrikut, pas bisedimeve të Ohrit dhe nënshkrimit të marrëveshjes kornizë gajtë muajit gusht, përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare filluan t'i zgjedhnin fjalët për UÇK-në dhe për Ahmetin.

Kur në fund të shtatorit 2001, në bazë të marrëveshjes së arritur, pa mos pritur që pala maqedone të plotësonte pjesën e vet të obligimeve, Ahmeti njoftoi se UÇK-ja shpërbëhet, të gjithë pyetën se çfarë do të punonte përfaqësuesi i saj politik. Ahmeti në fillim paralajmëroi se do të formonte parti politike të re, por shumë shpejt e braktisi këtë ide. Dhe derisa implementimi i Marrëveshjes kornizë të Ohrit zgjatet, Ahmeti “mbyste kohën" në Shipkovicë, një fshat mbi Tetovë. Atje lindi ideja për formimin e trupit koordinativ të faktorit politik shqiptar në Maqedoni. Në Shipkovicë erdhën edhe tre liderët e partive më të mëdha shqiptare Imer Imeri (Partia për prosperitet demokratik, PPD), Arben Xhaferi (Partia Demokratike e Shqiptarëve, PDSH) dhe Kastriot Haxhirexha (Partia Demokratike Kombëtare, PDK). Atje, ata dhe Ahmeti u pajtuan se është politikisht në racionale që t'i bashkonin forcat për implementimin më të suksesshëm të Marrëveshjes së Ohrit. Sipas pikës fillestare të idesë së Ahmetit partitë politike shqiptare, pas nënshkrimit të marrëveshjes kornizë, dhe veçmas pasiqë ato nuk kishin plotësuar kërkesat politike të shqiptarëve, realisht nuk kishin hapësirë për vazhdimin e praktikës së vjetër politike që bazohej vetëm në kërkimin e të drejtave politike të shqiptarëve në Maqedoni.

Ahmeti prandaj propozoi, kurse liderët politik së paku verbalisht pranuan, që të realizohej projekti ku të gjithë së bashku do të koncentronin forcat e tyre për përmirësimin e statusit të shqiptarëve në Maqedoni përmes zbatimit të1 plotë të gjithë asaj që parashihet në marrëveshjen kornizë. Idea përmban edhe elemente të relaksimit të marrëdhënieve ndëretnike, krijimin e kushteve normale në skenën politike, ose thënë kushtimisht "desatanizimin e shqiptarëve" përmes veprimeve konkrete në promovimin e principeve demokratike perëndimore në Maqedoni, si shtet ku jetojnë dhe e shohin të ardhmen e tyre.

Në kërkim të gjuhës së përbashkët me liderët politik shqiptar Ahmeti shumëçka që e kishte në llogarinë e vet thjesht e “gëlltiti”. Në të vërtetë Ahmeti përsa i përket raporteve me partitët politike shqiptare tregoi zemërgjërësi, shumë më tepër nga ç'pritej nga një udhëheqës ushtarak me sfond marksisto-leninist. Është e njohur se paraqitja e UÇK-së shënoi edhe fundin e fuqisë së partive politike në Maqedoni. Sepse, UÇK-ja u paraqit dhe në mënyrë të vendosur instistoi në të, sepse përfaqësuesit e partive politike shqiptare gati se asgjë nuk realizuan nga ajo që ia premtuan elektoratin të vet gjatë një dhjetëvjeçari pjesëmarrjeje në qeveri. UÇK-ja ishte e pakënaqur me efektin e pjesëmarrjes së PDSh-së në pushtet, sepse PDSh-ja e rriti rejtingun dhe realizoi fitoren zgjedhore duke e kritikuar PPD-në dhe pjesëmarrjen shumëvjeçare të saj në pushtet. Nga kjo kishin pasur dobi vetëm disa përfaqësues të saj në pushtet. Shumë shpejt pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 1998 u formua qeveria që strategjinë e formoi sipas motos “Për ndryshime”, ndërkaq PDSh-ja ishte e suksesshme vetëm në planin e punëve “të ndyta” që i sjell pjesëmaarrja në qeveri.

Ahmeti dhe UÇK-ja gjithë këto mëkate i falën me zemërgjërësi, duke i amnistuar më së paku tre herë. Me nënshkrimin e Deklaratës së Prizrenit, në maj të vitit 2002 së bashku me Imerin dhe Xhaferin, Ahmeti u dha legjitimitet PPD-së dhe PDSh-së që në emër të popullatës shqiptare të bisedonin me partitë maqedonase me ndërmjetësim të ndërkombëtarëve. Pastaj Ahmeti e morri si obligim që gjithçka e nënshkruajtën ata ta realizonte dhe që është më e rëndësishmja realizoi të gjitha parakushtet që u kërkuan nga ai. Dhe falja e tretë ishte qëndrimi për inkuadrimin e përfaqësuesve të partive politike shqiptare në Këshillin Koordinativ si partner të barabartë. Natyrisht Ahmeti konsideroi se në kushtet e reja do të ishte joproduktive të merret me atë që ka ndodhur dhe pastaj të vlerësonte kush ishte për këtë përgjegjës. Ai konsideroi se ishte e panevojshme të humbej kohë, kurse në anën tjetër fjalën e dhënë liderëve partiak e kishte si dëshmi të mjaftueshme se ato do t'i përmbaheshin marrëveshjes.

Ngjarjet e fundit sikur tregojnë se Ahmeti pikërisht këtu nuk i ka bërë llogaritë si duhet. Ai u tregua mjaft i fuqishëm të pastronte situatën e krijuar me sulmin e bërë nga grupi i armatosur nga rradhët e dikurshme të tij, të ndihmuar nga një grup desparadosësh nga Kosova që i ishin bashkangjitur, ndaj selisë së Këshillit Koordinativ që gjendet në Reçicë të Vogël, një vendbanim që thjesht është lagje e Tetovës. Kjo ngjarje, që nuk është sqaruar deri në fund dhe që morri me vete edhe disa viktima në njerëz nga rradhët e ish-UÇK-së dhe një kalimtari të rastit, u konsiderua si fillim i ofanzivës së paralajmëruar pranverore ose si qërim hesapesh ndërmjet UÇK-së dhe të Armatës Kombëtare Shqiptare (AKSh). U tregua se Ahmeti shumë shpejt e pastroi situatën dhe për asnjë moment nuk e humbi kontrollin ndaj situatës. Sot nga këto njerëz nuk ka asnjë gjurmë njeriu, madje as në fshatrat ku qëndruan një kohë të gjatë.

Ngjarja e dytë, sulmi ndaj restorantit në Tetovë "Dora", që PDSh-ja e konsideron si seli alternative, tregon se sa rrezik është realizimi i idesë për një pjesëmarrje të përbashkët koordinative të faktorit politik shqiptar në Maqedoni. Pas krismave me armatim të lehtë në hyrje të restorantit në orët e vona të natës, në kohën kur një pjesë e rrethit të ngushtë partiak ishte atje, disa nga anëtarët e lartë të PPD-së dhe PDK-së dhanë interpretimet e tyre duke e ndërlidhur këtë ngjarje me kriminalitetin e organizuar dhe përfshirjen e njerëzve sikurse nënkryetari i PDSh-së Menduh Thaçi në kriminalitetin e organizuar. Këto deklarata ishin shkas që anëtarët e PDSh-së në Këshillin Koordinativ në mënyrë demonstrative të braktisnin punën e Këshillit duke e kushtëzuar kthimin vetëm nëse PPD-së dhe PDK-së distancoheshin nga deklaratat e anëtarëve të vet të lartë. Udhëheqësive të këtyre partive politike kjo as që u shkoi ndërmend, sepse kjo, sipas tyre, do të ishte kundërproduktive, ngase thjesht nuk mund të mbrohet ajo që e dijnë edhe zogjtë e malit se Menduh Thaçi dhe përfaqësuesit e PDSh-së u pasuruan mjaft me pjesëmarrje në pushtet.

Ahmeti u gjend në hall të madh dhe deri tani tenton që gjërat t'i zgjidh përmes bisedimeve, tenton të bëjë gjithçka që të mos vijë deri te shpërbërja e Këshillit. Kështu ai e vështirëson situatën e vet. Çarshia e Tetovës edhe më parë e kishte akuzuar se ishte nën ndikimin e Xhaferit, madje edhe se e kishte blerë Menduh Thaçi. Në situatën kur ndodh konfrontimi i hapur ndërmjet PDSh-së me PPD-në dhe PDK-në, përpjekja e tij për të rregulluar gjërat rreth Këshillit, konsiderohet si ja mban anën PDSh-së. Nga ana tjetër ideja mbi Këshillin është vënë seriozisht në pikëpyetje, sepse kjo ngjarje ndodhi para aktit që Ahmeti e quan “dhënie e vulave”, gjegjësisht vendimit që partitë politike të ngrijnë aktivitetet e veta parciale dhe t'ia lënë Këshillit që të marrë vendime politike. E mes tjerash gjithsesi ishte paraparë edhe vendimi për pjesëmarrjen e përbashkët në zgjedhjet parlamentare të vjeshtës.

Gjërat marrin kahje dramatike për Ahmetin, sepse nga njëra anë janë gjithnjë më të qarta shenjat që tregojnë se PDSh-së i pengon ideja mbi Këshillin dhe se vetveten e konsideron mjaft të fuqishme që të vazhdojë vet, që të mund ta vazhdojë koalicionimin me VMRO - DPMNE. Nga ana tjetër PPD-ja dhe PDK-ja nuk e konsiderojnë PDSh-në partner të sinqertë dhe nuk dëshirojnë që me çdo kusht të veprojnë së bashku edhe mëtej, sepse konsiderojnë se PDSh-ja, e jo ata është në situatën "kërkon bukë pas pogaçes ", siç deklaroi para disa ditësh Arben Xhaferi.

AIM Shkup

ISO RUSI