Kultura në treg
Ardhja e teatrit beogradas "Atelje 212" dhe Teatrit popullor në Lublanë (dhe Maribor) kishte atë fatkeqësi që ndodhi në të njëjtën kohë, në të vërtetë u "ndërthurrën". Me çka "Atelje" kaloi më mirë - erdhi më parë dhe harxhoi interesimin e mediumeve.
AIM Lublanë, 27.04.2002.
Prezentimi i Teatrit Popullor para publikut në Lubjanë kaloi me më pak bujë se sa që e meritoi - sepse mediat (dhe opinioni publik) gjatë ditëve të kaluara ishin bombarduar me shkrimet për qëndrimin shtatëditor të trupës "Atelje 212" në Lubjanë. Sido që të jetë, kritikët kishin një vlerësim të përbashkët se ishte një aktivitet i rëndësishëm kulturor, pas një ndërprerje përgjatë dymbëdhjetë viteve, periudhë kur lidhjet ndërmjet kulturës sllovene dhe serbe ishin ngrirë. Në Slloveni, si deri më tani, kjo askujt nuk i shkoi ndoresh, kurse ndonjë tentim i vetmuar i ndonjë artisti nga njëra apo ana "tjetër" shpesh u trajtua si ekces politik, me të cilin mediat merreshin ditë të tëra. E gjithë kjo ndodhi deri sa filloi seria e shfaqjeve të Dramës lubjanase (Teatrit Popullor Slloven) në Beograd dhe ardhjen e "Atelje 212" në Lubjanë, që u përcoll edhe me vizitën e ministrit serb të kulturës Branislav Leçiçit, i cili e "zyrtarizoi" bashkëpunimin ndërmjet Serbisë dhe Sllovenisë edhe në planin politik.
Publiku, ai që arriti të siguronte biletë që kushtonte 25 deri 30 euro, nuk e fshehu mahnitjen; është fakt se kishte shumë nga ata që tani nuk i fshehin rrënjët e tyre në Serbi, por kishte edhe pjesëmarrës nga të rinjtë, bota urbane. Mahnitja ishte e përgjithshme, kështu që aktorët u shpërblyen me duartrokitje jo vetëm në fund, por edhe gjatë shfaqjes së luajtuar në skenën e vogël dhe të madhe të Dramës në Lubjanë. Menjëherë pas shfaqjes së parë (Banoviç Strahinja) publiku me duartrokitje frenetike i ktheu sërish e sërish aktorët në skenë, derisa sa aktorët e mallëngjyer filluan ta duartrokisnin publikun. Repertoari i shfaqur në Lubjanë paraqet produksionin pesëvjeçar të "Atelje 212", diç që është shfaqur në Beograd, diç në Budva, dhe një nga produksionet më interesante të Teatrit Popullor të Beogradit.
Shumica e kritikëve të teatrit, që ekzistojnë në shtetin slloven, ishin të njëzëri në vlerësimet pozitive. Nga lëvdatat nuk u kursye as Janez Pipan, nikoqiri i "Atelje 212" dhe drejtor i Dramës së TPS. Pipan u tha bashkëkombasve se prezentimi i Ateljesë 212 në Lubjanë do të jetë ndryshe nga ai i Dramës së TPS-së në Beograd: "Që në shikim të parë mund të shihni se dominojnë drama nga autorët vendas, për dallim nga ne që kryesisht u paraqitëm me klasikë, me autorë të huaj dhe vetëm me një tekst slloven..."
Së shpejti u pa se Pipani bëri një hap të mençur - përkundër çmimit kërkoheshin bileta tjera. Madje edhe "Financa" lubjanase, lektura udhëheqëse për biznismenët, "Atelje 212" e paraqiti si "një nga teatrot më të njohur të Jugosllavisë", me vlerësimin se ardhja në Lubjanë "është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit në Slloveni" dhe se "është mirë që shtetet pas nënshkrimit për bashkëpunim ekonomik të afrohen edhe në aspektin kulturor".
As nga ana tjetër nuk munguan lëvdatat; drejtori i Atelje 212 Svetozar Cvetkoviç deklaroi për gazetën lubjanase "Delo" se "bukuria e dallimeve tona kulturore, shprehjeve dhe gjuhës" mund të kontribuojë "në të arriturat e pritura artistike". Aktorja Isidora Miniq shprehu kënaqësinë që mundi të paraqitet para publikut që mund "ta kuptojë jo vetëm përmes fjalëve, por edhe emocionalisht". Edhe pse me qëllim të mirë, bishti nuk u pranua kudo në të njëjtën mënyrë. Kështu, në emisionin "Panorama Kulturore" në radion sllovene u dëgjua mendimi se duhej menduar për "ekuilibrimin përsa i përket mirëkuptimit dhe këmbimit të ndërsjelltë". "Joekuilibrimi" u vërejt në faktin se shfaqjet sllovene në Beograd ishin të përkthyera në mënyrë simultane, kurse shfaqjet e "Atelje 212" në Lubjanë nuk ishin. Disa kritika u hodhën edhe në përkthimin e keq (në sllovenisht) në "librin e përgatitur bukur" ku ishin të shënuar shfaqjet që aktorët serb i kishin sjellë me vete.
Pakënaqësitë e ngjashme u tejkaluan nga mediat me shije të zgjedhur që theksuan ovacionet e publikut. Prandaj ardhja e "Ateljea 212" dhe Teatrit Popullor në Lubjanë meriton çdo lëvdatë dhe e njëjta gjë vlen edhe për Dramën në Beograd. Më pak për t'u lavdëruar, megjithatë, mbetet fakti se bashkëpunimi ndërmjet teatrove u trajtua jo aq si akt kulturor sesa politik - është paradoksale se edhe aktorët e theksuan rëndësinë e "zyrtarizmit" të të gjithë ngjarjes, përmes pranisë së ambasadorit jugosllav, ministrit slloven të punëve të jashtme, prefektit të Lubjanës dhe gjithçka tjetër që i shkon këtij rasti. Kiçi nuk mungoi, sikur teatri të ishte institucion parashtetëror e jo para së gjithash institucion kulturor. Edhe gjatë dhjetë vjetëve të kaluar kishte mjaft hapësirë për bashkëpunim kulturor, por shkaku i interpretimit tejmase të sanksioneve ekonomike kundër RFJ-së një bashkëpunim i këtillë ishte i paparamendueshëm përsa i përket këndvështrimit të politikës sllovene. Sllovenia lejoi me përjashtime ndonjë bashkëpunim kulturor dhe atë falë dokumenteve të UNESCO-s edhe gjatë kohës së sanksioneve kundër RFJ-së miratoi hyrjen e shtypit serb, kurse kontaktet tjera kulturore ishin rreptësisht të kontrolluar përmes një politike restriktive të marrjes së vizave sllovene dhe "letrave garantuese". Në shumë raste bashkëpunimi ishte i pamundshëm.
Rezultati? Në atë kohë hulumtuesit e Qendrës së këtushme për psikologjinë sociale erdhën deri tek rezultatet shqetësuese përsa i përket distancës së shprehur etnike. Në fillim të nëntëdhjetave anketimi i popullatës se re tregoi se vetëm 15.3 përqind e të anketuarve do të mund të kishin kontakte zyrtare me serbët, 14,7 përqind personalisht, kurse vetëm 7.6 përqind intimisht. Serbët, përndryshe, së bashku me homoseksualët, lesbijket, të sëmurit nga sida, si dhe të ardhurit tjerë nga jugu, ishin në krye të listës së atyre me të cilët popullata e re sllovene me asnjë çmim nuk dëshironte të kishte kurfarë kontaktesh. Nëse gjykohet sipas reagimit të publikut gjatë ditëve të kaluara kur u shfaq drama e mysafirëve nga Beogradi, këtyre rrethanave u vjen fundi, veçmas kur në mesin e zyrtarëve kishte edhe nga ata që deri dje shprehnin indinjatë ndaj të gjithëve, madje edhe ndaj kontakteve kulturore me Serbinë. Tani është më ndryshe - sipas mendimit të ministrit të kulturës në Qeverinë e Serbisë Branisllav Leçiçit kontaktet kulturore ndërmjet artistëve slloven dhe serb në të ardhmen do të varen nga interesimi i tregut. Se sa ky emërtim vullgar i kulturës do të mund të ngulfas apo të nxis interaksionin ndërmjet dy kulturave, do të shihet së shpejti.
Ardhja e mysafirëve nuk kishte ndonjë reflektim për sa i përket kushteve të tregut. Kishte këtu pak nostalgji dhe shumë kureshtje. Drejtori i "Atelje 212" Svetozar Cvetkoviq dhe aktorët tjerë nga të dy teatrot tërësisht u mërzitën nga gazetarët. Cvetkoviq konsideron se ky është një fakt meritor se "me të vërtetë kemi shumë për të thënë përmes shfaqjeve, jo vetëm në të tanishmen por edhe në të ardhmen e afërt, e kjo të mos jetë kurfarë akti pamletik, por artistik. Këtu kemi krijuar simpati dhe këtu kemi përmirësuar një imazh të keq rreth asaj se të gjithë ne kemi heshtur ose 'nuk kemi bërë asgjë kur është dashur'... Natyrisht është shumë e rëndësishme kur pas shumë vjetësh shfaqeni në skenë ku jeni prezentuar ndonjëherë dhe ku publiku ende ju kujton, kurse tani u njeh me diçka të re dhe me një energji të re të zbuluar tek ju. Për në fund, theksoj se i çmoj aktorët që ishin në Beograd dhe për ata që ishin këtu e që i keni parë për herë të parë. Tek ju kemi kaluar shumë mirë, tek ne keni zbuluar diçka që ka mundur të dëgjohet vetëm përmes rrëfimeve, e kjo është se ekziston një shkollë beogradase e aktrimit dhe diçka që neve si artistë na dallon nga të tjerët, ashtu siç kemi zbuluar edhe ne një perfeksionizëm dhe profesionalizëm të jashtëzakonshëm në shfaqjet e tyre. Më vjen mirë që këtë dallim e kemi zbuluar njëri tek tjetri dhe kemi treguar se ekziston një nonshalancë e beogradase dhe e ateljesë, por kjo nonshalancë nuk nënkupton joprofesionalizëm, përkundrazi. Nënkupton mundësi për një lojë të pakufizuar në skenë, aktrim që jep efekt, në këtë rast - një efekt të fuqishëm emotiv, që është më e rëndësishme në teatër. Mendoj se gjërat dalëngadalë vijnë në vend të vetë, të gjitha ngjarjet tani janë me qëllimin më të mirë ndaj tjetrit se kurdoherë, më vjen shumë keq që kemi humbur kaq shumë vite. Nuk janë këto pak vite, është një dhjetëvjeçar i plotë, një gjeneratë mbeti pa një përvojë të rëndësishme".
Kështu befasia, në kuptimin pozitiv, që u krijua nga ardhja e trupës "Ateljea 212" dhe Teatri Popullor në Lubjanë, gjatë dhjetë ditëve të fundit kaloi në kënaqësi të njëmendtë. Publiku nuk mbeti i ftohtë, kurse duartrokitja nuk ishte vetëm e ngrohtë, e përzemërt, por edhe frenetike. Plotësisht e merituar.
IGOR MEKINA