"Më mirë vonë se kurrë "
Maqedonia më në fund, si e fundit në rajon, ka ligjin antikorrupsion. Mjaft pjesë të tij, sipas vlerësimit të analistëve, janë të kontestueshme. Së pari, nuk hyn në fuqi menjëherë, por pas gjashtë muajsh, së dyti, mundëson amnestimin e më të korruptuarve nga rradhët nga rradhët e partisë në pushtet.
AIM Shkup, 26.04.2002
Pas dy muajsh përpjekjesh të vështira në Kuvendin e Maqedonisë, deputetët e popullit, përfundimisht, arritën që të afrojnë qëndrimet dhe të sjellin ligjin për luftë kundër korrupsionit, aq shumë të pritur edhe në këtë kohë krize. Është përgatitur kaherë. Më shumë se tre vjet ka qenë nëpër sirtarët e Ministrisë së Drejtësisë. E pa dritën e diellit falë presionit të fuqishëm të përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare. Partia më e madhe në pushtet VMRO-DPMNE, me partnerët e koalicionit Partinë Demokratike të Shqiptarëve, Partinë Liberale dhe Partinë për Prosperitet Demokratik, mblodhën fuqi për ta miratuar jo në fillim, por në fund të mandatit të tyre. Pra, vetëm më pak se katër muaj para zgjedhjeve të katërta parlamentare, që, nëse gjithçka shkon ashtu siç është planifikuar, duhet të mbahen kah fundi i muajit shtator.
Përkundër se kishte mjaft vërejtje, duke u thirrur në thënien popullore: "më mirë vonë se kurrë" Ligjin e përkrahën edhe gjithë partitë opozitare, të bindur se disi do të mund të bëjnë korektime që do t'ua jap të drejtën për "jetë" ligji antikorrupsion, që jo vetëm në mënyrë fiktive por edhe të realtë të munden të mbrohen interesat e qytetarëve dhe shtetit.
Nga fakti se është sjellë në vitin zgjedhor, pak kush në vend beson se Ligji kundër korrupsionit do të japë rezultate të shpejta. Shumë qytetarë janë skeptik dhe pohojnë se në Maqedoni për këtë gjë kaherë nuk ekziston vullnet politik.
Shumë pjesë të ligjit të ri, sipas analistëve, janë "fantome dhe të kontestueshme". Së pari, nuk hyn menjëherë në fuqi, por vetëm pas gjashtë muajsh, kur duhet që të formohet komisioni shtetëror për pengimin e korrupsionit, që paraqet një kuriozitet të llojit të vet dhe vetvetiu është një fakt i mjaftueshëm për qëllimet e oligarkisë në pushtet. Asnjë luftë, as kjo kundër korrupsionit, nuk kryhet pa "municion". Së dyti, se nuk është retroaktiv dhe në këtë mënyrë mundëson amnistimin e më të korruptuarve nga rradhët e strukturës aktuale në pushtet. Kjo është logjike, sepse askund në botë nuk ka ngjarë që dikush ta burgos vetveten!
Edhe ministri i drejtësisë Hixhet Memeti konsideron se sjellja e ligjit antikorrupsion nuk mund ta ndalë këtë të keqe shoqërore. Ky është vetëm hapi i parë drejt ndërtimit të strategjisë shtetërore kundër korrupsionit, planeve normative dhe operative për luftë kundër korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar dhe harmonizimit të jurispondencës vendore me të drejtën penale evropiane dhe ndërkombëtare.
Seanca maratonike e Parlamentit ku u miratua ligji antikorrupsion është rrëfim në vete. Për shumëkend kjo ngjante si një cirk. Jo vetëm nga shkaku se kryesuesi shpesh duhej që të kërkonte deputetët nëpër korridore dhe toalete, që të mund të siguronte kuorum, por edhe nga ndërhyrjet e pahijshme dhe dëshmive se kush është më i korruptuar: ata që tani udhëheqin shtetin ose ata që më parë ishin në pushtet dhe kush e solli korrupsionin në Maqedoni. Lideri socialdemokrat Branko Crvenkovski me oktopodin e tij të paharruar, të cilin e gjuajti pa sukses dhe shkaku i të cilit humbi zgjedhjet në vitin 1998 apo kryeministri aktual Lubço Georgievski, "kryemjeshtër për provizionet e mëdha dhe prodhimit të aferave të llojllojshme përmes së cilave me sukses fsheh të gjitha gjurmën e krimeve" (Petar Gosev) dhe të cilin, sipas vlerësimit të kundërshtarëve politik, së shpejti e pret i njëjti fat. Edhe njëri edhe tjetri i ofruan opinionit publik argumentet e veta.
Liderët e partive në pushtet me vetëkënaqësi e theksojnë se me sjelljen e ligjit antikorrupsion bëjnë një vepër të mirë. Sipas mendimit të deputetëve të tyre, kështu u tregua se angazhohen për rritjen e shkallës së përgjegjësisë së mbartësve të funksioneve publike dhe krijimin e mekanizmave preventiv për luftë kundër korrupsionit. Kjo do të duhej të ndihmonte në krijimin e parakushteve të domosdoshme për kthimin e të drejtës juridike në vend, funksionimin e sistemit juridik në tërësi dhe të kthimin e besimit të humbur të qytetarëve në institucionet e shtetit. Edhe në këtë nuk ka asgjë kontestuese, sikur të mos kishte më shumë fjalë, e më pak vepra!
Opozita parlamentare, nga ana tjetër, pohon se ligji antikorrupsion është vetëm një alibi e Qeverisë për larje hesapesh parazgjedhore me konkurentët politik, partnerët e padëshirueshëm të koalicionit dhe individët e padëgjueshëm nga rradhët e tyre. Në rend të parë të këtyre konstatimeve është Komisioni i ri në krye të të cilit qëndron ministri i punëve të brendshme Lube Boshkovski. Kryeministri Georgievski e ka formuar këtë komision para disa ditësh, para sjelljes së ligjit kundër korrupsionit, për të treguar se si duhet që të zhvillohet lufta kundër korrupsionit. Mandatin e filloi me hetimet pompoze mbi mënyrën e harxhimit të ndihmave humanitare gjatë krizës kosovare dhe malverzimeve, pas të cilëve qëndron personalisht shefi i shtetit Boris Trajkovski, atëherë koordinator kryesor i aktiviteteve humanitare. Gjithçka gërshetohet shkëlqyeshëm në ofertën e marketingut politik parazgjedhor!
Akuza më e fuqishme nga Parlamenti ishte ajo e liberal - demokratit, Petar Goshevit, të përmendur drejtuar përfaqësuesve të Qeverisë dhe Kuvendit. Goshevi e shpalli kryeministrin dhe liderin e VMRO-DPMNE Lubço Georgievskin si personin më të korruptuar në vend. Haptas i bëri thirrje që ta padis për mashtrim dhe premtoi se në gjyq do të ofronte dëshmi konkrete. Spikerin Stojan Andovin e quajti bashkëpjesëmarrës në cenimin e imazhit të Kuvendit, i cili, siç tha: "jo vetëm që tre vjet e gjysëm nuk bëri asgjë për ta luftuar korrupsion, por u bë gjenerator i tij". Sipas vlerësimit të Goshevit: "Maqedonia sot ka blef-demokraci dhe luftë të blefuar kundër korrupsionit. Edhe sovraniteti i shtetit është i blefuar, prandaj shumë lehtë mund të ndodhë të kemi blef-shtet", theksoi ky deputet, i bindur se ata që kanë fituar mjaft të holla derisaa ishin në pushtet nuk do të mund që të kënaqen gjatë dhe lehtë.
Është fshehtësi publike se në Maqedoni ka mjaft korrupsion dhe se është më i shprehur në kreun shtetëror. Për këtë fenomen para disa kohe është prononcuar edhe Bashkësia Evropiane dhe Grupi Ndërkombëtar i Krizës (GNK). Njohuritë e tyre janë identike dhe kompatibile. Në bazë të vëzhgimit dhe analizës shumëvjeçare pohojnë se problemi më serioz në këtë vend është korruptimi i institucioneve të sistemit dhe atë në nivelet më të larta.
Grupi Ndërkombëtar i Krizës tërheq vërejtjen për dy fenomene specifike dhe autoktone maqedonase. I pari është ekzistimi i "internacionales ndëretnike të korrupsionit", sepse, siç thuhet në raportin e fundit të këtij viti, dy e treta e profitit nga korrupsioni shkojnë në konton e fshehtë maqedone, kurse një e treta në duart e pjesës shqiptare të Qeverisë. Kështu sqarohet se si dhe përse mbijetoi koalicioni qeveritar maqedonas, përkundër krizës së luftës dhe kundërshtimeve të skajshme ndëretnike. I dyti, siç theksohet, është "Sistemi kancerogjen i korrupsionit, që rrezikon ekzistimin e shtetit". Në raportin e Bashkësisë Evropiane, të botuar në fillim të muajit prill, sipas vlerësimeve të analistëve vendës, konstatimi kryesor është se në Maqedoni nuk është ndërmarrë asgjë që të gjurmohet ose të pengohet metastazimi i kësaj sëmundje të rrezikshme për shoqërinë. Për këtë, pa pardon, akuzohet ashpër qeveria aktuale.
Para disa kohe u bë një hulumtim i madh ndërkombëtar në tetë vende të Evropës Juglindore, që e zhvilloi organizata bullgare "Vitosa risrc" dhe agjencioni amerikan USAID, kurse e botoi javorja zagrebase "Globus", ndërsa e transmetoi gazeta e afërm me opozitën dhe me tirazh të madh "Utrinski vesnik", që pasuroi njohuritë për korrupsionin në vend. Më shumë se katër të pestat e qytetarëve të Maqedonisë sot konsiderojnë se doganierët janë më të korruptuarit. Të dytët në listë janë ministrat, të tretët parlamentarët... Sipas vlerësimit të grupeve të anketuar, faktori dominant i përhapjes së korrupsionit është dëshira për pasurim të shpejtë e atyre që janë në pushtet, kurse të paguar janë inspektorë tatimor dhe gazetarët.
Fajtorët kujdestar tradicional për gjithçka, gazetarët maqedonas pranojnë se me punën e tyre kanë konstribuar disi për thellimin e njohurive dhe zbulimin e marifeteve të kriminelëve të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm gjatë katër viteve të kaluara. Megjithatë, duke mos përjashtuar përjashtimet e "ndershme" refuzojnë kategorikisht të pranojnë akuzat e përgjithshme për korruptimin e tyre të përmendur. Gazetarët thonë se nuk kontrabandojnë drogë, nuk kanë truproje me uniforma të zeza. Nuk bisedojnë fshehtas dhe nuk kanë arritur marrëveshje për shitjen e lirë të rafinerisë së Naftës "Okta", ose Telekom-it, Panairit të Shkuput etj. Shembujt janë të panumërt. Gazetarët nuk e udhëhoqën luftën e vitit të kaluar, nuk hodhën miliona para nga buxheti shtetëror në llogaritë private të të afërmëve, nuk kanë blerë aksione në banka, nuk kanë shitur me diskonte 90 përqind të firmave rentabile pa licitacion. Gazetarët nuk ishin ata që shitën xeheroren e vetme të arit një firme të panjohur amerikane, që e kishte për drejtor një aktor amerikan, që xehetarëve u premtoi senduiç nga Mekdonalds-i, kurse i la pa të ardhura mujore gjatë gjithë vitit. Gazetarët vetëm se e bënë punën e tyre dhe për gjithçka informuan vazhdimisht!
Qytetarët e Maqedonisë në anketa të ndryshme, të cilat sa më shumë që afrohen zgjedhjet janë gjithnjë e më të shumta, mjaft kritika adresojnë edhe tek ekspertët që në betejën antikorrupsion aspak nuk u paraqtën. Ua zënë për të madhe kokave të ditura, profesorëve universitar dhe intelektualëve të tjerë, e veçmas opozitës politike, që totalisht ishin në gjumë përkrah koalicionit qeveritar për ndryshime. Ata janë të bindur se në Vardar, në Urën e Gurit, në Shkup, do të rrjedh edhe shumë ujë, derisa të fillojë zbatimi i njëmendtë i ligjit të ri antikorrupsion. Edhe diçka: përkujtojnë me vendosmëri se populli nuk u beson më gënjeshtrave dhe nuk ka kujtesë të shkurtër!
BRANKA NANEVSKA