NATO dhe kutitë e votimit
Përveç se është bërë roje e paqes në Maqedoni, aleanca më e fuqishme politiko - ushtarake e planetit përgatitet për t'u bërë edhe roje e demokracisë
AIM Shkup, 26. 04. 2002.
Emisari special i NATO-s për Ballkanin Robert Serry ka biseduar para disa ditëve me kryeministrin maqedonas Lubço Georgievskin mbi mundësinë që pas skadimit të mandatit të tanishëm, që zgjat deri në fund të qershorit, mandati i "dhelprave" të NATO-s të vazhdohet menjëherë për katër ose pesë muaj e jo për tre siç ka ndodhur deri më tani. Kjo i ik mundësisë së përputhjes së kohës për ndërrimin e "Dhelprave" dhe mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare.
Më parë, Qeveria holandeze në dorëheqje solli kah fundi i javës së kaluar vendimin se nga qershori do të marrë komandimin e misionit "Dhelpra e qelibartë". Më parë Qeveria gjermane paralajmëroi se do të tërhiqej nga ura komanduese e misionit në Maqedoni me arsyetimin se ushtarët e saj janë tepër të angazhuar në botën e jashtme që nuk është aq e rëndësishme për gjermanët e kursyer. Holanda mund të dërgojë në Maqedoni më së shumti deri 700 ushtarë që shpresohet se detyrën e besuar do ta kryejnë me sukses m'u si paraardhësit e tyre gjerman. Në këtë numër nuk është llogaritur kuadri komandues që do të merrte komandimin e gjithë misionit në Maqedoni, i cili është në fazën e riorganizimit. Haga vlerëson se episodi maqedonas do të kushtojë 30 deri 50 milionë euro. Kjo do të varet nga ajo se a do të mbeten ushtarët e Mbretërisë së Tyre vetëm një mandat mujor apo nevoja do të kërkojë që qëndrimi të shtohet edhe për katër - pesë muaj ose gjysmë viti. Mandati i holandezëve, përndryshe si me pjesëtarët e tanishëm të "Dhelprave", do të ketë për mision të sigurojë 47 vëzhguesit e Bashkësisë Evropiane dhe 97 vëzhguesit e OSBE -së. Në Shkup arrijnë të dhëna të besueshme se roli i holandezëve nuk do të jetë i ndërlidhur me raportet për misionin dështuar të ushtarëve të "vendit të tulipanëve" në tragjedinë e Srebrenicës para shtatë vjetësh, për çka edhe ka rënë qeveria.
Në disa mediume elektronike maqedonase u publikuan edhe detaje të dokumenteve të qeverisë holandeze ku bëhet vlerësimi i situatës në prag të ardhjes së "tulipanëve". Nga dokumenti shihet se ekspertët e atjeshëm qeveritar vlerësojnë se Armata Kombëtare Shqiptare (AKSh) nuk ka organizatë dhe nuk ka përkrahje nga ana e popullatës civile. Koalicioni aktual qeveritar i udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe Partia Demokratike e Shqiptarëve nuk gëzon popullaritet në mesin e votuesve. Holandezët konsiderojnë se shumica e banorëve janë të vetëdijshëm se ndihma adekuate ndërkombëtare mund të jetë vendimtare në rast të vazhdimit të konfliktit. Për më shumë, ekspertët holandez, duke bazuar vlerësimet e tyre në hulumtimet e opinionit publik, prognozojnë se VMRO-DPMNE-ja gjendet para humbjes nga ana e Lidhjes Socialdemokrate opozitare.
Ambasadori i ri i NATO-s Nicolas Bigmann paralajmëroi shqyrtimin e mandatit të "Dhelprës" në maj dhe qershor kur do të mund të bëhej diskutim konkret për rolin e tyre në zgjedhjet e vjeshtës. Diplomati nuk e sheh si të domosdoshme shtimin e numrit të ushtarëve vetëm shkaku i zgjedhjeve.
Bashkësia ndërkombëtare pa i rënë tërthorazi paralajmëroi se dëshiron që në zgjedhje të dërgojë numër të konsiderueshëm të vëzhguesve nga Bashkësia Evropiane, OSBE-ja dhe organizatat joqeveritare. Zgjedhjet parlamentare, pra tre testimet e deritanishme, treguan se ishin operacione "të rrezikut të madh" edhe në kohëra më normale prandaj si mund të pritet që tani ato të duken si zgjedhje zvicerane. Pjesëtarët e "Dhelprës së qelibartë" të gjithë zgjedhësve dhe të gjithë cenuesve eventual të rendit doemos duhet t'u tregojnë sharmin diskret të pranisë së tyre. As më pak, as më shumë se kjo.
Për sa i përket zgjedhjeve ato ende nuk janë caktuar, por me paramendimin se ato do të mbahen dhe do të kalojnë pa incidente, bashkësia ndërkombëtare e ka doemos të përcaktohet për sa i përket pranisë së saj të mëtutjeshme. Çështja e forcave evropiane që do të zëvendësonin "Dhelprat" edhe mëtej mbetet pezull. Përfaqësuesi i NATO-s Nicolas Bigmann pret që të mbyllet deri në fund të vitit. Se ku e bazon optimizmin e vet - këtë nuk e tregoi. Ia vlen t'u kushtojmë kujdes disa momenteve: të gjithë në Maqedoni tashmë e vërejnë se qeveritë perëndimore lëkunden kur është fjala për operacionet e NATO-s në Ballkan. Më me dëshirë kjo do të duhej të përfundonte sot se sa nesër. Megjithatë, ish-palët e konfrontuara në vend janë të vetëdijshme se bashkësia ndërkombëtare i përkëdhel: paqa me siguri do të ruhet derisa mbi ta qëndrojnë vëzhguesit ndërkombëtar, apo thënë indirekt, NATO-ja. Në atë moment kur do të vendosin që të tërhiqen përfundimisht, situata do të jetë e paqartë.
Fillimisht, falë "diplomacisë së heshtur" të përfaqësuesve të NATO-s, përfshirë edhe bisedën e fundit diskrete të ambasadorit Bigmann (e para deri tani) me liderin politik të UÇK-së së shpërbërë Ali Ahmetin, kubi mozaik ka filluar të përputhet; incidentet janë ulur në minimum. Mbetet problematik konflikti brendashqiptar. Nuk është i pamundshëm konflikti ndërmjet pjesëtarëve të partive të ndryshme në bllokun politik maqedonas gjatë fushatës zgjedhore dhe në praag të zgjedhjeve, por kjo nuk është çështje që do ta pranonte NATO-ja.
Don a nuk don, përveç se është bërë rojtar i paqes në Maqedoni, aleanca ushtarako -politike më e fuqishme në planet përgatitet edhe për rolin e mbrojtësit të demokracisë. Në të vërtetë demokracinë që anëtaret e saj zëshëm e përkrahën dhe, edhe më keq, e toleruan gjatë dhjetëvjeçarit të fundit.
ZHELJJKO BAJIQ