Andov - dhe gjithçka është e mundshme!
Derisa kryetari i parlamentit mendohet
AIM Shkup, 20.04.2002.
Edhe përkundër Marrëveshjes së nënshkruar të Ohrit - nga ana e katër liderëve të partive më të mëdha në vend - që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 15 shtator, kryetari i Parlamentit të Republikës së Maqedonisë Stojan Andov, që sipas kushtetutës cakton datën e mbajtjes së zgjedhjeve, për kushedi të satën herë dëshiroi të luante rolin e kryefamiljarit të shtëpisë: së pari propozoi terminin 15 shtator. Pastaj, as kjo nuk ishte e mjaftueshme dhe u inatos me të jashtmit (siç duket "kush i honeps përfaqësuesit e bezdisshëm të bashkësisë ndërkombëtare") dhe propozoi
- Pastaj 29 shtatorin si të pandryshueshëm; dhe gjithçka tjetër veç asaj që nuk u konvenon suflerëve: 15 shtatorin. Mendimi i tij autoritativ, kur është në pyetje termini i tij i pëlqyer 22 shtatori, bazohet në dy argumente të qartë dhe transparente dhe kushedi sa tjera jotransparente: të fitohet më shumë kohë për fushatën parazgjedhore dhe së dyti, jo edhe pa bizaritete - zgjedhjet do të mbaheshin vetëm një ditë pas zgjedhjeve të planifikuara në Kosovë, kurse kështu, konsideron ai, do të mund t'i ikej votimit të dyfishtë edhe në Kosovë edhe në Maqedoni. Kjo do të pengonte përdorimin e sprejit që zgjat 48 orë! Për opinionin publik nuk është e qartë se athua drejtuesi i deputetëve të popullit në kohën e lirë lexon kronika të zeza, dhe pa marrë parasyshë se si do të ishte, kjo tingëllon keq.
Të gjitha partitë relevante parlamentare, përveç VMRO-DPMNE-së së kryeministrit Lubco Georgievskit, terminin vizionar të parlamentarit të brishtë Number 1 e konsiderojnë si të papranueshëm. "Duke caktuar zgjedhjet vetëm 24 orë pas zgjedhjeve kosovare, Andovi qartë i bën me dije bashkësisë ndërkombëtare se nuk dëshiron mbykqyrje objektive ndërkombëtare" tërheq vërejtjen Nikolla Popovski, shef i grupit parlamentar të partisë më të madhe opozitare Lidhjes Socialdemokrate. Partia Demokratike e Shqiptarëve potencoi kërkesën e mundshme për ndërrimin e Andovit, por më vonë ue tejkaloi hidhërimin e vet. Ithtarët e mbajtjes së zgjedhjeve si udhërrëfim për dalje të qeverisë nga rruga qorre janë të bindur se kryetari i Parlamentit në të vërtetë vetëm se ia përgatit udhën liderit të VMRO-DPMNE-së Lubço Georgievskit. Kryetari i Qeverisë Georgievski para bashkësisë ndërkombëtare dëshiron të jetë fin, por lideri partiak Gerogievski e din se zgjedhjet janë gjëja e fundit që i duhen në këtë moment. Kurse Andovi do të përpiqet që të vlerësohet në mënyrë adekuate. Euro - përfaqësuesi Alen Le Roa ashtu siç ia cakton etiketa ndërkombëtare tha se Andovi ka të drejtë të caktojë zgjedhje dhe se vendimi duhet të jetë në përputhje me ligjin. Megjithatë, ai përkujtoi se zgjedhjet në Kosovë janë më 21 shtator dhe se vëzhguesit ndërkombëtar nuk mund të jenë në dy vende njëkohësisht. Gjithashtu, euro- përfaqësuesi theksoi se doemos duhet të vlejë vullneti i nënshkruesve të Marrëveshjes së Ohrit. Të njëjtat probleme i theksojnë edhe zyrtarët e OSBE-së, organizatë e cila duhet të bëjë punën më të madhe. Në qasjet e tyre rreth temës mbi zgjedhjet, funksionarët ndërkombëtar të rangut të lartë relativizuan datën e mbajtes së zgjedhjeve, por duke mbetur në qëndrimin se termini i zgjedhjeve maqedonase dhe kosovare nuk guxon që të përputhet. Të enjten ambasadori amerikan në Shkup Lawrence Butler në intervistën për "Zërin e Amerikës" më në fund ishte shumë i përcaktuar duke thënë se zgjedhjet duhet të mbahen një javë më parë ose një javë pas zgjedhjeve në Kosovë.
Andovi fillimisht u aryetua se nuk dëshironte të pamundësonte vëzhgimin ndërkombëtar. Ai theksoi se në terren nuk do të jenë të njëjtën njerëz si në Kosovë; përndryshe, kur Bashkësia Evropiane mund të mbulojë gjithë Ukrainën, atëherë mundet edhe Maqedoninë - kaloi kështu në ofanzivë kryetari i Parlamentit. U bë e qartë se edhe njëherë dëshiron të theksojë jo vetëm rëndësinë e funksionit që e kryen, por edhe të vetvetes si personalitet që ka ambicje politike dhe presidenciale.
Përndryshe, Stojan Andovi, është një nga konstantat në politikën e lartë gjatë dhjetëvjeçarit të pavarësisë. Ka kaluar rrugën e kryetarit të reformistëve të kryeministrit të fundit të Jugosllavisë Ante Markoviqit e deri tek aleati i të gjithë atyre që e mbajnë fuqishëm timonin e pushtetit. Me Lidhjen Socialdemokrate ishte sëbashku derisa ishte në kolltuk, kur filluan gjërat të rrotullohen, spikeri i përhershëm i Parlamentit filloi të largohej. Tek kryeministri i tanishëm Lubço Georgievski, si një tregtar i shkathtë me një aftësi politike ishte i gatshëm që të krijonte simpati, sikur lideri i dikurshëm i papranuar i opozitës nuk kishte udhëhequr me pushtetin. Gjatë kohës së krizës dhe problemeve tjera me bashkësinë ndërkombëtare Andovi, athua rastësisht, qëndroi në pozicionin komod të "vëzhguesit të jashtëm": në bisedimet e Ohrit nuk morri pjesë, Parlamentin, që e përfaqësonte me mjeshtri, e mbajti anash të gjitha tronditjeve serioze maqedono - shqiptare. Kur erdhi koha që të miratohej Marrëveshja e Ohrit dhe pastaj të buronin edhe ndryshimet Kushtetuese dhe Ligji për vetadministrim, Andovi u bë një mbrojtës dhe interpretues i fuqishëm i kushtetutës sipas parimit të Voisllav Koshtunicës: ligji para së gjithash dhe mbi gjithçka
- e le të kushtojë sa të dojë. Me qëndrimin e tij të "shitësit në tezgë" siç e vlerësuan ndërmjetësit ndërkombëtar, në shumë raste arriti që të nervozonte madje edhe "peshqit e fuqishëm" nga Perëndimi. Ai u ankua idhët dhe theksoi se Kushtetuta është "libër i shenjtë" që me çdo kusht duhet të respektohet; Andovi sheshazi dukej se e kishte kuptuar si shumë tekstualisht.
Ka disa gjëra që me të vërtetë i shkojnë doresh kryetarit të Parlamentit. Pakoja e ligjeve zgjedhore, me shërbimin e tij, ende nuk është miratuar, procesi i riintegrimit të territoreve nuk ka përfunduar, më shumë shkaku i konfrontimeve ndërmjet partive politike. Ditëve të fundit shihet konflikti latent brenda bllokut politik shqiptar, kurse edhe në atë maqedonas nuk është "gjithçka në rregull". Analistët pajtohen se shkalla e tolerancës ndërmjet lojtarëve në garën e ardhshme parlamentare doemos duhet të jetë shumë më e madhe dhe nuk duan starte të paparashikueshme të ashpra. Ithtarët e qëndrimit të Andovit janë më të vjetërit (ai personalisht i konsideron si më të mençurit), kurse ata e cilësojnë si të pagabueshëm: sikur të ndodhte sipas qëndrimit të tyre
- që zgjedhjet të mbaheshin në prill, duhej të bindeshin se kjo ishte e pamundshme, se territori nuk ishte i riintegruar, nuk kishte kushte sigurie për zgjedhje? Përfundimi: plakun duhej dëgjuar!
Nëse u besohet kundërshtarëve të shumtë të kryetarit të Parlamentit, qytetarët e Maqedonisë do të mund të vërtetohen se ai është kandidat për zgjedhjet e ardhshme presidenciale.Ka këtu dy gjëra të vogla, të rëndësishme: zgjedhjet presidenciale janë në vitin 2004. E deri atëherë ia vlen të pritet. Së dyti, sipas Kushtetutës, në rastin e pamundësisë së shefit të tanishëm që të kryejë funksionin, deri në shpalljen e zgjedhjeve presidenciale kryetarin e zëvendëson kryetari i Parlamentit. Një gjë e këtillë ka ndodhur pas atentatit ndaj ish-kryetarit të Republikës Kiro Gligorovit. Megjithatë, ministrat e atëhershëm nga rradhët e Lidhjes socialdemokrate në pushtet nuk ishin të kënaqur me kryetarin e Parlamentit(!), Stojan Andovin, por e pranuan si kryerës të funksionit të kryetarit të Republikës. Pastaj "kungulli plasi".
Tani problemi i dytë. Kryeministri Lubço Georgievski dhe shoku i tij besnik, ministri i punëve të brendshme Lube Boshkovski, thonë mediat, nuk e fshehin padurueshmërinë ndaj bashkëluftëtarit të dikurshëm Boris Trajkovskit, i cili sipas shijes së tij shumë seriozisht e konsideron pozitën e tij dhe përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare. Do t'u vinte shumë mirë, thonë, që në krye të shtetit të shihnin Andovin kooperativ. Vetëm se duhet bërë diçka që tek i zellshmi Trajkovski "të gjendet qimja në ve" dhe pastaj gjithçka të sajohet. Deri tani dueti Georgievski-Boshkovski gjurmojnë në gabimet e tij nga koha kur e koordinoi ndihmën humanitare ndërkombëtare gjatë krizës së Kosovës. Rrjedha është e paqartë. Në këtë varg sajimesh gazetarët i shohin edhe akuzat ndaj këshilltarit të kryetarit Lubomir Frçkovskit që ngarkohet nga pasardhësi Boshkovski, në pozitën e ministrit të brendshëm, se ishte korruptuar dhe kishte fshehur kryerësit e atentatit ndaj shefit të dikurshëm të shtetit. Por, ky është film tjetër!
Në ndërkohë, opinioni i brendshëm publik dhe bashkësia ndërkombëtare presin? Kryetari i Parlamentit mendohet? Vetëm për terminin e zgjedhjeve, natyrisht. Dhe për asgjë tjetër.
ZHELJKO BAJIQ