Shqipëria dëshiron kontakte më të afërta me Kosovën

Tirana Mar 27, 2002

Shqipëria është tepër e kënaqur me krijimin e organeve të pushtetit në Kosovë dhe zyrtarët e saj të lartë kanë nxituar të shkojnë në Prishtinë për të vendosur kontakte zyrtare.

Tiranë, 26.03.2002.

Zgjedhjen e presidentit, kryeministrit dhe qeverisë së Kosovës e ka pritur me lehtësim jo vetëm komuniteti ndërkombëtar që e administron krahinën, por edhe pushteti në Tiranë, i cili posa ka dalë nga një krizë dhe që gjithsesi do të ndikojë në perspektivën e tyre. Shqipëria luan një rol vendimtar në Ballkan ose në Europën Juglindore, siç ka qejf bota ta quajë në këtë moment. Roli i saj ishte vërtet vendimtar në shmangien e shpërthimit të krizave të paradokohshme në regjion, siç janë ato në Kosovë e Maqedoni. Por, për fat të keq, i mungonte një vetërespekt gjegjës, po edhe fërkimet e brendshme e penguan në ecjen përpara.

Tirana provoi para komunitetit ndërkombëtar se mund ta tejkalojë krizën e pushtetit, por edhe se mund të vazhdojë të luajë rolin e saj paqedashës dhe ndërmjetësues në Ballkan, si dhe ta tërheqë vëmendjen e botës dhe biznesit botëror në regjion.

Ministrja shqiptare e punëve të jashtme, Arta Dade, e vizitoi javën e kaluar Kosovën për t'u takuar atje me zyrtarët e posazgjedhur dhe për t'ua përcjellë interesimin e madh të Tiranës për vendosjen e kontakteve më të afërta dhe zyrtare midis dy kryeqytetesh, që do të duhej të ishte me interes të përbashkët.

Pse Shqipëria është aq shumë e interesuar për krijimin e institucioneve të reja në Kosovë? Mos është kjo vallë për shkak të idesë mbi Shqipërinë e Madhe? Ose bëhet fjalë për ndonjë gjë tjetër? Absolutisht nuk behët fjalë për kurrfarë Shqipërie të Madhe. Kjo nuk ekziston në kokat e shqiptarëve. Për këtë flasin më shumë shtypi dhe burimet joshqiptare.

Shqiptarët nga të dy anët e kufirit shpesh janë të befasuar kur dëgjojnë për synimin e tyre, dhe kjo është një gjë për të cilën ata as që mendojnë. Për më tepër, ata e dinë që në këtë moment prapavija e tyre ekonomike nuk do ta mbështeste këtë ide. Dhe mbi të gjitha, ata e dinë që bota nuk e përkrah një ide të tillë. Kjo do të thoshte që të ndryshojnë edhe kufij të tjerë, që është e papranueshme pas aq luftërash në regjion dhe në kohën kur diktatori i fundit nga regjioni, Sllobodan Millosheviq, po gjykohet për këto luftëra. Mbështetja e kësaj ideje nuk do t'i ndihmonte vëllezerit e tyre në Maqedoni, as zgjidhjen definitive te konfliktit të tyre. Kjo do t'i bënte ekstremistët edhe më ekstremë, në të dyja anët, dhe do ta ngadalësonte interesimin ekonomik për regjionin. Në këtë moment shqiptarët në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni dhe gjetiu kanë probleme të tjera të nxehta që duhet zgjidhur, siç është ekonomia, menaxhimi dhe të ngjashme.

Tani kur Kosova e ka qeverinë e saj, shqiptarët mund t'i hedhin poshtë shumë zëra mbi paaftësinë e tyre për të krijuar shtet.

Kosova ka treguar aftësi shtetformuese me krijimin e pushtetit lokal që funksionon tani e dy vjet. Ka dhënë një shembull të mirë edhe në zgjedhjet e përgjithshme vitin e shkuar. Por, ngrirja e bisedave rreth ndarjes së funksioneve nga grupacionet politike kosovare ka përkujtuar në një mënyrë tepër të pazakontë në përvojën e vet Shqipërisë në periudhën post-komuniste.

Do duhej pranuar, ndërkaq, se politikanët kosovarë nuk e kanë ende çelësin e duhur për politikën e demokracive perëndimore. Ata ende i vendosin interesat e veta personale mbi ato nacionale. Ende nuk mendojnë në masë të duhur për ardhmërinë dhe ende e kritikojnë shpesh njëri-tjetrin para botës, duke bërë përpjekje që ashtu ta ngrejnë prestigjin personal, duke mos parë që një gjë e tillë është e dëmshme për të gjithë ata, por më së shumti për popullin e tyre.

Ky është një emërues i përbashkët për politikanët shqiptarë dhe jo vetëm në Kosovë, por posaçërisht edhe në Shqipëri dhe Maqedoni. Derisa për Kosovën do të ishte e mirëseardhur ndihma nga Tirana për zvogëlimin e tensioneve politike, Tirana ishte vetë e preokupuar me përplasjet e ashpra politike që e sollën dorëheqjen e qeverisë. Flitej që Maqedonia është në prag të një lufte të re gjatë kësaj pranvere. U pa që kjo s'ishte e vërtetë.

Të gjitha këto për një perëndimor do të mund të kishin domethënien se shqiptarët e kanë të vështirë të pajtohen edhe me njëri-tjetrin, e jo më ta bëjnë një gjë të tillë me të tjerët. Kjo do të thotë se ata do të mund t'i konsideronin shqiptarët si një problem afatgjatë në regjion, diçka që po ashtu nuk është e vërtetë. Mirëpo, të jemi të sinqertë, opinioni për shqiptarët në këtë çast në botë nuk është edhe aq i mirë.

Ministrja Dade bisedoi me liderët e rinj kosovarë për mënyrat e vendosjes sëë kontakteve normale, por më të afërta, në ekonomi, turizëm, arsim dhe kulturë. Ky ishte njëri ndër qëllimet e vizitës së saj.

Qëllimi i dytë, dhe me siguri më i rëndësishmi në këtë moment, ishte ftesa dorëzuar atyre për ta vizituar Tiranën. Dëshiruan ata ose jo, Tirana është kryeqyteti i vendit të tyre amë dhe rolin e Tiranës, për dallim nga Prishtina, bota mund ta shikojë me dashamirësi. Liderët e Kosovës nuk do të duhej të harronin që Tirana është po ashtu edhe kryeqytet i shqiptarëve, vëllezërve të tyre që i kanë hapur shtëpitë e tyre për t'i pranuar refugjatët tre vjet më parë.

Kjo nuk do të thotë se Tirana dhe populli i saj janë më superiorë se Prishtina. Por, politikanët nga të dyja anët e kufirit, posaçërisht presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, do të duhej ta harronte qëndrimin e tij personal. Është e vërtetë që Rugova nuk është në marrëdhënie të mira me Partinë Socialiste, e cila është në pushtet në Shqipëri dhe që disa herë e ka refuzuar ftesën nga Tirana. Madje, ka refuzuar edhe të takohet me zyrtarët më të lartë të Tiranës gjatë vizitave të tyre në Kosovën e pasluftës.

Është e nevojshme që një qëndrim i tillë të tejkalohet, po kjo nuk do të thotë se ata duhet ta duan njëri-tjetrin posikur dy të dashuruar në shikim të parë. Është e nevojshme që të dyja palët ta pranojnë njëra-tjetrën dhe të vendosin kontakte të rregullta pa marrë parasysh cilat parti janë në pushtet në të dy kryeqytetet.

Presidenti shqiptar, Rexhep Meidani, e ka përshëndetur zgjedhjen e Rugovës me një telegram që ia ka dërguar në emër të tij dhe në emër të popullit shqiptar. Dhe natyrisht, Rugova në përgjigjen e tij do të flasë gjithashtu në emër të popullit të Kosovës. Meidani ka thënë që shpreson se do të takohet me kolegun e tij, Rugovën, për të biseduar rreth çështjeve që kanë të bëjnë me të dyja palët, për ta përshpejtuar bashkëpunimin e ri midis Shqipërisë dhe Kosovës në të gjitha fushat.

Kësaj radhe Rugova nuk do të guxonte të thotë jo.

Ministrja Dade ua ka dorëzuar gjithashtu ftesat, por ka marrë përgjigje pozitive (të paktën sipas asaj që raporton shtypi shqiptar) vetëm nga kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, i cili i përket Partisë Demokratike të Kosovës, të njohur për faktin se është në marrëdhënie të mira me Socialistët shqiptarë që janë në pushtet.

Politikanët në të dyja anët do të duhej të mendonin më shumë për të ardhmen. Kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, njeriu i cili e ka udhëhequr vendin edhe gjatë luftës në Kosovë, i ka konsideruar zgjedhjet në Kosovë si ngjarje të një rëndësie historike të posaçme, që treguan se populli kosovar dhe udhëheqësit e tij dinë të qeverisin me vendin e tyre bashkë me UNMIK-un dhe ta shpiejnë Kosovën drejt jetës normale dhe zhvillimit.

Sundimi i paqes në Shqipëri dhe në Kosovë do të thoshte një ardhmëri më e mirë për të dyja palët. Ajo do të thotë më shumë përfitime ekonomike edhe për njërën edhe për palën tjetër. Majko ishte ai i cili e ndërmori nismën për rikonstruktimin dhe ndërtimin e rrugës së re midis Tiranës dhe Prishtinës pas luftës së vitit 1999. Nisma është përsëritur dhe para pak kohësh është bërë prioritet i qeverisë për Shqipërinë. Tirana e pret vendimin e Bankës Botërore për fituesin e konkursit për $ 700 000, që të fillohet ashtu me bërjen e projektit. Kjo lidhje e re do të sillte përfitime, sepse nëpërmjet Shqipërisë hyhet në Korridorin 8, ndërsa Kosova për të do të përfaqësonte portën për Evropën Qendrore. Duket që ajo do të kushtojë më shumë se një gysmë miliarde dollarë, por është e sigurt që bota do ta japë të paktën një pjesë të kësaj shume. Italia tashmë e ka paralajmëruar se do të marrë pjesë në financimin e saj. Por, nëse shqiptarët bëjnë vetë përpjekje, ata do të mund ta ndërtonin atë shumë më herët. Do të mund t'i mblidhnin paratë, ndërsa ka patur edhe premtime të njerëzve afaristë nga diaspora shqiptare.

Nuk ka shumë para në asnjërën anë të kufirit që të jenë investuar në vendin tjeter. Në botën e jashtme ka rreth një milion shqiptarë, më shumë nga Kosova, të cilët kanë emigruar para më shumë se 30 vjetëve. Ata do të mund të investonin në vendet e tyre.

Duket që Shqipëria dhe Kosova po ballafaqohen me sfida identike. Zhvillimi i ekonomisë është njëra nga ato që do ta bënte jetën e popullit më të mirë dhe do të ndalej ashtu ikja e tyre në anën tjetër të Adriatikut me barka të shpejta dhe të rrezikshme. Krijimi i një mjedisi të sigurt do të thoshte edhe një derdhje më e madhe e kapitalit të huaj dhe një perspektivë më të ndritshme.

Administratori i Kosovës, Michael Steiner, ka thënë se një sfidë tjetër serioze është që Kosova të bëhet një vend i sigurt për të gjithë, duke menduar te serbët dhe minoritetet tjera. Ministrja Dade është takuar me liderët serbë gjatë vizitës së saj në Prishtinë, që në Perëndim mund të konsiderohet si një shenjë e mirë. Shqipëria do të mund të luajë një rol të rëndësishëm rreth këtyre çështjeve. Për më tepër, ky do të ishte një shembull, sinjal dhe përpjekje që më në fund të zgjidhet situata edhe në Maqedoninë fqinje.

Në këtë moment politikanët shqiptarë, kudo që të jenë, do të duhej të ishin tepër të kujdesshëm dhe të shikojnë përpara. Tani para tyre qëndron edhe marrëveshja midis Malit të Zi dhe Serbisë, me çka është vënë pikë mbi ish-Jugosllavinë. Disa shqiptarë ndoshta mendojnë: "Ky është fundi i Jugosllavisë. Pra, nuk ka më Rezolutë 1244 të Kombeve të Bashkuara që e përfshinte Kosovën në Serbi, d.m.th. ky është fundi i sundimit serb dhe kjo do të thotë liri për Kosovën."

Gjërat nuk janë aq të lehta dhe të thjeshta. Pas zgjedhjes së liderëve të rinj në Kosovë Steiner ka deklaruar se "ne jemi tani në Evropë dhe Kosova është pjesë e Evropës. Do të duhej të bashkëpunojmë ashtu që të mos krijohet një vakuum, por që Kosova të bëhet pjesë e strukturave stabilizuese në Evropë."

Brukseli ia ka tërhequr vërejtjen Tiranës edhe lidhur me fërkimet e saj të brendshme duke ia bërë me dije se nuk mund të bëhet pjesë e demokracisë perëndimore në Evropë pa ndryshuar qëndrimin dhe konceptin për demokracinë e brendshme.

E gjithë kjo do të thotë se shqiptarët duhet të ulen, të qeverisin me vendet e tyre dhe të mendojnë rreth asaj se si të bëhen pjesë e Evropës së integruar. Për këtë duhen më shumë përpjekje, punë, para, pajtim, imagjinatë dhe, para së gjithash, mençuri.

AIM Tiranë, Llazar SEMINI