Askush i kënaqur

Podgorica Mar 26, 2002

**Në vend të aplaudimit dhe stabilitetit të planifikuar shtetëror, kryetari Gjukanoviq pas nënshkrimit të Marrëveshjes kornizë mbi bashkësinë e shteteve u gjend përpara një furie kritikash, së pari nga aleatët e tij të deridjeshëm nga blloku për pavarësi - socialdemokratët dhe liberalët

AIM Podgoricë, 18.03.2002

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkësisë Evropiane për politikë të jashtme dhe siguri Havier Solana, realizoi atë që askush nuk e besoi në Bruksel, Beograd dhe Podgoricë - ua mbushi mendjen autoriteteve në Beograd dhe Podgoricë që të parafinojnë marrëveshjen mbi ndërtimin e raporteve ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi. Në selinë e BE-së filloi një kremte e vërtetë, veçmas duke pasur parasyshë pesimizmin me të cilin u dërgua Solana në Beograd dhe faktin se diplomati spanjoll arriti fitoren më të madhe në politikën e përbashkët të jashtme të pesëmbëdhjetëshes. Dokumenti u nënshkrua të enjten më 14 mars, kurse që të nesërmen Solana, Koshtunica dhe Gjukanoviçi ishin yje në samitin e shefave të diplomacisë së vendeve të BE-së në Barselonë. Pavarësisht siç është bërë, ky është një hap i madh drejt stabilizimit të rajonit, por edhe në integrimin e Serbisë dhe Malit të Zi në Evropë. Solana pranoi se ishte i gatshëm që me Podgoricën dhe Beogradin të nënshkruante ndaras Marrëveshje për asocim dhe stabilizim, duke shtuar se kështu është "shumë, shumë më mirë".

Marrëveshja që e nënshkruan kryetari i RFJ-së, Vojislav Koshtunica, zv.kryeministri federal, Miroljub Labus, kryeministri serb, Zoran Gjingjiç, kryetari malazez, Milo Gjukanoviç dhe kryeministri, Filip Vujanoviç, në prani të përfaqësuesit të lartë të BE-së, Havier Solanës, bashkësinë e re shtetërore do ta quajë Serbia dhe Mali i Zi. Institucione të saj do të jenë Kuvendi, Kryetari, Këshilli i Ministrave. Kuvendi do të jetë njëdhomësh, me numër të barabartë anëtarësh nga të dyja anetaret, por me mekanizma për mbrojtje nga mbivotimi. Kuvendi do të zgjedh kryetarin. Këshilli i Ministrave do të ketë pesë resorë: punëve të jashtme, mbrojtjes, marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare dhe mbrojtjen e të drejtave dhe të drejtave të pakicave. Akti konstitutiv i shtetit të ri do të jetë dokumenti kushtetues, që duhet të miratohet deri në muajin qershor nga ana e kuvendeve të të dy republikave dhe të dërgohet deri tek kuvendi federal. Serbia dhe Mali i Zi do të kenë një karrike rrotulluese në OKB, si dhe institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare, kurse përfaqësimi në FMN dhe Bankën Botërore duhet të rregullohet në të ardhmen. Pas tre vjetësh shteti anëtar do të ketë të drejtë të rishqyrtojë statusin shtetëror përmes referendumit. Sipas marrëveshjes Mali i Zi do të ketë si monetë në territorin e vet euron, tatimet ekzistuese doganore dhe tatimore, që Podgorica zyrtare i përkufizon si "sovranitet të plotë ekonomik".

Ngazëllimin i administratës në Bruksel dhe kënaqësinë e Stejt Departmentit nuk e ndanë të gjithë subjektet politike, ekspertët dhe qytetarët e përcaktuar për "bashkësinë shtetërore Serbia dhe Mali i Zi". Marrëveshjen e përshëndetën partitë e zyrtarëve që e nënshkruan: PDS-ja e Gjukanoviqit dhe Vujanoviqit, PDS-ja e Koshtunicës dhe PD-ja Gjingjiqit. Qime në ve, gjatë ditëve të para, nuk u kërkua as në koalicionin projugosllav Sëbashku për Jugosllavinë, ku u theksua si fakt i rëndësishëm ruajtja e subjektivitetit të përbashkët ndërkombëtar dhe se referendumi mbi statusin shtetëror u shty për një "Futur tjetër".

KK i PDS-së të shtunën njëzëri e përkrahu firmosjen e Gjukanoviqit dhe Vujanoviqit, duke vlerësuar se Mali i Zi fitoi në këtë moment më shumë se sa ishte e mundur. Në mënyrë më lapidare këtë e përkufizoi kryetari Gjukanoviq gjatë konferencës për gazetarë, menjëherë pas kthimit nga Beogradi - u mbrojt pavarësia e arritur ekonomike, u verifikuan kompetencat që gjatë këtyre viteve Podgorica ia morri Beogradit dhe u siguruan garancat për mbajtjen e referendumit pas tre vjetësh, pa kundërshtimin e BE-së dhe SHBA-ve. Udhëheqësia e PDS-së vlerësoi se janë plotësuar të gjitha kushtet për një përfundim të suksesshëm të projektit të pavarësisë dhe iu bë thirrje aleatëve, Lidhjes Liberale dhe PSD-së të qëndrojnë së bashku deri tek ky qëllim. Është e saktë se ky bashkim u forcua me përkrahjen e liberalëve për Qeverinë e Vujanoviqit, që deri tani e kanë përkrahur si pakicë.

Udhëheqësia e LLMZ, megjithatë, e karakterizoi nënshkrimin e Marevëshjes nga Gjukanoviqi në Beograd si "një nga tradhëtitë më të mëdha në historinë më të re evropiane", kurse ftesën për hyrje në Qeverinë e Vujanoviqit e hodhi poshtë si "qesharake". Lideri politik i liberalëve, Miodrag Zhivkoviç refuzoi ftesën e Gjukanoviqit për bisedime, pas nënshkrimit të bazës kalimtare për krijimin e raporteve ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi. Qëndrimin përfundimtar rreth situatës së sapokrijuar Lidhja Liberale e paralajmëroi për ditën e mërkurë më 20 mars. Është e fshehtë publike se kjo parti do të kërkojë ndërrimin e Qeverisë së Vujanoviçit dhe formimin e qeverisë së re, në krye të së cilës do të ishte një liberal. Kryetarja e Kuvendit, Vesna Peroviç për ditën e premte ka caktuar seancë të jashtëzakonshme të parlamentit malazez, për ta shqyrtuar Marrëveshjen e Beogradit. Ftesë për seancë i është dërguar edhe kryetarit të Republikës.

Edhe PSD-ja e MZ, që së bashku me PDS krijon qeverinë e pakicës të udhëhequr nga Vujanoviqi e vlerësoi si të papranueshëm dokumentin që në Beograd e nënshkruan kryetari dhe kryeministri. Lideri i socialdemokratëve, Ranko Krivokapiç porositi se ministrat e tij do ta braktisin Qeverinë në momentin e votimit të Marrëveshjes në Parlamentin e RMZ. Edhe PSD konsideron se përmbajtja e këtij dokumenti është në kundërshtim me interesat e Malit të Zi, se me atë cenohet marrëveshja e koalicionit dhe premtimet parazgjedhore, që fitoi përkrahjen e shumicës së qytetarëve në zgjedhjet e fundit.

Partitë që u angazhuan për mbrojtjen e RFJ-së - PPS, PSP dhe PP me eufori e përshëndetën "ruajtjen e shtetit të përbashkët dhe fundin e politikës separatiste të Gjukanoviqit". Por, me uljen e emocioneve në këtë korpus politik u qartësuan gjërat për rreziqet që fsheh Marrëveshja për koalicionin Së bashku për Jugosllavi. Kryetari i PPS, Predrag Bulatoviç deklaroi se partia e tij nuk do ta përkrah në Kuvend Marrëveshjen, në rast se me të nuk garantohen zgjedhje për Kuvendin Federal dhe zgjedhje të parakohëshme për parlamentin malazez. Bulatoviçi ashpërsisht mbetet në qëndrimin se vendimi për rregullimin e raporteve mes Serbisë dhe Malit të Zi nuk guxon që të ngrijë gjendjen e tanishme faktike. Analistët dhe shumë politikanë theksojnë se Dokumenti i Beogradit, megjithatë, është më shumë se kaq. Lideri i PSP-së, Bozhidar Bojoviç, një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes, tha se shteti pa valutë të përbashkët dhe pa rregullim të përbashkët tatimor dhe doganor - nuk është shtet. Me Marrëveshjen të gjithë zyrtarët e saj federal doemos duhet të kthehen në Podgoricë, kurse injeksionet finansiare nga Beogradi shumë vështirë se do të merren.

Në korrektimin e disponimit të partive proserbe në Mal të Zi ndikuan reagimet e ashpra nga Beogradi, gjegjësisht qëndrimet e ekspertëve ekonomik. Guvernatori i BPJ, Mladan Dinkiç vërtetoi se si Miroljub Labus nënshkroi Marrëveshjen nën presionin e madh të negociatorëve të tjerë. Vlerësimi i Dinkiqit se "është krijuar një shtet i improvizuar i përbashkët", përputhet me cinizmin e drejtorit të G17 plus, Predrag Markoviçit - "e vetmja gjë që të kënaq mund të jetë fakti se është gjetur zgjidhje origjinale, me aksent për origjinalitet, në vend se të gjendet zgjidhje". Markoviç konkludon se nga përmbajtja e dokumentit "duket qartë se negociatat i kanë zhvilluar përfaqësuesit e Malit të Zi dhe përfaqësuesit e srbijicës". Për ithtarët e këtushëm të shtetit të përbashkët nuk është i parëndësishëm vlerësimi i PSP se bëhet fjalë "për aktin më të turpshëm në historinë e popullit serb", si dhe vlerësimi i Sheshelit se tërthorazi është "shtet-përbindësh". Përfundimisht, PPS, ku kryetar nderi është Momir Bulatovic, tejkaloi Koalicionin Për Jugosllavi dhe me hipokrizi feston mbetjen e bashkësisë edhe pse "pa sovranitet ekonomik një krijesë shtetërore e këtillë e padëgjuar dhe e paparë është e gjykuar për dështim".

Sipas vlerësimit të analistëve malazez, ardhmëria e "solariumit" do të varet para së gjithash nga ajo se a do të dëshirojnë malazezët të ruajnë unitetin. Dr Milan Popoviç thotë se Marrëveshja është korniza kalimtare drejt shtetit të përbashkët me Serbinë. Ai flet për "deficitin serioz të legjitimitetit dhe legalitetit" të krijesës së re, duke vlerësuar se Podgoricës nuk i është dhënë, por për tre vjet i është shkurtuar e drejta për referendum. Megjithatë Dr. Popoviç mendon se ende është i mundshëm krijimi i projektit të pavarësisë, me kusht që PDS, PSD dhe LL të mbeten së bashku. Nebojsha Medojeviç, drejtor i Qendrës për tranzicion, vlerëson se krijesa e Solanës nuk do të ketë jetë të gjatë dhe këtë e sqaron me metaforën - "na kanë dhënë këpucë numër 38, kurse ne i mbajmë 48". Medojeviç, si shumica e analistëve e kritikon ashpër Gjukanoviqin pse nuk e ka konsultuar PSD-në dhe LL para nënshkrimit të Marrëveshjes dhe konstaton - "sikur Gjukanoviqi të jetë malazez, duhet të japë dorëheqje".

Ditët e ardhshme do të sjellin vendime politike të prera dhe të vështira. Unitetin e bllokut malazez e lidh vetëm një fije. Pasojnë zgjedhjet e parakohëshme parlamentare, ku, sipas vlerësimit të përgjithshëm, favorit kryesor është blloku serb. Nëse PDS-ja, PSD dhe LL gjejnë kompromis, do të ketë dinakëri të gjatë me Beogradin, por edhe me BE-në rreth shkrimit të Dokumentit Kushtetues. Sepse atëherë do të jetë gjykimi i mbramë rreth asaj se çka ka fituar dhe çka ka humbur Mali i Zi me Marrëveshjen të cilën në emër të tij e kanë nënshkruar Gjukanoviçi dhe Vujanoviqi.

DARKO SHUKOVIÇ