A do të shkojë në Hagë vëlla Lubja?

Skopje Mar 21, 2002

Ministri famoz i punëve të brendshme i ka vënë në situatë mjaft delikate, sipas tyre, shokët e vet të partiak të pushtetit. Maqedonia doemos duhet të bashkëpunojë me Tribunalin e Hagës. Nga 18 deri 25 mars do të bëhen përgatitjet dhe ekshumacioni i trupave të banorëve të vrarë në fshatin Luboten gjatë aksionit të forcave speciale policore në fundvitin e kaluar. Paramendohet se do të vërtetohet që dhjetë të vrarët janë banorë të fshatit dhe viktima civile. Kështu mund të ndodh që bashkëpartiakët e tij të sigurojnë dëshmi, që politikanin më të popullarizuar tek maqedonasit ta dërgojnë në Gjyqin e Hagës.

AIM Shkup, 15.3.2002

Në mesjavën e kaluar prestigjiozja "Wall Street Journal", në edicionin për Evropën, botoi tekstin mbi rastin e "Vreshtave të Rashtakut" - likuidimin e shtatë shtetasve të huaj në afërsi të Shkupit, të cilët Maqedonia zyrtare i akuzoi se janë terroristë që kishin përgatitur sulme ndaj ambasadës amerikane, gjermane dhe britanike në Shkup - të titulluar "Trupat mbase kanë vrarë shtatë njerëz nga Maqedonia". Pas aluzionit në titull, fjalia e parë është shumë intonuese: "Shtatë ekstremistët e përmendur islamik të vrarë në Maqedoni mbase janë ekzekutuar nga ana e trupave qeveritare. Diplomatët perëndimor thonë se operacioni është kalkuluar që të ngjajë në luftën të cilën e bëjnë SHBA kundër terrorizmit". Thuktë dhe qartë, teksti rreth këtij rasti thotë se versioni qeveritar i ngjarjeve shkakton dyshim, kurse si argument për mbështjetjen e këtij dyshimi përmendet se diplomatët amerikan dhe perëndimor nuk kanë vërejtur kurfarë rreziku për sigurinë e tyre, duke cituar edhe të dërguarin special të Bashkësisë Evropiane (Alen Leroa) për një hetim të pavarur të rastit - sepse rasti është i dyshimtë shkaku i mungesës së detajeve rreth krismave dhe për shkak të motiveve të qarta përmes të cilëve disa elemente në qeverinë maqedone mund të kishin për të theksuar pjesëmarrjen e shtetit në luftë kundër terrorizmit. Citohet edhe zëdhënësja e BE, Irena Gjuzelova: "Ka më shumë pyetje që parashtrohen, kurse i vetmi informacion që kemi rreth këtij incidenti është deklarata e ministrit të punëve të brendshme".

Dy javë pas kësaj ngjarje, rasti i "Vreshtave të Reshtakut" tërësisht mungoi në media. Detaje tjera nuk ka, kurse vëmendja e opinionit publik maqedonas u orientua në disa ngjarje tjera: Konferenca e donatorëve, raporti i Grupit Ndërkombëtar të Krizës për korrupcionin në Maqedoni dhe për më tepër ajo që ndërlidhet me rastin enigmatik rreth Lubotenit, ku aktor kryesor sërish është Lube Boshkovski, ministër i punëve të brendshme i Maqedonisë.

Rasti i Lubotenit - intervenimi i policisë speciale në fundverën e kaluar ku, sipas raportit të Hjuman Rajts Voch-it amerikan u vranë dhjetë civilë të pafajshëm - sërish u gjet në fokusin e interesimit të opinionit publik, veçmas me rastin e ardhjes së grupit punues së Tribunalit të Hagës. Përndryshe, gjatë letërkëmbimit zyrtar të mëhershëm të Karle Del Pontes, kryeprokurores së Tribunalit, është paralajmëruar se Haga do të bëj hetime për krimet e mundshme të të dy palëve konfrontuese - Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare të shpërbërë (UÇK) por edhe të forcave maqedonase të sigurisë. Pas kësaj Prokurori shtetëror i Maqedonisë Stavre Gjikov vizitoi Hagën dhe vet pranoi se kishte këmbyer disa letra me njerëzit nga kjo gjykatë ndërkombëtare që kishin të bëjnë me shqyrtimin e rasteve të rënda të cenimit të të drejtës humanitare në hapësirën e Jugosllavisë së dikurshme. Këtyre ditëve është vërtetuar se është arritur marrëveshja për ekshumacionin e trupave të të vrarëve gjatë intervenimit policor, kurse aktivitetet konkrete do të pasojnë ndërmjet 18 dhe 25 marsit.

Opinioni publik maqedonas, është pak i befasuar rreth vëzhgimit të të adhuruarit të tyre Boshkovskit në lidhje me krimin, ndërkaq nuk u është dhënë hapësirë autoriteteve maqedone të jenë të hapur ndaj tij. Kështu, opinioni kishte më pak detaje për bashkëpunimin e arritur ndërmjet Maqedonisë dhe Tribunalit, që, dorën në zemër, dhe nuk ka alternativë. Maqedonia është anëtare e Kombeve të Bashkuara, kurse assesi nuk mund që të kontestojë faktin se ka qenë në territorin e Jugosllavisë së dikurshme. Kështu, të gjitha tentimet e zyrtarëve maqedonas që të bëjnë se "nuk kanë hëngër hudhra dhe as kundërmojnë ", ose me fjalë tjera se Tribunali nuk ka mandat në Maqedoni, është vetëm një përpjekje joadekuate për t'u gjetur në këtë situatë.

Është fakt se Lube Boshkovski ithtar i bllokut të nacionalizmit të fortë maqedonas i ka sjellë bashkëpartiakët e pushtetit në një situatë delikate. Ata nga njëra anë nuk kanë zgjidhje përsa i përket kooperativitetit me Tribunalin, kurse nga ana tjetër asistenca e tyre në hetimet rreth rastit të Lubotenit mund të jetë edhe kontribut në gjetjen e dëshmive kundër Boshkovskit, të cilin për këtë rast e kërcënon gjykimi në Hagë. Përndryshe, rasti i Lubotenit është një ndër më të dokumentuarit. Hetuesit e Hjuman Rajts Voch-it menjëherë ishin lajmëruar nga ana e popullatës lokale dhe, përmes një procedure të rëndomtë dhe të rreptë, kishin mbledhur të gjitha dëshmitë për aksionin e policisë speciale. Boshkovski kishte bërë për vete një gabim të pakuptueshëm. Kishte marrë pjesë në aksion, me gjithë pajisjet ushtarake, kurse këtë e kishte shënuar edhe kamera e MTV-së.

Xhirimi u emitua në televizionin shtetëror si ilustrim edhe i një fitoreje kundër UÇK-së. Më vonë njerëzit nga TV dhe Boshkovski dëshiruan që ta eliminonin këtë dëshmi të padëshirueshme. Sepse me vetë prezencën në terren Boshkovski ka marrë rolin udhëheqës në aksion, por edhe përgjegjësinë. Nëse ekshumacioni dhe hetimet e ekspertëve të mjekësisë ligjore dëshmojnë se trupat e varrosur janë të banorëve të fshatit Luboten dhe se ata janë vrarë nga ana e policisë speciale të Boshkovskit, është gati se e sigurtë se ai do të udhëtojë për në Tribunalin e Hagës.

Prandaj nuk është e çuditshme që në adresë të hetuesve të Hagës, që erdhën në Shkup, mediat maqedonase adresuan mjaft akuza të paarsyeshme: se kanë ardhur kokë më vete, se kanë hyrë në vend pa dijeninë e autoriteteve të këtushme dhe çka është më e keqja kanë filluar ekshumacionin e trupave pa e informuar askënd për këtë. Zëdhënësja e Tribunalit u gjet në një situatë të palakmueshme, sepse gazetarët maqedonas i parashtruan pyetje në stilin "Përse e ndiqni Boshkovskin dhe jo terroristët e UÇK-së ", "Si silleni kështu - hyni në shtëpi të huaj dhe bëni çfarë të dëshironi?" etj. Person zyrtar nga njësia hetimore e Tribunalit deklaroi për javoren në gjuhën shqipe LOBI: "në rast se në Maqedoni shihni ndonjë përfaqësues të Tribunalit, çfarëdo që të punojë ai, jini të sigurtë se ai ka pëlqimin e pushtetit tuaj, se kjo gjë është arritur me marrëveshje në kohë dhe është në pajtim me principet e bashkëpunimit që burojnë nga fakti se vendi juaj është anëtar i OKB-së, se Tribunali është bazuar në vendimin e kësaj organizate dhe ka mandat në vendin tuaj, që padyshim është në territorin e Jugosllavisë së dikurshme".

Gjithë gjërat koinçiduan me sjelljen e Ligjit për amnisti dhe zbatimin e tij, që për mediumet maqedonase ishte edhe një rast për përhapjen e tezës mbi privilegjimin e palës shqiptare, që bashkësia ndërkombëtare ia fal të gjitha krimet, dhunimet, vrasjet dhe çka jo tjetër.

Duket se një pjesë e opinionit publik maqedon, ngadalë por sigurtë, bëhet e vetëdijshme se gjatë luftës edhe pala zyrtare maqedone kishte aksione të dyshimta përsa i përket të drejtës humanitare. Nga ana tjetër gjithnjë e më tepër bëhet e qartë se UÇK-ja, e cila në fillim të veprimit të vet kumtoi se do të respektojë Konventën e Gjenevës dhe se pranon kompetencat e Tribunalit të Hagës, ka kujdes që veten të mos e shpjerë në situatë që pjesëtarët e saj, gjegjësisht njerëzit komandues, të bënin krime që bëjnë pjesë cenimin e të drejtave të njeriut që i përkasin Tribunalit. Kështu, këtyre ditëve përsa i përket aktiviteteve të Tribunalit të Hagës mund të pritet që nga njëra anë Boshkovski të animojë simpatizuesit e vetë që të kundërshtojnë gjetjen e dëshmive për fajin e tij eventual, kurse nga ana tjetër opinioni më në fund të qetësohet me faktin se e drejta vonon, por megjithatë arrin.

AIM Shkup

ISO RUSI