Kujtimet e komandant Hoxhës
Si dhe shumë herë më parë, edhe kujtimet e njërit nga pjesëmarrësit e drejtpërdrejtë në luftë - komandant Hoxhës, njërit nga ata pjesëtarë të ish-Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), i cili ka marrë pjesë në luftën maqedone që nga fillimi në Tanushë e deri në Haraçinë, mu në mbarim të saj - i sjellin para opinionit shumë detaje të reja me interes.
Shkup, 04.02.2002.
Intervista ekskluzive e komandant Hoxhës, nga ish-Ushtria Çlirimtare Kombëtare (UÇK), dhënë javores në gjuhën shqipe 'Lobi' ka nxitur një vëmendje të rrallë në opinionin maqedon. Edhe pse lufta maqedone ka filluar para një viti dha ka zgjatur me të gjitha zhagitjet 6-7 muaj dhe për shumëçka ishte i pazakontë, u pa se megjithatë ka shumë detaje të panjohura rreth episodeve të saj të veçanta.
Komandant Hoxha, i cili tani e disa muaj gjendet diku në Kosovë, ku ka mbijetuar edhe një atentat që e kanë kryer ish-bashkëluftëtarët e tij, pret aprovimin e ligjit për amnistinë për t'u kthyer në Maqedoni, ishte pjesëmarrës në luftë që nga fillimi i saj. Ai ka hyrë në fshatin Tanushë, ku edhe është i lindur, rreth mesit të shkurtit të vitit të kaluar, pastaj ka komanduar me aksionet e UÇK-së në fshatrat e Kumanovës, që para mbarimit të luftës të hynte në fshatin Haraçinë, pranë Shkupit, i cili ishte edhe cak i ofensivës më të ashpër të forcave maqedone të sigurisë dhe, sipas pohimeve të tij, ka arritur ta mbajë nën kontroll me vetëm 240 luftëtarë të UÇK-së.
Komandant Hoxha, tridhjetë e shtatë vjeç, është njëri prej atyre pjesëtarëve të UÇK-së i cili kishte qenë edhe pjesëtar i UÇK-së kosovare, por edhe të asaj në Luginën e Preshevës, që diku në mes të shkurtit të shkuar të hynte në fshatin e tij të lindjes, Tanushë, në territorin maqedon, ngjarje kjo, që në kohën kur u zhvillua, edhe nuk paralajmëronte tamam një luftë të vërtetë, e cila gjatë muajve të ardhshem edhe ndodhi në Maqedoni. Megjithëse në këtë fshat, sipas pohimeve të Hoxhës, i cili ka komanduar me aksionin e hyrjes dhe mbajtjes nën kontroll të Tanushës, kishin hyrë vetëm 64 pjesëtarë të UÇK-së, që më pastaj në aksionet e zënies dhe luftimeve në fshatrat e Kumanovës ky formacion të fuqizohej deri në rreth dymijë pjesëtarë.
Lidhur me Tanushën është e rëndësishme e dhëna që e jep Hoxha, se nënkryetari i Partisë Demokratike të Shqiptarëve, Menduh Thaçi, ka dërguar një pjesëtar të njohur të nëntokës maqedone që në emër të tij t'u ofrojë para pjesëtarëve të UÇK-së, që ata të tërhiqen dhe t'ia lënë liderit të PDSH-së, Arben Xhaferrit, edhe një vit kohë për t'i realizuar kërkesat e shqiptarëve. Hoxha e kishte refuzuar atë ofertë, si dhe disa të tjera të ngjashme të ardhura ato ditë, dhe kishte vazhduar të luftojë. Mirëpo, sot, shfaq edhe dyshimin se ndoshta dikush në kohën e aksioneve të para ushtarake dhe tërheqjes nga Kalaja mbi Tetovën kishte marrë para nga Thaçi dhe PDSH-ja, të cilët ishin dhe janë edhe tani pjesë e koalicionit qeveritar. Hoxha si argumente për dyshimet e veta jep të dhënën se forcat maqedone të sigurisë gjatë luftës frikësoheshin të hynin në konflikt të drejtpërdrejtë me UÇK-në deri në atë masë saqë në Tanushë kanë hyrë vetëm pas 11 ditësh nga dita kur pjesëtarët e saj e kishin braktisur fshatin dhe kishin kaluar në fshatrat e afërta, Brest dhe Malina. Ndërsa, për të hyrë në Kala dhe malet përreth te Tetova, pas kësaj, u qenë dashur më pak se 24 orë. Sipas Hoxhës, forcat maqedone të sigurisë në atë kohë i kishin marrë sigurimet e dikujt që pjesëtarët e UÇK-së ishin tërhequr. Hyrja e policisë maqedone në Kala është paraqitur si një fitore e madhe, gati edhe fund i luftës. Disa përfaqësues të PDSH-së mu në fillim të luftës kishin dhënë një varg vlerësimesh të pafavorshme lidhur me UÇK-në dhe kërkonin që shteti me forcë t'i lajë hesapet me ta, ç'gjë Hoxha nuk ua ka falë dhe kërkon që ata, për këtë arsye, t'u kërkojnë falje shqiptarëve në Maqedoni.
Sipas Hoxhës, lufta në Maqedoni ishte ngapak edhe e çuditshme. Forcat maqedone të sigurisë e shfrytëzonin taktikën e përdorimit të mjeteve të armatosura (helikopterët, artileria, tanket, raketat, minahedhësit...) duke ''granatuar me të madhe, por kurrë nuk kanë arritur t'i vendosin nën kontroll pozicionet tona'', ishte kjo, sipas Hoxhës, një ''luftë në distancë'', metodë që serbët nuk e kishin përdorur në Kosovë. Ky komandant thotë që lufta kështu ka mundur të zgjasë deri në pakufi, sepse UÇK fortifikohej mirë, ndërsa pala maqedone edhe më tej qëllonte nga distanca prej disa kilometrash. ''Ne kurrë nuk ndiheshim të rrezikuar'', thotë Hoxha për ''Lobi''-n.
Në intervistë, ky ish-komandant i UÇK-së e sqaron edhe dilemën që ekzistonte në opinionin maqedon rreth faktit se nga ç'kohë Ali Ahmeti ishte përfaqësues politik i këtij formacioni. Ai, thotë Hoxha, ishte i tillë që nga fillimi dhe s'ka dyshim që ishte njeriu i parë i UÇK-së. Është interesante se, përkundër pohimeve zyrtare maqedone, Hoxha thotë që pjesëtarët e mëparshëm të UÇK-së kosovare dhe pastaj të Trupave Mbrojtëse të Kosovës nuk e kanë ndihmuar UÇK-në, por u janë kundërvënë qëllimeve për organizimin e kryengritjes në Maqedoni. Ai thotë që UÇK ka marrë ndihmë vetëm nga disa shokë të tyre nga UÇK-ja kosovare, shokëve të tyre që nuk ishin pjesëtarë të TMK-së. Sa u përket armëve, edhe Hoxha, si dhe disa komandantë të tjerë më parë, pohon që gjatë luftës ato janë blerë në Serbi dhe Maqedoni, si dhe në Bullgari, më shumë se në Kosovë. ''Kontrabandistët e armëve nuk kanë tjetër komb ose besim pos parasë'', shpjegon Hoxha.
Hoxha mbas aktivitetit në fshatrat e Kumanovës, pak para mbarimit të luftës, me vetëm 68 pjesëtarë ka hyre në fshatin Haraçinë të Shkupit, i cili në atë kohë kishte rreth 10 mijë banorë. Ai thotë se pjesëtarët e policisë janë tërhequr nga fshati pas hyrjes së tij në Haraçinë, dhe se pala maqedone pohonte që në fshat kanë hyrë 700 deri në njëmijë pjesëtarë të UÇK-së. Hoxha shpalos se edhe në kohën e ofensivës më të ashpër në luftën maqedone, kur forcat maqedone të sigurisë e përdorën githë forcën që e kishin në dispozicion, ai e mbronte fshatin me gjithsejt 240 ushtarë. Pala maqedone nuk arriti të hyjë dhe ta çlirojë fshatin as pas tri ditë sulmesh të rrepta. Është interesante që Hoxha pohon se me atë rast UÇK ka asgjësuar disa tanke dhe makina blindazh të policisë, dhe se në anën e policisë maqedone kishte shumë më tepër viktima nga ato që i pranonte pala maqedone, madje rreth 100 (njëqind e tejkalon numrin zyrtar prej gjithsejt shtatëdhjetë pjesëtarë të vrarë të forcave maqedone të sigurisë gjatë gjithë luftës), çka ndoshta flet edhe për mundësinë e pjesëmarrjes së mercenarëve. Nga ana tjetër, Hoxha demanton pohimet se në anën e UÇK-së në Haraçinë të kenë luftuar muxhahedinët: ''Kishte aq shumë përfaqësues ndërkombëtarë ato ditë rreth nesh saqë me siguri do t'i vinin re nëse do kishte të tillë. Secili nga ne ishte i parruar, disa prej nesh edhe në aso kushtesh luteshim. Ndërsa tani, nëse është kjo dëshmi se ka pasur muxhahedinë...''.
Edhe Hoxha e vërteton që vendimi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së për të hyrë në Haraçinë për motiv kyç e kishte demonstrimin e mospajtimit të UÇK-së me planet për ndarjen e Maqedonisë, projekt që në atë kohë u ofrohej edhe atyre si zgjidhje për luftën në Maqedoni.
Sa i përket tërheqjes nga Haraçina, Hoxha thotë se vendimin e ka marrë Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, po me telefon qe njoftuar edhe Ali Ahmeti, i cili e urdhëroi që për detajet e tërheqjes të negocioje me ambasadorin e NATO-s, Piter Feit. Hoxha thotë që Feit në fillim dyshonte nëse ky do ta respektonte vendimin e Ahmetit, dhe kur kishte pare që Hoxha po tërhiqej, në mënyrën në të cilën edhe kishte hyrë në Haraçinë (nën armatim të plotë dhe nëpër shtigjet që vetëm ai i dinte, jo me ndihmën e autobusëve të NATO-s!), deklaroi që ai episod kishte shënuar kthesë në luftë: ''Me këtë e fituat luftën!''
Hoxha thotë se në Haraçinë në anën e tyre kanë rënë 6, ndërsa janë plagosur 13 ushtarë, përkundër numrave absurdë prej 700 të vrarësh dhe disa qindra të plagosur, çfarë pohonin mediat maqedone në kohën e ofensivës në Haraçinë. Sipas Hoxhës, NATO në Haraçinë po e shpëtonte pushtetin maqedon, i cili me dezinformata e kishte bindur opinionin e vet se është në prag të një fitoreje të madhe: ''Ka mundur të përsëritet Vukovari, por ata s'kishin shanse të hynin''. Hoxha thotë se ka mundur ta mbajë Haraçinën nën kontroll me muaj të tërë, por që udhëheqësisë së UÇK-së i ishte tërhequr vërejtja se nëse ndodhte një gjë e tillë, atëherë ekzistonte mundësia e dërgimit të trupave të KB-së ku do të merrte pjesë edhe Rusia, ç'gjë nuk u konvenonte.
Në intervistë Hoxha shpjegon se edhe kërcënimi i tij se do ta godasë rafinerinë e Shkupit, si dhe godinat e institucioneve shtetërore në Shkup, ishte një bllof që kishte pasur sukses. Në të vërtetë, sipas tij, pala maqedone e dinte që UÇK-ja posedon minahedhës 120 mm, sepse UÇK e kishte përdorur këtë armë në fshatrat e Kumanovës. Nuk e dinte se UÇK e kishte vetëm një minahedhës të tillë dhe se ai në atë kohë gendej në Sllupçan. Ky fshat, që megjithatë ia mbronte shpinën Hoxhës në Haraçinë, për herë të parë gjatë luftës, ato ditë është goditur në mënyrë efikase nga pala maqedone nga pozicionet që ajo i kishte marrë mbi Sllupçan, ç'gjë e binte në rrezik edhe vetë UÇK-në në Haraçinë. Hoxha asohere i drejtoi një ultimatum pushtetit maqedon nëpërmjet AP-së, dhe në shenjë të tërheqjes së vërejtjes i kishte goditur caqet në afërsi të paralagjeve të Shkupit me minahedhës prej 82mm. Pala maqedone de facto e kishte pranuar ultimatumin duke tërhequr forcat e saj nga pozicionet mbi Sllupçanin.
Komandant Hoxha hedh dritë edhe mbi emrat e njerëzve që u përpoqën të bëjnë atentat mbi të në Kosovë. Fjala është për katër ish-pjesëtarë të UÇK-së, të cilët duke i ditur lëvizjet e komandant Hoxhës e kishin vendosur gracken në trajtë të një auto-difekti të rrejshëm në rrugë. Hoxha, pasi i kishte njohur bashkëluftëtarët e tij, kishte ndalur t'u ndihmonte, dhe kur nga ata kishte marrë përgjigjen se nuk u duhet ndihmë dhe ishte nisur drejt automobilit të tij, ishte qëlluar me tetë plumba nga pushka automatike. Kishte marrë 13 plagë dhe për pasojë kishte humbur njërën veshkë dhe kishte qenë në komë për disa ditë. Por, kishte ruajtur vetëdijen deri me të arritur në spitalin e bazës amerikane Bondstil, gjatë kësaj kohe ai ua kishte dhënë njerëzve që po e bartnin numrin e telefonit celular ku duhej të lajmëronin emrat e personave që kishin qëlluar mbi të. Dy prej tyre ish-luftëtarët e tij i kishin zënë për më pak se një orë dhe ata i janë dorëzuar UNMIK-ut dhe KFOR-it, ndërsa dy të tjerë kanë arritur të ikin. Ata, sipas informatave që i ka Hoxha, shëtisin të lirë nëpër Shkup dhe Haraçinë. Hoxha as sot e gjithë ditën nuk e di pse kanë qëlluar mbi të dhe kush qëndron pas atentatit, edhe pse njëri prej atentatorëve kishte qenë edhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Në fund, komandant Hoxha nuk beson që në pranverë do të ripërtëriten luftimet, konsideron se ata që angazhohen për këtë nga pala shqiptare nuk kanë fuqi për ta bërë një gjë të tillë, por që pala maqedone mund të bëjë diçka të ngjashme, nëse e planifikon, por në një rast të tillë pjesëtarët e UÇK-së do të riaktivizoheshin.
AIM Shkup, Iso RUSI