Vite që hëngrën njerëz
Mali i Zi e pagoi shtrenjtë mashtrimin për të krijuar një shtet të përbashkët me Serbinë, ndërkaq tani ballafaqohet me absurdin e ri: bashkësia ndërkombëtare nuk lejon që me votim demokratik të çlirohet nga shteti që u vërtetua së është dështim absolut.
AIM Podgoricë, 02.03.2002
Me një përqindje tepër të lartë (95,7) qytetarët e rritur të Malit të Zi dhe pushteti i tij para dhjetë viteve hoqën dorë nga shteti i tyre. Në referendumin e organizuar shumë shpejtë, më 1 mars 1992, ia dhanë altarit të sakrificës Slobodan Milosheviqit. Prej atëherë e deri në ditën e sotme Mali i Zi gjithnjë tenton të korigjojë këtë gabim të madh. Për ironi, gjatë këtyre ditëve derisa zgjat gjykimi i Millosheviqit, krijuesit tëRFJ-së, duhet të sillet vendimi - ose Mali i Zi do të shkojë në referendum me qëllim që të bëhet i pavarur dhe i njohur ndërkombëtarisht ose edhe mëtej fatin e vet do ta lidhë me Serbinë në një bashkësi shtetërore, deri diku të modifikuar.
Por, të kthehemi një decenie prapa. Nën presionin e Slobodan Milosheviqit, promotorit të dëshmuar të politikës luftarake serbomadhe, pushteti malazez përkrahu që, në mbeturinat e RSFJ-së, Mali i Zi dhe Serbia të krijonin Jugosllavin e re, të tretën. Vërejtjet e partive opozitare promalazeze (Lidhjes Liberale dhe Partisë Socialdemokrate), asociacioneve të pavarura dhe intelektualëve se ky projekt ishte shkatërrim i Malit të Zi ishin të kota: me ndihmën e një fushatë të paparë mediale dhe llojeve tjera të manipulimit të opinionit, u përgatit referendumi.
Ishte një seri e mashtrimeve të dukshme, mu si edhe referendumi. Qytetarët ishin të mashtruar përmes një formulimi konfuz dhe sugjestiv të pyetjes së referendumit, që u bë e njohur vetëm shtatë ditë para mbajtjes së referendumit. Në këtë afat kaq të shkurtë doemos duhej të përcaktoheshin se a ishin për atë që Mali i Zi si i pavarur të vazhdojë të jetë në Jugosllavi me Serbinë dhe me republikat tjera që e dëshirojnë këtë?
Pushteti, gjegjësisht Partia Demokratike e Socialistëve, ndërroi në momentin e fundit edhe Ligjin mbi referendumin - minimum tridhjetë ditët e përfundimit të diskutimit publik i shkurtoi në shtatë ditë! Në vend të diskutimit publik, policia malazeze pengoi mbajtjen e tribunës së Opozitës së Bashkuar, grupe për presion i frikësonin dhe nënçmonin votuesit nëpër vendet e punës, mediat shtetërore thjesht bënë thirrje për linçim të liderëve opozitarë...
Sipas të gjithëve, ishte ky një ambient ku nuk mund të organizoje referendum demokratik. Përreth kishte filluar lufta, në të morrën pjesë edhe një numër i qytetarëve malazez, Mali i Zi gjendej nën okupimin e APJ-së, institucionet e pushtetit malazez nuk kishin kurfarë ingerencash, ishte kjo kohë kur në Mal të Zi arritën valë të mëdha refugjatësh, duke shtuar inflacionin, që u shoqërua me varfëri sociale dhe gjendje të pashpresë, karakteristika kryesore të situatës në Malin e Zi...
Edhe vetë referendumi ishte jo i rregullt. Aty votoi kush dëshiroi, madje edhe ata që nuk ishin shtetas dhe qytetarë të Malit të Zi. Votuan edhe të paregjistruarit në listat votuese, refugjatët, eprorët dhe familjet e tyre që kishin ardhur në Mal të Zi vetëm një muaj më parë. Ishte ky referendum partiak, ose thënë më mirë ishte referendum njëpartiak, sepse rrjedha e tij mund të kontrollohej vetëm nga Partia Demokratike e Socialistëve. Atëherë u regjistruan shumë kuriozitete, edhe ky: sipas rezultateve zyrtare në një vendvotim në Podgoricë çdo votues kishte votuar për një minutë!
Protestat e opozitës dhe ankesat për shkeljet e shumta ligjore gjatë votimit nuk patën kurfarë ndikimi. Pa kurfarë ndikimi ishte edhe protesta e Federatës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut nga Parisi. Ajo e vlerësoi referendumin si të parregullt, sepse ishte cenuar Deklarata për të drejtat e njeriut e Kombeve të Bashkuara. Vendimin e referendumit më askush nuk mund ta ndryshonte. Ai vërtetoi atë që dëshironte pushteti malazez dhe ai serb: Jugosllavi të re me nëntë milionë banorë, me vendim të parregullt të një të katërtës së qytetarëve të Malit të Zi!
Bilansi i gjithë asaj që Mali i Zi përjetoi dhe mbijetoi deri më sot shkaku i shtetit të përbashkët me Serbinë, thënë thjeshtë, është katastrofal: izolim ndërkombëtar ekonomik dhe politik, sanksione ekonomike nga ana e Serbisë, presione politike, ushtarake etj. nga Beogradi zyrtar, mijëra refugjatë nga Kosova ku Millosheviqi krijoi një vatër të re lufte, mohimi i popullit malazez, kulturës, kishës...
Duke bashkëjetuar në RFJ, Mali i Zi humbi përgjithmonë, në të gjitha aspektet, dhjetë vite kalendarike dhe kush e di se sa vite mbeti pas botës bashkëkohore. Tani tenton të çlirohet nga ngulfatja e vështirë federale dhe aty-këtu t'i afrohet Evropës. Sërish me referendum. Por, për ironi - pikërisht kjo Evropë nuk lejon organizimin e referendumit. Përfaqësuesi i lartë i Unionit Evropian Havier Solana insiston në ruajtjen e shtetit serbo - malazez, shkaku i stabilitetit në rajon. Kryetari malazez Milo Gjukanoviç disa herë ka paralajmëruar se referendumi do të mbahet më së voni deri në muajin maj të këtij viti. Por Unioni Evropian kërkon më me dëshirë moratorium në afat prej tre vitesh. Kështu, është shumë e mundshme, të ndodhë edhe një paradoks: derisa në Hagë gjykohet Millosheviqi dhe politika e tij, Unioni Evropian do të tentojë që të mbrojë krijesën e tij. Që gjithçka të jetë më interesante: këtë qëndrim të evropianëve e përkrahin në Mal të Zi forcat politike që deri dje ishin ithtarë të "shpërnguljes humane" dhe shteteve të pastra etnike. Nga ana tjetër, forcat politike që përgjatë dhjetëvjeçarit përkrahën dhe luftuan për standardet evropiane në Mal të Zi tani janë befasuar me qëndrimin e ri të Bashkësisë Evropiane.
Por, pa marrë parasyshë këto paradokse, si edhe herë tjera deri më tani, bashkësia ndërkombëtare ka mënyra që të arrijë atë që e ka paracaktuar dhe të bëjë presion ndaj Malit të Zi për të mbetur në bashkësi me Serbinë. Kështu historia do të rishfaqej si false dhe si tragjedi.
VESELJKO KOPRIVICA