Kosovë: rregullorja për luftën kundër krimit
Prishtinë, 31.03.2002.
"Kujdes, ju jeni të përgjuar". Kjo frazë është shndërruar në pjesë të humorit të përditshëm në Kosovë, ku "përgjimi policor" dikur ishte pjesë e jetës së secilit që mund të vlerësohej si "armik i shtetit". Dhe, përgjimi sërish është pjesë e jetës së tyre, por ndryshe nga e kaluara. Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Michael Steiner, ka nënshkruar një rregullore të posaçme me të cilën lejohet përgjimi i personave të përfshirë në krimin e organizuar. Me këtë rregullore policia e UNMIK-ut autorizohet të ndërmarrë masa të veçanta të fshehta në hetimin e krimeve. Rregullorja për Masat Teknike të Fshehta të Vëzhgimit dhe Hetimit, siç është quajtur zyrtarisht, do t'i mundësojë policisë përdorimin e masave teknike siç janë: përgjimi i telekomunikimit, rrjetit kompjuterik, postës, fotografimeve të fshehta ose vëzhgimeve me kamera në vende private, përdorimi i aparateve shoqëruese ose të vendosura në një vend, etj.
Miratimi i kësaj rregulloreje shënon edhe fillimin e zbatimit të luftës kundër krimit të organizuar. Por, përgjimi gjithsesi është fjalë e frikshme për qytetarët e Kosovës. Të traumatizuar nga e kaluara e tyre, ata ndoqën me shqetësim miratimin e kësaj rregulloreje. Analistë dhe vëshgues të ndryshëm kanë tërhequr vërejtjen se qytetarët e Kosovës kanë përvoja të hidhura nga e kaluara e tyre, kur jo rrallë ishin viktima të përgjimit dhe kontrollimit nga strukturat e policisë.
Zyrtarë të Kombeve të Bashkuara në Kosovës thanë se rregullorja nuk cënon të drejtat dhe liritë e njeriut. Këto metoda të hetimeve synojnë goditjen e krimit të organizuar që, sipas zyrtarëve ndërkombëtarë, ekziston në Kosovë dhe paraqet shqetësim të madh jo vetëm për qytetarët e Kosovës, por edhe kryeqytetet qe mbështesin procesin politik në Kosovë. Michael Steiner, shef i UNMIK-ut, paralajmëroi goditjen e krimit menjëherë pas kthimit nga një turne diplomatike në vendet më të rëndësishme të Evropës dhe në Stetet e Bashkuara të Amerikës. Pas kthimit të tij u tha se në vëçanti Washingtoni dhe Londra kanë kërkuar intensifikimin e luftës kundër krimit të organizuar, i cili mund të dëmtojë "tërë procesin politik në Kosovë". Zyrtarët thanë se ligjet e vjetra të zbatueshme në Kosovë nuk kanë parashikuar mundësi për luftën kundër krimit modern. Së këndejmi është hartuar dhe miratuar kjo rregullore, e cila lejon përdorimin e mjeteve të fshehta teknike në grumbullimin e provave kundër personave të përfshirë në format e ndryshme të krimit të organizuar. Përgjimi nuk mund të ndodhë pa urdhërin e gjykatësit hetues, ndërsa hartimi i rregullores është bërë në bashkëpunim më Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe Këshillin e Evropës.
"Kjo nuk është kthim në të kaluarën kur njerzit janë vëzhguar për shkak të bindjeve të tyre politike dhe nuk ka të bëjë asgjë me bindjet, besimin apo interesat e njerëzve", thanë zyrtarët e UNMIK-ut. Sipas tyre, shërbimet e zbulimit kanë njohuri për ekzistimin e krimit të organizuar, madje edhe bartësit e tij, por deri tash policia nuk ka pasur mundësi të mbledhë prova të mjaftueshme dhe kjo rregullore do të lehtësojë luftën kundër krimit.
Dhe, krimi i organizuar ekziston, ndonëse edhe zyrtarët ndërkombëtarë, por edhe ata lokalë pohojnë se përmasat e tij nuk janë më të mëdha sesa në vendet tjera të rajonit. Megjithatë, lufta kundër krimit është mbështetur edhe nga institucionet vendore, të cilat kanë filluar të përmendin edhe raste konkrete të veprimeve kriminale të grupeve dhe individëve, ndonëse pa shpalosur identitetin apo përkatësinë e tyre politike.
Administratori i Kombeve të Bashkuara, Michael Steiner, ka pohuar se një nga prioritetet e punës së tij është zhvillimi ekonomik i Kosovës dhe kjo shkon krahas luftës kundër krimit të organizuar, e cila sipas tij mund të intensifikohet pas ligjit mbi privatizimin. Ky ligj, sipas zyrtarëve, do të përfshijë riorganizimin e pronave, të cilat tash për tash ndodhen në duart e personave që thjesht i kanë përvetësuar ato. Pas luftës n ë Kosovë, prona shoqërore ishte preja e parë e grupeve dhe individëve që shfrytëzuan vakuumin për të përvetësuar pasuritë dhe tjetërsuar ato pa dhënë asnjë llogari, duke zbatuar "ligjin e më të fortit".
Një aspekt tjetër është krimi i organizuar rajonal. Kosova nuk është një ishull i izoluar, ndërsa poroziteti i kufijve mundëson lëvizjet jorrallë të papenguara të kriminelëve e 'bossëve" të mafias rajonale. Së këndejmi, nëpër Kosovë besohet se kalojnë rrugët e trafikimit me njerëz, droga dhe armë. Karakteristike për këtë aspekt është bashkëpunimi ndërmjet pjesëtarëve të grupeve të ndryshme etnike, thotë njëra nga zëdhënëset e Misionit të Kombeve të Bashkuara, Suzan Manuel, duke përmendur madje edhe raste nga vrojtimet e saj personale. Ajo thotë se "në vendkalimin kufitar Qafa e Prushit ka parë një çift të përkatësisë kombëtare serbe që po trafikonin qenie njerëzore dhe atë në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, ku është e paimagjinueshme që të levizin njerëz të rëndomtë të kësaj përkatësie kombëtare". Edhe në forma të tjera të krimit të organizuar, pohojnë zyrtarët, është interesante se përkatësia etnike nuk është shumë e rëndësishme.
Organizata Ndërkombëtare për Migracion (IOM) ka mbledhur rrëfime nga më tronditëset të trajtimit të vajzave e grave të reja nga vendet e Evropës Lindore, të detyruara që të merren me prostitucion, të cilat kanë kaluar nëpër duart e trafikantëve serbë e shqiptarë, të cilët nuk i ka penguar fare në këtë punë përkatësia e tyre etnike. Madje, viktimat kanë pohuar se "ata janë shumë të ngjashëm në brutalitetin e tyre".
Një ndër format më të shpeshta të krimit është edhe shmangia e pagimit të doganave. Pas afro gjashtë muaj hetimesh intensive policia e Kombeve të bashkuara njoftoi për arrestimin e të paktën 11 personave në rajonin e Gjilanit, të lidhur në një rrjet ndërkombëtar, i cili, siç thuhet, nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve e ka dëmtuar buxhetin e Kosovës për së paku 2 milionë euro. Miliona të tjerë treten nëpër kufirin e Kosovës me Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e madje edhe Serbinë.
Shefi i UNMIK-ut, Michael Steiner, ka ngarendur në Perëndim duke u tërhequr vërejtjen mikpritësve të tij se "çfarëdo zbraztësire në mbështetjen për Kosovën do të mund të krijonte hapësirë të volitshme për krimin e organziuar, që do të mund të dëmtonte jo vetëm qëndrueshmërinë në Kosovë, por edhe në tërë rajonin". Duket se ai e ka marrë bekimin, meqë zyrtarët thanë se arrestime të reja, siç pohojnë, spektakulare mund të priten në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar.
E, megjithatë, krimi i ngjan një fantazme për të cilën dinë të gjithë dhe heshtin të gjithë. Tregu kosovar është i stërngarkuar nga mallrat që kontrabandohen pothuajse hapur. Miliona tonelata derivatesh të naftës, cigaresh, alkooli, hyjnë në Kosovë, dalin në treg dhe konsumohen pa asnjë kontroll. Dhe ndonëse ndodh nën dritën e diellit, krimi vazhdon të mbetet "tabu", të paktën sa u përket bartësve të tij. Një hulumtim i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë ka treguar se 29 për qind e gazetarëve që kanë provuar të hulumtojnë storiet mbi krimin e organizuar janë bërë pre e kërcënimeve apo edhe sulmeve të drejtpërdrejta. Shërbimi Policor lokal është i pa kompetenca për një punë të tillë, ndërsa policia e Kombeve të Bashkuara ende duket e "pavendosur".
AIM Prishtinë, Arbnora BERISHA