Lirimi i të burgosurve: fund i një historie të zymtë

Pristina Mar 4, 2002

Prishtinë, 31.03.2002.

"Të kalosh nëpër burgjet serbe është trishtim.", deklaroi menjëherë pas kthimit nga një burg i Serbisë Nait Hasani, një shqiptar nga Prizreni, i dënuar në vitin 1997 me 20 vjet burg nga një gjykatë serbe në Prishtinë nën akuzën "terrorizëm.". Me sytë e "trishtuar" që të shikojnë nga prapa syzeve me xhama të trashë, zoti Hasani po dilte nga dyert e burgut të Dubravës në Kosovën perëndimore, ku ai kishte qëndruar një natë pas kthimit nga Serbia. Hasani dhe 144 të burgosur shqiptarë u transferuan nga burgjet e Serbisë për në Kosovë në bazë të një marrëveshjeje të nënshkruar më herët ndërmjet Misionit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën dhe zyrtarëve serbë të Beogradit. Por, kjo marrëveshje nuk ishte "vendimtare" për transferimin e tyre. Beogradi, siç thonë në Kosovë, vazhdoi "tregtinë" me të burgosurit shqiptarë, "reliket e fundit të shtypjes së egër të shqiptarëve nga regjimet e atjeshme". Kongresi amerikan i kushtëzoi një ndihmë prej 40 milionë dollarësh Beogradit mes tjerash edhe me transferimin në Kosovë të rreth 150 shqiptarëve të fundit që kishin mbetur në burgjet e Serbisë. Të gjithë këta ishin dërguar në Serbi së bashku me rreth 2 mijë të tjerë në fund të luftës në Kosovë dhe në mesin e tyre kishte shumë të arrestuar e të rrëmbyer nga forcat serbe të sigurimit gjatë fushatës hakmarrëse të Sllobodan Millosheviqit kundër shqiptarëve në periudhën e bombardimeve të NATO-s kundër trupave të tij. Të cilësuar si "terroristë" nga regjimi në Beograd dhe si "pengje lufte" nga shqiptarët e Kosovës, ata që nga transferimi i tyre në Serbi ishin shndërruar në "lëndë" pazarllëqesh politike jo vetëm të Millosheviqit, por edhe pasardhësve të tij. Madje, veprimtarët humanitarë tërheqin vërejtjen se numri i të burgosurve shqiptarë të liruar gjatë periudhës së sundimit të tij ishte më i lartë sesa ai i të liruarve pas ardhjes në pushtet të demokratëve të Koshtunicës. Të burgosurit e fundit shqiptarë u transferuan në Kosovë një vit e gjysmë pas rrëzimit të Millosheviqit, ndonëse tetori i vitit 2000 ishte parë si shpresë e madhe që kësaj çështjeje do t'i jepte fund. Por, edhe qeveritarët e rinj në Beograd kërkuan vazhdimisht një çmim për secilin nga të burgosurit. Lirimi selektiv ka zgjatur deri në mars të këtij viti dhe ai është realizuar varësisht nga nevojat ditore të autoriteteve në Bëograd dhe varësisht nga pesha e akëcilit të burgosur.

Sidoqoftë, një ditë të ftohtë marsi, 145 shqiptarë të ngarkuar në autobusë të bardhë me mbishkrime të Kombeve të Bashkuara, hynë në Kosovë dhe u dërguan në burgun e Dubravës në komunën e Istogut, në Kosovën perëndimore. Përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të Kosovës thanë se kjo "është drejtësi e vonuar - por më mirë vonë se kurrë". Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, diplomati gjerman Michael Steiner, tha se "ky është fundi i një trashëgimie të dhimbshme të luftës së Kosovës". Kjo trashëgimi, ndërkaq, ishte shtruar në tryezën e bisedimeve në Washington ku zëvendëskryeministri serb, Nebojsha Çoviq, po priste "shpërblimin" nga sekretari amerikan i shtetit Colin Powell. Një ditë më pas, 80 shqiptarë dolën nga dyert e burgut dikur shumë famëkeq të Dubravës, të prirë nga administratori Steiner, i cili tha se kjo ishte një punë e mirë "për drejtësinë, të burgosurit e familjet e tyre dhe për vetë Kosovën".

Të liruarit ishin kryesisht të burgosur politik dhe të rrëmbyer, të cilët ishin dënuar edhe me nga 20 vjet burg "pa asnjë bazë ligjore". Kështu kanë konstatuar gjykatësit ndërkombëtarë, pasi kanë shqyrtuar një për një lëndët e tyre të hartuara nga gjykatës, prokurorë e hetues të administratës gjyqësore të Millosheviqit. Rishikimi i të gjitha rasteve të tjera do të përfundojë "brenda javëve, jo muajve", thanë zyrtarët e Misionit të Kombeve të Bashkuara, duke paralajmëruar se edhe rreth 35 të burgosur të tjerë do të lirohen, ndërsa në burg do të mbeten ata "të cilët kanë kryer krime ordinere".

"Këto ishin negociata intensive, jo të lehta, por në fund të suksesshme. Kjo gjithashtu tregon si dialogu dhe pajtimi me Beogradin mund të sjellë rezultate konkrete për Kosovën", tha administratori Steiner, duke përshkruar punën e bërë për transferimin e të burgosurve në Kosovë. Njëherit ai tha se kthimi i të burgosurve shqiptarë nuk ka të bëjë me shkëmbim të të burgosurve, duke mohuar njoftimet se edhe të burgosurit serbë që ndodhen në burgjet e Kosovës, kryesisht nën akuzat për krime lufte, do të mund të transferohen në Serbi".

Shumëkush e quajti të "mbyllur" çështjen e të burgosurve shqiptarë, një nga rrëfimet më të rënda të Kosovës së pasluftës dhe jo vetëm të saj. Por, të burgsoruit e sapokthyer pohojnë se "çështja" përmban në vete rrëfime të tmerrshme. Tortura nga më të rëndat, gjyqe të montuara dhë dënime të bazuara në pohimet e nxjerra me electroshock, thika e shkopinj beisbolli, janë pjesë e tregimeve trishtuese të të kthyerve. Për shumë syresh nata e kaluar në burgun e Dubravës ishte kthim në kujtimet e tmerrshme të majit të vitit 1999, kur në këtë burg ishin vrarë mbi 120 dhe plagosur mbi 200 të burgosur shqiptarë. Të tjerë janë dëshmitarë të mizorive të forcave serbe të sigurimit, ndërsa kthimi koincidon me përvjetorin e shumë ngjarjeve të përgjakshme. Kur ishin marrë nga forcat serbe ata e kishin lënë Kosovën të shkretuar e të djegur, ndërsa po ktheheshin në një realitet tjetër.

Rrugëtimi i tyre i ngjan ecjes nëpër kohë. Të arrestuar e dënuar nga autoritetet e Federatës Jugosllave, ata po ktheheshin në Kosovë kur kjo federatë më nuk ekziston. Vetëm që nga viti 1981 e deri kah mesi i viteve ' 90 shqiptarët numëronin 25 shekuj burg të mbajtur në burgjet e Jugosllavisë...

AIM Prishtinë, Arbnora BERISHA