Kosova midis Serbisë dhe Malit të Zi
Prishtinë, 29.03.2002.
Tri vjet më parë emri i ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, diplomatit spanjoll Javier Solana, ishte shndërruar në emër tepër të dashur, për të mos thënë të adhuruar të shqiptarëve të Kosovës. Njeriu që e dha urdhërin (formal) për sulme të NATO-s kundër "RFJ-së", për shqiptarët e Kosovës ishte një nga shpëtimtarët që po i jepte fund sundimit të Sllobodan Millosheviqit në Kosovë. Admirimi vazhdoi të mbetej gjallë edhe pas luftës kur tashmë Solana nuk ishte i pari i NATO-s. Angazhimi i tij për Kosovën edhe nga pozita e përfaqësuesit të lartë për politikë të jashtme dhe siguri të Bashkimit Evropian i ruajti atij vendin e posaçëm në mendjet e shqiptarëve. Por, këta të fundit u dukën të befasuar (për të mos thënë të hidhëruar) kur Solana mori rolin e "arkitektit" të ri të bashkësisë shtetërore të Serbisë dhe Malit të Zi. Njeriu që i nisi avionët kundër Beogradit po del në krah të tij? Reagimet e tyre ndaj marrëveshjes ndërmjet Beogradit dhe Podgoricës ishin nga më të ndryshmet. Qëndrimet ishin dhe vazhdojnë të jenë të ndara në vlerësimet nëse kjo marrëveshje do të ketë apo jo ndikim të drejtëpërdrejtë në çështjen e Kosovës dhe zgjidhjen e statusit të saj politik. Kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, tha menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes "se fati i Kosovës nuk do të varet nga marrëveshjet në rajon". Për të "shëndoshur" shpirtërat e shqetësuar të shqiptarëve ai tha se "do të punohet në zhvillimin e institucioneve demokratike në Kosovë dhe në kuadër të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit", që sipas tij nuk paragjykon statusin përfundimtar të Kosovës, dhe që ato institucione do të punonin për realizimin e synimeve të tyre.
Përfaqësuesit politikëtë Kosovës në vazhdimësi kanë kërkuar pavarësinë e saj duke e cilësuar atë si kusht për qetësimin e situatës jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, sërish përsëriti formulën e tij se "njohja edhe formale e pavarësisë së Kosovës do ta ndihmonte qetësimin e rajonit, meqë në radhë të parë do të qetësonte vetë shqiptarët, por edhe fqinjët e tyre". Ndërkaq, përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës janë shprehur të kënaqur me marrëveshjen, meqë sipas tyre ajo marrëveshje paraqet një mundësi më të mirë edhe për zgjidhjen e problemeve në Kosovë, "para së gjithash për faktin se", siç thotë ai, "bashkësia ndërkombëtare e ka bërë të qartë se nuk dëshiron ndarje të reja në Ballkan apo në Evropë". Një nga drejtuesit e kolaicionit të serbëve të Kosovës "Kthimi', që ka 22 deputetë në Parlamentin e Kosovës, Rangjell Nojkiq, tha se "kjo është një shenjë e qartë për të gjithë ata që duan ndarje dhe pavarësi".
Ndërkaq, zyrtarët e Misionit të Kombeve të Bashkuara (UNMIK) thonë se nuk presin ndonjë ndikim të madh nga kjo marrëveshje. Ata besojnë që "në rast se Serbia dhe Mali i Zi trajtohen si shtet trashëgimtar i Jugosllavisë, nuk do të ketë ndonjë ndikim në statusin e Kosovës apo rolin e UNMIK-ut". Megjithatë, shefi i UNMIK-ut, Michael Steiner, tha se nuk duhet nxituar me konkluzione. Çështja kryesore në Kosovë është substanca, tha ai fill pas marrëveshjes, duke nënvizuar se "populli i Kosovës dëshiron në radhë të parë punë, perspektivë dhe siguri. Qytetarët e saj duan garanci se nuk do të qeverisen nga diku tjetër dhe duan të kenë institucione dinjitoze". Së këndejmi, sipas zotit Steiner, duhet punuar shumë për ta ringjallur ekonominë dhe për ta shndërruar Kosovën në një vend më të sigurt për të gjitha grupet etnike, si dhe për ta përgatitur Kosovën për hyrjen e saj në Europë. Për zotin Steiner marrëveshja ndërmjet Beogradit dhe Podgoricës nëse asgjë tjetër ka ndihmuar në "zbutjen e tensioneve".
Por, ndërkaq, ekspertët e të drejtës ndërkombëtare pohojnë se krijimi i shtetit të përbashkët ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi do të ndikojë drejtpërsëdrejti në çështjen e Kosovës. Enver Hasani, profesor i të drejtës ndërkombëtare, pohon se ndryshimi i emrit të asaj që deri tash quhej "Jugosllavi", është bërë me qëllim të ruajtjes së një krijese ekzistuese shtetërore të themeluar nga ish-dikatori Sllobodan Millosheviq me qëllim të pengimit të procesit të pavarësimit të Kosovës. "Krejt presioni që është bërë mbi Malin e Zi është bërë për shkak të Kosovës dhe për të mbyllur çdo mundësi ndërkombëtare të pavarësimit të Kosovës, përkatësisht të mënjanimit të vlefshmërisë së Rezolutës 1244 të KS të OKB-së, që është pengesa kryesore për procesin e pavarësimit të Kosovës", pohoi zoti Hasani . Për bashkëmendimtarët e zotit Hasani, pjesa më e "rrezikshme" është klauzola që e parasheh Serbinë si "trashëgimtare edhe të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara", që nënkupton bartjen e sovranitetit të ish Jugosllavisë mbi Kosovën në duart e Serbisë.
Analistë të tjerë të pavarur mendojnë ndryshe. Ata i shohin procesin e pavarësimit të Kosovës dhe zhvillimet në rajon si probleme të ndërlidhura, por që nuk duhet të kushtëzojnë njëri-tjetërin. Blerim Shala, botues i të përdishmes "Zëri" dhe një nga pjesëmarrësit e bisedimeve në Rambouillet, thotë se pavarësia e Kosovës nuk mund dhe nuk guxon të jetë peng i marrëveshjeve ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi, ndonëse sipas tij pavarësia e Malit të Zi do të kishte një pasqyrim pozitiv në Kosovë, që do ta bënte të pamundur bllokimin e procesit të pavarësimit të saj. "Por anasjelltas, mendoj që pavarësimi i Kosovës nuk do mund të ketë efekt të drejtpërdrejtë për sa u përket raporteve të Serbisë dhe Malit të Zi. Nëse Beogradi dhe Podgorica kanë vullnet të vazhdojnë bashkëjetesën qoftë në federatë, konfederatë apo union shtetesh, ajo është çështje e tyre, ndërsa statusi final i Kosovës domosdoshmërisht duhet të reflektojë vullnetin politik të qytetarëve të saj", tha zoti Shala.
Siqoqoftë, përfaqësuesit politikë të Kosovës janë gjetur përballë realiteteve të reja. Marrëveshja ndërmjet Serbisë e Malit të Zi ndodhi vetëm pak ditë pasi qendra më të rëndësishme ndërkombëtare e njohën edhe zyrtarisht një marrëveshje për kufijtë, të nënshkruar një vit më parë ndërmjet Beogradit dhe Shkupit, me të cilen Kosovës i janë marrë, siç pohojnë vëzhgues të këtushëm, mbi 2 mijë e 500 hektarë tokë. Njohja e kësaj marrëveshjeje ishte në fakt rinjohje e sovranitetit të Beogradit mbi Kosovën.
Megjithatë, vëzhguesit e këtushëm pohojnë se tri vjetët e ardhshëm paraqesin një peiudhë kalimtare për Kosovën, por edhe Serbinë e Malin e Zi. Dhe kjo kohë, pohojnë ata, mund t'i mjaftojë Kosovës që të kryejë "detyrat e shtëpisë", që do të thotë të përmbushë të gjitha kriteret që do të mundësonin hapjen e bisedimeve për statusin e saj përfundimtar politik. Dhe në këto bisedime, ka theksuar shefi i UNMIK-ut, Michael Steiner, padyshim që do të hyjë edhe Beogradi, por "as Beogradi e askush tjetër nuk do të ketë të drejtën e vetos në çështjen e statusit politik", ka pohuar ai.
Sidoqoftë, marrëveshja ndërmjet Beogradit dhe Podgoricës, pohojnë vëzhguesit lokalë, të paktën formalisht i dha fund "Jugosllavisë", kësaj krijese që jo rallë është quajtur "burg i popujve joserbë".
AIM Prishtinë, Besnik BALA