Qeveria dhe Koalicioni 'Kthimi'

Pristina Mar 3, 2002

Prishtinë, 26.03.2002.

Përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës nuk e duan bujqësinë, as pyjet e as fshatin. Të paktën kështu tingëllon qëndrimi i tyre që shpreh pakënaqësi të thellë me ndarjen e posteve ministrore në qeverinë e Kosovës, të krijuar mbi bazën e zgjedhjeve të përgjithshme të 17 nëntorit të vitit të kaluar. Pas tre muaj bisedimesh jo rrallë të rënda, përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës u "morën vesh" që të krijojnë qeverinë e "koalicionit të gjerë". Sipas një marrëveshjeje, "dëshmitar" i së cilës ishte shefi i ri i Misionit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën (UNMIK), Michael Steiner, tri partitë kryesore të Shqiptarëve, Lidhja Demokratike, Partia Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vendosën që president i Kosovës të jetë Ibrahim Rugova, kryetar i Lidhjes Demokratike, ndërsa kryeministër Bajram Rexhepi, nga Partia Demokratike e Hashim Thaçit. Nga nëntë ministri sa ishin caktuar të kishte qeveria e Kosovës, autorët e kësaj marrëveshjeje u dakorduan që të bëhen dhjetë sosh. Tetë ministri u mbetën partive shqiptare, ndërsa dy të tjera pakicave. Kësisoji Ministrinë e Shëndetësisë e mori Numan Baliq, nga koalicioni i boshnjakëve "Vatan", ndërsa Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural iu nda koalicionit të serbëve të Kosovës "Kthimi".

Përfaqësuesit e këtij koalicioni "rrudhën buzët" të pakënaqur me një ndarje të tillë, ndonëse fillimisht e caktuan edhe bartësin e kësaj ministrie. Administrator Steiner në sesionin parlamentar në të cilin u zgjodhën institucionet e qeverisjes tha se në krye të kësaj ministrie do të mund të vinte Goran Markoviq, por edhe shtoi që kjo nuk ishte konfirmuar zyrtarisht ende nga koalicioni "Kthimi".

Institucionet e Kosovës, përkatësisht marrëveshja ndërmjet partive kryesore politike shqiptare u votua në "pako", ndërsa mospajtimet e një pjese të anëtarëve të koalicionit "Kthimi" nuk e ndryshuan disponimin e deputetëve shumicë më Parlamentin e Kosovës.

Ku qëndron 'problemi'? Është mjaft gjerësisht e përfaqësuar pikëpamja si te politikanët shqiptarë, ashtu edhe te përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë, se qëndrimet e deputetëve serbë të "turbulluar" nga zëvendëskryeminsitri i Serbisë, Nebojsha Çoviq, "engjëlli mbrojtës"(siç e quajnë këtu) i komunitetit serb në Kosovë. Pasi i shkroi një letër përplot akuza për kryeministrin e Kosovës, Bajram Rexhepi, duke e akuzuar për krime lufte të kyera gjatë luftës në Kosovë (ç'gjë e demantoi vetëm pas disa ditësh, nën presionin e fuqishëm të bashkëbiseduesve të tij ndërkombëtarë në kabinetin e z. Steiner, respektivisht ka pranuar që qeveria e tij nuk posedon dokumente akuzuese kundët z. Rexhepi), duke kërkuar madje edhe shtyrjen e mbledhjes së Parlamentit të Kosovës, ai zbriti në Prishtinë ku mori një "dush të ftohtë" nga shefi i ri i UNMIK-ut, Michael Steiner. Ky i fundit, pasi ia bëri të qartë zotit Çoviq se (siç thuhet në kuloaret e këtushme politike) "muaji i mjaltit" që ai kishte provuar me paraardhësin e tij, danezin Hans Haekkerup, kishte përfunduar, prerazi theksoi se "Prishtina nuk është Beograd dhe Beogradi nuk është Prishtinë" dhe se nuk do të lejojë përzierjen e Beogradit në punët e Kosovës, sikurse që as ai nuk do të përzihet në punët e Beogradit.

Zoti Steiner, nëse asgjë tjetër, me këtë fitoi simpatinë e shqiptarëve të Kosovës, të cilët kishin filluar të "ftohen" nga UNMIK-u, strukturat e të cilit gjatë kohës së zotit Haekkerup ishin tepër të lidhura me zotin Çoviq. Një dokument i nënshkruar ndërmjet këtyre dy të fundit në nëntor të vitit të kaluar, me të cilin edhe iu dha "drita jeshile" serbëve të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhjet e përgjithshme, u shndërrua në "dokumentin" më të urryer nga shqiptarët dhe çdo gjë që atyre nuk u shkon për shtati filluan ta kërkojnë në mes rreshtave të këtij dokumenti.

Sidoqoftë, qeveria e Kosovës e filloi punën e saj (ende pa zyra dhe mjete për punë), por pa ministrin serb në radhët e saj. Koalicioni "Kthimi" e përjetoi ndërkaq çarjen e parë të thellë për shkak të mospajtimeve ndërmjet përfaqësuesve të tij me qendër në Graçanicë afër Prishtinës dhe atyre në veriun e qytetit të ndarë të Mitrovicës. Dy ditë pas mbledhjes së parë konstitutive të qeverisë së Kosovës, përfaqësuesit e koalicionit të serbëve të Kosovës paralajmëruan se rrjedha e bisedimeve të mëtejshme mund të sjellë vendimin nëse do të marrin pjesë në qeverinë e Kosovës apo jo. Por, krahas kësaj, ata si parakusht e kanë kërkuar edhe një ministri tjetër që nënkupton ndryshimin edhe të kornizës kushtetuese, një punë kjo tepër e vështirë, për të mos thënë e pamundshme. Një kërkesë e tillë u shtrua në takimin e deputetëve të koalicionit "Kthimi", ku mori pjesë edhe zëvendëskryeministri i Serbisë she shef i Qendrës Koordinuese për Kosovën, Nebojsha Çoviq, të mbajtur në Zveçan afër Mitrovicës. Aty është shprehur pakënaqësia e tyre me ndarjen e posteve ministrore në qeverinë e kryeministrit Bajram Rexhepi. Një nga deputetët e këtij kolaicioni dhe anëtar i kryesisë së Parlamentit të Kosovës, Oliver Ivanoviq, tha se vendimi për të hyrë apo jo në qeveri do të varet nga bisedimet që pritet të zhvillohen, respektivisht nga pranimi i kërkesës së tyre nga administratori i Kosovës, Michael Steiner. Zoti Ivanoviq tha se "qëndrimi i kolaicionit është se në rrethana të tilla nuk mund të marrin pjesë në qeveri dhe se krahas ministrisë që u është ndarë ata do të kërkojnë edhe krijimin e ministrisë për personat e zhvendosur, që", sipas tij, "është me rëndësi thelbësore për serbët e Kosovës".

Mirëpo, një kërkesë e tillë është hedhur poshtë deri tash nga kryeministri i Kosovës, i cili ka përjashtuar mundësinë që qeveria e tij të pësojë ndryshime. Ai ka pohuar se përfaqësimi i serbëve në qeveri është në përputhje me strukturën e popullsisë së Kosovës dhe se mund të bisedohet për pakënaqësitë e tyre, por çështja e qeverisë është e përfunduar. Qeveria ndërkaq, ka theksuar kryeministri Rexhepi, është e vendosur që të punojë për integrimin e pakicave kombëtare në institucionet e Kosovës. Mirëpo, ai ka nënvizuar se "qarqe të caktuara politike të Beogradit duan t'i shfrytëzojnë serbët e Kosovës si instrument për mbajtjen e situatës së tensionuar". Megjithatë, Rexhepi do të pranonte që në kabinetin e tij të angazhohej një këshilltar i lartë për çështjet e serbëve të shpërngulur, ofertë kjo e administratorit Steiner bërë deputetëve të koalicionit "Kthimi". Në kuadër të kësaj çështjeje shefi i UNMIK-ut ka ofruar edhe angazhimin në kabinetin e tij të personave përgjegjës që do të merreshin me këtë problematikë. Mirëpo, pala tjetër ende kërkon fuqimisht: ose ministrinë, ose mospjesëmarrje në Qeverinë e Kosovës.

Zyrtarët e sapozgjedhur të Kosovës, por edhe zyrtarët ndërkombëtarë në Kosovë kanë pohuar se është shumë e rëndësishme që serbët e Kosovës të përfshihen në institucionet e këtushme dhe të shkëputen nga ndikimi i Beogradit. Madje, administratori i Kombeve të Bashkuara, Michael Steiner, ka kërkuar që zyrtarët e Beogradit të mos përzihen në punët e Kosovës, ndërsa e ardhmja e serbëve të këtushëm duhet të vendoset prej tyre. Por, këta të fundit duken ende të "pafuqishëm" për të vendosur vetë. Rada Trajkoviq, shefe e grupit parlamentar prej 22 deputetësh të koalicionit "Kthimi" është "detyruar" të japë shpjegime edhe në kabinetin e presidentit jugosllav, Vojisllav Koshtunica, për "takimet e shpeshtuara me administratorin Steiner". Për këtë arsye ajo edhe është akuzuar nga kolegët e saj nga veriu i Kosovës, të cilët janë ankuar publikisht që nuk kanë qenë të informuar rreth takimeve të saj me administratorin civili, Steinerin. Gjithashtu, edhe pse jo në mënyrë transparente, ata e akuzojnë atë që nga shefi i UNMIK-ut gjatë ndarjes së ministrive ka kërkuar për koalicionin "Kthimi" Ministrinë për Energjetikë, e cila si e tillë nuk ekziston në Kornizën Kushtetuese të Kosovës. Nga ana tjetër, ajo i ka akuzuar kolegët e saj nga veriu i Kosovës të jenë përfshirë edhe në "veprime kriminale". Zëvendëskryeministri serb, Çoviq, ka pohuar se do të kërkojë hetime nga KFOR-i, UNMIK-u, por edhe "organet shtetërore të Serbisë" lidhur me akuzat e tilla, duke harruar rastësisht a jo që ai vetë në atë takim në Zveçan është paraqitur me dosjet e tre liderëve të këtij "Koalicioni": Rada Trajkoviqit, Oliver Ivanoviqit dhe Gojko Saviqit. Takimi përfundoi ashtu që të gjithë, me më pak e më shumë vota, e morën votëbesimin e deputetëve të pranishëm.

Sidoqoftë, kur është fjala te pjesëmarrja e koalicionit "Kthimi" në Qeverinë e Kosovës, as sot e gjithë ditën nuk janë bërë hapa përpara. Secila nga palët ka mbetur në pozicionet e veta të mëparshme. Fundja, të gjitha këto çështje do të sqarohen pasi të kenë përfunduar bisedimet e përfaqësuesve të koalicionit me zotin Steiner, por shumë karakteristik është fakti se, siç thonë analistë të këtushëm, "sindromi shqiptar" tashmë duket se është bartur në kolegët e tyre serbë në Parlamentin e Kosovës. Nëse shqiptarëve iu deshën tre muaj për t'u marrë vesh, atëherë ende nuk dihet se sa kohë do t'u nevojitet kolegëve të tyre për të tejkaluar hendekun që sa vjen e thellohet nga akuzat e kundërakuzat për "abuzim me interesat nacionale".

AIM Prishtinë, Besnik BALA