Borxhi i Kosovës dhe suksesioni
Prishtinë, 28.02.2002.
Nënkryetari i Qeverisë federale, Mirolub Labus ka hapur edhe një problem të ri, përkatësisht çështjen - kush do t'i kthejë borxhet e vjetra të Kosovës. Labus tha që edhe kreditorët ndërkombëtarë në bisedat e mëparshme e kanë shtruar të njëjtën pyetje. Kërkesat e deritashme Hakerupit dhe Kofi Ananit që Kosova vet t'i kthejë borxhet, nuk kanë dhënë rezultat. Mirëpo, autoritet e UNMIK-ut nuk kanë konfrimruar se ndojëherë kanë biseduar për këtë çështje me autoritet jugosllave.
Mirëpo, nënkryetari i Qeverisë së RFJ-së ka thënë për Radion B92 se nuk do të heqë dorë nga kërkesat që Serbia të lirohet nga një pjesë e këtyre borxheve. "Borxhi i Kosovës është një miliard e katërqind milionë. Te Klubi i Parisit është 430-440 milionë dollarë. Ne e kemi Drejtorinë administrative të UNMIK-ut në Kosovë. Kjo administratë i ka caktuar tatimet, doganat në Kosovë, mirëpo nuk dëshiron në asnjë mënyrë të marrë pjesë në larjen e këtij borxhi të vet. Unë jam përpjekur që lidhur me këtë të bisedoj me Haekkerupin, i kam shkruar Kofi Annanit, ata nuk duan ta pranojnë këtë borxh, ata mendojnë që ky është problem i Serbisë. Serbia nuk ka të hyra fiskale, dhe ky është problem për të cilin do të duhet të bisedojmë", tha Labus. Labus tërë kohën flet për borxhet që ka krijuar Kosova para vitit 1990, për të cilat atëherë kryesisht ka garantuar Banka Popullore e Jugosllavisë, pasiqë ajo kishte kontratë me vendet apo instuicionet kredituese.
E tërë kjo që ka thënë nënkryetari i qeverisë jugosllave nuk është mohuar nga askush në Kosovë. Dihet se mjete kanë ardhur në Kosovë, ndonëse efikasiteti i tyre nuk ishte i kënaqshëm. Mirëpo, që më 1990 kanë ndodhur probleme të rënda, me të cilat edhe sot ballafaqohet ekonomia e kosovare. Aplikimi i masave të dhunshme në ndërmarrjet e atëhershme, pastaj integrimi me ndërmarrjet serbe, si edhe transformimi pronësor që kanë pësuar, nuk e ka përfillur edhe problemin e obligimeve që kanë pasur ndërmarrjet e këtilla. Çështja e borxheve ndaj kredituesve të huaj thuajse ishte e harruar. Mirëpo, sot kur erdhi koha që të paguhen ato, madje edhe me kamatën e cila është llogarituar për të gjitha vitet, problemi aktualizohet edhe më shumë.
Po ashtu, në gjysmën e dytë të vitit 1990 hapet procedura e falimentimit ndaj Bankës së Kosovës. Asohere të gjitha obligimet i ka marrë "Jugobanka", por edhe këtu ka munguar të thuhet se çfarë do të bëhet me borxhet e jashtme. Zatën, ky ishte edhe problemi pse falimentimi asnjëherë nuk ka përfunduar. Prandaj, ky problem ka mbetur i hapur edhe më tej, përderisa atë nuk e aktualizoi z. Labus. Madje, ky problem si duket e ka ngulfatur Serbinë dhe Jugosllavinë, të cilat tash me këmbëngulje kërkojnë që UNMIK-u të paguajë më shumë se një miliard dollarë. Madje, edhe në Klubin e Londrës është hapur çështja e borxheve të Kosovës, që ka qenë njëri nga kushtet për riprogramimin apo ndoshta edhe për shlyerjen e borxheve.
Është koha e përshtatshme që pikërisht tash të hapet kjo dosje. Hapja e saj, njëherit nënkupton edhe suksesionin, përkatësisht ndarjen e pasurisë së shtetit të dikurshëm të përbashkët, thonë vëzhguesit e këtushëm. Ndonëse një proces të këtillë e kanë përfunduar vendet e dala nga ish-Jugosllavia, Kosova nuk është përfshirë në suksesion. Por, kërkesa e nënkryetarit të Qeverisë jugosllave që UNMIK-u të paguajë borxhet e Kosovës imponon bisedimet. Atëherë, duhet folur edhe për obligimet ndaj kredituesve të jashtëm, për kursimet e humbura të kosovarëve, për fondin pensional të plaçkitur, për derdhjen e kapitalit kosovar për krijimin e rezervave të shtetit të atëhershëm.
Ndonëse sllovenët, kroatët e boshnjakët nuk e kanë hapur asnjëherë problemimin e dëmeve të luftës, kosovarët kanë të drejtë ta bëjnë këtë, madje duke evidencuar të gjitha pasojat në ekonomi që nga viti 1990. Prandaj, zgjidhja e problemeve të borxheve të Kosovës ndaj institucioneve ndërkombëtare financiare, siç janë FMN-ja, BB-ja, Klubi i Parisit, apo Klubi i Londrës, do të krijonte kushte për bashkëpunim të mëtejmë ndërmjet tyre. Por, si kanë deklaruar liderët politikë dhe ekspertë nga ekonomia, së pari duhet përfunduar ndarja e pasurisë së përbashkët të ish-Jugosllavisë dhe të Serbisë, ku Kosova ka qenë pjesëmarrëse në krijmin e saj, e pastaj të flitet për problemin e borxheve.
Ndërkaq, çështja e kthimit të borxheve të jashtme nuk do të jetë ngarkesë aq e madhe për Kosovës. Problem mund të jetë vetëm riaktivizimi i prodhimit. Obligimet më të mëdha i ka Korporata Energjetike e Kosovës, përkatësisht termocentrali "Kosova B" dhe mihjet siperfaqësore të qymyrrit në Bellaqevc dhe në Dobrosellë, që duhet të kthejnë afër 321 milionë dollarë, pa llogaritur kamatën, pastaj "Trepça" (Elektroliza e Zinkut, Fabrika e akumulatorëve, Fabrika e Baterive në Gjilan dhe "Metaliku" i Gjakovës) - 81,3 milionë dollarë, “Ferronikeli" - 96,3; "Ballkani" i Suharekës - 21,3; Industria e Fijeve sintetike në Prizren - 20,7; "Printeksi" i Prizrenit - 7,8; Fabrika e Tubave në Ferizaj - 8,2; Fabrika e Radiatorëve në Gjilan dhe ndërmarrja hekurudhore - 2,2 milionë dollarë. Pos KEK-ut, i cili është në prodhim, por me shumë probleme, të gjitha ndërmarrjet e tjera janë jashtë funksionit. Madje, edhe çështja e transformimit pronësor ka mbetur e pezulluar, kështuqë ka rrezik që vlera e kapitalit të tyre shumë shpejt të arrijë në zero. Ndërkaq, çdo i interesuar për pjesëmarrje në procesin e privatizimit duhet të llogarisë në obligimet ndaj huadhënësve të jashtëm.
AIM Prishtinë, Ibrahim REXHEPI