Me pasaportë në arë
Prishtinë, 28.02.2002.
Të udhëtosh diku në botë dihet mirëfilli se duhet një pasaportë. Ky dokument i zakonshëm për banorët e shumë vendeve është i mjaftueshëm për të hapur “dyert” nëpër kufij duke përmbushur kësisoji një nga të drejtat themelore njerëzore – lirinë e qarkullimit. Por, në kufijtë e Kosovës pasaporta mbase mund të marrë një kuptim tjetër – të bëhet leje për t'i punuar arat. Duket paradoksale, por një e ardhme e tillë duket se i pret fshatarët e disa zonave kufitare me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë.
Një vit më parë zyrtarët jugosllavë dhe ata maqedonas nënshkruan një marrëveshje mbi kufijtë duke përfshirë edhe kufijtë e Kosovës. E cilësuar si një pazarllëk pa “hanxhiun” nga përfaqësuesit politikë shqiptarë, kjo marrëveshje kishte përfshirë të paktën 2 mijë e 500 hektarë tokë të Kosovës. Vëzhgueist thanë se Beogradi i kompensoi Shkupit rajonin e Prohor Pçinjskit, duke i dhënë atij tokë të huaj – atë të Kosovës. Kjo marrëveshje u komentua përciptazi si e papranueshme nga udhëheqësit politikë shqiptarë, por zërat e tyre të zbehtë nuk arritën të trandin shumë zyrtarët ndërkombëtarë, të cilët në atë periudhë ishin të “entuziazmuar” nga ndryshimet në Serbi dhe nguteshin vazhdimisht për të përshëndetur çdo gjë që vinte prej andej. Presidenti Jugosllav Vojisllav Koshtunica e shfrytëzoi këtë hapësirë sikurse ai maqedonas Boris Trajkovski. Lufta në Maqedoni e la nën hije këtë çështje, mbase më shumë për faktin se kjo pjesë kontrollohej nga guerilët shqiptarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare që po luftonte për më shumë të drejta në këtë ish-republikë jugosllave.
Një vit më vonë, një deklaratë e një zyrtari të NATO-s e rizgjoi këtë çështje. Komandanti i trupave amerikane në kuadër të forcave paqeruajtëse KFOR, gjenerali Keith Huber tha se “marrëveshja ndërmjet Beogradit dhe Shkupit ishte ilegale”. Kjo deklaratë nxiti reagime agresive të zyrtarëve maqedonas, të cilët nuk ngurruan të kërcënohen se “do të shtien mbi ushtarët e KFOR-it nëse ata pengojnë trupat maqedonase për të kontrolluar kufijtë”
Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) dhe KFOR-i ngulën këmbë se kjo marrëveshje ishte e “papranueshme”. Zëdhënsja e UNMIK-ut, Susan Manuell, ka thënë se “territori i Kosovës nuk mund të jetë subjekti ndonjë marrëveshjeje përderisa Këshilli i Sigurimit të OKB-së të mos e autorizojë statusin final të saj”.
Por, deklaratat e tilla u shuan shpejt dhe çështja u mbulua nga konfuzioni duke shkaktuar huti në opinionin kosovar. ”NATO dhe Maqedonia e kanë nënshkruar një marrëveshje për sigurimin e kufirit dhe për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet KFOR-it dhe forcave maqedonase të sigurimit, e quajtur Procedura e përkohshme operative. Kjo marrëveshje nënkupton sigurimin e linjës kufitare, e cila përcaktohet me anë të marrëveshjes ndërmjet Jugosllavisë dhe Maqedonisë”, ka thënë ambasadori i NATO-s në Maqedoni, Klaus Volers. Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan, ka thënë se “organizata që drejton ai e respekton marrëveshjen ndërmjet IRJM-së dhe RFJ-së”, si dhe ka shtuar se “marrëveshja për caktimin e kufijve duhet respektuar nga të gjithë”.
Këto deklarata e 'çoroditën' misionin e OKB-së në Kosovë dhe KFOR-in, të cilët zgjodhën heshtjen, ndërsa shqetësuan së tepërmi shqiptarët e Kosovës. Me marrëveshjen mes Beogradit dhe Shkupit zyrtar për përcaktimin e kufijve Kosovë - Maqedoni shkelet Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Korniza Kushtetuese e Kosovës, sipas të cilës duhet të ruhet tërësia territoriale e Kosovës – thonë ekspertët e këtushëm të së drejtës ndërkombëtare. Njëri nga këta ekspertë, prof. Dr. Fatmir Sejdiu, tha se "kjo marrëveshje është një atak i drejtpërdrejtë në tërësinë territoriale të Kosovës dhe gjithë ajo procedurë që ka ndodhur dhe tash së fundi me një miratim nga OKB-ja është një befasi për popullin e Kosovës dhe për të gjithë të tjerët". Ai ka shtuar se duke pasur parasysh se Kombet e Bashkuara kanë një mision të tyre në Kosovë, ato kanë pasur përsipër sipas Rezolutës 1244 mbrojtjen e kufijve të Kosovës, natyrisht duke pasur parasysh tërësinë e saj territoriale.
Ndërkaq, kryetari i Shoqatës së Juristëve të Pavarur të Kosovës, Riza Smaka, e ka quajtur deklarimin e fundit për njohjen e marrëveshjes Beograd - Shkup si një skandal dhe precedent në sistemin politik e juridik ndërkombëtar. Ai ka kërkuar që marrëveshja për përcaktimin e kufirit e arritur një vit më parë të shpallet e pavlefshme meqë, sipas tij, mund të shkaktojë probleme të mëdha.
Sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që është një dokument juridik, por edhe politik, valid si dhe aplikativ, tha zoti Smaka, “territori i Kosovës që ishte i definuar, që do të thotë edhe i identifikuar dhe që është një komponent shtetëror i rëndësishëm, është i tërësishëm dhe atë e mbrojnë Kombet e Bashkuara nëpërmjet KFOR-it. Kjo do të thotë se sovranitetin territorial e mbron KFOR-i, ndërsa atë politik dhe juridik UNMIK-u”. Edhe ekspertë të tjerë të së drejtës ndërkombëtare kanë reaguar ashpër ndaj kësaj marrëveshjeje, duke tërhequr vërejtjen se “kjo çështje është dashur të lihet për periudhën kur statusi politik i Kosovës të ishte zgjidhur”. Ata pohojnë se kjo çështje tash për tash nuk ka zgjidhje dhe se “Kosova pasi të fitojë sovranitetin do të mund të kërkojë zgjidhjen e kësaj çështjeje në ndonjë gjykatë ndërkombëtare, nëpërmjet një arbitrazhi sikurse në rastin e Prevllakës apo të Bërçkos”
Por, ajo që i shqetëson përfaqësuesit e Kosovës është fakti se kjo marrëveshje do të shkaktojë tensione të vazhdueshme ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë. Ndërkaq, përfaqësuesit e partive politike kanë terhequr vërejtjen se “nuk mund të bëhet asnjë veprim juridik-ndërkombëtar për territorin e Kosovës pa miratimin e Kuvendit të Kosovës që e bart vullnetin sovran të popullit të Kosovës”
Sidoqoftë, e vetmja “shkëndijë shprese” e shqiptarëve të Kosovës ka mbetur njoftimi se “Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do ta diksutojë sërish këtë çështje”. Qëndrimi i deritashëm i amerikanëve që këtë marrëveshje e shohin me sy të dyshimtë ngjall shpresat se “diç do të lëvizë në këtë drejtim”.
Por, nuk ishin vetëm shqiptarët të habitur nga qëndrimi i zyrtarëve më të lartë të OKB-së. Përfaqësues të UNMIK-ut mbetën pa koment pas deklaratës së lëshuar nga zyra e zotit Annan. Një burim brenda UNMIK-ut tha se shefi i ri i këtij misioni në Kosovë, diplomati gjerman Michael Steiner, ka patur një bisedë të rëndë me selinë e OKB-së në New York. Ky burim tha se Steiner ishte befazuar me faktin se “shefat e tij për të qetësuar gjakrat në Shkup kishin mbajtur një qëndrim të tillë që e bart problemin në Kosovë”. Zoti Steiner ka mjaft aryse për t'u shqetësuar, meqë një hap i tillë ndodh në fillim të punës së tij në Kosovë. Vendimi i shefave të tij në New York atë e vë para një problemi të pazgjidhur: si do t'i punojnë tokat e tyre fshatarët e zonës kufitare – si do të shkojnë atje: me pasaportën e UNMIK-ut? Maqedonia edhe ashtu bën shumë telashe për këto dokumente
AIM Prishtinë, Besnik BALA