Tregu ndërmjet lirisë dhe anarkisë

Pristina Feb 28, 2002

Prishtinë, 27.02.2002.

Tregu në Kosovë më shumë i ngjan një anarkie se sa që mund të quhet i lirë. Biznesmenët janë thellësisht të bindur se mund të bëjnë çfarë të duan, pa përfillur kurrfarë rregullash.

Me arsyetimin se janë rritur shpenzimet, përkatësisht çmimet e repromaterialit, furrtarët ditën e fundit të vitit që kaloi e shtrenjtuan bukën 40 për qind. Ajo tani është 70 pfeningë, e jo 0,50 marka sa shitej më parë. Një lëvizje e tillë do të kalonte pa ndonjë jehonë të madhe sikur të mos ishin institucionet e pushtetit lokal, të cilat tërë kohën përpiqen t'i detyrojnë furrtarët që të kthejnë çmimin e mëhershëm. "Nuk ka njeri e as institucion që mund të më bindë ta kthej çmimin e mëparshëm", është përgjigjja e një furrtari në Gjakovë. "Ne do të kontrollojmë të gjitha furrat e bukës. Do të shohim se kush i plotëson kushtet për punë e kush jo. Dikujt do t'i merret leja e punës", janë kërcënimet e pushtetarëve nga Gjakova, pa përmendur fare se e tëra rrjedh nga nervoza për çmimin e ri të bukës.

Madje, më larg kanë shkuar pushtetarët e Mitrovicës, të cilët u munduan të gjejnë edhe mundësinë e aplikimit të Ligjit për Kontrollin Shoqëror të Çmimeve, i cili daton që nga koha e centralizmit socialist. Por, furrtarët nuk çajnë kokën për kërcënimet që iu bëhen. Janë të vetëdijshëm se Kosovës i mungon një ligj që do të vendoste një rregull në treg. "Ata mendojnë se janë në kohën e komunizmit. Ka kaluar periudha kur çmimet na i caktonin në zyrat e institucioneve të shtetit", ka thënë drejtori i Industrisë së bukës në Prishtinë, z. Kajtaz Fazlija.

Është shumë e kuptueshme se furrtarin askush nuk mund ta ndalojë që të vendosë çfarëdo çmimi për mallin që e shet. Por, shtrohet pyetja: në emër të lirisë së tregut, a ka të drejtë furrtari që të nxjerrë prodhime të cilësisë së dyshimtë? Sigurisht se jo. Dhe, kush duhet të reagojë në raste të tilla? Por, as që ka të drejtë dikush tjetër që atyre t'u përzihet në listën e çmimeve. Shteti do të interesohet vetëm të vjelë tatimet, kurse përmes mekanizmave të tjerë do të vendoste rregull. Përkatësisht, do të mbronte qytetarin, posaçërisht shtresat e rrezikuara sociale.

Kosova nuk ka mundësi që përmes rezervave të shtetit të ndërhyjë për ta thyer monopolin, që në këtë rast e bëjnë furrtarët. As që ka mundësi të subvencionojë prodhimin e bukës në furrat që ende trajtohen si pronë shoqërore. Kosova ka mjaft furra të këtilla, që mund të prodhojnë sa për të përmbushur kërkesat e tregut. "Duan bukë të lirë, atëherë le të japin subvencione. Kush do të përgjigjet për humbjet që mund të pësojmë për shkak të çmimit të ulët të bukës", thotë drejtori i Industrisë së Bukës në Prishtinë. Por, për subvenbcionet nuk flet askush. Këtë mund ta bëjnë vetëm strukturat e UNMIK-ut, por ato nuk duan ta hapin këtë çështje, për të mos e ngarkuar më tej buxhetin kosovar.

Ndërkaq, subvencionet në bujqësi dhe në prodhimin e artikujve ushqimorë janë diçka e zakonshme edhe në ekonomitë shumë të avancuara. "Kemi pasur propozime që çmimi i bukës të jetë një markë. Por, për shkak të rrethanave kosovare u pajtuam që ai të mbetet në 0,70 marka. Po të vazhdonim me çmimet e mëhershme, shpejt do të falimentonim", thotë Kryetari i Shoqatës së Furrtarëve të Kosovës, Hamdi Muhadri. Ai e ka edhe kalkulimin e vet: "Pronarët e marketeve marrin nga 10 deri në 20 pfeningë për një bukë, të cilën ua dërgojmë para dyqaneve. Unë, me një çmim prej 0,50 DM, më shumë kam llogari të shes se sa të gatuaj bukë. Nuk dua që tërë fitimin tim ta marrin tregtarët", arsytohet z. Muhadri.

Buka është artikulli kryesor i tryezës kosovare. Analistët kanë nxjerrë shifrën se 70 për qind të ushqimeve të kosovarëve e përbëjnë buka dhe brumërat. Vetëm përmes këtij shembulli secili e ka të qartë se çfarë do të thotë shtrenjtimi i bukës. Madje, kjo ndodh në kohën kur nuk kishte shtrenjtime të repromaterialeve apo të energjisë.

Megjithatë, ka patur edhe raste që kanë dëshmuar se ka edhe furrtarë që sinqerisht mendojnë për blerësin. Në Lipjan, p.sh., qytezë në qendër të Kosovës, dy furrtarë nuk i kishin lëvizur çmimet. Kolegët e tyre, ndonëse të revoltuar, u detyruan që pas dhjetë ditësh të kthejnë çmimin e mëparshëm të bukës. Rasti tjetër është paksa më brengosës. Furrtarët i janë kërcënuar kolegut të tyre në Ferizaj, pse ai nuk e ka shtrenjtuar bukën. Ai nuk i është nënshtruar këtij presioni dhe çmimet kanë mbetur me të vjetrën. Sadoqë këto raste janë individuale, megjithatë flasin se edhe në këtë kaos që mbretëron në tregun e Kosovës ka individë që mendojnë të krijojnë rend. Llogarisin se konsumatori ka të drejtën e tij dhe vetëm duke ruajtuar fuqinë blerëse të tij mund të kenë qarkullim më të madh.

Janusz Szyrmer dhe Michael Gujda, analistë pranë Autoritetit Qendror Fiskal, kanë bërë një analizë, e cila nuk u jep shumë të drejtë furrtarëve, por as pushtetarëve. "Struktura e shpenzimeve tregon se rreth 40 për qind të tyre i shkakton mielli, nxehja me dru -12 për qind dhe puna 33 për qind. Gjithashtu, shohim se shpenzimet mesatare për prodhimin e një cope bukë janë 0.55 DM", pohojnë këta analistë. "Pas disa analizave, ne besojmë se mund të arsyetohet rritja deri në 0.60 DM për copë. Derisa çmimet e thesit të miellit janë rritur 40 për qind në 1.5 vitet e fundit, materialet tjera përbërëse nuk kanë treguar shtrenjtime dramatike. Mesatarisht, ato ndoshta janë rritur në mënyrë progresive me inflacionin, kyesisht 15 për qind gjatë tetëmbëdhjetë muajve të fundit. Kur kësaj i shtojmë edhe 2.3 për qind sa do të jetë ndikimi i kalimit në euro, atëherë çmimi mesatar i bukës duhët të rritet përafërsisht 32 për qind, krahasuar me qershorin e vitit 2000. Një bukë duhet të kushtojë 0,60 DM, përkatësisht 10 pfeningë më shumë", pohojnë në AQF.

Por, në situatën kur njerëzit jetojne me të ardhura dhe një buxhet të limituar, mund të ndodhë që rritja e çmimeve të artikujve themelorë ushqimorë dhe mallrave të konsumit të gjerë të shkaktojnë edhe reagime dhe trazira sociale që do të mund të delnin jashtë çdo kontrolli.

AIM Prishtinë, Ibrahim REXHEPI