Simboli i bashkëjetesës
Vetëm një takim jashtëparlamentar i sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, George Robertson, i ka treguar opinionit publik maqedon se temës së përjetshme ballkanike, “heroizmit” dhe “tradhtisë”, mund t'i qasemi edhe në mënyra të tjera. Bashkësia ndërkombëtare e ka kërkuar gjatë kohë Pavle Todorovskin e saj; më në fund e ka gjetur.
Shkup, 12.02.2002.
Gjatë vizitës së tij në Shkup të premten e shkuar, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, George Robertson, një mysafir mjaft i shpeshtë i kryeqytetit pranë Vardarit, i cili bashkëbiseduesit e vet – njerëzit nga establishmenti politik – siç do të thuhej në popull, i njeh si “paren e kuqe”, ka shprehur një dëshirë të veçantë e cila edhe i është përmbushur: ka shprehur dëshirën ta njoftojë Pavle Todorovskin, veterinerin e heshtur nga fshati tetovar Tearcë. Todorovski nuk është as politikan as yll estrade, por, sidoqoftë, ai është një njeri që e ka merituar që njeriu udhëheqës i aleancës më të fuqishme politike-ushtarake në planet t'ia shtrëngojë dorën. Veterineri Todorovski ishte i vetmi maqedon, i cili gjatë krizës në regjionin e Tetovës ka mbetur me fqinjët e tij shqiptarë, në të mirë e në të keq. Në kohën kur gjithçka ka nisur të lëvizë nga e mbara, ka dalë me nismën për themelimin e këshillit multietnik të fshatit kryetar i të cilit është një turk, vetë Todorovski ka qenë nënkryetar, ndërsa sekretar ishte një shqiptar. Sado që kjo të tingëllojë socrealiste dhe t'i përkujtojë “çelësat nacionalë” të sistemit të kaluar, për rrethanat aktuale në Maqedoni kjo ishte një gjë jo aq e rëndomtë.
Dhe, më pas, shok! Maqedoninë më 23 janar në mbrëmje e ka përshkuar lajmi se në shtëpinë e tij në Tearcë nga njerëz me maska dhe të veshur në të zeza është rrahur Pavle Todorovski! Me lëndime në kokë dhe në trup, si dhe me nje tronditje të lehtë të trurit, është transferuar në spitalin e Tetovës. Asociacioni i parë për shumicën e gazetarëve maqedonë, tashmë të prirë në mënyrë fabuloze për kësi lloj informacionesh, ishte: akt i ri dhune i grupeve të mbetura të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Fatmirësisht, Pavle Todorovski që të nesërmen e ka lënë shtratin e spitalit. Por, pas kthimit në shtëpi disi është tërhequr në vetvete. Nuk kishte dëshirë të bisedojë me gazetarët. Qëllimi ishte arritur – ka mundur të konkludojë ai dikushi i panjohur, të cilin nuk e arriti dot hetimi zyrtar. “Ja, edhe ky shembull e vërteton faktin se kujt nuk i intereson bashkëjetesa!”, ka konkluduar nxitimthi një redaktor i lajmeve në televizion. Por, puna qëndronte krejtësisht ndryshe!
Misioni vëzhgues i OSCE-së ka dalë, duke patur parasysh mandatin e tij, me një kumtesë të pazakontë me të cilën, duke iu referuar vetë Todorovskit dhe dëshmitarëve, pohoi se veterineri nga Tearca është rrahur nga persona që kanë folur në maqedonisht, e kanë quajtur atë “tradhtar maqedon”!? Pushteti, i pamësuar me këso “ekskursionesh jashtë mandatit të perkufizuar me rigorozitet” u gjet në një “pozitë të palakmueshme”. Për këtë arsye, shumë i amësht tingëllonte premtimi i policisë se shkaktarët e dhunës do të zbulohen dhe do ta marrin dënimin e merituar. Si dhe shumë herë më parë, kjo nuk ndodhi.
Dëshmitarët okularë u kujtuan se disa orë para sulmit, Todorovski në një takim me europërfaqësuesin Alain Le Roy në kancelarinë lokale ka thënë se paqe nuk do të ketë “gjithnjë derisa ministër i punëve të brendshme të jetë Lube Boshkovski!” Në anën tjetër, Boshkovski nga komuniteti ndërkombëtar, por edhe shumë maqedonë, është parë si një ithtarë i fortë i “imponimit të rendit” ndër popullatën shqiptare me forcë. Vëzhguesit ndërkombëtarë disi menjëherë kanë dyshuar se pikërisht këso farë “punësh” do të mund të ishin pjesë e “detyrave” të reja të njësitit policor të kontestuar, të përbërë nga njerëz “të hurit e të litarit” në kulmin e krizës, të cilit minisitri i punëve të brendshme në ndërkohë, në manierën e formacioneve paramilitare tashmë të para në disa hapësira të tjera të ish-Jugosllavisë, i dha legalitet dhe e emërtoi me emrin “Luanët” (Lavovi), emër që mbase është dashur të ndikojë psikologjikisht që njeriun ta përshkojnë mornicat.
Lidhja Socialdemokrate opozitare e shfrytëzoi rrëmujën e krijuar që edhe këtë shembull t'ia bashkojë materialit dëshmues për “terrorin shtetëror”. Partia më e fortë opozitare arriti që, për më tepër, të thërrasë ad hoc një sesion parlamentar lidhur me temën e terrorizmit shtetëror, mirëpo do të ishte tepër optimiste të presësh se do të ketë rezultate spektakolare, respektivisht që ministri Boshkovski, i cili, të themi shkarazi, është drejtuar nga foltorja e parlamentit, do të ndryshojë. Për fat të keq, deputetët e Lidhjes Socialdemokrate dhunën ndaj Todorovskit e kanë kuptuar si një shembull për një përdorim, jo si një paradigmë për ndryshimin e mundshëm të klimës dhe gjedhes politike, çfarë në të vërtetë do të duhej të ishin marrëdhëniet ndëretnike. As mediat nuk e panë këtu mundësinë për të promovuar një qasje të re dhe të ndryshme nga steretipat tashmë të dalë boje për jetën e përbashkët. Edhe më tej ato konsiderojnë se përparësi duhet t'u jepet rasteve që nxisin pikëpamjet se nuk ka gjë nga bashkëjetesa dhe ardhmëria.
Dhe gjithnjë ashtu përderisa nuk erdhi Robertsoni. Ai ia dhuroi veterinerit të guximshëm një shishe me uiski nga vendlindja e tij, Irlanda, dhe pa ngurrim e quajti atë “hero maqedon – hero të bashkëjetesës”. Takimi ishte vërtet prekës madje edhe për mediat e përmendura, zakonisht pa sensibilitet për këtë lloj patetike, prandaj Todorovski e pa veten në lajmet kryesore në televizion dhe në faqet e para të gazetave. Mikun e tij të ri irlandez e ftoi që herën tjetër ta vizitojë në Tearcë.
Doli që vetëm një takim jashtë protokoli i sekretarit të përgjithshëm të NATO-s t'i tregojë opinionit publik maqedon se temës së përjetshme ballkanike, “heroizmit” dhe “tradhtisë”, mund t'i qasemi edhe në një mënyrë tjetër. Komuniteti ndërkombëtar gjatë gjithë kohës së krizës ka besuar që ndonjë Pavle Todorovski anonim diku mund të ekzistojë. Tani, më në fund, edhe e ka gjetur.
AIM Shkup, Zhelko BAJIQ