Kosova: Millosheviqi në Hagë
Prishtinë, 25.02.2002.
Faik Ramadani nga fshati Reçak i komunës së Shtimjes, rreth 20 kilometra në jug të Prishtinës, po priste me një ndjenjë të përzier fillimin e procesit gjyqësor kundër ish presidentit jugosllav, tash të akuzuar për krime lufte dhe gjenocid në hapësirat e ish Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq. Tek ecte nëpër rrugën kryesore të fshatit në hyrje të së cilës ishte vendosur një tabelë ku shkruante "Rruga William Walker", plaku 70 vjeçar po hidhte vështrimin mbi kodrinën ku janë varrezat e 45 shqiptarëve të ekzekutuar nga forcat e Millosheviqit, në mesin e të cilëve edhe tre djemtë e tij. Plaku kujton 15 janarin e vitit 1999 kur djemtë e tij janë marrë në shtëpi dhe më pas janë vrarë nga afërsia së bashku me 42 banorë të tjerë të këtij fshati. Këto vrasje u cilësuan atëbotë si krim kundër njerëzimit nga shefi i Misionit Vëzhgues të Organziatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, ambasadori amerikan William Walker. Masakra e Reçakut u pasua nga një fushatë e gjerë diplomatike që solli Konferencën e Rambouilletit e më pastaj edhe fushatën e bombardimeve të NATO-s, e cila u pasua nga fushata hakmarrëse e forcave të Sllobodan Millosheviqit.
12 shkurti i këtij viti pos që shënoi fillimin e gjykimit të atij që shqiptarët e quajnë "kasapi i Ballkanit" ishte njëkohësisht edhe ditë e ripërtëritjes së kujtimeve më të hidhura të shqiptarëve të Kosovës. Ata sërish numërojnë viktimat e "barbarive mesjetare", siç u shpreh kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Carla del Ponte. Reçaku, Izbica, Krusha e Madhe, Celina, janë disa nga emrat e vendeve nga vargu i gjatë i masakrave që kryen në Kosovë forcat e Sllobodan Millosheviqit. Rrëfimet e dëshmitarëve janë të tmerrshme. Ata flasin për ekzekutime të egra, tortura rrënqethëse, djegie kufomash, ndërsa ulin zërin dhe gati pëshpërisin kur përmendin një ndër plagët më të rënda të tyre, përdhunimet sistematike të grave e vajzave të reja nga trupat e Millosheviqit. Tash për tash disa gra kanë pranuar të dëshmojnë në Gjykatën e Hagës, por në statusin e "dëshmitareve të mbrojtura". Dalja e tyre haptazi në skenë do të ishte tepër e rëndë për mentalitetin kosovar.
Fillimi i gjykimit kundër Millosheviqit është njëfarë "lehtësimi" për kosovarët. Dëshmitarët e masakrave të tij pohojnë se "dënimi i tij nuk mund t'i ringjallë të afërmit e tyre, por mund të parandalojë përsëritjen e tragjedive të tilla". Por, ata thonë se kjo është e pamjaftueshme. "Sikur për çdo të vrarë të merrte nga një vit burg do të ishte e paktë", thotë Muharrem Hetemi, i cili ka mbijetuar masakrën e fshatit Izbicë të komunës së Skënderajt në Kosovën Qendrore, ku më 28 mars të vitit 1999 janë vrarë 146 veta, trupat e të cilëve më pastaj janë zhdukur nga forcat speciale të Millosheviqit. Atje duhet të shkojnë edhe ashkëpunëtorët e tij, pohojnë ata. Zejnullah Gruda, ekspert i të drejtës ndërkombëtare dhe anëtar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, thotë se "fatkeqësisht asnjëri prej bashkëpunëtorëve të tij nuk ka shkuar në Hagë, por, sidoqoftë, gjykimi i tij, si numër një, është shumë i rëndësishëm dhe besoj se do të jetë shumë më e lehtë puna me ata që janë në një hierarki më të ulët". Por, ky Këshill si dhe aktivistët tjerë të të drejtave të njeriut mendojnë se akuza kundër Millosheviqit nuk është e plotë. Në akuzë janë përfshirë vetëm 900 viktima të tij në Kosovë, ndërsa numri i të vrarëve gjatë konfliktit afro dyvjeçar arrin në mbi 12 mijë sish. Në akuzë janë përfshirë krimet që kanë ndodhur gjatë vitit 1999, ndërsa kanë mbetur jashtë saj masakrat e vitit 1998, përkatësisht ato pas 28 shkurtit të atij viti, kur edhe ka filluar konflikti i armatosur në Kosovë. Fillimi i luftës kishte shënuar dy masakra të mëdha në fshatrat Likoshan, Qirez e Prekaz të rajonit të Drenicës në Kosovën Qendore, ku kanë pësuar të paktën 70 civilë shqiptarë. Jashtë akuzës kanë mbetur edhe vrasje të tjera të shumta për të cilat veprimtarët e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut pohojnë se do të mund të përfshihen gjatë procesit gjyqësor, i cili mund të zgjasë me vite.
Sidoqoftë, fjala më e shpeshtë e përmendur këto ditë në Kosovë (krahas atyre si: akuza, masakra, vrasje e përdhunime) është fjala drejtësi! A është ajo vërtet e tillë? Procesi gjyqësor kundër Milloshevqit ka filluar me vonesë të madhe, shumë vjet pas përfundimit të konfliktit në Kroaci, gjenocidit në Bosnjë dhe së fundi luftës në Kosovë, dhe kjo "domosdo i zbeh efektet e tij, nëse procedura zvarritet tej mase", thotë profesor Gruda. "Personalisht, unë mendoj se kjo nuk është e drejtë, nëse kihet parasysh një thënie amerikane: 'Drejtësia e vonshme është mohim i drejtësisë'". Por, shefi i zyrës së vendit prej nga ka rrjedh kjo fjalë e urtë, ambasadori amerikan John Menzies, thotë se "drejtësia e vërtetë kurrë nuk do të vihet në vend". Sipas tij, është e pamundur të kapen dhe të vihen para gjyqit të gjithë ata kryes të krimeve që ndoqën urdhërat e Millosheviqit. "Ta shohësh atë në gjyq, ta shohësh se si kthehet në qelinë e tij, ta shohësh nën roje se si përpiqet të shpjegojë ideologjinë e tij nacionaliste dhe me urrejtje etnike, secilit prej nesh duhet t'i japë kënaqësi të madhe”. Fundja, sipas zotit Menzies, tash në gjyq është "peshku i madh, Millosheviq".
I cilësuar si gjyqi i shekullit nga partitë politike shqiptare, procesi kundër Milloshevqit, sipas tyre, shënon fillimin e vënies së drejtësisë së mirëfilltë. Sipas tyre "edhe pse dënimi që do t'i jepet Millosheviqit nuk do të jetë adekuat për krimet që ka kryer, kjo do të jetë një satisfaksion i konsiderueshëm për të gjithë, jo vetëm në Kosovë". Por, ajo që për shqiptarët mbetet e diskutueshme është çështja e fajit. A është vetëm Millosheviqi fajtori kryesor dhe pse nuk ngulet këmbë në "denacifikimin e Serbisë". I sapoliruari nga burgu ku është mbajtur për gati tre vjet, Albin Kurti, ish lider studentor, thotë se "Millosheviqi nuk do të ngjante pa krimet, por krimet do të ndodhnin edhe pa Millosheviqin". Botuesi dhe publicisti kosovar, Veton Surroi, thekson se "Millosheviqi është fajtor për operacionalizimin e idesë së Serbisë së Madhe, por në ngritjen e kësaj ideje mori pjesë shumica e shoqërisë serbe, prej institucioneve çfarë ishin Akademia e Shkencave dhe Arteve së bashku me Universitetin, ushtria, Kisha Orthodokse Serbe e deri te qytetari i rëndomtë që bërtiste nëpër mitingje 'duam armë'”. Dhe, sipas tij, me fillimin e gjykimit kundër Millosheviqit do të dalë në pah edhe "përgjegjësia e popullit serb për gjenerimin e fashizmit në radhët e veta".
Sidoqoftë, Haga pritet të jetë rrugë nëpër të cilën do të ecin së bashku, në mënyrë paradoksale, xhelati dhe viktimat e tij. Prokurorja e Tribunalit ka futur në listat e saj të dëshmitarëve emrat e 90 personave nga Kosova që do të dëshmojnë për të bërat e të pabërat e Millosheviqit. Listat natyrisht nuk janë bërë publike, por tashmë kanë filluar spekulimet dhe pohimet rreth tyre. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova, tha se do të jetë një prej dëshmitarëve, ndërsa dëshminë e tij tashmë e ka përfunduar ish lideri komunist i Kosovës, Mahmut Bakalli. Pritet që në cilësinë e dëshmitarit të dalin edhe figura të tjera politike e deri te viktimat e drejtpërdrejta të mizorive të forcave serbe. Secili prej tyre merr me vete bagazhin e rëndë të kujtimeve të hidhura të tragjedisë së tyre. Vrasje, prerje gjymtyrësh, dhunime sistematike djegie dhe zhdukje kufomash dhe dëbime masive. Mbi 800 mijë shqiptarë u ndoqën nga shtëpitë e tyre, 3 mijë syresh llogariten të zhdukur, mijëra sish u dërguan në burgjet serbe (edhe më tej kanë mbetur afro 200 veta). Dëmet e luftës janë të pallogaritshme dhe tash për tash as që kanë hyrë në rend dite. "Janë shumë dhembje për t'u shpaguar vetëm me dënimin e një njeriu", tha Sherife Smajli nga fshati Reçak, e rrethuar nga një mori nipash që kanë mbetur bonjakë, pasi forcat serbe i vranë të shoqin dhe dy djemtë e saj.
AIM Prishtinë, Besnik BALA