Vukovar:

Zagreb Feb 25, 2002

**Ndasitë nacionale fillojnë në kopsht

AIM Zagreb, 18.2.2002.

Kah fundi i janarit u hap kopshti i renovuar i Vukovarit - Qendra, ku 150 kalamaj të atjeshëm hyjnë për çdo mëngjes nëpër derën kryesore dhe vetëm pas disa hapave të përbashkët ndahen në dy grupime, ku secili niset në drejtimin e vetë. Kroatët e vegjël janë ndarë në pjesën e majtë të ndërtesës, kurse serbët e vegjël në pjesën e djathtë. Ashtu janë ndarë edhe edukatoret dhe drejtorët e tyre. Në kopsht është e përbashkët vetëm dera e hyrjes dhe kulmi i përmbi, gjithçka tjetër është e ndarë. Në këtë qytet gjithçka tjetër është reptësisht e ndarë. Në Vukovar dihet saktësisht se cila kafene është serbe dhe cila kroate, cili dyqan e ka pronarin kroat e cili serb; dihet se kush e dëgjon Radio Dunavin dhe kush Radio Vukovarin kroat, në shkollat fillore klasat janë të ndara në serbe dhe kroate, dihet kush përshëndetet me "çao", e kush me "bog".

Kësaj ndarjeje të thellë vukovarase tani iu bashkangjit edhe kopshti Qendër, a nuk erdhi deri tek ndarja e repartit fëmijëror në spitalin e Vukovarit, me çka gjatë ditëve të fundit, ndërlidhur me reformat në shëndetësi, qarkullon rrëfimi se ka mbetur pa u ndarë vetëm reparti i lindjes, që serbët dhe kroatët edhe gjatë daljes në këtë botë të mos mund të takohen në të njëjtën hapësirë.

Vetëm faktit se kalamajtë kroat dhe serb shkojnë në të njëjtin kopsht, pa marrë parasyshë se aty janë reptësisht të ndarë dhe nuk kanë kurfarë mundësie për kontakt dhe komunikim, nuk kaloi pa tronditje. Një pjesë e prindërve të fërmijëve kroat nënshkruan peticion, kurse paralajmërojnë edhe protesta para kopshtit, nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre. Konfuze për nga përmbajtja dhe kontraverse për nga kërkesat, peticioni kërkon që në gjithë çerdhen të punohet sipas programit kroat dhe të flitet gjuha kroate, kurse një pjesë e prindërve assesi nuk duan që fëmijët e tyre të shkojnë në të njëjtin kopsht ku shkojnë edhe serbët e vegjël. Vukovari kështu gjendet në pragun e realitetit të Irlandës Veriore, ku animoziteti tragjik rëndon edhe mbi supet e fëmijëve.

Kryetari lokal i Partisë Kroate të Drejtësisë demonstrativisht e çregjistroi fëmiun e tij nga çerdhja, në shenjë proteste ndaj pushtetit lokal që ka toleruar këtë gjendje, gjithashtu dha edhe dorëheqje nga vendi i anëtarit të Këshillit të Qytetit. Një pjesë e prindërve paralajmëruan veprim të ngjashëm, por tani për tani fëmijët nuk i dërgojnë në çerdhe edhe pse ende nuk i kanë çregjistruar.

  • Nuk ekziston kurfarë "programi serb" në çerdhe. Punohet vetëm me një program, atë kroat, kurse dallimi është se ne flasin serbisht. Por fëmijët detyrimisht, çdo ditë, në dy grupe, flasin kroatisht nga dy orë në ditë. Këtë pëlqim e ka dhënë Ministria e arsimit dhe ne e zbatojmë gjatë regjistrimit tonë. Kjo për ne është ligj - thotë drejtorja e pjesës serbe të çerdhes, Slavka Loncar.

Ashtu pohon edhe Hilda Marija Devçiq, drejtore e pjesës kroate të çerdhes, duke shtuar se fëmijët janë të ndarë dhe nuk kanë kurfarë mundësie për kontakt të përbashkët: - Edhe njëra edhe çerdhja tjetër realizon programin kroat, vetëm se dallon gjuha. Ne realizojmë programin kroat në gjuhën kroate, kurse në pjesën tjetër janë fëmijët e nacionalitetit serb, ku realizohet programi kroat në gjuhën serbe, gjuhën e pakicës kombëtare.

Në Vukovar edhe pas katër vitesh pas përfundimit të reintegrimit të qetë të këtij rajoni në rendin kushtetues - juridik të Republikës së Kroacisë (reintegrimi u përfundoi më 15 janar të vitit 1998 pas një periudhe dyvjeçare të udhëheqësisë kalimtare të OKB-së) asgjë nuk ka ndryshuar për sa i përket mirëbesimit ndërnacional. Kroatët dhe serbët tani janë gati të barazuar për nga numri, jetojnë njëri pranë tjetrit, paralelisht ndërtojnë dy botëra të ndara.

Zhupania e Vukovarit dhe Sremit është e vetmja ku në zgjedhjet e fillimvitit 2000 fitoi HDZ (Bashkësia Demokratike Kroate). Në krye të qytetit mbeti i njëjti prefekt, Vladimir Shtengl, i njohur për nga deklaratat jo aq tolerante për sa i përket bashkëjetesës ndërmjet kroatëve dhe serbëve. Kur më 18 nëntora të vitit të kaluar, u mbajt parakalimi i madh nga spitali i Vukovarit deri tek Varri Memorial në periferi, ku janë varrosur viktimat kroate të rënë në mbrojtje të Vukovarit, u festua dhjetëvjetori i rënies së këtij qyteti, prefekti Shtengl u bëri thirrje serbëve të atjeshëm të qëndronin në shtëpitë e tyre dhe t'i lenin kroatët që vetë ta shënonin këtë ditë.

Shtengl sikur deshti t'i pengonte dhe sikur nuk iu përgjigj që në kolonë në shenjë përkujtimi për vrasjen e 200 mbrojtësve kroat - të plagosur nga spitali i Vukovarit, të likuiduar në fermën bujqësore Ovcara, ku ishin ekzekutuar nga formacionet paraushtarake serbe - të shfaqej ndonjë serb, që do të ballafaqohej me ndonjë nga familjet e viktimave të këtij krimi të tmerrshëm.

  • Për serbët nuk ka vend në kolonën përkujtimore ndaj viktimave të Vukovarit, madje edhe sikur të vijnë - përsëriti prefekti Shtengl para disa ditësh në një intervistë për "Novi Listin" e Rijekës. Ai sikur kishte frikë nga përsëritja e gjestit të vitit të kaluar, kur Rade Leskovac, serb i Vukovarit, kryetar i Partisë së vogël të serbëve të Podunavës, me disa kolegë të tij partiak vendosi kurorë në varrin e mbrojtësve kroat, me rastin e rënies së Vukovarit.

Mënyra se si mendon Shtengl, tregon edhe qëndrimin e tij rreth kërkesave të pakicës serbe që në Gjimnazin e Vukovarit, i renovuar para disa kohësh, të ekzistojnë klasë të veçanta për nxënësit serb. "Te kroatët ekziston qëndrim i fortë se disa gjëra megjithatë nuk mund të tejkalohen, prandaj edhe kjo me Gjimnazin që e rrënuan serbët, ku nuk mund të ketë klasë serbe. Kanë të drejtë për arsim në gjuhën e tyre, por kjo do të ishte e tepërt." Shtengl, pra, jo vetëm që sillet vetëm si prefekt i vukovarasve të nacionalitetit kroat, por aspak nuk dëshiron që të individualizojë fajin për shkatërrimin e Vukovarit, por konsideron se ky krim duhet t'u rrëndojë të gjithë serbëve, përfshirë edhe gjimnazistët e tanishëm, të cilët gjatë kohës së luftës ishin ende fëmijë të moshës parashkollore.

Vukovari e paguan me çmim të lartë politikën e ekskluziviteteve kombëtare, jotolerancës, madje edhe nxitjen e intolerancës. Bashkësia ndërkombëtare është mjaft e përmbajtur për sa i përket dhënies së ndihmës për rindërtimin e këtij qyteti, e vetëdijshme se atje nuk ekziston vullneti politik që e ardhmja e Vukovarit dhe rrethit të tij të gjërë të ndërtohet në bazë të principeve të multietnicitetit, tolerancës së ndërsjelltë dhe faljes politike.

Çerdhja e përmendur nga fillimi i këtij rrëfimi dhe gjimnazi, janë rindërtuar me të hollat e dy zhupanive kroate, me mundime mjaft të mëdha, pasi kishte hyrë triumfalisht në Vukovar kryetari i ndjerë kroat Franjo Tugjman, gjatë paqës së arritur në Vllakë në qershor të vitit 1997, që nga koha e procesit të eintegrimit. Në atmosferë kremtuese dhe me një stërzmadhim të paparë që e shoqëroi vizitën e Tugjmanit në disa rajone të okupuara, kur me shampanjë u arrit marrëveshja që çdo zhupani kroate të rindërtojë nga një objekt vital, me funksionimin e të cilit do të normalizohej jeta në Vukovar, të mundësohej kthimi i të shpërngulurve dhe shpejtimi i procesit të rindërtimit. Edhe pse duhej që për një kohë të shkurtër të rindërtoheshin këto objekte, shkaku i mungesës së parave kjo u vonua, prandaj çerdhja dhe gjimnazi i përmendur u ndërtuan vetëm para disa javësh, gjegjësisht disa muajsh. Por pjesa tjetër e paraparë për tu rindërtuarr sipas marrëveshjes nuk është përfunduar as sot e kësaj dite.

Vukovari edhe mëtej rrotullohet në qarkun e ndarjeve të veta, ku rindërtimi mezi ndodh, ku papunësia, edhe ashtu shqetësuese në pjesët tjera të Kroacisë, është dyfish më e madhe, aty nuk ka projekte serioze për ripërtrirjen e ekonomisë - aty përparojnë vetëm dy gjëra: ndarjet gjithnjë më të mëdha ndërnacionale dhe venitja e shpresës së përgjithshme për një jetë të ardhshme normale.

DRAGAN HEDL