Kohë për ata që nuk kanë "njollë në faculetë "

Sarajevo Feb 25, 2002

Intervistë me profesorin Zdravko Grebon

AIM, Sarajevë, 18.02.2002.

Profesori sarajevas Zdravko Grebo, sipas të gjitha gjasave, nuk do të paraqitet si kandidat i pavarur apo si udhëheqë i ndonjë partie politike në zgjedhjet e tetorit edhe pse nxiti interesimin e të tjerëve pas deklaratës se do të formonte parti.

Tani kur zgjedhjet në BeH dihet se do të mbahen më 5 tetor, dhe derisa po kalon koha për paraqitjen e partive dhe koalicioneve, gazetari i AIM-it bisedoi me Dr. Grebon, intelektualin e pavarur, i pranishëm në opinionin publik dhe diku afër skenës politike, ku ndonjëherë ka më shumë e ndonjëherë më pak ndikim.

AIM: Pra, do të formoni parti politike apo jo?

GREBO: Kurrë mos thuaj kurrë, por sigurisht se deri tek kjo nuk do të vijë. Unë jam fajtor për mosprecizitetin e asaj deklarate. Këtë e kam thënë në një intervistë tjetër, por duke dashur të them diçka tjetër - se është koha për t'u angazhuar, sepse energji tjetër e madhe në gjithë BeH kërkon që njerëzit të vetëdijësohen. Bëhet fjalë për pozicionin për të cilin flasin kolegët e mi - flas për ata që flasin, kurse shumica nuk flasin. Rrijnë të heshtur në kullat e tyre të fildishta - pra ruajjnë pozitën e intelektualit të pavarur, e kjo është më mirë se sa asgjë, por kjo nuk të obligon. Mundësia e dytë, që gjithashtu e kam kaluar, është angazhimi në të ashtuquajturat organizata joqeveritare, qoftë nëse është fjala për të drejtat e njeriut, barabarësinë e gjinive etj. Por, jam i mendimit se ka ardhur koha që njeriu patjetër të ballfaqohet me përgjegjësinë e vetë, sepse nëse punoni në sektorin joqeveritar - që mund jetë edhe shitje e gënjeshtrave të larmishme për të fituar mjete nga fondacione të ndryshme - këtu asnjëherë nuk ballafaqoheni me rrezikun e vërtetë. Prandaj mendoj se përgjegjësia e njëmendtë është kur njeriu angazhohet drejtpërdrejtë në politikë, edhe pse nuk është një profesion aq i këndshëm, por kjo atëherë do të thotë "kush cilin - e godet në këmbë ", dhe kush fiton, ai është edhe fitues. Natyrisht, edhe ju pranoni goditje në këtë luftë, por mendoj se nevojat politike, sociale dhe kulturore janë të mëdhaja. Jetojmë në kohëra shumë të vështira, numër i madh njerëzish në gjithë BeH jetojnë në mjerim, institucionet nuk funksionojnë, Parlamenti dhe Qeveria gjithashtu, gjykata, sistemi arsimor është në nivel të ulët, prandaj beteja politika është e domosdoshme. Megjithatë, kjo është një hyrje shumë e gjatë për një pyetje mjaft konkrete, se athua pikërisht UNË duhet të formojë partinë TIME politike. Shpresoj se njerëzit do të dijnë ta lexojnë drejtë këtë pjesë të përgjigjes sime. Kemi një koncentrim të madh të narcisoidëve në elitën politike në BeH, prandaj, kur unë them se do të formoj partinë time politike, kjo do të thotë se vetveten e konsideroj si vlerë nacionale etj. Por, unë jam i gatshëm të pranoj angazhim politik. Përndryshe, dy herë kam marrë pjesë në zgjedhje, herën e parë në Listën e Përbashkët (1996) si i fundit në listë, dhe kjo qëllimisht, kurse herën e dytë si kandidat i pavarur (1998). Prandaj unë e di se çdo të thotë të angazhohesh politikisht dhe e pëlqej këtë gjë, por a dua që të formoj parti politike, kjo para së gjithash varet nga shumë gjëra. Që të gjendem në skenën politike ose të sillem përqark si maca rreth pjatës së nxehtë, që të jem anëtar i ndonjë partie ose anëtar i udhëheqësisë së ngushtë, apo, mos o zot, lider i ndonjë partie politike, kjo nënkupton mijëra gjëra tjera që nuk bëjnë pjesë as në strategjinë politike, as morale. Këtu janë fondet, infrastuktura, njerëzit në terren, hapësirat dhe kjo është një punë mjaft serioze dhe, në fund të fundit, kjo nuk do të ndodh përderisa nuk jam i sigurtë, madje edhe tani e di se disa njerëz, me të cilët do të doja me kënaqësi të ndaja këtë luftë politike, është papërgjegjësi që t'i ftoj në këtë aksion kur nuk janë të siguruara paratë, hapësirat, automobilat. Nuk është e mjaftueshme të jesh i mençur dhe i bukur dhe të qëndrosh në studion televizive dhe kohë pas kohe të thuash diçka, por nëse dëshironi që të merreni me politikë, atëherë është e domosdoshme që të shkelësh me këmbën tënde kudo në këtë tokë dhe t'u sqarohesh njerëzve personalisht. Kjo është një punë mjaft serioze ku nuk mund të sillesh me papërgjegjësi.

AIM: A do t'i bashkangjiteshit ndonjë partie politike? Një kohë u angazhuat aktivisht në raundin e parë të bisedimeve të dështuara për bashkimin e Unionit boshnjako - hercegovinas me PSD e atëhershme të BeH.

GREBO: Edhe kjo është një e kaluar e hidhur. Atëherë unë dhe disa njerëz tjerë u angazhuam seriozisht që në atë kohë, tashmë e largët - sepse këtu gjithçka është e shpejtë për sa i përket prodhimit të historisë prandaj edhe vitet janë të parëndësishme - të kontribuonim në bashkimin e tyre. Edhe nëse ju kujtohet, kurse unë kujtohem sepse angazhimi im gjithnjë ka lënë ndonjë gjurmë në tru dhe zemër, ashtu siç jam ndarë mjaft vështirë me Lidhjen Komuniste ose me ata në kongresin famoz ku më hodhën nga gjithçka, ndaj dëshirës sonë të sinqertë që të krijohet ai blok i majtë, ku vërtet nuk kisha kurfarë "hile" (këtë term Grebo e sqaron, duke dashur të tregojë se është nga Mostari) u paraqitën komentet se me Zhelko Ivankoviqin, Vehid Shehiqin dhe disa njerëz të tjerë, këtu disa manipulantë, se dëshiruakemi diçka të çuditshme dhe prej këtu dështoi ky tentim. Pas kësaj erdhi deri tek bashkimi. Pra kur ata vendosën dhe kur u ujdisën me të vërtetë, në funksione dhe në gjithçka tjetër, atëherë u bashkuan. Njeriu ka disa kufi të vetërespektimit moral. Por, edhe atëherë kam simpatizuar, edhe sot simpatizoj ata që atëherë ishin në opozitë, kurse tani janë në pushtet. Gjegjësisht jam më afër këtij opcioni, por disa gjëra nuk dua që t'i harroj, t'i fal. Mendoj se nuk është e këndshme këtë që e them, por ky bilans i dobët i pushtetit të ri është dëshmi se megjithatë kam pasur të drejtë, sepse edhe partia e re e formuar, edhe Aleanca e formuar, njerëzve u dha shpresë. Më poshtë nuk kishte ku të shkohej. Edhe bashkësia ndërkombëtare qëndroi mirë pas këtyre ndryshimeve. Megjithatë nuk ishim dëshmitar të ndonjë ndryshimi radikal. Prandaj, nuk jam i gatshëm që t'i bashkangjitem asnjë opcioni ekzistues politik. Natyrisht, këto që bëjnë pjesë në grupimin nacionalist, popullor, asnjëherë nuk kanë qenë në rrafshin e shijes sime, një grup i tërësishëm folklorik i partive të vogla që bëjnë lëmsh diçka dhe që ekzistojnë vetëm se liderët e tyre japin deklarata nëpër konferenca për shtyp, këto gjithashtu nuk bëjnë pjesë në zgjedhjen time, sepse mundem edhe pa to. Kurse blloku i tretë, ai i madhi, ende nuk i ka fituar simpatitë e mia e as unë të tyre. Pra, ky kurorëzim nuk më intereson, ndërkaq dashuri nuk ka ende.

AIM: Cilat janë lëshimet më të mëdha të pushtetit të ri apo aktual?

GREBO: Nuk është e hijshme që të komentohen këto gjëra - sepse më pas edhe juve do t'ju pyesin që të sqaroni atë që keni thënë. Nuk është e vështirë që nga "minderi" të komentoni lëshimet e pushtetit, sepse gjithmonë eziston kjo: bëj diçka edhe vetë. Me gjithë druajtjen e caktuar, sepse e di që secili punon diçka në BeH, kush tenton për diçka, nuk e ka edhe aq të lehtë, megjithatë nëse më takoni në rrugë si qyetarin e thjeshtë Zdravko Grebo dhe të më anketoni unë do të thoja se lëshimi themelor, pa mos hyrë në detaje, është mungesa e guximit. E di se është e vështirë që të ndërrohen prirjet brenda natës, të ndërrohen pozicionet e krijuar përgjatë dhjetë vjetëve, fuqia, paratë mafia nëse doni, por kjo është e rrezikshme dhe këtij rreziku doemos duhet t'i hyhet. Pushteti i ri premtoi se do ta luftonte shumë rigorozisht korupsionin, miton, profiterët etj., por druaj se këtë nuk e ka bërë. Së dyti, premtoi se në rast se kjo është e mundshme do të ndryshonte gjendjen katastrofale sociale - do të ripërtrinte prodhimtarinë, do të hapte vende të reja të punës dhe do të krijonte hapësirën për punë të ndershme, që të mund të jetohet pa donacione apo mëshirë dhe të mos flas për atë që kjo qeveri nuk është fajtore, moskthimi ose kthimi i ngathtë në vendlindje, dhe mjaft gjëra të tjera. Sërish me një druajtje, sikur të isha unë dikush për pesë minuta a do të kisha mundur të ndryshoja botën, nuk e di, me siguri nuk është e lehtë, secili i jap gjithçka dhe po të mundja t'u jepja edhe më shumë do të doja ta bëja edhe këtë. Dhe sikur të mundja të rezymoja, kjo do të ishte një mungesë kurajoje dhe njëfarë taktizimi me ato forca, me ato qendra vendosëse që kishin premtuar se t'i shfuqizonin posa të vinin në pushtet. Këtë nuk e bënë.

AIM: A mendoni se ka kohë për këtë, sepse gjithnjë përmendin kohën, mandatin e shkurtër si faktor vështirësues?

GREBO: Nuk ka këtu kohë, kjo është lojë rreth principeve. Natyrisht, për ndryshime të mëdha strukturore duhet kohë, pikërisht për këtë lloj ndryshimi për të cilin dikush thotë 'ne kemi vizion, për këtë vizion kemi program, kurse për programin na duhen kësi apo asi njerëzish' sepse secili di diçka - dikush telekomunikacion, dikush teatër, e dikush universitet. Madje unë do të shkoja aq larg, që pa marrë parasyshë përkatësinë partiake të vendosen aty njerëzit që e njohin punën dhe mund të bashkëpunohet me to, kurse për këtë nuk duhen mijëra vjet, mund të bëhet brenda natës, vetëm nëse dëshironi.

AIM: Si e komentoni procesin e tanishëm rreth ndryshimeve kushtetuese në BeH, gërshetimin e kushtetutave të entiteteve në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të BeH?

GREBO: Kjo çështje, ky pajtim është i vështirë dhe do të isha shumë i lumtur sikur të mos ishte hapur asnjëherë, që BeH të ishte një shtet normal demokratik. Megjithatë, flasim për dy eksperienca të dhimbshme: në rend të parë lufta dhe ja kemi festuar shtatëvjetorin e Marrëveshjes së Dejtonit kurse gjërat përgjatë këtyre viteve, të ashtuquajtur të paqes, sepse së paku nuk vritemi, nuk kanë ndryshuar shumë; kurse çështja e dytë është se kur filloi ky proces koincidoi edhe me një proces të dhimbshëm që shtoi edhe më peshën e detyrave që duhej të zgjidheshin, e ky është "procesi i tranzicionit", siç quhet me këtë emër popullor, dhe ndërrimi i një sistemi me sistemin tjetër - sistemin e pronës, shumëpartiak, një koncept absolutisht tjetër për organizimin e shtetit. Mendoj se ky proces deri tani është dashur të kryhej - edhe pse unë asnjëherë nuk kam qenë i dashuruar ndaj termit të konstitutivitetit të popujve, por kjo është gjendja në këtë shtet, që tri grupe etnike të jenë konstitutiv, por me këtë rast harrojmë pakicat kombëtare - që vendimi i kontuitivitetit të tri popujve në gjithë territorin e BeH të zbatohet me të gjitha konsekuencat. Por, mendoj se bëhet fjalë për një gjysmë hapi dhe një ditë, shpresoj, do të jetë shumë më e rëndësishme se a jam unë i pasur apo i varfër, i ri apo plak, mashkull apo femër, pra gjitha gjërat tjera që në vendet tjera paraqesin bazën për formimin e spektrit politik. Tani për tani ky është realiteti ynë, që lufta edhe më e thelloi dhe e ashpërsoi, prandaj doemos duhet pasur parasyshë principin etnik, edhe pse unë nuk jam i lumtur për këtë dhe mu për këtë nuk kam votuar as në kohërat më të vështira. Por në semafor tregohen rezultatet dhe e dijmë se me cilin jetojmë. Por shpresa ime e heshtur, duke mos mohuar legjitimitetin dhe interesin që të jetë në skenë edhe në aspektin nacional dhe religjioz, por edhe rajonal, është se mbase në zgjedhjet e ardhshme nuk do të vijë në pyetje që këto interesa të mos jenë të garantuar, thjesht, në ato organe ku do të kemi mundësinë të votojmë në zgjedhje, të zgjedhim njerëz të ri. Mund të jenë në të njëjtat parti politike, por me një mentalitet të ri politik, me një kulturë të re politike, njerëz që do të thonë: 'prirem drejt të drejtave të mia gjuhësore ose religjioze, arsimore, mediale, por duhet të bashkëpunojmë. Asnjëherë nuk duhet të gënjehemi se duhemi, nëse kjo ka qenë gënjeshtër, mbase edhe nuk duhemi, mbase edhe kjo është gënjeshtër, por doemos duhet të jemi të vetëdijshëm se kjo nuk është arsye që të vritemi njëri me tjetrin dhe së dyti - që këtë vend duhet ta ndajmë së bashku, sepse u takon gjithë banorëve të tij, e nëse assesi nuk mund të jetojmë sëbashku, atëherë mund të jetojmë njëri pranë tjetrit, duke e kuptuar se ekzistojnë shumë çështje më të rëndësishme, së pari ekonomia, sigurimi social, shëndetësia, arsimi. Shumë punë tjera që nuk kanë kurfarë lidhje se a jam unë boshnjak apo kroat. Mendoj se ndryshimet kushtetuese duhet të bëhen në këtë drejtim. Unë shpresoj se gjërat do të lëvizin në drejtimin e duhur - se do të kemi një klasë të re politikanësh. Të kthehem në fillim, në këtë kontekst unë e konsideroj veten si njeri që ka kaluar pak zenitin e vet - jam 55 vjeçar. Prandaj, duhen njerëz të ri, me energji të re, me fuqi të re, pa savurrë sepse secili që është mbërthyer këtu ka lënë ndonjë njollë në faculetë. Prandaj duhen njerëz të ri, kompetent, të zgjuar, që edhe sipas përkufizimit u takon e ardhmja, edhe profesionale, por edhe biologjike. Të rinjtë të jenë larg skandaleve politike nga e kaluara, dhe për këtë kanë motiv: personal dhe profesional.

AIM: Nëse nuk formoni parti, a dëshironi që edhe mëtej, thënë kushtimisht, të jeni një "pikë referente"?

GREBO: Natyrisht se dua, por do të thoja, kur do të gjendej një masë kritike e të rinjve të arsimuar, të papërlyer, e kjo nuk është pozë, nuk do të isha njeri mesatar dhe do të isha i gatshëm të isha aty diku, përreth, prapa. Kur keni një rini rreth vetes, e cila është e pastër, e zgjuar, dhe nëse mundeni t'u ndihmoni, atëherë këtu e shoh edhe kuptimin e jetës dhe karierës sime, deri në çastin kur "do të jem i vdekur dhe i bardhë".

RUBIN CENGIÇ