Privatizohen doganat bullgare

Sofia Feb 25, 2002

Për shkak të marrëveshjes me kompaninë britanike KRAUN EJXHENTS Sofja humb 11,3 milionë euro për tri projekte të programit FAR

AIM Sofje, 08.02.2002.

Në vitet e fundit doganat bullgare nisën të duken si djath zviceran nëpër birat e së cilit kaluan milionë dollarë kontrabantë, pa doganë të paguar. Shkaku i korrupcionit të paparë në shtet u krijua besimi se pa ndonjë dorë të fuqishme nga jashtë nuk do të ketë rend në kufi. Prandaj kur filloi të flitet për ardhjen e të huajve për të drejtuar doganat shumica thanë: Ju lumtë, ishte koha e fundit.

Natyrisht kishte edhe nga ata që reaguan negativisht për sa i përket inkuadrimit në sistemin doganor të agjencionit anglez "Kraun ejxhents". Megjithatë, zërat e tyre humbën në korin e përgjithshëm, i cili e miratoi një vendim të këtillë, edhe pse FMN-ja dhe institucioneve tjera finansiare ndërkombëtare ishin të rezervuar.

E themeluar në vitin 1833 kompania THE CROWN AGENTS FOR OVERSEA GOVERNMENTS AND ADMINISTRATIONS LIMITED paraqet një shoqëri private aksionare që merret me shërbime në tregtinë ndërkombëtare, furnizim, finansim dhe zhvillim institucional. Ende është herët të vërtetohet se si do të jetë efekti i punës së kësaj kompanie. Në ish-republikën sovjetike të Letonisë, të themi, anglezët kanë shtuar 30 përqind të të hyrave doganore.

Megjithatë, edhe marrëveshja legjitime e arritur në 29 nëntor të vitit 2001 me ministrinë bullgare të finansave është shkak i mjaftueshëm për drojtje që sërish një kompani private të pasurohet në llogari të shtetit dhe atë me pëlqim të zyrtarëve të lartë shtetëror, por edhe të të obliguarve tatimor.

Më skandaloze është në këtë rast se praktikisht dogana bullgare jep 40 përqind nga buxheti i të hyrave për një kompani të huaj private e cila është zgjedhur pa kurfarë konkursi të shpallur. Marrëveshja trevjeçare është firmosur nga ministri i finansave Milen Velçev dhe "Kraun ejxhents", kurse kabineti e kishte autorizuar ta parafinonte. Vendimi ishte sjellur në një seancë të mbyllur të qeverisë.

Nuk është aspak e rastësishme që kjo marrëveshje është e mbështjellur me vellon e fshehtësisë. "Kushtet dhe marrëveshja janë arritur si rezultat i negociatave të drejtpërdrejta në interes të sigurisë kombëtare të vendit", sqaruan në ministrinë e finansave. Kjo ndodhi pa një zgjedhje të hapur në përputhje me Ligjin për pronën publike (përndryshe ky ligj nuk vlen kur është fjala për pronën shoqërore dhe që ka të bëjë me sigurinë nacionale të vendit, që paraqet fshehtësi shtetërore). Megjithatë nuk është e qartë se ku saktësisht shkruhet në ligj se doganat janë element i sigurisë kombëtare. Për më tepër, nëse është kështu, atëherë përse i jepet një firme të jashtme private?

Vlera e përgjithshme e marrëveshjes është 10.830.005 funta britanike. Sipas komunikatës zyrtare të ministrisë së finansave nga nëntori i vitit të kaluar kjo vlerë është 8.132.000 funta. Ministri Velçev sqaroi se ky ndryshim ishte si pasojë e tatimit që "Kraun ejxhents" duhet t'i paguajë Bullgarisë dhe që i merr shteti - që është praktikë në botë.

Dhjetë përqind e shumës, sipas marrëveshjes, i është pranuar me avans "Kraun ejxhents", pranoi Velçev. Kjo është 1.083.000 funta. Paratë tjera

  • 9.747.006 funta paguhen në këste mujore - nga 270.750.17 funta për çdo muaj. Xhelozia i kaploi të gjithë, madje edhe zyrtarët më të paguar bullgar kur morën vesh se si do të jetë honorari i shefit të Këshilli të ri të reformave doganore Moris Kemblit - 27.777 eura për çdo muaj. Lehtë mund të llogaritet se për tre vjet duhet që të fitojë 1.37 milionë euro. Rroga e tanishme e shefit të doganave Emil Dimitrovit është 747 leva/DM.

A ekziston ndonjë garancë se të hollat që do t'i marrin britanikët nuk do të hudhen në erë. Aspak! Në marrëveshje konsulting shërbimet janë përshkruar në përgjithësi dhe të pa detajizuara. Nuk ka tregues sipas të cilëve mund të vlerësohet puna e tyre. Ministria e finansave madje nuk mund të pretendojë që "Kraun ejxhents" punon keq sepse nuk ka bazë sipas të cilës do të bëhej kjo analizë. Të themi, në marrëveshje nuk është potencuar se çfarë shtimi të të hyrave priten në vitin e parë, dytë apo të tretë. Edhe më keq, në marrëveshje është paraparë që të gjitha çështjet kontestuese të zgjidhen sipas ligjit britanik.

Marrëveshja me të vërtetë është pa precedan. Megjithatë, ka edhe diçka tjetër: ajo vë purteka në procesit të integrimit të Bullgarisë në BE. Për të Sofja nuk plotëson obligimet për të garantuar sigurinë e kufijve të jashtëm të BE-së. Çka paraqet kjo? Dogana do të duhet të punojë me softuerin e tyre për statistika doganore - TIMS. Kështu i jepet fund sistemit integrues informativ doganor të Bullgarisë. Kjo i krijon problem Brukselit sepse sistemi TIMS nuk punon në asnjë vende tjetër evropian - atje shfrytëzohet programi OUN "Asikuda".

Rezultati i angazhimit të "Kraun ejxhents" nga ana e Sofjes ishte që Brukseli të ngrinte negociatat mbi inkudrimin në BE në 4 kapituj. Plotësisht janë ndërprerë negociatat në kapitullin numër 10 - Politika tatimore dhe numër 25 - Unioni doganor. Në kapitullin 24 - Gjyqësia dhe punët e brendshme të Bullgarisë do të ketë probleme të mëdha, kurse kapitulli 29 - Buxheti dhe finansat nuk do të hapet.

Me këtë marrëveshje Bullgaria nuk plotëson në mënyrë kategorike kriterin e "kapacitetit administrativ" për pranimin e jurispondencës eropiane. Sipas burimeve nga Brukseli ky kriterium kërkon prani të administratës dhe nëpunësve që mund të pranojnë ligjet evropiane. Sipas këtyre kriteriumeve Komisioni evropian vlerëson gatishmërinë e kandidatëve.

Sipas Eurokomisionit do të bllokohen paratë për tre projekte sipas programit FAR: Kontrolli kufitar dhe i brendshëm, Kompjuterizimi dhe lidhjet sistemore dhe Ndërtimi i rrjetit të laboratorit doganor në vlerë të përgjithshme prej 11,3 milionë euro. Sqarimi i Eurokomisionit është i thjeshtë dhe logjik: Sofjes nuk i duhet ndihmë, sepse punën e bën "Kraun ejxhents".

Aktualisht "Kraun ejxhents" punon në mënyrë aktive për t'i marë edhe doganat e Maqedonisë. Kështu kjo kompani praktikisht do të përfshinte koridorin numër 8, tashmë i vendosur në Gjorgji, që është vazhdimi aziatik i korridorit i njohur si Udha e mëndafshtë. Pritet që të jetë shtegu i naftës së Kaspikut për çka lobojnë në mënyrë aktive kompanitë amerikane. Nuk do të ishte keq që shtetet tjera të marrin përvojën e Bullgarisë në nënshkrimin e marrëveshjes me kompaninë britanike. Që të mos zbulojnë me vonesë parregullësitë dhe të metat, ashtu siç ndodh sot me Shërbimin shoqëror të kontabilitetit.

PLAMEN KULINSKI