Tërhiq e tërhiq – s'nxirret dot!

Skopje Feb 21, 2002

Qeveria e Maqedonisë ka vendosur më në fund që të merret me një seriozitet më të madh me ndërmarrjet ekonomike që krijojnë humbje. Vetëm për një javë i ka bërë ca lëvizje, të cilat janë pritur për disa vite transicioni dhe ashtu ka shkaktuar dyshime për qëllimin e saj të mirë, si dhe revoltin e shtatë mijë punëtorëve të rinj që kanë mbetur pa punë. Nga mëshira e xhandarëve financiarë boterorë varet realizimi i kërkesave të tyre që t'u lejohet të punojnë dhe të fitojnë, ose të sigurojnë një mbrojtje sociale solide.

Shkup, 07.02.2002.

Kolektivat që kanë afarizëm negativ janë me vite të tëra një plagë kanceroze për ekonominë maqedone. Meqenëse në Maqedoni pakkush ka çka të punojë vërtet, numri i humbësve është në rritje të vazhdueshme. Si kritike për sivjet konsiderohen tetëmbëdhjetë sish. Në listë, në këtë moment, gjenden gjithsejt dyzetë kolektiva me rreth 37 mijë punëtorë, por kjo, për fat të keq, nuk është definitive. Asnjëra nga qeveritë e gjertanishme, me të cilat është bërë kalimi nëpër golgotat e transicionit që nga pavarësia e vendit, nuk ka patur mjaft guxim që t'i lajë hesapet me ta ashtu si e kërkon ekonomia e tregut. Të gjitha kanë bërë ca përpjekje, por nuk kanë shkuar larg, sepse krahas kurajos nevojiteshin edhe para dhe vizione si të shkohet tutje. Diç të tillë, për fat të keq, nuk e kemi as sot e gjithë ditën! Pikërisht për këtë arsye, e gjithë ajo që po përpiqet ta bëjë qeveria aktuale e kryeministrit Lupço Georgijevski që nga fillimi i këtij viti, që është edhe vit elektoral, më shumë i ngjan një marketingu paraelektoral se një aksioni të vendosur dhe aq të nevojshëm për eliminimin afatgjatë të këtij problemi të rëndë, vlerësojnë analistë të pavarur të ekonomisë.

Të gjitha aksionet e ndërmarra me nxitim: vendimi për likuidimin e tre humbësve më të mëdhenj: të kombinatit kimiko-metalurgjik ''Jugohrom'', fabrikës së autobusëve ''11 Oktomvri'', thertores dhe industrisë së lëkurës ''Godel'', vetëm gjatë një jave, shpallja e tenderit për gjetjen e një investitori strategjik për minierat e plumbit Sasa e Zletovo, si dhe shitja me një çmim mospërfillës e fabrikave që dikur ishin rentabël, ''Porcelanka'' dhe ''Zletovo – baterije'', ta përkujton atë tregimin e njohur për gjyshin dhe rrepën: ''Tërhiq e tërhiq – s'nxirret dot!'' Zgjidhja nuk duket as në horizont, frika dhe dilemat janë të shumta!

Modeli për të cilin është përcaktuar Qeveria maqedone pas sanacioneve të kryera pa sukses dhe falimentimit të shumicës së humbësve – likuidimi i shpejtë, pastaj shitja e tyre si një tërësi teknologjike, ose pjesë-pjesë, me proteksion, të afërmëve të vet, ose atyre që japin një provizion më të madh, sipas rregullit për pak para, nuk është zgjidhja më fatlume, konsiderojnë ekspertët dhe tërheqin vërejtjen për rrezikun e një shpërthimi social.

Është një numër i madh punëtorësh që do të shpallen tepricë teknologjike dhe do të mbesin pa punë. Ekzistojnë kërkesa financiare, si te bankat ashtu edhe te ndërmarrjet private që nuk mund ta realizojnë kthimin e kredive dhe kërkesave financiare. Borxhet që mbesin pas likuidimit, vetëm për tri fabrikat më të fundit arrijnë në rreth 200 milionë dollarë, bëhen barrë për buxhetin, më mirë të themi, për të gjithë tatimpaguesit. Së këndejmi, është e kuptueshme rezistenca e ashpër që shfaqet jo vetëm te punëtorët, me fatin e të cilëve ka të bëjë e gjithë kjo, por edhe te qytetarët e tjerë. Javën e kaluar ata kanë filluar një grevë, ndërsa askush nuk e di kur dhe si do të përfundojë ajo, dhjetë mijë ''proletarë'' të rinj maqedonë më të rrezikuar, të cilët as që e mbajnë mend kur i kanë marrë rrogat për herë të fundit. Ata përpiqen që me protesta të zhurmshme dhe me bllokimin e rrugëve më frekuentuese të gjejnë drejtësinë e humbur, ta detyrojnë qeverinë që të mos i lërë të gjithë ata në rrugë. Kërkojnë që t'u paguhen rrogat e mbetura pa u paguar, kontributet për sigurimet sociale, shëndetësore dhe të pensioneve, që të krijohen kushtet për ristartimin e fabrikave që i kanë ndërtuar me djersën e tyre, për të punuar dhe fituar për një jetë dinjitoze për njeriun. Nëse nuk është e mundshme një gjë e tille, thonë ata, atëherë të paktën t'u sigurohet një mbrojtje sociale për të qenë. Këmbëngulin që të aprovohet ligji për pensionimin e parakohshëm të të gjithë atyre që i kanë mbushur 25 vjet punë, ashtu siç ishte më parë, deri para dy vjetësh, kur me urdhërin e xhandarëve financiarë botërorë është hequr një dispozitë e tillë ligjore. Janë të ndërgjegjshëm se për një gjë të tillë duhen shumë para. Përllogaritjet më të fundit të publikuara thonë që, për shembull, për tetëmbëdhjetë kolektiva humbës, fatin e të cilëve duhet zgjidhur deri në fund të këtij viti, duhet siguruar 54 milionë euro. Vetëm për ta rrumbullakësuar me një zgjidhje afatgjatë grupin e parë prej shtatë humbësish dhe të merret transheja e dytë e aranzhmanit Fesal duhen të paktën 15 milionë dollarë. Dhe kjo për t'i paguar rrogat, kontributet dhe shpenzimet e dërgimit në pension prej më së shumti dymbëdhjetë rrogash mesatare.

Punëtorët e kanë pezulluar grevën për një afat të shkurtër, pas bisedave të liderëve sindikalë me përfaqësuesit qeveritarë. Janë pajtuar që të tregohen të duruar dhe të presin rezultatin e negociatave që me krerët e MMF-së dhe Bankës Botërore i kanë zhvilluar ditëve të kaluara në Uashington dhe Nju Jork shefi i shtetit, Boris Trajkovski, zëvendëskryeministri Zoran Krstevski dhe ministrat kryesorë të ekonomisë, Nikolla Gruevski dhe Besnik Fetai. Lajmet e para mbi rezultatin e dialogut për sigurimin e beneficioneve sociale për humbësit, të cilat kanë arritur nëpërmjet mediave elektronike që nga ana tjetër e oqeanit, japin një shkëndijë shprese.

Në të vërtetë, krerët e Bankës Botërore dhe MMF ua kanë bërë me dije fare qartë bashkëbiseduesve se në parim nuk kanë asgjë kundër përkujdesjes sociale të punëtorëve humbës. Kanë lejuar që t'u paguhen rrogat e mbetura borxh, kontributet dhe shpenzimet për dërgim në pension, të përllogaritura në mënyrë të vrazhdë, për secilin punëtor që do të jetë tepricë teknologjike dhe si i tillë për 18 muaj të ardhshëm në Entin për Punësim do të presin një angazhim të ri në punë dhe do të marrin një shtesë sociale modeste prej 50 eurosh për muaj, më së shumti nga 1000 euro! Mirëpo, është theksuar prerazi, këtë qeveria duhet ta bëjë me paratë e saj, me kursime në të gjitha nivelet, dhe jo me krijimin e borxheve të reja ose me krijimin e deficitit në arkën shtetërore! Në mënyrë të veçantë janë, siç pohohet, kundër pagesave parazgjedhore të rrogave të mbetura dhe kontributeve, ndërsa në mënyrë kategorike e hedhin poshtë mundësinë e kthimit të zgjidhjeve të vjetra për pensionim të parakohshëm. Kërcënojnë me ndërprerje të bashkëpunimit nëse dikush merr guximin për ta bërë të kundërtën.

Ministri i financave, Gruevski, në një intervistë për televizionin privat në Shkup Sitel, ka deklaruar se ai personalisht është i kënaqur me rezultatin e negociatave tk gjata me përfaqësuesit e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Është posaçërisht i kënaqur me faktin që Maqedonia së shpejti do ta marrë, megjithatë, edhe transhenë e dytë të kredisë FESAL prej njezët milionë dollarësh. Është arritur marrëveshja për lejimin e atyre parave menjëherë pas likuidimit të humbësit më të madh, HEK Jugohrom, i cili është në përfundim e sipër. Janë miratuar edhe ndryshimet në ligjin për falimentim, të cilat duhet ta mundësojnë përshpejtimin e procedurës, thekson ministri Gruevski. Në të ardhmen, falimentimin do të ketë mundësinë ta inicojë Agjencia për llogaritë rrjedhëse të bllokuara. Dhe, sipas automatizmit, për çdo ndërmarrje të ''sëmurë'', llogaria e së cilës ka qenë e bllokuar pandërprerë 45 ditë dhe për të cilën me një analizë të themeltë të të huajve do të vërtetohet që nuk ka shpëtim. Arkëtari kryesor maqedon është më se i lumtur që me këtë rast në Uashington kanë përfunduar negociatat dhe që është më se e sigurt se do të lejohet një aranzhman i ri për reformën e administratës shtetërore, nga pesëmbedhjetë milionë dollarë në tre vjetët e ardhshëm.

Nga kabineti i presidentit Trajkovski, si për ngushëllim, u është thënë punëtorëve se në fund të vizitës në Uashington, nga njeriu i parë i Bankës Botërore, Xhejms Volfenson, megjithatë ka marrë premtimin që kërkesa e Maqedonisë për një hua dedikuar ''paketës sociale për shpëtimin e reformave'' do të shqyrtohet në njërën nga mbledhjet e ardhshme pranverore të Bordit. Para kësaj, në Shkup do të dërgohet një ekip ekspertësh që në vendin e ngjarjes do ta vërtetojë nëse një hua e tillë është e domosdoshme dhe ta zhvillojë matematikën e vet. Bankierëve botërore nuk u dhemb koka nga premtimet, ndërsa si do të kalojnë politikanët vendës pasi të kthehen në shtëpi, mbetet të shihet.

Nga fakti nëse punëtorët do t'i kënaqë ajo që e kanë miratuar mentorët financiarë ndërkombëtarë do të varet edhe rezultati i grevës, respektivisht nëse protestat dhe bllokadat masive, siç është paralajmëruar, do të bëhen përditshmëri maqedonase në ditët që vijnë.

AIM Shkup, Branka NANEVSKA