Me demonstrata kundër sundimit të ligjit
Prishtinë, 14.02.2002.
Fakti se shefi i ri i Msionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Michael Steiner, do të arrijë në Prishtinë më 14 shkurt, "ditën e të dashuruarve", duket se nuk do të mund të ripërtërijë "muajin e mjaltit" ndërmjet kosovarëve dhe misionit që ai do ta udhëheqë. Të paktën kështu duken gjërat pas 8 shkurtit, kur për herë të parë demonstruesit shqiptarë hodhën gurë e dru mbi pjesëtarët e policisë së Kombeve të Bashkuara dhe ata të Shërbimit Policor të Kosovës. Gurët shënuan kulmin e protestave kundër arrestimit të tre shqiptarëve nën dyshimet për krime lufte kundër popullsisë civile shqiptare. Dy javë më parë autoritetet arrestuan tre persona, pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët dyshohet se janë përgjegjës për burgosje me forcë, rrahje, tortura dhe vrasje, vepra këto të kryera, siç thuhet, në periudhën ndërmjet shtatorit të vitit 1998 dhe qershorit të vitit 1999, kryesisht në rajonin e Podujevës, komunë në veri të Prishtinës.
Arrestimi i tyre nxiti një valë protestash gjithandej Kosovës, në të cilat oratorët (kryesisht pjesëtarë të shoqatave të invalidëve të luftës, të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të familjeve të dëshmorëve) kërkuan lirimin e menjëhershëm të tyre. Ata akuzuan UNMIK-un se po "punon nën diktatin e Beogradit" dhe kërkuan anulimin e marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet ish administratorit të Kosovës, Hans Haekkerup dhe zëvendëskryeminsitrit serb, Nebojsha Çoviq, me të cilën qe siguruar pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë. Ata akzuan UNMIK-un se "po përpiqet të barazojë krimet sistematike të regjimit të Sllobodan Millosheviqit me veprimet, siç thuhet, çlirimtare të ish pjesëtarëve të UÇK-së. Mllefi për arrestimin e shqiptarëve në kohën kur "kriminelët serbë shëtiten lirshëm jo vetëm nëpër Serbi, por edhe në Kosovë", filloi të shprehet edhe me parullat kundër administratës civile ndërkombëtare.
Një nga mëngjeset e fillim shkurtit u gdhi me grafitin "Jashtë nga Kosova - UNMIK", autorët e të cilit kishin zgjedhur shtatoren e Skënderbeut (hero kombëtar shqiptar, i njohur për luftën 25 vjeçare kundër Perandorisë Otomane në mesjetë). Por, si për të mbuluar "turpin", si e quajtën qytetarët e zakonshëm, të nesërmen dikush hodhi përsipër ngjyrë të bardhë. Por, grafiti sikur kishte paralajmëruar furtunën. Më 8 shkurt ndodhi ajo që kosovarët e kanë dëshiruar më së paku. Disa mijëra protestues dëgjuan fillimisht fjalimet "e zjarrta" të disa ish pjesëtarëve të UÇK-së (me plot gabime gjatë leximit të 'referateve', sigurisht të shkruara nga duar më të stërvitura se oratoria e tyre), në të cilat të arrestuarit tashmë po përmendeshin vetëm si shembuj të "përpjekejve për të përlyer luftën çlirimtare të UÇK-së". Por, kërkesat e vërteta kishin marrë rrjedhë politike. Pos kërkesave që "policia e UNMIK-ut dhe KFOR-i të shdnërrohen në asistentë të Shërbimit Policor të Kosovës dhe të institucioneve të saj", aty u bë thirrje që të rishqyrtohet edhe vetë misioni i UNMIK-ut. Oratori kryesor tha se "delegacioni kosovar që mori pjesë në Konferencën e Rambouilletit, të mblidhet për të hartuar dokumentet për statusin përfundimtar të Kosovës dhe për të shqyrtuar misionin e UNMIK-ut". Pas kësaj ata ftuan masën që të defilojë rrugëve të qytetit, natyrisht në mënyrë paqësore. Por, paqja nuk ishte e gjatë. Një grup prej disa dhejtëra personash kishte vendosur që protestën ta "evoluojë". Gurë, copa betoni dhe shkopinj (kryesisht pjesë të pankartave) u hodhën mbi një grup policësh, kryesisht amerikanë, gjermanë dhe shqiptarë. Zyrtarët duket se kishin përzgjedhur që policët që ruanin rendin të jenë nga "kombet e dëshmuara si miq të shqiptarëve". Por, grupit "revolucionar' kjo nuk i bëri përshtypje. Vetëm pasi shtatë policë morën plagë të lehta, këta u larguan nga qendra e qytetit për të mos u dhënë demonstruesve shkas të mëtejshëm për të vazhduar dhunën. Radha për të paguar "mllefin" e protestuesve u mbeti qytetarëve që në atë kohë po pinin kafe në qendër të qytetit. Grupi plagosi me gurë dhe rrahu shumë qytetarë, duke "shfryrë zemërimin" pse ata nuk po protestonin, dhe demoloi hotelin "Iliria", ndërsa gjatë rrugës demoloi edhe disa objekte të tjera hotelierie, sulmoi dhe rahu të paktën dy gazetarë dhe theu veturat e disa qytetarëve.
Zyrtarët ndërkombëtarë dhe përfaqësuesit e partive politike në Kosovë u ngutën të thonë se këto incidente "nuk do të ndikojnë në marrëdhëniet e qytetarëve të Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare". Shefi i Qendrës për Informim të UNMIK-ut, Simon Haselock, tha se "jemi të bundur se këta njerëz paraqesin një pjesë të vogël të shoqërisë në Kosovë. Ky është aksion demonstrimi i një grupi të njerëzve që më shumë janë të brengosur për veten e tyre, duke përdorur metoda jolegale dhe jodemokratike". Duke shfaqur qëndrimin e tij se protestuesit kanë shprehur pakënaqësinë me UNMIK-un se ai nuk ishte transparent me rastin e arrestimit të tre personave të dyshuar se kanë kryer krime lufte, z. Haselock u shpreh se "çdokush që e kupton demokracinë në realitet e di rëndësinë e transparencës në rastin e arrestimeve që kanë të bëjnë me ligjin. Ne ishim plotësisht transparentë në aspektin e paralajmërimit të arrestimeve dhe u kemi thënë të gjithëve se cila ishte baza për arrestime, por ne nuk mund të publikojmë hollësitë që do të dëmtonin procesin e hetimeve, sepse kjo është çështje e gjyqit dhe jo e mjeteve të informacionit ose të grupeve të njerëzve që të vendosin fajësinë ose pafajësinë e atyre që duhet të përgjigjen para gjyqit". Haselock tha se nuk do të minimizojë seriozitetin e protestave në Prishtinë, porse një grup i njerëzve në mesin e protestuesve kanë për qëllim të shkaktojnë probleme dhe tashmë e kanë bërë këtë. Ai bashkë me zyrtarë të tjerë thanë se këto trazira nuk janë të orientuara ndaj ndonjë objektivi të caktuar, por ato ishin të pamenda dhe të orientuara kundër pronave të shqiptarëve në qendër të Prishtinës. "Kjo duket të jetë huliganizëm dhe një sjellje e keqe", tha pos tjerash Simon Haselock. Zoti Haselock tha se "protestat janë të orkestruara nga një grup njerëzish që janë të brengosur se edhe ata vetë mund të jenë pjesë e hetimeve". Mirëpo, në këmbënguljen e gazetarëve për të specifikuar se "kush qëndron prapa tyre", ai tha se "nuk duhen hulumtime shkencore për ta kuptuar këtë".
UNMIK-u tashmë e ka siguruar përkrahjen e qendrave më të rëndësishme të vndosjes. Diplomatët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë dy ditë para përpalsjeve kanë thënë se vendosja e sundimit të ligjit është një nga prioritetet kryesore dhe një bazë mbi të cilën ndërtohet Kosova demokratike. Prandaj, nëse Kosova dëshiron të jetë një shoqëri e bazuar në idealet demokratike dhe në respektimin e ligjit, kosovarët duhet të jenë të gatshëm të dënojnë kriminaltetin, pavarësisht nga kyesit apo viktimat. Ata e kanë shprehur mbështetjen e plotë ndaj arrestimit të tre shqiptarëve duke nënvizuar: "Ne si miq të Kosovës duam t'ju bindim se arrestimet nuk ishin të drejtuara kundër ish-UÇK-së, por kundër veprimeve individuale që të arrestuarit dyshohet të kenë kryer në kundërshtim me çfarëdo norme të pranueshme të sjelljes apo ligjit". Fill pas tyre, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, lordi George Robertson tha prerazi se "nuk guxon të ekzistojë kurrfarë dyshimi: NATO-ja dhe KFOR-i nuk do të pranojnë asnjë kërcënim nga ata persona që nuk duan të respektojnë ligjin". Sipas lordit Robertson elementi parimor i demokracisë është që asnjë qytetar të mos jetë mbi ligjin dhe kjo vlen edhe për të tre të arrestuarit. Ata do të kenë të drejtë të mbrohen para gjykatës dhe nëse nuk do të ketë prova të mjaftueshme kundër tyre, ata do të lirohen", tha në deklaratën e tij sekretari i përgjithshëm i NATO-s, George Robertson.
"Dajaku i huliganëve të orkestruar" sikur zgjoi nga gjumi edhe drejtuesit politikë në Kosovë, të cilët dënuan veprimet e protestuesve duke i cilësuar ato si veprime të dëmshme për Kosovën. Por, për vëzhguesit e këtushëm ështe poaq e dëmshme "heshtja e politikanëve", të cilët madje edhe këto protesta po përpiqen t'i matërializojnë për qëllime politike. Lidhjes Demokratike kjo i siguron vota dhe pozitë shumë më të mirë në skenën e brendshme dhe të jashtme politike. Ndërkaq, partitë tjera të dala nga strukturat e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me heshtjen e tyre përpiqen ta "lënë fajin jetim". Vetëm pas incidenteve ata u ngutën të theksojnë se "rruga nuk është zgjidhje", por pa guxuar të jenë më të drejtpërdrejtë. Një vëzhgues i huaj tha se "kjo është e natyrshme. Ata nuk mund t'i shajnë protestuesit, sepse këta të fundit do të mund t'i identifikonin urdhërdhënësit".
AIM Prishtinë, Arbnora BERISHA