Viktimë e shtetit mafioz

Beograd Feb 16, 2002

Kush e ka vrarë ish-ministrin e mbrojtjes, Pavlle Bullatoviq

Nga raporti i Këshillit anketues parlamentar del në pah se dikush ka dashur ta shesë mallin e vet (lexo: armët), ndërsa kontratën e pavolitshme Bullatoviq nuk e ka nënshkruar. Është vërtetuar se në zonën e vrasjes ka qenë i pranishëm ''një përqendrim më i madh njerëzish nga nëntoka'', madje 13 njerëz nga ekipi i Zoran Uskokoviq Skoles dhe 12 nga ekipi i Zoran Davidoviq Qandas. Edhe pse këto të dhëna policia i kishte menjëherë pas ngjarjes, para dy vjetësh, kjo është zbuluar vetëm tani, kur të përmendurit Skole dhe Qanda (i njohur si i dashuri i yllit të estradës, Jellena Karlleusha) janë ''sistemuar'' prej kohësh në dy parcela të varrezave beogradase

Beograd, 11.02.2002.

Ëmbëlsira dyjavore për lexuesit e gazetave të përditshme serbe - botimi i pjesëve nga raporti i Këshillit anketues për vërtetimin e fakteve lidhur me vrasjen e ish-ministrit të mbrojtjes, Pavlle Bullatoviq - dalngadalë po hyn në fazën e harresës. Si të gjitha sensacionet edhe ky ka zgjatur aq sa ka arritur ta tërheqë vëmendjen e lexuesit mesatar. Ata që dëshirojnë më shumë, me 300 dinarë mund ta blejnë librin me raportin e këshillit të botuar nga Partia Radikale Serbe (SRS), lideri i së cilës kishte udhëhequr me këtë trup dhe ishte ''hetuesi'' kryesor.

Që nga dita kur disa gazeta beogradase botuan në faqet e para: ''Pavlle Bullatoviqin e ka vrarë Ivan Delliq'', e gjithë çështja mori një notë kaotike dhe herë-herë groteske. Me vetë faktin që shefi i Këshillit Anketues ishte njeriu, i cili vrasësin e ministrit të mbrojtjes e kishte ''zbuluar'' prej kohësh. Menjëherë pas vrasjes, në shkurt të vitit 2000, në të vërtetë, Vojisllav Sheshel në konferencën e famshme për shtyp i ka akuzuar mediat e pavarura që ato ta kenë vrarë Bullatoviqin, duke i ndihmuar ashtu ''armiqtë e Serbisë'', ç'gjë shërbeu si shkas që një pjesë e redaksive në organizatën NUNS të marrë vendimin për bojkotimin e të gjitha aktiviteteve, raporteve dhe gjithçkaje që ishte e lidhur me radikalët serbë. Kusht për ndërprerjen e bojkotit ishte që Shesheli të kërkonte falje. Deri tani ai nuk e bëri një gjë të tillë, por shumë redaksi të ''apostrofuara'' edhe pa e bërë ai këtë e ndërprenë bojkotin, ndërsa liderit të radikalëve po ia kushtonin edhe nga një faqe të tërë gazete.

Vetë raportin zyrtarët e DOS-it e kanë cilësuar si ''privat'', sepse Kuvendi nuk e ka aprovuar atë, ndërsa disa anëtarë të Këshillit as që e kanë nënshkruar. Nga leximi mund të vihet re, ndërkaq, se në bisedat me ''dëshmitarët potencialë'' ka mjaft arbitraritet të prijësit fjalaman të radikalëve. Kështu, ai ish shefin e DB-së (sigurimit shtetëror), Rade Markoviq, e ka pyetur në mënyrë mjaft sugjestionuese - kush nga opozita ka punuar për policinë sekrete, ndërsa ministrin Dushan Mihajlloviq - pse e ka çarmatosur sigurimin e radikalëve - ç'gjë, logjikisht, nuk ka kurrfarë lidhjeje me vrasjen e Bullatoviqit. Sidoqoftë, ''monstrumi medial'', siç e kanë quajtur Sheshelin disa ish-bashkëpunëtorë, e ka shfrytëzuar edhe një mundësi për promovimin politik personal. Si gjithnjë kur i ofrohet një mundësi e tillë.

Është fakt, megjithatë, që stenogramet e bisedave përmbajnë shumë të dhëna, gjer tani të panjohura, për opinionin, që nuk janë për t'u nënçmuar, sepse ato i kanë shqiptuar njerëzit nga kreu i policisë, DB-së dhe Drejtorati i Sigurisë të Shtabit të Përgjithshëm të UJ. Përveç faktit që, deri diku pa shije dhe pa argumente, gishti është drejtuar mbi njëfarë Ivan Deliqi, për të cilin Shesheli pohon ta ketë vrarë Bullatoviqin (i përmenduri e ka demantuar këtë duke ofruar një alibi të fortë), gjurmët kanë sjellë përgjithësisht gjer tek ajo që është besuar që në fillim - që në lojë kanë qenë punët në zgrip të ligjit. Është parë qartas se zbulimet e atëhershme të ''julit'' rreth terrorizmit, ''vrasjes së luftëtarit për Jugosllavinë e pacenuar'' dhe ''shkaktimin e krizës me ndihmen e faktorëve të jashtëm'' - bien në ujë.

Bullatoviqi fatzi, tani kjo është më se e sigurt, u kishte rënë në faj tregtarëve me armë, më saktë njerëzve që manipulojnë me miliona dollarë, sepse një biznes i tillë bën pjesë ndër më profitabilët në botë. Në postin e ministrit të mbrojtjes ai ka nënshkruar dokumente të ndryshme, dhe një, kah fundi i vitit 1999, nuk e ka nënshkruar. Megjithëse Këshilli nuk e ka vërtetuar për çfarë dokumenti bëhet fjalë, Shesheli tashmë ka spekuluar me firma dhe emra, gati është e sigurt se fjala është për një shumë marramendëse dollarësh të dedikuar për pajisjn e Ushtrisë së Jugosllavisë. Dikush, në të vërtetë, ka dashur ta shesë mallin e vet (lexo: armët), ndërsa kontratën e disfavorshme, çfarë janë bërë rëndom gjatë kohës së sanksioneve, Bullatoviqi nuk e ka nënshkruar. Ka pasuar vërejtja për të tjerët, që të mos ua zënë rrugën trafikantëve të fuqishëm me armë, të involvuar edhe në regjimin e asaj kohe.

Miqtë e Bullatoviqit kanë vërtetuar se ai në fillim të vitit 2000, para vrasjes, ishte tepër i indisponuar, sikur të parandiente diçka, mirëpo për shkaqet ai nuk ka folur. S'ka dyshim që ministri i ndjerë, po të ketë dashur, ka mundur t'i ankohet policisë, si dhe shërbimeve të tjera, se është i kërcënuar dhe për sinjale të caktuara. Mirëpo, pyetjen themelore as Shesheli dhe as të tjerët nga këshilli shumëpartiak nuk e kanë shtruar - cili është ai njeri, grup apo institucion në këtë vend që ishte aq i fuqishëm saqë nuk ka mundur ta mbrojë Bullatoviqin. Thënë më saktë, mos është vrasja e Bullatoviqit vetëm edhe një dëshmi se kufiri midis shtetit dhe mafias nën pushtetin e Millosheviqit as që ka ekzistuar.

Gati është e sigurt se dorasit janë rekrutuar nga nëntoka beogradase, e cila gjithsesi i ka pasur ''eksponentët'' në polici dhe regjim. Me analizën e punës të telefonisë celulare është vërtetuar se në zonën e vrasjes ka qenë ''një koncentrim më i madh i njerëzve nga nëntoka''. Madje, 13 njerëz nga ekipi i Zoran Uskokoviq Skoles dhe 12 nga ekipi i Zoran Davidoviq Qandas. Edhe pse këtë të dhënë policia e ka patur menjëherë pas asaj ngjarjeje, para dy vjetësh, kjo po zbulohet vetëm tani, kur edhe të përmendurve Skole dhe Qanda (më i njohur si i dashuri i yllit të estradës Jellena Karlleusha) janë ''sistemuar'' prej kohësh në dy parcela të varrezave beogradase.

Po në atë vit, disa muaj pas Bullatoviqit, ata të dytë i ka likuiduar dikush në një ''pritë'' klasike beogradase. Edhe rastet e tyre janë të shënuara me NN, që vetëm dëshmon se dikush i ka pastruar dëshmitarët e mundshëm. Ndërsa, a ka pësuar në atë pastrim edhe gjykatësi hetues, Nebojsha Simeunoviq, i cili ka qenë i ngarkuar me rastin e vrasjes së ministrit të mbrojtjes, është po ashtu një pyetje interesante. Simeunoviq është gjetur i vdekur pas pesë tetorit në Danub, ndërsa familja e tij edhe më tej pohon se atje duhet ta ketë hedhur dikush, meqenëse ai nuk ka qenë notues, duke e hedhur poshtë kështu teorinë zyrtare për vetëvrasje.

Dhe, gjëja më e rëndësishme, raporti i Këshillit Anketues të ''Sheshelit'' nuk ka hasur në kurrfarë reagimi tek ata që edhe është dashur të merren me hetime. Policia hesht, në stilin - të gjitha këto i kemi ditur qëmoti. Po ndodh e njëjta gjë si edhe në rastet Stambolliq dhe Quruvija. Pistat ekzistojnë, por nuk ka dëshmi për gjyq, nuk ka dëshmitarë të mbrojtur, nuk ka dokumente. Serbia, sipas të gjitha gjasave, po mbetet edhe më tej një vend ku vrasësit dihen, por nuk burgosen...

AIM Beograd, Dragolub PETROVIQ