Minoritetet duhet të presin
Zagreb, 10.02.2002.
Pushteti kroat nuk di çfarë të bëjë me serbët e mbetur këtu, sepse nuk kanë ikur nga Kroacia të gjithë pjesëtarët e këtij kombi, ndërsa edhe disa nga të ikurit janë kthyer në ndërkohë. Tani, çfarë të drejtash speciale duhet t'u sigurohen, si grupit më të madh minoritar në Kroaci? Nëse do t'ua siguronin privilegjet që i ka fituar grupi i nëpunësve të një vendi të huaj në Kroaci - dhe këta janë fretërit katolikë me marrëveshjet ndërshtetërore ekskluzive - serbët në Kroaci do të ishin vërtet të privilegjuar në dëm të qytetarëve të tjerë, mu sikur janë në këtë çast priftërinjtë katolikë. Domethënë, duhet t'u jepet diç më pak se kjo. Në kërkim të masës së barazisë për serbët, ligjvënësi kroat e ka përcaktuar prej kohësh përqindjen në popullatë që pakicat duhet ta arrijnë për të pasur të drejtën e përdorimit zyrtar të gjuhës së vet në Kroaci, të drejtën e programeve shkollore dhe për pjesëmarrjen proporcionale në pushtet, si në atë lokal ashtu edhe në atë shtetëror. Mirëpo, meqenëse serbët për ndonjë arsye nuk janë aq të dashur për pushtetin kroat si kleri katolik, masa e përcaktuar për minoritetet është tetë për qind, të cilën pas eksodit të vitit 1995 serbët nuk mund ta shfrytëzojnë as në ëndërr. Përse ky krahasim i serbëve në Kroaci me pozitën e fretërve katolikë? Vendimet, si për njërën palë, ashtu edhe për tjetrën janë kryekëput të karakterit politik, më saktë ato janë të motivuara ideologjikisht në tërësi, prandaj për shkak të qasjes së dyfishtë njëra e thekson tjetrën. Ata tetë për qind i ka përcaktuar pushteti i HDZ-së, ndërsa ky i riu nuk po sillet fare më mirë. Deri tani nuk kanë përmirësuar asgjë nga ajo që është prishur, pra ashtu as kushtet e diktuara me nenet e vjetra. Ministri i drejtësisë, deri pak kohë më parë, i RK, Stjepan Ivanisheviq, e ka bërë një projekt propozim për Ligjin e ri kushtetues mbi të drejtat e minoriteteve nacionale në Kroaci, mirëpo e gjithë kjo u la mbas dore më vonë në Parlament me shtyrjen e dokumentit anash, ç'gjë është treguar efikase gjithnjë. Asnjeri nuk ka arritur ta shpjegojë arsyen.
Në të vërtetë, kryetari i Parlamentit dhe i partisë më të madhe të koalicionit, SDP, Mato Arlloviq, i ka cekur disa arsye, por të gjitha ato nuk tingëllojnë bindshëm, sepse sipas nevojës ato mund të tejkalohen pa shumë mund. Pikësëpari, është i kontestueshëm neni i projektligjit që thotë se në disa raste vetadministrimi lokal kroatët mund t'i kenë tiparet e minoritetit. Kur qe zbuluar kjo disa muaj më parë, opinioni qe skandalizuar për shumë ditë rresht me tituj gazetash të tipit ''Kroatët minoritet në shtetin e vet!'', dhe askush nuk ka punuar në drejtim të zbutjes së efekteve të këqija, d.m.th. në përmirësimin e projektligjit të propozuar. Për shkak të këtij formaliteti, ky projektligj nuk e fitoi përkrahjen dhe të gjitha gjasat janë që është gjetur një arsyetim për lënien pasdore të tij dhe, në fund të fundit, edhe mosvotim të tij nga dy të tretat e mazhorancës parlamentare. Ashtu si qëndrojnë gjërat tani, do të hartohet një projekt propozim i ri i Ligjit Kushtetues për të drejtat e pakicave.
Problemi qëndron aty se me hartimin e paralajmëruar të dokumentit të ri mund të kalojë edhe ndonjë reduktim i të drejtave që ishin të parapara me projektpropozimin e parë. Ai bazohej te Konvenca e Hagës e vitit 1991, mirëpo Kroacia në vitet nëntëdhjetë e kishte mbajtur nën një suspendim të llojit të vet, duke ua marrë serbëve të drejtat një nga një edhe në letër, përveç faktit që të drejtat u merreshin shpesh në praktikë. Më i dukshëm ishte zvogëlimi i numrit të përfaqësuesve të tyre nacionalë në Parlamentin kroat, i cili për dhjetë vjet nga 13 deputetë u reduktua në një, dhe kjo jo pas vërtetimit zyrtar të zvogëlimit të pjesëmarrjes në numrin e përgjithshëm të popullsisë, por me forcën e vendimit politik të pushtetmbajtësit. Mirëpo, nëse kjo ishte gjëja më e dukshme, ajo më e rënda me siguri që ishte më pak e dukshme, pra të gjitha ato keqtrajtime të panumërta të qytetarëve të nacionalitetit serb, që prej përjashtimit nga puna deri te vrasja e civilëve, çfarë në vitet nëntëdhjetë kishte me qindra.
Dhe derisa ligjvënësi aktual po e zvarrit çështjen, interesat e pakicës nacionale serbe në Kroaci po shkelen edhe më tej, sepse ata edhe tani e kanë të drejtën e participimit në vetadministrimin lokal të një varg komunash, por e shfrytëzojnë vetëm në dy-tri sosh. Arsyeja është e pabesueshme, dhe ate e ka përmendur para ca kohësh nënkryetari i qeverisë së RK, Goran Graniq, i cili i ka ftuar përfaqësuesit e komunave dhe të qyteteve që t'i përfshijnë politikanët serbë në pushtet në pajtim me pjesëmarrjen reale të popullatës serbe në ato njësi. Partitë nacionaliste kroate, pra, e kanë pushtetin absolut në shumë komuna dhe qytete - për shembull në Vukovar, Knin dhe Graçac - ku serbët e përbëjnë një të tretën deri gjysmën e popullatës, ashtu që thjesht politikanëve serbë nuk ua lejojnë të hyjnë në administratën lokale! Ndërsa nënkryetari i Qverisë së RK ''i fton të përfshihen'' në vend që t'i urdhërojë krerët lokalë që të mos luajnë me barazinë e të gjithë qytetarëve të përcaktuar me Kushtetutë.
Ose, ta marrim një problem tjetër të madh nga përditshmëria, pra shtëpitë e braktisura të refugjatëve serbë në të cilat janë vendosur refugjatët kroatë nga Bosnja e Hercegovina ose nga Kosova. Situata tepër e ngatërruar në Bosnjë e Hercegovinë i ofron arsyetim pushtetit kroat që nuk bën mjaft për t'i zhvendosur shfrytëzuesit e pronave të huaja, pas së cilës gjë do të kishin të drejtën që ta kërkojnë të njëjtën gjë, fjala vjen, nga pushteti i Republikës Serbe në BH. Problemet e këtilla e tejkalojnë çështjen e numrit të përfaqësuesve të pakicës serbe në Parlamentin kroat, por le të provojmë t'i imagjinojmë shtatë-tetë deputetë serbë në Parlament, të cilët në çdo moment do të mund të ushtronin presion mbi opinionin politik dhe atë më të gjerë për problemet konkrete që i përjeton minoriteti i tyre. Dhe kjo mund të jetë arsye e manovrës së heshtur të koalicionit në pushtet, i cili nuk flet më asgjë rreth projketpropozimit të ligjit për të mos e irituar opinionin me serbët para zgjedhjeve të mundshme...
Çfarë zhurme do të bënin deputetët e HDZ-së rreth përcaktimit të disa të drejtave të rëndësishme civilizuese për serbët në Kroaci, se! Këtë nuk do të mund ta duronte koalicioni me SDP-në në krye, një presion të tillë të tmerrshëm gjatë të cilit do të duhej të thuhet zëshëm që edhe serbët janë njerëz si gjithë të tjerët, se atyre duhet t'u sigurohen të drejtat minoritare siç bëjnë vendet më fatlume në botë. Koalicioni në pushtet nuk dëshiron ta pranojë se ato vende më të lumtura nuk ua kanë dhënë pakicave të drejtat e tilla për arsye se janë të lumtura, por janë të lumtura për arsye se kanë mësuar të jetojnë me bashkëqytetarët e vet që nuk janë identikë me çdo parim kolektiv me shumicën e të tjerëve. Ndërsa, ne këtu ende nuk e dimë as sa serbë ka në Kroaci, sepse gati një gjysmë viti nuk jepen të dhënat nga regjistrimi më i fundit i popullsisë. Dihet vetëm në parim se ''zgjidhja përfundimtare'' mbi ta megjithatë nuk është zbatuar me aq sukses, si më parë mbi hebrenjtë, romët, italianët dhe gjermanët e këtushëm.
AIM Zagreb, Igor LLASIQ