Mali i Zi - Serbia, pas ndermjetesimit te Solanes
Negociatat - mjete apo qellim? Të premten në Beograd përfundoi edhe një rund i negociatave për marrëdhëniet e ardhshme të Malit të Zi dhe Serbisë. Përfaqësuesit më të lartë të Beogradit dhe Podgoricës pranuan propozimin e Havijer Solanës që në fillim të shkurtit në Bruksel të mbahet edhe një takim i ekspertëve, kurse, më vonë, fjalën përfundimtare ta thonë politikanët.
AIM Podgoricë, 27.01.2002
As samiti i kësaj jave i zyrtarëve më të lartë të Malit të Zi, Serbisë dhe RFJ-së, nën syçeltësinë dhe shkopin e dirigjentit të Havijer Solanës, nuk kontribuoi për afrimin e qëndrimeve në lidhje me marrëdhëniet e tyre të ardhëshme të Beogradit dhe Podgoricës. Përpos kësaj, nga Pallati i Federatës të gjitha palët dolën me njëfarë optimizmi diç më të madh se sa kur hynë në të!? Presidenti jugosllav, Vojisllav Koshtunica, pas debatit plenar prej gjysëm ore, tha se në vazhdimin e negociatave po hynte me optimizëm dhe shpresë më të madhe". Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq shkaqet për kënaqësi i mbështeti në atë se " dialogu po zhvillohej sipas dinamikës së paraparë" dhe me shkallë të lartë tolerance. Edhe përfaqësuesi i lartë i UE-së për politikë të jashtme dhe sigurim, më në fund, fitoi atë që kishte pritur: edhe një rreth negociatash të ekspertëve më 4 shkurt në Bruksel, me pjesëmarrje të ekspertëve ndërkombëtarë, kështu që rundi i fundit (mbase)i negociatave të udhëheqjeve shtetrore të mbahet deri kah fundi i muajit të dytë.
Vallë si do të shprehet prolongimi i dytë i vendosjes në rrethanat aktuale në Malin e Zi?
"UE dëshiron që federata jugosllave të bëhet anëtarja jonë dhe prandaj për ne nuk është krejt njëlloj se çfarë ndodh në këtë shtet. Plani ynë është që deri në fund të shkurtit të përfundojnë të gjitha takimet dhe të realizohet qëllimi i fundit - të gjithë sëbashku të hyni në UE dhe ne do të bëjmë çdo gjë që është në mundësinë tonë që kjo të realizohet" - tha Solana deri sa po largohej nga Beogradi, duke ua bërë me dije banorëve të Malit të Zi se " ndarja nuk ishte rruga më e shpejtë, por, e kundërta, më e ngadalëshmja për të hyrë në UE".
Mundësitë e Brukselit, siç dihet, nuk janë të vogla. Shpresat në to, më shumë se në të vetat, i kanë mbështetur pushteti i Beogradit dhe opozita e Podgoricës. Nga goja e shumicës së liderëve të këtyre dy grupacioneve politike shpesh u shprehën pritjet, gjegjësisht dëshirat, që Solana më në fund ta hudhte mbi tryezë dokumentin e shkruar dhe Gjukanoviqit t'i thoshte
- lere ose merre. Mirëpo, edhe kësaj radhe, kjo nuk ndodhi. Për këtë shkak në qarqet projugosllave shpresa është bazuar në paralajmërimin se në takimin paraprak në Bruksel ekspertët e BE-së jo vetëm që do të dëgjojnë ekspertët kolegë të Ballkanit, por edhe se këture shumë gjera do t'ua sqarojnë sipas shembullit të funkcionimit të pesëmbëdhjetëshes. Kryetari i Partisë Popullore, Dragan Soç, njëri nga ithtarët më të zëshëm të qëndrimit të rezolutës së Brukselit për krizën jugosllave, vërrejti se si Gjukanoviq-i në deklaratën e tij që e dha pas takimit të fundit "nuk e përmendi as "r"-në e referendumit". Soç vlerësoi se presidenti malazez po e kupton kundërshtimin këmbëngulës të bashkësisë ndërkombëtare ndaj pavarësisë së Malit të Zi, por poashtu edhe humbjen e përkrahjes këtij projekti edhe brenda Malit të Zi, kështu që e ka kuptuar më se po humbin shanset për mbajtjen e referendumit në përgjithësi, dhe sidomos gjatë kësaj pranvere.
Soç me këtë qëndrim është larguar nga nënkryetari i tij, Predrag Drecun,
i
cili angazhohej që plebishiti për statusin shtetror të mbahej që në
fillim
të kësaj pranvere dhe i është afruar liderit të partnerit të
koalicionit,
SNP - Predrag Bullatoviq dhe bindjes së tij se, pa marrë parasysh se si
do
të marrin fund negociatat në Beograd dhe në Podgoricë, referendumi nuk
mund
të mbahet para vjeshtës. Përanësh treshit të koalicionit projugosllav ka
ngelur vetëm SNS-ja e Bojoviq-it, e cila parapëlqen zgjedhjet e
parakohëshme.
Bazuar në atë se si analistët politikë malazezë "e lexojnë" taktikën e UE-së mund të mendohet se pikërisht SNS-ja është në linjën e planeve të Brukselit. Edhe pse edhe vetë Solana fundin e shkurtit e shënoi si afat të përfundimit të negociatave për marrëdhëniet e ardhëshme të Malit të Zi dhe Serbisë, megjithkëtë këtu mbisundon bindja se edhe ky afat mund të tejkalohet. Me të drejtë parashihet zvarritja e dialogut brendamalazez, dialog ky që do të duhej të definonte kushtet për mbajtjen e referendumit. Në këtë zvarritje dhe vështirësim një pjesë të madhe të punës së federatës do ta kryente, sipas të gjitha gjasave, gjendja dhe vështirësitë që brejnë ekonominë malazeze në kombinim me veprimet propagandistike kundër pushtetit, sipas shembullit të aferës "Nacional".
Në rast se mbajtja e referendumit shtyhet deri pas pushimeve vjetore atëherë në plan të parë do të shfaqen në plan të parë zgjedhjet lokale. Kjo, sipas vlerësimit të qarqeve projugosllave, do të ishte rrethanë e volitëshme që pushteti i Gjukanoviqit të rrënohet ende më shumë . Rezultatet e anketës të cilat i publikoi para disa ditësh Qendra për Demokraci në Podgoricë (CEDEM), tregojnë se përparësia e ithtarëve të pavarësisë ndaj atyreve të federalizimit po shkon kah rënia, gjegjësisht se koalicioni "Sëbashku për Jugosllavinë" për tre përqind është para koalicionit "Fitorja për Malin e Zi". Brukseli, pra, po i largohet variantit të rrezikshëm dhe komprometues të presioneve të hapura ose sankcioneve ndaj Podgoricës, gjegjësisht synon që pavarësinë e Malit të Zi ta pengojë pa hequr dorëzat.
Qëllimet e Havijer Solanës dhe të atyreve për të cilët ky bën politikë do t'i kishin hetuar edhe politikanët më të paaftë se presidenti i Malit të Zi. Mirëpo nuk është e mjaftueshme vetëm të dihet çfarë përgatit kundërshtari, por të sigurohet përgjigjja adekuate. Në rast se UE-ja kërkon vazhdimin e negociatave edhe pas shkurtit, Gjukanoviq-i do të ballafaqohet me dilemën: vallë ta vazhdojë apo ta ndërpresë lojën. Vazhdimi do të thotë edhe një prolongim të referendumit, kurse ndërprerja e negociatave do të shpjente kah rreziku i dënimit të tërheqjes së "hapit të shumëpërfolur të njëanshëm"?! Tani kur është e njohur se negociatat janë shndërruar në qëllim që mirret me vetveten dhe jo si mjet për të arritur deri te kompromisi, presidenti i Malit të Zi në konferencën e përbashkët me Solanën dhe Koshtunicën për shtyp radhiti disa aludime; konstatoi se tani më po zhvillohej "gjysëmloja e dytë", se negociatat e ekspertëve tani më "kishin përmbyllur një pjesë të konsiderueshme të temave", dhe se deri kah "fundi i shkurtit negociatat për ardhmërinë e marrëdhënieve të Malit të Zi dhe Serbisë do të përfundojnë në mënyrë demokratike".
Gjykuar sipas deklaratave të bashkëpunëtorëve të tij më të afërm, të cilët të gjithë sëbashku përsëritin se referendumi do të mbahet kësaj pranvere, Gjukanoviq-i ka vendosur që, në rast se është i domosdoshme, të largohet nga procesi i negociatave. Pyetje më vete është, ndërkaq, vallë Solana a është i përgatitur që një lojë të tillë të dyfytyrëshme politike ta luaj deri në fund. Sidomos po të kemi parasysh edhe faktin se Beogradi gjithnjë më vështirë po fsheh nervozën e shkaktuar nga prolongimi i negociatave me Podgoricën. Shpejtësia e shprehur aq lehtë prej Drecunit lidhur me organizimin e referendumit malazez shprehet kryesisht si një shërbim i zëdhënësit të Vojisllav Koshtunicës. Mirëpo, edhe Çeda Jovanoviq, njeriu i besueshëm i Xhinxhiqit, deklaroi se "Serbija tepër gjatë dhe tepër rëndë po duron pasojat e marrëdhënieve të paqarta me Malin e Zi". Përfundimisht edhe DHSS-ja e Batiq-it memzi është duke pritur hapin malazez që edhe ajo të fillojë të mbledhë nënshkrime për plebishitin në Serbi (" Edhe Serbija duhet të pyetet"). Analisti beogradas, Dushan Janjiq vlerëson se edhe kryeministri serb, Zoran Xhingjiq është përkrahës i kësaj nisjative. Anketat, nga ana tjetër, vërtetojnë poashtu edhe përçarjen dramatike të vetë banorëve të Serbisë lidhur me pavarësinë ose bashkësinë me Malin e Zi - 42:41 në favor të federalistëve!
Sipërfaqen e manevrimeve të Gjukanoviqit përsëri e zvogëlojnë edhe liberalët e nevrikosur.Lideri politik i LSCG-së, Miodrag Zhivkoviq vlerëson se për pavarësinë malazeze rrethi i ri i negociatave të ekspertëve është shejë e keqe. "Brukseli dhe Beogradi po shfrytëzojnë pavendosmërinë e bashkëbiseduesve malazezë dhe vendimin e prolongojnë deri në pafund. Kjo është ajo që dobëson forcat të cilat angazhohen për njohje ndërkombëtare të Malit të Zi " - thot Zhivkoviq. Kryeministri malazez, Filip Vujanoviq edhe pas sesionit më të ri të kreut më të lartë, me plus Solanën, thotë: " Do të shohim se çfarë do të na sjellin dy takimet e shkurtit të cilat do të tregojnë vallë do të jetë e domosdoshme të organizohet referendumi. Marrëveshja varet prej asaj se vallë Serbija do të pranojë bashkësinë e shteteve të pavarura. Jam i bindur se ky mund të jetë modeli optimal dhe se këtë krizë mund ta zgjidhim sipas modelit çekosllovak. Në rast se Beogradi nuk do të ketë mirëkuptim për ofertën tonë - atëherë do të shkojmë në referendum" - shprehet prerë Vujanoviq.
Sipas Kushtetutës së Malit të Zi vendimin për referendum, në bazë të propozimit të Presidentit të Republikës, e shpallë Parlamenti. Nga dita e shpalljes së referendumit dhe deri në ditën e mbajtjes së tij nuk mund të kalojnë më pak se 45, por as më shumë se 90 ditë.
DARKO SHUKOVIQ