Siguria e deputetëve

Pristina Jan 27, 2002

Mitrovicë, 17.01.2002.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë këto ditë mjaft probleme. Si të konstituohen organet qendrore të pushtetit dhe si të debllokohet kriza parlamentare. Në anën tjetër, derisa përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar në Kosovë po investojnë përpjekjet e fundit që ky proces të rrumbullakësohet, por edhe kanë tërhequr vërejtjen se, për shkak të marrëdhënieve të krijuara midis grupeve politike, nuk mund të presin një qeveri stabile e cila do të ishte efikase në realizimin e planeve të shumta për rimëkëmbjen e Kosovës, deputetët e Koalicionit ''Kthimi'', 22 deputetë e të cilit i përfaqësojnë serbët e Kosovës, po ashtu nuk e kanë një qëndrim të përbashkët - ta votojnë ose jo kandidatin për president të Kosovës, respektivisht nën cilat kushte ta bëjnë një gjë të tillë. Mirëpo, përveç kësaj dileme, deputetët serbë po ballafaqohen edhe me një dilemë tjetër. Me sigurinë e tyre. Që nga angazhimi i tyre në ndërtimin dhe pjesëmarrjen në institucionet e Kosovës ata janë ballafaquar me këtë problem.

Më 3 nëntor të vitit të kaluar deputetët u desh që të merrnin pjesë në Prishtinë në një seminar ku do të mësonin rreth funksionimit të Parlamentit të Kosovës. Por, deputetet e Koalicionit ''Kthimi'' u kthyen nga aeroporti pa kryer punë. Oliver Ivanoviq, deputet i këtij subjekti politik deklaroi asohere se meqë UNMIK-u dhe OSBE-ja nuk janë në gjendje t'ua mundësojnë një transport të sigurt, si dhe sigurinë për 57 veta sa kishin ardhur nga Beogradi me një avion special, as deputetët e Koalicionit ''Kthimi'' nuk do të merrnin pjesë në atë seminar. ''Kjo më së miri flet për gatishmërinë e UNMIK-ut për të krijuar kushte normale për jetë dhe punë. Konsiderojmë se pa ekipin që na përcolli nuk duhet të shkojmë atje, sepse nëse nuk janë të aftë që të sigurojnë një kalim të sigurt deri në Prishtinë dhe qëndrimin atje për një orë për 57 veta, vështirë mund të presim që do të ofrojnë siguri të mjaftueshme për 22 deputetët dhe për po aq këshilltarë dhe ekspertë e bashkëpunëtorë në kohen kur Kuvendi do të fillojë me seancat e rregullta, posaçërisht kur dihet që seancat mund të zgjasin edhe gjithë ditën ose disa ditë''. Ivanoviq ka thënë me atë rast që për këtë arsye ai do të kërkojë shtyrjen e mbledhjes konstitutive të Parlamentit. Por, po atë ditë opinioni u sqarua se nga Beogradi kishin arritur disa dhjetëra gazetarë dhe zyrtarë të qeverisë serbe, për çka nuk ishin marrë vesh me UNMIK-un. Respektivisht, ''mysafirët e paftuar'' dëshironin të merrnin pjesë edhe në seminar, çka ishte e pamundur të oganizohej...

Megjithatë, seanca e parë e Kuvendit të Kosovës nuk u shty, por prapë mbeti çështje e hapur mënyra si funksionojnë në kushte të vështira dhe si do t'u ofrohet siguria deputetëve të nacionalitetit serb.

Shefi i klubit të deputetëve të Koalicionit ''Kthimi'', Rada Trajkoviq, thotë se tani siguria e politikanëve serbë është më e mirë. Trajkoviq jeton në Graçanicë dhe për të shkuar në mbledhjet e kuvendit ajo është e detyruar që ta lajmërojë UNMIK-un 48 orë para mbledhjes, në mënyrë që ata t'i sigurojnë transportin. "Policët ndërkombëtarë vijnë për të marrë me një makinë blindazh të zezë, në të cilën rëndom gjenden dy policë. Më përcjellin edhe dy makina të tjera, por sa policë gjenden në to vërtet nuk e di, sepse ai numër ndryshon vazhdimisht", thotë Trajkoviq. Ajo shton më tej, se përderisa zgjat mbledhja e kuvendit, siguria është aty gjithë kohën. "Më parë shkoja me përcjellje të armatosur, mirëpo tani është e ndaluar që në Kuvendin e Kosovës të futet çfarëdo lloj arme, kështu që ajo përcjellje më nuk është e nevojshme", pohon shefi i klubit të deputetëve të Koalicionit "Kthimi". Trajkoviq thotë se çdo herë kur shkon në Prishtinë, kryesisht kalon nëpër rrugë të ndryshme. "As unë vetë nuk e di se nëpër cilën rrugë do të kalojmë, kështuqë nëpër një rrugë më së shpeshti shkojmë ndërsa kthehemi nëpër një rrugë krejt tjetër", shpjegon ajo. Të gjithë deputetët e Koalicionit "Kthimi", sipas shefes së klubit të deputetëve, vijnë një nga një, përveç nëse nuk jetojnë në të njëjtin vend. "Ka njerëz që janë jashtë Kosovës, pastaj të tillë që janë në Kosovë, në veri, në jug, në pjesën qendrore, ose nga Shtërpca. Të gjithë ne vijmë me mjete transportuese të ndryshme dhe jo në të njëjtën kohë". Rada Trajkoviq, edhe përkundër sigurisë që i ofrohet, thotë se ndihet e sigurt aq sa ndihet i sigurt edhe populli serb në Kosovë. "Të gjithë ndiehemi të pasigurt për dy arsye. Nuk mendojmë që të gjithë shqiptarët dëshirojnë të qëllojnë mbi serbët, por për arsye se sipas të gjitha gjasave ai grup i vogël ekstremistësh nuk është identifikuar ende. Të vrasësh, ndërsa askush të mos përgjigjet është një gjë që ndikon në mënyrë afirmative që krimet të përsëriten më shpesh".

Ish bartësi i listës së Koalicionit "Kthimi", anëtari i tanishëm i kryesisë së Kuvendit të Kosovës, rektori i Universitetit të Prishtinës në gjuhën serbe, Gojko Saviq, thotë se deputetët që në këtë moment nuk jetojnë në Kosovë ose ata që janë nga veriu i Kosovës e kanë një njeri që i mban lidhjet me UNMIK-un kur është fjala për sigurinë dhe transportin deri në kuvend dhe anasjelltas. "I kemi disa pika të nisjes. Deputetët që janë nga veriu i Kosovës nisen para hotelit "3" në Zveçan. Njëri nga Koalicioni "Kthimi" merret vesh që më parë me UNMIK-un rreth transportit. Pastaj me ata ne transferohemi drejtpërdrejt në kuvend dhe mbas përfundimit të sesionit kthehemi në pikën fillestare". Transporti i deputetëve serbë nga veriu i Kosovës bëhet me makina të blinduara. Në makinë është shoferi, një ose dy ndihmës. "Flas për disa makina të blinduara. Në të njëjtat makina na përcjellin edhe policët e UNMIK-ut para dhe pas nesh", thotë Saviq. Posa deputetët të arrijnë para Kuvendit në Prishtinë, policia e UNMIK-ut më parë e vërteton sigurinë, pastaj i "rrethon" ashtu që me përcjellje të kalojnë deri në godinë. "Në vetë ndërtesën e Kuvendit, sa kam vënë re unë, siguria është solide. Hapësira që na është vënë në dispozicion dhe ku mblidhemi në pauza, në korridor mu pranë derës qëndron një polic i UNMIK-ut. Po ashtu, mu pranë gjenden edhe policë të tjerë dhe konsideroj që sa i përket vetë godinës siguria është solide", thekson Saviq. Posa të përfundojë mbledhja e Kuvendit, policia e UNMIK-ut i përcjell deputetët serbë përsëri deri te makinat dhe aty i marrin ata që janë të ngarkuar me transportin e tyre.

"Policët na ofrojnë siguri, domethënë, derisa ne të mos "ngarkohemi" ne makinat e blinduara. Më duhet ta përdor këtë shprehje, sepse ato makina nuk janë tamam komode për udhëtim. Mirëpo, tani për tani puna qëndron kështu, por ne me kohë do të kërkojmë që kushtet për transport të jenë pak më të volitshme. Megjithatë, shkojmë në mbledhjet e Kuvendit, ku ne duhet të jemi të veshur në mënyrë solide, po këto nuk janë makina për një transport të tillë të njerëzve".

Pas kthimit, policia e UNMIK-ut i kthen deputetët atje ku i ka marrë, në Zveçan, pastaj shkojnë në Leposaviq dhe Zubin Potok, për t'i transportuar edhe deputetët tjerë. Saviq thotë se pranë një përcjelljeje të tillë ndihet i sigurt dhe nuk sheh t'i kërcënohet ndonjë rrezik. "Unë, të paktën tani për tani, nuk shoh të më kërcënohet ndonjë rrezik, por si do të zhvillohet situata më tej mbetet ta vlerësojmë dhe të shohim", konkludon Saviq. Deputeti në Kuvendin e Kosovës nga Shtërpca, Sokol Gjorgjeviq, thotë që transportin dhe përcjelljen për të e siguron komandanti i policisë lokale në Shtërpcë. "Ai e informon policinë speciale nga Argjentina, e cila vjen për të më marrë. Për transport merremi vesh 48 orë më parë. Herën e fundit që isha në Kuvend, kur po zgjedhej presidenti i Kosovës, erdhën të më marrin me katër makina. Dy nga KFOR-i amerikan dhe dy ishin makina të blinduara, ndërsa në njërën prej tyre vozitesha unë. Me mua në makinë janë edhe katër policë, specialë. Unë i pres ata në stacionin e policisë lokale, aty më lënë edhe me t'u kthyer", thotë Gjorgjeviq. Për dallim nga transporti i zonjës Trajkoviq, i cili lëviz gjithnjë rrugëve të ndryshme, sipas Gjorgjeviqit, ai shkon dhe kthehet gjithnjë nëpër rrugën e njëjtë sepse, siç thotë ai, tjetër nuk ka. Gjorgjeviqin e përcjellin po ashtu deri në ndërtesën e Kuvendit, ndërsa policët mbeten jashtë deri në përfundimin e punës së Kuvendit. Sokol Gjorgjeviq vjen i vetëm nga Shtërpca në mbledhjet e Kuvendit të Kosovës, por, siç thotë ai, kjo nuk përfaqëson për të ndonjë problem sepse siguria tani për tani është e mirë. "Nuk mund të them asgjë që më parë, tani për tani siguria është e mirë, e si do të zhvillohen gjërat më tej do të varet sigurisht nga situata politike në Kosovë në të ardhmen".

AIM Prishtinë, Valentina ÇUKIQ