Profesori me deviza te shenuara
Hulumtimet tregojnë se në krahasim me nivelin e fakultetit dhe të shkollës së lartë korrupcioni në shkolla është një "virus" i lehtë. Në qarqet akademike prej kohësh është bërë e njohur deviza sipas së cilës "çdo gjë ka çmimin e vet" dhe se çdo gjë mund të shitet dhe të blihet: indeksi, nënshkrimi, provimi, puna seminarike, vendosja në domin e studentëve si dhe libreza e abonimit, por madje edhe diploma.
AIM Beograd, 24.1.2002.
Kur një baba i pikëlluar mori vesh se pasardhësi i tij kishte një varg me njësha, mjaft i shqetësuar bërtiti:"O Zot, biri im do të ngelë në klasë"! Kësaj ankese drejtori i shkollës iu përgjigj me zgjatjen e dorës: "Haj të lidhim bast me 500 marka se nuk do të ngelë. Krahas "shembujve" të barcoletave, nëpërmjet debateve që kanë filluar jo fort moti në organizatat joqeveritare studentët dhe profesorët vërtetuan se me siguri ka plot raste kur i kanë zënë duke kryer "veprën"edhe akademikët dhe mësimdhënësit e tyre. Por, çdo gjë ka kaluar pa pasoja serioze, sepse ligjet ekzistuese shkollore janë mjaft të buta dhe toleruese. Debatet e këtilla për herë të parë zbuluan edhe ekzistimin e një mekanizmi të sprovuar sistemor të ryshfetit dhe korrupcionit, i cili funkcionon si ora zvicerane duke filluar nga shkolla fillore dhe deri në fakultet. Sipas nivelit të shkollimit, duke shkuar më lartë shtohen edhe të dhënat në të holla dhe gjëra më pak konkrete, por sidoqoftë mjaft joshëse.
Të punësuarit nëpër shkollat fillore kënaqen me dhurata më të vogla, kështu që nxënësit deri te notat më të mira mund të arrijnë me anë të parfumeve ose të luleve. Arësimtarët mund të blihen edhe me privilegje më të vogla siç janë shetitjet pa pagesë; ose me atë që drejtori dhe organet arsimore do të mbyllin sytë para faktit që profesorët mbajnë orë private me nxënësit e klasës "së vetë", ose kur pa kurrfarë hamendjeje "ndërmjetësojnë" te kolegët e shkollës ku punojnë apo të një shkolle tjetër.
Anëtarët e organizatave joqeveritare kanë vërtetuar se 80 përqind të të punësuarve në shkollat fillore dhe në ato të mesme janë zënë në zinxhirin e korrupcionit. Organet arsimore mendojnë dhe deklarojnë të kundërtën. Vigor Majiq, zëvendësministër republikan i arsimit këtë sëmundje nuk e sheh te mësuesit, arsimtarët dhe profesorët në shkollë.
Është e vërtetë se edhe vetë anketuesit bëjnë një dallim të dukshëm kur thonë se korrupcioni në shkolla është një "virus" i lehtë në krahasim me atë të nivelit të fakultetit dhe të shkollës së lartë. Në qarqet akademike ka kohë që është pranuar deviza sipas së cilës "çdo gjë ka çmimin e vet" dhe çdo gjë mund të shitet e të blihet : indeksi, nënshkrimi, provimi, puna seminarike, vendosja në domin e studentëve dhe libreza e abonimit, madje edhe diploma! Në disa fakultete çmimet me anën e të cilave mund të ndërrohet profesori i provimit ose që të prolongohet data e provimeve janë shpallur në vende të posaçme. Dallohen në këtë aspekt nga të tjerët Fakulteti juridik i Beogradit dhe Juridiku i Novi Sadit, në të cilët për 1.500 dinarë çdo student mund të sigurojë nënshkrimin, madje edhe të gjitha nënshkrimet e nevojshme për regjistrimin e semestrit vijues! Kjo listë çmimesh qëndron para syve të të gjithëve, pa kurrfarë pasojash ose reagimesh nga ana e organeve arsimore.
Sipas hulumtimeve dhe anketave të Unionit studentor të Serbisë ekzistojnë disa mënyra sipas të cilave mund të blihet dituria: me të holla apo para, me dikolte të tejdukshme, këmbë të gjata, bel të hollë dhe sy të bukur. Çdo gjë mund të rregullohet "në katër sy", por edhe nëpërmjet ndërmjetsuesit apo personit të tretë. Fakti se më e papërshtatshme është mënyra e dhënies së parave "në dorë' u vërtetua para disa muajsh nga vetë profesorët e Fakultetit të shkencave organizatvie dhe në fakultetin e Stomatologjisë, sepse këta u kapën "in flagranti" me deviza të shënuara në xhep. Derisa rasti me profesorin e parë kishte epilogun e vet në polici, kolegu i tij shpëtoi vetëm me vërrejtje dhe me dënimin të cilin e kaloi me largim nga ligjërimi për një semestër. Edhe studentët që mashtrojnë dhe japin ryshfet deri tani nuk kanë pësuar shumë, sepse ligji aktual dhe rregullorja e fakultetit dënojnë me largim nga fakulteti më së tepërmi për një vit.
Ka edhe disa profesorë të tjerë te të cilët studentët mund ta fitojnë notën kaluese me punë vullnetare në fermën e tyre. Të tillët punojnë në ndërtimin e uikendshtëpizës ose kryejnë ndonjë punë tjetër në fermën e profesorit dhe si shpërblim nuk do të jenë të detyruar që të "lodhin"kokën me mësimet. Disa "sisteme dublerësh" tani më janë tejkaluar. Kështuqë jozyrtarisht është bërë e ditur se provimi i matematikës në Fakultetin ekonomik kushton 500 marka gjermane, kurse i kontabilitetit - 900. Dallimi në çmime është pasojë e ndikesës së ligjit të tregut - numri i atyreve që matematikën e kanë "në gishtrinj" është shumë më i madh ( p.sh. i atyreve në Fakultetin matematikor) se sa i atyreve që njihen si "ekspertë" të kontabilitetit. Nga ana tjetër, dihet poashtu se "ekspertët"e Ekonomikut për 120 DM u dalin në ndihmë atyreve që japin provime në Shkollën e lartë të afarizmit, kurse ata të medicinës "përpunojnë" detyrat e studentëve të edukatës fizike. Biznesi lulëzon edhe në fakultetet e teknikës.
Unioni studentor i Serbisë para do kohësh e filloi anketën me të gjithë kolegët e të gjitha enteve të shkollimit të lartë në shtet, me një anketë prej nja njëqind pyetjesh lidhur me zgjërimin e ryshfetit dhe korrupcionit nëpër universitete. Deri tani nën thjerrëz kanë qenë vetëm fakultetet e Universitetit të Beogradit. Sipas një ankete anonime zhvilluar me studentë gjatë muajit të kaluar është vërtetuar se sipas shkallës së korrupcionit në krye të regjistrit qëndrojnë: Fakulteti i mjekësisë, Juridiku dhe Ekonomiku, të cilët përbëjnë numrin më të madh të enteve të arsimit të lartë shtetror.
Udhëheqja e Ekonomikut në ndërkohë ka ndërmarrë një sistem të gjerë masash sistemore të cilat kanë dhënë rezultate konkrete gjatë regjistrimit të studentëve fillestarë. Megjithatë, dekani Branko Medojeviq paralajmëron dhe tërheq vërrejtjen se kësaj dukurie nuk mund t'i ndërpritet rruga pa një ballafaqim të përgjithshëm dhe të gjithanshëm me mafijen akademike " e cila edhe sot e kësaj dite pa pengesë transferohet nga një fakultet në fakultetin tjetër".
OLLGA NIKOLIQ