Skandali i pasaportave dhe lufta kundër korrupsionit
Skandali i përfolur për shkak të kryerjes së pagesës për pasaporta në mënyrë jolegale e zhagit lëshimin e tyre për shqiptarët që kanë aplikuar dhe e ka prurë Qeverinë para gjykatës. Por, mund ta sjellë edhe rikonstruktimin e Qeverisë.
Tiranë, 23.01.2002.
Konflikti aktual i liderit të Socialistëve në pushtet, Fatos Nanos, dhe kryeministrit Ilir Meta, që po zgjat tani e tre muaj, ua ka sjellë një të mirë shqiptarëve, por edhe vetë Shqipërisë. Qytetarët, siç duket, do t'i marrin më në fund pasaportat që i kërkojnë si qytetarë normalë në tërë botën. Përderisa vendi i vogël ballkanik, më i varfëri në Evropë, me vende joshëse turistike dhe me të gjitha begatitë natyrore të nevojshme në një vend, me transicionin e gjatë postkomunist (fraza me të cilat Shqipëria rëndom përshkruhet), po lëviz në një drejtim të ri, korrupsioni e mban Shqipërinë edhe më tej në krye të listës botërore të vendeve të infektuara me këtë sëmundje që e shëmton imazhin e saj. Këtë herë duket se Shqipëria vërtet i ka shpallur luftë korrupsionit.
Pas një shkëmbimi të gjatë akuzash të ndërsjella midis Nanos e Metës, ministri për luftën kundër korrupsionit, Ndre Legisi, ka dalë në opinion dhe ka bërë të ditur largimin e dy nëpunësve të rangut të mesëm, të cilët ishin të përzier në skandalin me pagesën e pasaportave. Të dytë, Arben Prifti, drejtues i shërbimit publik për furnizim, dhe Artan Hylbegu, drejtues i zyrës qeveritare të kontrollit, mund të konsiderohen për ''kokë turku'' (siç thotë një fjalë e urtë shqipe). ''Kokat'' e tyre kreu në pushtet i ofroi si një shenjë se lufta e tij është e njëmendtë.
Të njëjtin trend e ka vazhduar edhe ministri i shëndetit, i cili ka larguar ose dënuar disa funksionarë të lartë në ministrinë e tij.
Mirëpo, kjo nuk shkon aq lehtë. Meta nuk e kishte aq të vështirë që ta qetësonte Partinë Demokratike në opozitë të ish-presidentit, Sali Berisha, pas pranimit të programit antikorrupsion prej 11 pikash. Atij i janë shtuar edhe dy të tjera dhe ekspertët po punojnë tani në shqyrtimin e mundësive për mënyrat e zbatimit të tij, që përfaqëson një detyrë tepër të vështirë dhe, pse të mos thuhet, gati të pamundshme në këtë vend. Mirëpo, kjo është një gjë e mirë që do të mund ta nxisë aksionin e përbashkët të partive politike, i cili do ta shpiente vendin drejt integrimit me Bashkimin Evropian dhe Perëndimin.
Opozita erdhi kësaj here nga vetë qeveria. Ministri i brendshëm, Ilir Gjoni, dyshon se bëhet fjalë për ''diçka të shpikur për qëllime të tjera''. Ai ka refuzuar t'i largojë nëpunësit vetëm për këtë arsye, duke pohuar se nëpunësit qeveritarë nuk duhet shfrytëzuar për t'i mbuluar skandalet tjera. Në kundërgoditjen e tij ai u ka thënë gazetarëve që e ka informuar Metën se ''do t'ia ofrojë brenda kornizave ligjore të gjitha informacionet policore lidhur me politikanët, funksionarët shtetërorë dhe personalitetet publike''. Kjo do të thotë se edhe nëpunës të tjerë, pak a shumë të afërt edhe me vetë Metën, ka mundësi të jenë të përzier në skandale të shëmtuara. Një shkëmbim i këtillë i goditjeve midis grupacioneve të ndryshme në kuadër të forcës politike në pushtet gjithsesi do t'i kontribuojë krijimit të një pushteti më të mirë.
Konkretisht, ata ia japin pasaportat në dorë popullatës, për të cilët ishin të paarritshme me vite të tëra dhe të cilët ishin të dëtyruar të degjonin për skandale financiare, akuza të ndërsjella, që përfaqësonte një material të shkëlqyeshëm për mediat, por që nuk sillte asnjë të mirë për emigrantët që i kërkonin pasaportat për vete ose për fëmijët e tyre, sepse detyroheshin të kthehen në vendin e qëndrimit të përkohshëm të brengosur për mundësinë e deportimit mbrapshtë në vendin e tyre.
Ku konsiston problemi me pasaportat ose, thënë më mirë, skandali?
Pas radhëve të gjata të emigrantëve shqiptarë, të cilët kërkonin t'u lëshoheshin pasaporta të reja në fundverë, ka ende njerëz që bredhin nëpër kancelaritë e komisariateve të policisë në kërkim të pasaportave të reja, çfarë përfaqëson një mundim të ri për njerëzit e këtij vendi evropian të vogël e të varfër, ku lëshimi i vizave tashmë po i takon të kaluarës.
''Kemi mësuar nga lajmet se në janar do të startohet me lëshimin e pasaportave të reja, mirëpo ne atyre nuk u besojmë. Unë dua ta marr pasaportën e re dhe ta ripërtërij vizën greke, sepse kjo më ka skaduar'', thotë Milto, një mesoburrë shqiptar i dëshpëruar.
Që nga qershori policia nuk lëshon pasaporta në pritje të shtypjes së pasaportave të reja. Por, kriza ka zënë fill më parë. Shefi i policisë, koloneli Bilbil Mema, ka dhënë urdhër që pasaportat e reja t'u lëshohen vetëm personave me probleme shëndetësore. Pesë muaj pas këtij urdhëri nuk ka më pasaporta as për ta. ''Mendojmë se lëshimi i pasaportave nuk do të fillojë së shpejti'', ka thënë ai.
Paniku te popullata ishte një problem që e ka nxitur korrupsionin dhe skandalin. Nga mesi i nëntorit u burgos shefi i policisë në Berat, qytet në jug të vendit, për arsye se i kishte ''shitur'' pasaportat për shumën prej $500. Me dhjetëra policë në shkallë vendi janë larguar nga detyra për shkak të rasteve të këtilla të korrupsionit, mësohet nga burime policore.
Kjo çështje bëhet edhe më tragjike për shqiptarët për faktin se ata nuk do të duhej të shpresonin për të marrë pasaportat të paktën edhe disa muaj, por vetëm do të dëgjojnë se si rritet kjo enigmë e madhe, si dhe zërat dhe akuzat në adresë të qeverisë dhe paqartësia e përgjithshme rreth çështjes se cila kompani do të fitojë në konkursin rreth kësaj çështjeje.
Kompania gjermane ''Bundes Druckerei'', fituese në konkursin e shpallur në muajin gusht, tek duhet të tregojë gatishmërinë se me kohë do t'i sjellë pasaportat për shqiptarët. Është thënë se ajo do t'ua dorëzojë ekzemplarin zyrtarëve në nëntor, por ende nuk ka një raport rreth kësaj çështjeje, çfarë i bën joreale premtimet e dhëna se ato do t'u ofrohen shqiptarëve në janar.
Edhe vetë rrjedha e konkursit është një histori më vete. Kontrata e mëparshme pesëvjeçare me kompaninë kanadeze ka skaduar në dhjetor të vitit
- Kjo do të thotë se shpallja e konkursit të ri është dashur të bëhet para skadimit të këtij afati. Mirëpo, qeveria, tek në mars dhe nën kërcënimin e shpërthimit të krizës rreth pasaportave, e ka urdhëruar shërbimin e vet për furnizim që t'i marrë ofertat, duke rekomanduar katër kompani të specializuara për shtypjen e pasaportave - EuroGet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, De la Rue nga Britania e Madhe, Bundes Druckerei nga Gjermania dhe EFTSF nga Franca.
Procedura është shndërruar në një proces maratonik. Ka filluar në prill, por së shpejti është shtyrë për një javë, sepse kompania gjermane ishte lënë anash, sipas disa burimeve nga komisioni i konkursit. Një javë më vonë procedura është shtyrë përsëri për një kohë të pacaktuar. Katër javë më pas, kryetari i komisionit të konkursit është zëvendësuar dhe në atë vend është caktuar zëvendësministri i brendshëm, Bujar Himci.
Grindja ka plasur pikërisht në këtë ministri. Policët u janë kundërvënë nëpunësve të ministrisë së rendit publik. Këta të fundit kanë konsideruar se policia dhe jo ministria e brendshme, të cilat në këto çështje konsiderohen si dy institucione të ndara, është dashur ta kryejë punën rreth konkursit. ''Pasaportat janë dokumente identifikimi dhe të rëndësishme, që përbëjnë dy kritere që tregojnë pse policia duhet të merret me to'', ka thënë Mema. Katër ditë më vonë, komisioni e ka shpallur fituesin - kompaninë gjermane Bundes Druckerei - edhe pse është thënë se oferta e saj kishte qenë më e shtrenjta.
Jo vetëm opinioni publik shqiptar, por edhe ambasada amerikane në Tiranë ka reaguar me nervozitet ndaj një anomalie të këtillë, duke dërguar një notë proteste në fund të gushtit, me kërkesën që ministri në qeveri i ngarkuar me luftën kundër korrupsionit, Ndre Legisi, t'i zhvillojë hetimet zyrtare rreth kësaj çështjeje ''me qëllim që konkursi të përsëritet''. (Duket që Legisi ta ketë dëgjuar me kujdes kërkesën, sepse mediat kanë informuar të jetë parë zëvendësambasadori i SHBA-ve duke hyrë në kancelarinë e Legisit, pasiqë ky i fundit i kishte larguar dy nëpunës të ngarkuar për vizat. Është e mundshme të ketë qenë ai një takim i zakonshëm, por shqiptarët me qejf i zhvillojnë idetë e tyre.)
''Ambasada e SHBA-ve është thellësisht e brengosur lidhur me transparencën dhe drejtësinë e konkursit. Besojmë që EuroGet, kompania nga SHBA, pa të drejtë është anuluar nga konkursi, edhe pse oferta e saj ishte më e ulëta dhe përkundër faktit që ka përvojën adekuate. Kemi frikë se mënyra si është zbatuar konkursi do t'i dekurajojë firmat e tjera amerikane që hyjnë në tregun shqiptar'', thuhet në notën e ambasadës.
Duke iu kundërvënë arsyeve pse kompania amerikane është lënë anash, në notë thuhet po ashtu se avokati i kompanisë ''ka hedhur poshtë ato arsye dhe ka theksuar mangësitë serioze të konkursit''. Më tej, akuzohet nëpunësi i ministrisë për anësi, meqenëse ''kushtet e konkursit janë përcaktuar me qëllimin e prerë që t'i shkojnë për shtati njërës nga kompanitë'', si dhe për dhënien e informacioneve të papublikuara pjesëmarrësve të caktuar ku nuk kanë pasur qasje pjesëmarrësit tjerë. Në atë notë kritikohet edhe ''korniza kohore joreale, e cila ka krijuar pështjellim dhe probleme gjatë gjithë procesit''. ''Dy nga kompanitë botërore më të respektuara për shtypjen e pasaportave, EuroGet dhe De la Rue, janë skualifikuar në fund në pajtim me konkursin'', thuhet në notë.
Në konkluzionin e notës thuhet që oferta e zgjedhur është rritur në raundin e dytë në raport me të parin. ''Oferta fituese është për më shumë se 1.8 milionë dollarë amerikanë më e lartë nga oferta më e ulët''. Ambasada ka kërkuar që qeveria ta shpallë një konkurs të ri. ''Një konkurs i ri, i paanshem dhe transparent, do të ndihmonte për kthimin e mirëbesimit të bashkësisë ndërkombëtare te procedura e konkursit të qeverisë së Shqipërisë''.
Ministria e brendshme i ka hedhur poshtë akuzat dhe i ka ftuar të gjithë që ta vërtetojnë transparencën e tij dhe ka premtuar se pasaportat do të jenë të gatshme deri në janar.
Në ndërkohë, kompania amerikane EuroGet e ka paditur qeverinë. ''Ishim të befasuar kur klienti im u skualifikua gjoja pse nuk është i specializuar për bërjen e pasaportave, edhe pse vetë ministria e kishte njoftuar për të marrë pjesë në konkurs. Qeveria i ka rekomanduar këto katër kompani pikërisht si të specializuara për bërjen e pasaportave'', thotë Kalo.
Gjykata ka proceduar ngadalë në këtë rast, por avokati është i vendosur se do të dalë fitues dhe që konkursi do të përsëritet. ''Sipas burimeve të mia, qeveria shqiptare e ka lutur kompaninë kanadeze që t'i sigurojë edhe 200 000 pasaporta për ta përballuar krizën. Kjo mund të shfrytëzohet në favor të përsëritjes së konkursit'', konkludon avokati.
Ka edhe mendime se konkursi vështirë mund të përsëritet, meqenëse kompania gjermane tashmë po punon në realizimin e projektit.
Përfaqësuesi i kompanisë gjermane ka deklaruar për televizionin se gjithçka po shkon në pajtim me procedurën dhe që pasaportat e reja do të lëshohen në janar. Disa ekspertë të ministrisë, ndërkaq, thonë që kjo vështirë të realizohet, sepse nuk ka kohë të mjaftueshme për përgatitjen e tyre.
Duket që ata mbase kanë të drejtë. Ministri Gjoni thotë se, sipas informacioneve me të cilat disponon ai, shqiptarët do të mund t'i marrin pasaportat e reja deri në fund të janarit. Kompania gjermane e ka sjellë një pjesë të pajisjes dhe ende po sjell pajisje të tjera, kështuqë infrastruktura e domosdoshme do të kompletohet deri nga mesi i janarit. Ata edhe e kanë trajnuar personelin shqiptar që do ta kryejë këtë punë.
Shtrohet pyetja nëse shqiptarët do ta harrojnë së shpejti gjithë problemin, shtyrjen e zgjidhjes së tij, apo vetëm do ta kujtojnë si diçka të lidhur me fillimet e luftës kundër korrupsionit, ose si një konflikt midis Nanos dhe Metës dhe akuzat ndaj nëpunësve të rangut më të ulët që pasuan. Ose ndoshta si një hap të parë në bashkëpunimin midis dy partive politike kryesore.
Sido që të jetë, për shqiptarët e rëndomtë kjo do të thotë se nuk do të krijojnë përsëri radhë të gjata për marrjen e pasaportave në tetë vjetët e ardhshëm, periudhë kohore për të cilën është planifikuar ky projekt kontraverz pasaportash.
AIM Tiranë, Llazar SEMINI