Gjithë festat serbe
AIM Banjalukë 14.01.2002
Kundërshtuesit e festave e numrit të madh të festave, që kremtohen në Republikën Serbe vetëm në muajin janar, lirisht mund ta rrethojnë këtë muaj në kalendar. Ata që janë të lodhur nga përqafimi me të tjerët për t'ua uruar gjithë kremtet, kanë mundësi që gjithë urimet e veta t'i shkurtojnë në: "Gëzuar janarin".
Qytetarët e Republikës Serbe (RS) ligjërisht, këtë muaj, nuk do të punojnë gjysmë muaji. Sikur disa festa të mos ishin bashkangjitur me uikendet atëherë do të kishte më shumë ditë jopune. Sa për krahasim: pushimi vjetor në Amerikë zgjat gjithsejt 15 ditë.
Ligji mbi festat dhe ditët e shenjta ka përfshirë në festat shtetërore: Kërshëndellat, Ditën e Republikës, Vitin e Ri (dhe Vitin e Ri Serb 14 dhe 15 janari festohen gjithashtu), Ujët e Bekuar, Shën Savën (festë shkollore), Kryengritjen e parë serbe, Pashkët, rrëshajat, Ditën e punës
- Një majin dhe Vidovdanin. Veç këtyre festave çdo qytetar ka të drejtë të ketë nga dy ditë jopune në kremtet e lindjes. Vendimi mbi festat është sjellë gjatë kohës së luftës dhe prej atëherë askush nuk ka tentuar që ta ndryshojë.
Përderisa në botë festohet vetëm dita e parë pas pritjes së vitit të ri (1 janarit), në RS festohen dy ditë. Megjithatë, as kjo nuk mjafton, prandaj sipas ligjit edhe Viti i Ri Serb gjithashtu festohet dy ditë.
"Nuk ka kuptim që Viti i Ri të kremtohet dy ditë. Ne kremtojmë edhe festat shkollore, Ditën e ushtrisë, ndërkaq unë mendoj se këto festa duhet t'i festojnë organizatat dhe institucionet që kanë të bëjnë këto festa. Dhe jo gjithë ne. Do të ishte më mirë, p.sh. që për Kërshëndella, pasi është festë tradicionale, të kishte pushim. Për disa do të ishin ditë jopune shkaku i festës, kurse pjesa tjetër do të shkonte në pushim", sqaron qëndrimin e vet për kremtet serbe shefi i komunës Laktashi Ranko Karapetroviç.
Më të ashprit pyesin se a ka logjikë për të festuar kaq festa, veçmas kur pak para festave Ministria e Shëndetësisë dhe Politikës Sociale e Republikës Serbe tha se 60 përqind e popullësisë të këtij entiteti të bh. ka për të harxhuar nga dy marka për një ditë. A ka kuptim që qytetarëve para kamerave televizive, gjatë festimit të Ditës së Republikës në Oborrin e Banskit, tu tregohen tryezat përplot, kur shumica prej tyre, sikurse familja e paraqitur në televizion e Milorad K. nga Banjaluka nuk kishte as pulë e bukë në tryezën e shtruar për Kërshëndella.
Ithtarët e festave thonë se në RS, kur të numërohen të gjitha, nuk ka brenda vitit më shumë festa se sa në vendet tjera. Miodrag Zhivanoviç, këshilltar i kryeministrit të RS dhe profesor në Fakultetin Filozofik, nuk e sheh problemin në numrin kaq të madh të festave. "Është problem se nuk ekziston kurfarë baze për këtë. Janë përfshirë kremtet, intime, gjërat personale të familjeve, ditët e themelimit të entiteteve, festat kishtare. Kur këto mblidhen përgjatë një viti atëherë do të shihet se nuk janë më shumë se sa p.sh. ato katolike. Problemi kryesor është te mosekzistimi i kritereve, që është edhe një pasqyrim i gjendjes edhe ashtu kaotike në vend", thotë Zhivanoviç. Ai mbetet në kërkesën që në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Republikën Serbe të rregullohen në të njëjtën mënyrë raportet ndërmjet kishës dhe shtetit.
Kjo qeveri, mu si ajo e mëparshmja, nuk janë marrë aq shumë me çështjen e 'leverdisë ekonomike dhe fitimit nga mbyllja e firmës' në muajin janar, që gjithsesi se do të ketë pasoja edhe në plotësimin e buxhetit. Madje edhe ata që kishin vendosur të punojnë në janar nuk kishin shumë leverdi nga kjo, sepse nuk kishin me kënd të bënin biznes.
"Mjerë ne si krerë të komunës që në kësi kushtesh të mund të organizojmë procesin e punës. Puna efikase kërkon numër të vogël të punëtorëve, por sa mund ata të rirenditen me një numër kaq të madh festash. Në janar dukshëm ka të ardhura më të pakta në buxhet. Përndryshe, vërej se numër i madh individësh dhe organizatash nuk respektojnë festat shtetërore, ata punojnë, që vërteton se sa joreal është organizimi i këtyre festave", thotë Karapetroviçi.
Megjithatë, askush deri më tani, nuk mund të presë se kjo do të ndodhë edhe në të ardhmen, as është ngritur çështja e numrit të madh të festave, veçmas në janar. As iniciativën për zvogëlimin e tyre. Përgjigja e dikujt nga Qeveria aktuale e RS në pyetjen e gazetarit të AIM-it rreth asaj se athua në RS mund t'i shkurtohet ky luks vetvetes, me siguri duhet pritur deri sa të kalojnë festat.
Rreth aspektit ekonomik të "janarit të shenjtë", menaxhuesi i "Tehnogas TNG" Stanislav Çado, thotë: "Doemos duhe të gjindemi në përputhje me ligjin - natyrisht, festojmë gjithë festat që janë shpallur si shtetërore. Kjo ka ndikim negativ në punë, madje shkaku i punës specifike me të cilën merremi ne, procesi i punës duhet adaptuar sipas kërkesës së blerësve, në rend të parë objekteve mjekësore".
Numrin kaq të madh të festave Çado personalisht e konsideron të pakuptimtë: "Ndërprerja e ditëve të punës shkakton probleme organizative nëpër firma dhe në njëfarë mënyre pengon ritmin punues të çdo individi. Kjo vetëm se tregon kohën në të cilën jetojmë duke u shprehur kështu një lloj papjekurie kolektive". Ai thotë se krijohet përshtypja se numri i madh i kremteve të ditëve të shënuara ose ngjarjeve është prodhim i raporteve pak iracionale ndaj jetës në përgjithësi.
Nebojsha Ristiç, shef i zyrës së Agjencisë Komunikative Rregulluese (CRA) në Banjalukë, nuk konsideron se shumica e festave bëhen me gëzim: "Logjika e shëndoshë na dëshmon se çdo shtet në botë, finansiarisht mjaft më të fuqishëm se sa Republika Serbe, nuk mund t'ia lejojnë vetes një luks që brenda një muaji të ketë vetëm dhjetë ditë pune. Respektimi i traditës është i pashmangshëm, si themel i çdo shoqërie, megjithatë, nëse me këto kremte shkohet drejt mbrojtjes të të drejtave të njeriut dhe të drejtave fetare, atëherë duket haptas se gjërat kanë shkuar në një esktrem tjetër, sepse e drejtë e njëjtë është edhe e drejta për punë dhe përfitim, si garancë ekzistenciale të individit dhe shoqërisë".
Banjalukasja Andrea Gajiç thotë me ironi: "Pasi jetojmë në demokraci dhe mirëqenie, mund t'ia lejojmë vetes mundësinë për të pasur kaq ditë pushimi, duhet pasur raport të njëjtë ndaj traditës dhe të njëjtat të drejta duhet lejuar edhe qytetarëve tjerë të RS, pa marrë parasyshë përkatësinë e tyre nacionale".
Pasi që shumica e festave të janarit kanë karakter fetar, Nebojsha Ristiç mendon se bëhet fjalë për një gabim të përgjithshëm, siç është rasti me raportin e përgjithshëm ndaj religjionit: "Një gjë personale, siç janë festat fetare, ngriten në shkallën e gjithë entitetit.Kurse në këtë gjë nuk shoh kurfarë logjike. Tre kremtet më të shpeshta te serbët
- shën Jovani, shën Nikola dhe shën Gjergji - janë ditë pune, kurse dihet mjaft mirë se pjesa më e madhe e popullatës së RS në këto ditë ikin nga puna".
Edhe pse shumica pajtohen me konstatimin se ka pak arsye për çfarëdo kremtesh në RS dhe se standardi jetësor mezi mundëson të mbijetojmë, megjithatë të gjithë respektojnë ligjin dhe heshtin. Disa, sikurse kreu i Lidhjes Popullore Serbe Branislav Loliç, janë të prirë që për situatën e rëndë ekonomike ta akuzojnë bashkësinë ndërkombëtare, 'sepse shkaku i qeverisjes së Partisë Demokratike Serbe ia kanë zvogëluar donacionet këtij entiteti'. Logjika e tyre politike nënkupton se derisa ne festojmë të huajt duhet të fitojnë para që do të na dërgojnë neve në formë donacionesh.
TANJA TOPIQ